-Rrënjët ilire dhe themelet e shumta të Selckës në shekujt 18-të e 19-të.
-Çaçan Selcka, komandant i trupave speciale në Pashallëkun e Janinës.
-Miqësia e Ali Pashës me Mato Latifin dhe mësimi që i dha Aishja, vajza e bejlerëve të Drobonikut, Pashait të Janinës.
-Si arrit Halimi, nip-stërnip i Mato Latifit që nga një biznesi i vogël “Ali Pashë Tepelena” të konkuroj në tregungjerman, spanjoll dhe zvicerian?
Kur historiani skocez Thomas Carlyle pohonte se “Historia e botës nuk është gjë tjetër veçse biografia e njerëzve të mëdhenj”, ai nuk kishte në mendje thjesht glorifikimin e figurave të shquara të jetës politiko-shoqërore. Qëllimi i tij ishte më thelbësor: të vendoste individin në qendër të rrëfimit historik, si subjekt aktiv të vullnetit, ideve dhe transformimeve shoqërore. Në këtë kuptim, historia nuk është një kronikë e ftohtë e ngjarjeve të shkëputura, por një rrjedhë e gjallë, ku personalitete të veçanta, të vendosura në rrethana të caktuara, mishërojnë aspiratat, pasiguritë dhe shpresat e epokës së tyre, duke i dhënë asaj formën e cilësive dhe vlerave të tyre.

Kjo qasje gjen jehonë edhe te Ralph Waldo Emerson, i cili pohonte prerazi: “Në të vërtetë nuk ka histori; ka vetëm biografi.” Sipas këtij këndvështrimi, historia lind nga ndërveprimi i pandërprerë midis karakterit njerëzor dhe kushteve historike, ku disa figura dalin përpara jo rastësisht, por si udhërrëfyes të fatit kolektiv.
Por a mund të zbatohet kjo ide edhe në një shkallë më të vogël? A mund të lexohet historia e një katundi, e një bashkësie të vogël njerëzore, po ashtu si “biografia e njerëzve të mëdhenj”? Përgjigjja është “Po”, dhe shpeshherë pikërisht kështu ndodh. Historia e një fshati nuk gdhendet në kronika madhore dhe as nuk ruhet në arkivat e perandorive; ajo, më së shumti, jeton në kujtesën kolektive, në rrëfimet e trashëguara brez pas brezi, në emra që përsëriten me respekt, mall ose mirënjohje.

Fshati që bashkon Tepelenën me Skraparin
Teksa udhëtari ndjek gjurmën e lashtë të rrugës që lidh Këlcyrën me Beratin, ai nuk ecën thjesht mbi gurët e kalldrëmit apo asfaltin e kohëve moderne. Çdo hap i tij shkel mbi një shtresë të trashë historie, mbi një terren ku koha ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Kjo rrugë, dikur nyje lidhëse mes krahinave, qyteteve dhe kryeqendrës së Shqipërisë, ka qenë dëshmitare e kalimit të karvanëve tregtarë, udhëtarëve të panumërt, luftëtarëve dhe misionarëve të epokave të ndryshme, të cilët kanë lënë pas jo vetëm gjurmë fizike, por edhe një trashëgimi shpirtërore që vazhdon të jetojë në identitetin e zonës. Në hershmëri, gjurma e kësaj rruge ishte mespërmes Selckës. Por ç’është ky emër vendi, jo dhe aq i dëgjuar përtej kufijve local?
Në Qafën e Kiçokut, aty ku rruga hapet si një skenë natyrore dhe horizonti fiton thellësi dhe madhështi, mjafton një kthesë e lehtë e kokës nga e djathta për t’u përballur me një pamje që nuk është thjesht gjeografike. Ajo panoramë, më shumë se sa me lisa e drurë të tjerë shumëvjeçarë, është e mbushur me histori dhe kujtesë kolektive, një hapësirë ku natyra dhe e shkuara bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Mes dy vargmaleve që shtrihen paralelisht, në një largësi prej rreth pesë deri në gjashtë kilometra, shfaqet Selcka, një hapësirë banimi e lashtë, e mbështetur butë në prehrin e natyrës. Ky është territori ku ndodhet një nga vendbanimet më të hershme të trevës së Atintanisë ilire. Pozicioni gjeografik i fshatit, i mbrojtur natyrshëm nga relievi malor dhe i lidhur ngushtë me rrugë të rëndësishme kalimi, e ka shndërruar këtë vend jo vetëm në strehë të sigurt, por edhe në pikë takimi të qytetërimeve, ndikimeve dhe shkëmbimeve kulturore.
Selcka nuk është një emër i rastësishëm në hartën e historisë së hershme shqiptare. Ajo lidhet ngushtë me banorët e saj të lashtë, të cilët përfaqësojnë një vazhdimësi etnike e kulturore që shkon përtej kufijve të dokumentimit të shkruar. Për këta banorë merr kuptim thënia e albanologut austriak të shekullit XIX, Johann Georg von Hahn, i cili pohonte: “Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve; shqiptarët janë stërnipër të pellazgëve.”
