Gëzim Llojdia: Kur kritikohej Faslli Haliti në vitin 1966,…

759
Sigal

 

 

1….Të dielën në 25 dhjetor 1966, gazeta e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve  të Shqipërisë, mes faqeve të tjera në brendinë e saj do të sillte një shkrim, që në thelb synonte të godiste krijimet letrare të fushave krijuese në Lushnjë, por edhe të poetit të mirënjohur Faslli Haliti, i cili përmendet për vjershën e tij: “Qëndrim pa përgjegjësi” dhe shkruhej nga V.Z.

Në fillim autori i shkrimit flet për Kongresin e Pestë, që sipas autorit  theksoi edhe një herë me forcë, që letërsia, artet edhe gjithë aktiviteti artistik të përshkohen nga fryma revolucionare luftarake e partisë që ato të jenë gjithnjë në radhët e para të luftës për edukimin e punonjësve me frymën revolucionare e patriotike, me idealet e socializmit dhe me parimet e moralit komunist. Ai u drejtohet me forcë organizatave të partisë dhe institucioneve kulturore artistike jo vetëm në qendër, por edhe në rrethe, në qytete, në fshatra e kudo. Sipas autorit ato nuk kanë të bëjnë me institucionet qendrore, po me gjithë jetën e vendit tonë. Më poshtë theksohet se shtypi i kulturës e cila luan një rol si vatra të përhapjes  së kulturës  në rrethe kanë përpara detyra të mëdha  e shumë të rëndësishme. Autori thekson faktin që ndryshe nga e shkuara në qytetet tona ku më përpara nuk ka pasur një jetë artistike sot ka teatro, estradë, një lëvizje të gjerë amatorësh. Një nga këto qytete është Lushnja ku së bashku me transformimet e mëdha ekonomike e arsimore, që janë bërë atje ka sot një aktivitet kultural e artistik të gjerë. Atje ka një shtëpi të mirë kulture, ka estradë profesioniste, ka grupe amatorësh të pasionuar pas artit, pas letërsisë, pas muzikës. Ka pranë shtëpisë së kulturës edhe një rreth letrarësh të rinj, që premtojnë. Në mes të tyre ka nga ata që merren me poezi, që shkruajnë skeçe për estradë bile edhe ndonjë dramë e komedi. Në një konkurs që u shpall kohët fundit në Lushnjë muarën  pjesë një shumicë nga këta të rinj në gjinitë më të ndryshme. Në këtë shkrim,- thekson autori nuk kemi ndërmend të bëjmë një analizë të veprave, që u paraqitën atje. Ne duam të vëmë në dukje diçka tjetër. Juria  që i vlerësoi këto vepra nuk tregoi pjekurinë duhur dhe vlerësoi disa shkrime të gabuara, pa përmbajtje të shëndoshë ideologjike . Midis këtyre veprave me përmbajtje të gabuar dhe të dobëta  artistikisht ishin një cikël me vjersha i letrarit të ri Faslli Haliti, një dramë e titulluar:”Myzeqeja”, një komedi e ndonjë vepër tjetër. Në ciklin me vjersha të Faslli Halitit, njëra nga vjershat titullohet:’kundër shterpëve”. Duke ju drejtuar “zogjve shtegtarë “, ai shkruan:

Ju në dimër atdheun e lini/ Ju atdheun e lini në shi/ Pas pranverës vraponi brithni/ Pas pranverave kokën lini…

Autori  në këtë vjershë ka dashur të shprehet në mënyrë  simbolike dhe vetëm kështu mund të merren vargjet e tij. Prandaj lind pyetja : cilët qenkan këta njerëz që e lënkan atdheun në dimër e në shi dhe na lënkan kokën pas pranverave? Kjo nuk përbën problem për jetën tonë. Dhe poezia jonë nuk ka pse të merret  me tema të tilla. Vjersha është e errtë dhe e gabuar politikisht . Me këtë rast duhet të kritikojmë edhe gazetën:”Drita”, që e ka botuar vjershën e F.Halitit në gusht të këtij viti…