Sot ditëlindja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

789
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Dede Edmond Brahimaj, në këtë përvjetor të lindjes, pret urime të shumta dhe vizitë në Selinë e Shenjtë Bektashiane

“…Kjo ditëlindje, përkon (për pak ditë) dhe me 10 vite të zgjedhjes së Tij, në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane. Ky eveniment, është një datë e shënuar për komunitetin bektashian dhe miliona bektashinj në mbarë botën, për klerikët e këtij besimi të paqtë klerikë të besimeve të tjerë, për grupime sociale e faktorë të tjerë shtetërorë e shoqërorë që duan dhe janë angazhuar për dashuri, harmoni dhe paqe universale. Sot, Kryegjyshi pret urimet dhe vizita në Selinë e Shenjtë, nga besimtarë dhe miq e shokë në mbarë botën…”

Sot, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka ditëlindje, mbush 62 vjeç. Ndërkohë, kjo ditëlindje, përkon (për pak ditë) dhe me 10 vite të zgjedhjes së Tij, në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane. Ky eveniment, është një datë e shënuar për komunitetin bektashian dhe miliona bektashinj në mbarë botën, për klerikët e këtij besimi të paqtë, klerikë të besimeve të tjera, për grupime sociale, e faktorë të tjerë shtetërorë e shoqërorë që duan dhe janë angazhuar për dashuri, harmoni dhe paqe universale. Sot, Kryegjyshi pret urimet dhe vizita në Selinë e Shenjtë, nga besimtarë dhe miq e shokë në mbarë botën…

Jetëshkrimi dhe pak nga aktiviteti

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka lindur në Tiranë më 19 maj të vitit 1959, prej prindërish besimtarë të devotshëm të bektashizmit, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, “Dëshmorët e Lirisë”, vazhdon studimet në shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira. Në vazhdim, i jepet e drejta për të ndjekur studimet e larta ushtarake, në Akademinë e Forcave Tokësore, sot Akademia Ushtarake “Skënderbej’. Nga viti 1982 dhe deri më vitin 1990, ka shërbyer në funksione të ndryshme ushtarake, në Burrel, Peshkopi e Librazhd. Me ringjalljen e besimit bektashian në fund të viteve 90-të, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë, merr pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në fillim të vitit 1991, me kërkesën e tij, lirohet nga funksionet ushtarake, duke marrë përsipër bashkë me të tjerë, barrën për organizimin e Komunitetit Bektashian. Vlen të theksojmë se edhe në kushtet më të vështira, atëherë kur ushtrimi i besimit fetare në Shqipëri u ndalua me nen të veçantë të Kushtetutës, shtëpia e prindërve të tij në Tiranë, ka shërbyer për mbajtjen gjallë të bektashizmit, duke u rrezikuar shumë prej regjimit që nuk falte. Në vitet 1991-1994, kohë në të cilën ai ishte myhyr e kandidat për dervish, ka bërë të gjitha punët, si punëtor krahu, si bari, si roje, në shërbim të baballarëve, por dhe në zgjidhje të tjera në problemet që kishte Kryegjyshata  me faktorë të tjerë. Më 2 janar të vitit 1992, ai merr dorë tek udhëheqësi i tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Baba Barjam Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Pirit të ndritur, Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish” dhe, menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane Korçë, në Teqenë e njohur të Turanit. Puna e palodhur e tij për kontinuitetin dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë, bëri që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba”. Pas kalimit nga kjo jetë i baba Bajram Mahmutajt, caktohet si zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Në këtë funksion të lartë, kontributi i tij ka qenë i çmuar, sidomos në ideimin, përgatitjen dhe realizimin e tri kongreseve të radhës të bektashizmit. Madje, në dy kongreset e fundit, (Tiranë, 2000 dhe 2005), ka raportuar në cilësinë e përgjegjësit në emër të Këshillit të Lartë Gjyshëror. Në marsin e vitit 2006, me kalimin nga jeta të Baba Tahir Eminit, emërohet në funksionin e gjyshit të gjyshatës bektashiane në Maqedoni. Kontributi i tij në këtë gjyshatë ka qenë sa në rrafsh të organizimit të komuniteteve të besimtarëve atje, dhe në aspektin e njohjes prej ndërkombëtarëve. Si në Korçë edhe në Tetovë, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka manifestuar cilësitë e spikatura të klerikut bektashian në aspektin doktrinor, moral dhe qytetar, duke u shndërruar në faktorin e tolerancës fetare midis besimeve të tjera. Në vitin 2004 për kontributin e çmuar të tij, Këshilli Bashkiak i Qarkut të Korçës e ka nderuar me titullin më të lartë “Nderi i Qarkut të Korçës”. Dede Edmond Brahimaj, ka marrë shumë falënderime dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë, asaj të Maqedonisë, të Kosovës, faktorëve të shoqërisë civile, përfaqësitë diplomatike etj. Trupi diplomatik i akredituar në Shkup e ka vlerësuar lart, zyrtarisht, si njeri me të gjitha atributet e një prijësi fetar, posaçërisht për rolin e tij paqësor në teqenë “Harabati Baba”, teqenë në Tetovë etj. Roli i tij si klerik, atdhetar e intelektual, mënyra e përballjes me diskriminimin ligjor ndaj Komunitetit Bektashian në trevat e Maqedonisë Veriore, duke përdorur urtësinë, zgjuarsinë, peshën e mendimit dhe të fjalës, dhanë rezultate që shumëkush nuk i priste. Falë këtij përkushtimi dhe kësaj pune, u arrit që Gjykata Ndërkombëtare e Strazburgut, me ligj të veëantë, t’u kthej bektashinjve disa mjedise të zëna forcërisht nga disa qarqe ekstremiste.