Afërsia e Selckës me qytezën ilire Gradishtë (sot Rabie) përbën një dëshmi të rëndësishme për prejardhjen e hershme të këtij vendbanimi. Gradishta, si një nga qendrat më të rëndësishme të Atintanisë ilire, ka shërbyer si bosht organizimi politik, ekonomik dhe ushtarak për gjithë zonën përreth. Fakti që Selcka ndodhet brenda këtij rrethi qendror e bën atë pjesë organike të një hapësire që ka luajtur rol kyç në historinë e lashtë të Epirit dhe të Ilirisë jugore.
Selcka ka qenë dhe mbetet një fshat i madh, jo vetëm për shkak të shtrirjes së gjerë gjeografike – që nga njëri skaj në tjetrin arrin rreth gjashtë kilometra – por edhe për peshën demografike dhe shoqërore që ka pasur ndër shekuj. Në mesin e shekullit XIX, numri i shtëpive në Selckë arrinte pothuajse në dyqind, një shifër domethënëse për një vendbanim rural të asaj kohe, që dëshmon për një komunitet të gjallë, i cili dinte të shfrytëzonte me zgjuarsi burimet natyrore dhe pozicionin strategjik të zonës.
Ndryshimet historike dhe demografike për shkak të luftrave dhe sëmundjeve nuk e lanë Selckën të paprekur. Me kalimin e viteve, numri i banorëve pësoi rënie, një fenomen i njohur për shumë fshatra shqiptare, veçanërisht në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Duke filluar nga viti 1938, dy lagje të Selckës, ato që kufizoheshin me fshatrat e Skraparit – Barma dhe Përrjeli – u shkëputën administrativisht dhe formuan një fshat më vete, Selckën e Vogël. Megjithatë, kjo ndarje mbeti kryesisht formale dhe administrative, pa cënuar thelbin e përbashkët të jetës komunitare.
Kultura, traditat dhe mënyra e jetesës vazhduan të mbeten të pandara. Në këtë hapësirë kufitare mes Tepelenës dhe Skraparit, labërishtja dhe skraparllishtja u ndërthurën natyrshëm, duke krijuar një mozaik gjuhësor dhe kulturor të rrallë. Këngët, zakonet, mikpritja dhe kodi i nderit mbartin elemente të të dy krahinave, duke pasuruar jetën shpirtërore të banorëve dhe duke forcuar ndjenjën e përkatësisë. Kjo ndërthurje nuk është vetëm gjuhësore apo folklorike, por pjesë e një filozofie popullore që bashkon forcën labe me urtësinë skraparase.
Megjithatë, për një kohë të gjatë, Selcka ka mbetur të brenda kufijve të njohjes lokaledhe larg vëmendjes së qendrave urbane. Arsyet janë kryesisht infrastrukturore: izolimi gjeografik, mungesa e rrugëve dhe e investimeve kanë bërë që vlerat e saj të mos propagandohen dhe të mos njihen sa duhet përtej zonës. E megjithatë, historia nuk është kurrë statike. Siç shprehej Viktor Hygo: “Zoti ua dikton njerëzve vullnetet e tij të dukshme përmes ngjarjeve.” Edhe Selcka ka përjetuar ngjarje dhe ka lindur burra që kanë zgjeruar kufijtë e saj simbolikë, duke e nxjerrë fshatin nga anonimati gjeografik dhe duke i dhënë një vend të merituar në kujtesën kolektive.
Çaçan Selcka – komandanti i Ali Pashës
Selcka nuk ka qenë kurrë vetëm një fshat i zakonshëm i Shqipërisë së Jugut; ajo ka qenë një nyje e rëndësishme në rrjetin politik, ushtarak dhe ekonomik të kohës së Ali Pashë Tepelenës. Ali Pasha, i njohur për nuhatjen e tij të mprehtë politike dhe aftësinë për të dalluar vendet kyçe për kontroll territorial, nuk do të ndalej kurrë në një vend pa peshë. Prania e tij në Selckë dëshmon qartë se ky fshat nuk ishte thjesht një vendbanim rural, por një hapësirë strategjike, ku takoheshin interesa politike dhe vendoseshin strategji që ndikonin në fatin e gjithë rajonit.
Midis banorëve të Selckës, Ali Pashë Tepelena zgjodhi një prej njerëzve më të besuar të tij: Çaçan Selckën, komandant i trupave speciale në Pashallëkun e Janinës. Roli i Çaçanit nuk ishte thjesht ceremonial; ai udhëhiqte trupat që garantonin sigurinë dhe ekzekutimin e urdhrave të Pashait në një territor që kërkonte menaxhim të kujdesshëm dhe aftësi strategjike të lartë. Dokumentet historike, si libri “Korrespondencë dhe dorëshkrimet e Ali Pashë Tepelenës, Volumi III” i Irakli Koçollarit, dëshmojnë këtë lidhje të ngushtë: një urdhër i Ali Pashës dërguar Bako Zhapokikës, datuar janar-qershor 1813, urdhëronte që fondet e mbledhura të përdoren për pagimin e shpenzimeve të trupës së Çaçan Selckës.