Që nga viti 1992 e në vazhdim, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka marrë pjesë në trajnime të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human dhe social, ku edhe ka referuar, duke ëuar aty zërin dhe eksperiencat e komuniteteve bektashiane të kudondodhura në botë. Kështu më 1966, ai referoi në Teheran, lidhur me tolerancën bektashiane në trevat e Ballkanit. Më 14 qershor 2003, në Konferencën Ndërkombëtare “Fetë dhe Civilizimet në mijëvjeçarin e ri”, referon rreth sfidave të bektashizmit në të ardhmen. Në qershor 2004, në kuadër të trajnimeve të organizatës të Komuniteteve fetare tradicionale shqiptare, viziton Shtëpinë e Bardhë në SHBA. Nga bordi i kësaj organizate, ka merituar titullin “Ambasadori i Paqes”. Ka shkuar në SHBA i ftuar nga Departamenti i Shtetit dhe nga ambasada amerikane në Shqipëri, për një periudhë 21 ditore për “Diversitetin e fesë në SHBA”. Dede Edmond Brahimaj, ka marrë pjesë disa herë në festimet e 16 gushtit në Haxhi Bektash të Turqisë, ku është pritur nga drejtues të lartë të shtetit turk si edhe ata të Institutit “Haxhi Bektash Veliut”, pranë Universitetit të Gazit në Turqi. Gjithashtu, ka qenë i pranishëm dhe ka kontribuar me ligjëratat e tij në veprimtari analoge në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Ohër, Stamboll, Ankara, Afiyon, Shtutgart, Keln, Greqi dhe në Detroit të SHBA -së. Dede Edmond Brahimaj, ka qenë pjesëmarrës në pelegrinazhin Botëror  për Haxhillëk në Mekë, vitin 204; ka marrë pjesë në vizita në vende të shenjta në Jeruzalem në Izrael, në vitin 2007; ka qenë i ftuar në Kongresin e 33-të Botëror për “Liritë Fetare” në Indi dhe ka ndezur pishtarin të këtij aktiviteti së bashku me udhëheqësin e shquar fetar Dalai Lama; ka marrë pjesë në tri konferenca Botërore mbi fenë në Maqedoni në vitet 2006-2011. Në kurrikulën e arsimimit të tij të lartë, ndër të tjera, përfshihen dhe studimet për Juristikën, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Maqedoni. Me vendim ekstra, datë 11.06.2011 (160, në protokoll, datë 04.07.2011) të Këshillit të Lartë Gjyshëror  të Kryegjyshatës  Botërore, pas kalimit nga jeta e Haxhi Dede Reshat Bardhit më, 11.06.2011, Dede Edmond Brahimaj, është zgjedhur në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve.

Dede Edmond Brahimaj, i 39-ti Kryegjysh Botëror në 800 vite të bektashizmit

Dede Edmond Brahimaj, mbështetur në dokumentet e kohës, ruajtur në Arkivin e Selisë së Shenjtë Botërore, është i 39-ti Kryegjysh Botëror që kanë drejtuar këtë komunitet miliona banorë që shtrihet në gjithë botën, në mbi 800 vite të ekzistencës besimit bektashian, të këtij tarikati Islam të paqtë. Ndërkohë, referuar të njëjtit burim arkivor, rezulton se Kryegjyshi  Botëror aktual, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (vazhdon në këtë detyrë), është Kryegjyshi i nëntë në radhë me origjinë shqiptare, numër i cili nis me Sali Niazi Dede, (që drejtoi në periudhën, 1913- 1941) e që është kryekleriku bektashi që solli institucionin më të lartë të këtij tarikati. Ndërsa në të njëjtën listë e në dokumente të tjera zyrtare, rezulton se në rrugëtimin tetëshekullor të bektashizmit, ka pasur edhe kryegjyshër të tjerë Botërorë  me origjinë shqiptare.

Disa nga mirënjohjet për Dede Edmond Brahimajn

Këto vite, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka punuar me përkushtim duke vazhduar rrugën e Dede Reshatit Bardhit, traditën bektashiane në marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, ka pasur dhe ka një axhendë të ngjeshur në veprimtaritë e ndryshme ndërkombëtare nëpër botë, ku ndër to përmendim: Takimi me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës për çështjet fetare në vitin 2012; takimi me personalitete të lartë të Turqisë, Kryeministrin Erdogan, Presidentin turk dhe përfaqësues  të  lartë të Komunitetit Mysliman të Turqisë në vitin 2013; është pjesëmarrës në konferencën për 100- vjetorin e Shoqërisë “Vatra” në vitin 2013; është takuar me personalitete të Shtëpisë së Bardhë në SHBA, përfshi Sekretarin e Shtetit Xhon Kerri më 2013; është pjesëmarrës në Konferencën Botërore për paqe, në Pejë të Kosovës, viti 2013; ka vizituar vendet e shenjta të Irakut në qytetet Nexhef, Qerbela, Kufe, Bagdat, në prill 2014; merr pjesë në Samitin për Paqen në Seul në shtator 2014; ka marrë pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare për paqe mes popujve 9-12 tetor, Palermo-Itali, 2014 etj. Dede Edmond Brahimi është takuar me Papa Françesku në Tiranë më 21 shator 2014  dhe është pritur nga Papa i Romës, i ftuar nga Vatikani, më 11 maj 2016. Një nga ngjarjet e veçanta e Dede Edmond Brahimajt, është pjesëmarrja së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në ‘Marshimin e Paqes’, homazh në solidaritet mbarëkombëtar pas tragjedisë ku si pasojë e aktit terrorist ndaj revistës : “Charlie Hebdo” humbën jetën 12 vetë. Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera i janë akorduar tituj e medalje të ndryshme, ndër të cilat: Urdhri “ Kalorësi i Skënderbeut”, më 7 shtator 2015 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë; “Mirënjohje” nga Presidentin Barak Obama, në SHBA, në janar 2017; Dr. Honoris Causa, nga Misioni OKB, në shtator të vitit 2016; “Ambasador i Paqes” në vitin 2004; në mbi 15 qytete, Dede Edmond Brahimajt, i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” etj…

Disa motivacione të shkëputura nga vlerësimet për Dede Mondin

Janë me dhjetëra vlerësime të krerëve të shteteve dhe organizmave të lartë shtetërorë e shoqërorë që kanë vlerësuar punën e Kryegjyshit  Botëror  Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në krye të Selisë së Shenjtë. Ja disa prej tyre:

-Titulli “Kalorësi i Skënderbeut”, nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani: “Në vlerësim të kontributit të shquar, dhënë për ruajtjen dhe vazhdimin me besnikëri të traditave të vyera bektashiane si dhe konsolidimin e Selisë së Shenjtë Bektashiane me qendër në Tiranë!” (Nr. Dekretit 9214, Tiranë, më 04.09.2015/ Firma, Vula)

-Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Qeveria e Republikës së Kosovës: “Për të shprehur respektin më të lartë për punën Tuaj të palodhshme në lartësimin e vlerave kulturore, fetare e kombëtare, përmes udhëheqjes nga ana juaj të komunitetit të nderuar Bektashian, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë t’u nderoj me medaljen e krye heroit tonë kombëtar ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’. Ju uroj shëndet, fat e prosperitet dhe shpreh gatishmërinë time që të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen, për avancimin dhe forcimin e vlerave tona të përbashkëta kombëtare!” (Ramush Haradinaj/ Kryeministër i Kosovës. Firma, vula. Nr. Prot., 2661/2019, datë 17 korrik 2019)

-“Mirënjohje”, nga Talat Xhaferri, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, 5 dhjetor 2019. Motivacioni:*Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë për forcimin e konsolidimin e besimit tek Zoti. Propagandimin e promovimin ndërkombëtar të vlerave liberale universal, të vërtetës, diturisë, të drejtës, ligjit, sinqeritetit e emancipimit shoqëror në mbarë njerëzimin. Për lartësimin e paqes e harmonisë, tolerancës ndërfetare, ndëretnike, dashurisë e solidaritetit njerëzor, duke ruajtur dhe mbajtur lart dashurinë për atdheun. Kuvendi i republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i Kuvendit z. Talat Xhaferi, ju falënderon dhe vlerëson lart misionin tuaj fisnik!” (5 dhjetor 2019. Talat Xhaferri/ Firma/Vula)

-Komuniteti Bektashian i Maqedonisë së Veriut: “Për kontributin që keni dhënë për konsolidimin e bektashizmit në Maqedoni dhe ndihmesat në teqetë bektashiane” (Tetovë, 26.11.2005. Firma, Hirësia e Tij, baba Tahir Emini)

-“Profesor Nderi”, i Universitetit të St. Petërsburg, 15 nëntor 2016, i jep titullin “Profesor Nderi” me vlerësimin: “I dashur mik, përshëndetje të ngrohta!

Ne jemi shumë të nderuar t’ju njoftojmë se jeni emëruar si Anëtar Nderi i Kongregatës së Profesorëve në Universitetin Amerikan “Vox Dei Amerika”. Universiteti “Vox Dei Amerika” ju falënderon për vullnetin e mirë që keni treguar për të bashkëpunuar me qëllimet tona Humanitare si një Misionar i vërtetë për Paqen Botërore. Ne besojmë se emërimi si Profesor Nderi do t’ju ndihmojë të vazhdoni punën tuaj të rëndësishme në favor të njerëzve me më pak fat. Shfrytëzojmë këtë mundësi për të shprehur edhe një herë sigurinë e vlerësimit tonë më të lartë dhe gjithashtu t’ju urojmë suksese të mëtejshme në jetën tuaj.”

-Ministri i Punëve të Jashtme e Shqipërisë, e dekoron me titullin e nderit, “Personi frankofon -2015me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë, me shoqërimin: Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj/ Titulli i Nderit ‘Personi frankofon-2015’. Për kontributin e tij të çmuar dhe angazhimin aktiv për promovimin e vlerave të kulturës shqiptare dhe Frankofonisë!”. (Organizata ndërkombëtare e Frankofonisë/ Ditmir Bushati).

-Shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, titull: “Për kontributin e spikatur në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane dhe frymën e tolerancës që shpërndanë kudo në botë. Dhe përkrahjen që i ka dhënë shoqatës sonë dhe në lartësimin e emrit të Frashërit!”.

-Këshilli i Qarkut Berat, i jep titullin “Nderi i Qarkut”: “Për kontributin e vazhdueshëm në harmoninë fetare dhe për vlerat që ofron si Kryegjysh i Bektashizmit Botëror!”. (Kryetari i Këshillit’ Petrit Sinaj/ Firma, vula)

Universiteti Amerikan “Vox dei”, i jep Dekoratën e Doktorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Honoris Causa, motivacioni: “Shenjtërisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Dekoratën e Doktorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Honoris Causa, me motivacionin: “Pas ekzaminimit të gjerë të titujve, mbledhjes së arritjeve, aktiviteteve filantropike, punëve të merituara për përfitime të veprimtarive shpirtërore të njerëzimit dhe përkushtimit ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare me të gjitha të drejtat dhe privilegjet e nderit që i përkasin gradës.” (Në këtë ditë të 10-të nëntorit në Vitin 2016. /President,/ Dr. Jose A. P. Moreno, Ed.D.

 Përgatiti: Kujtim BORIÇI