Kjo dëshmi tregon jo vetëm rëndësinë strategjike të Selckës, por edhe besimin e thellë që Ali Pasha kishte tek njerëzit e saj. Në këtë mënyrë, ky fshat del nga korniza e një vendbanimi të izoluar dhe shfaqet si një hapësirë që ka ditur të dialogojë me historinë në momentet e saj kyçe. Historia e Selckës tregon se edhe hapësirat më të vogla tëëktij vendi mund të kenë një ndikim të madh, dhe çdo vendbanim rural mund të bëhet pjesë e rrjedhës së madhe historike.
Mësmi që mori Ali Pasha në shtëpinë e Mato Latifit
Në fillim të shekullit XIX, Selcka – kjo hapësirë e lashtë që për shekuj kishte shërbyer si udhëkryq natyror i lëvizjeve njerëzore, interesave politike dhe ndikimeve kulturore – u bë dëshmitare e një ngjarjeje lokale që i kapërceu këta kufijë dhe i dha fshatit një peshë të re historike. Ajo mikpriti Ali Pashë Tepelenën, një nga figurat më të fuqishme, më të frikshme dhe njëherazi më kontradiktore të historisë shqiptare dhe ballkanike. Kjo mikpritje nuk ishte as rastësi, as episod periferik, por shprehje e drejtpërdrejtë e rëndësisë strategjike, shoqërore dhe simbolike që Selcka kishte ndërtuar ndër breza.
Përveç Çaçan Selckës, Ali Pasha kishte në këtë fshat edhe një mik tjetër të çmuar: Mato Latifin. Rrëfimet gojore e përshkruajnë atë si një burrë të pasur, të ditur dhe të pajisur me një autoritet natyror që nuk buronte nga dhuna, por nga karakteri. Ai ishte, pa dyshim, i pari i fshatit. Shtëpia e Matos, e madhe dhe e fortifikuar, përbënte shenjën më të dukshme të kësaj pozite shoqërore: një ndërtesë dykatëshe, me një bazë të gjerë prej rreth katërqind metrash katrorë dhe afro dyzet dhoma, e rrethuar me mur të lartë dhe me një portë monumentale, ku, sipas zakonit të kohës, hyhej edhe mbi kalë – simbol i nderimit dhe i pushtetit.
Marrëdhënia e Matos me Ali Pashën Tepelenën përbën një dëshmi të qartë të peshës së tij morale dhe shoqërore. Sundimtari i Janinës, njihej për karakterin e tij të ashpër, ambicien e pakufishme dhe prirjen për të provokuar e testuar si miqtë, ashtu edhe kundërshtarët. Megjithatë, Matua ishte një nga ata burra që gëzonin respektin e pashait, ndonëse rreth njëzet vjet më i ri se ai. Ky respekt nuk buronte nga frika apo nënshtrimi, por nga zgjuarsia, maturia dhe integriteti personal – cilësi që, siç thoshte Montenji, “nuk i jep pushteti, por i njeh vetëm mendja e lirë”.
Një rol të jashtëzakonshëm në këtë histori marrëdhëniesh shoqërore luan edhe bashkëshortja e Matos, Aishja, me origjinë nga Droboniku i Beratit. Ajo vinte nga një familje bejlerësh dhe rrëfimet e përshkruajnë si një grua jo vetëm jashtëzakonisht të bukur, por edhe të pajisur me mendje të mprehtë dhe zgjuarsi të rrallë. Në një shoqëri thellësisht patriarkale, ku roli i gruas ishte i kufizuar dhe i paracaktuar, figura e Aishes spikat si një përjashtim i ndritshëm: një grua që dinte të fliste, të mendonte dhe të vepronte me maturi, dinjitet dhe guxim. Jo rastësisht, ajo zë një vend qendror në historinë dhe kujtesën e fisit Jahaj. Siç do të shprehej Simone de Beauvoir shekuj më vonë, “dinjiteti i gruas fillon aty ku mbaron frika”.
Tregohet se Ali Pasha kishte dëgjuar për bukurinë dhe zgjuarsinë e Aishes, dhe kjo e kishte vënë Maton në ankth. Në popull qarkullonin fjalë se pashai nuk njihte kufij, madje as me gratë e miqve të tij. Kur një ditë Ali Pashë Tepelena dërgoi haber se do të vinte për darkë në shtëpinë e Matos, shqetësimi i këtij të fundit u shtua. Ai ia shprehu hapur frikën së shoqes, duke e pyetur se çfarë do të ndodhte nëse pashai do të kishte qëllime të tjera përveç miqësisë. Përgjigjja e Aishes ishte e qetë dhe e prerë, si një vendim i menduar gjatë: “I kam menduar të gjitha, mos u merakos.”
Aishja përgatiti një darkë madhështore, me katërmbëdhjetë lloje gjellësh – një numër që simbolizonte bollëkun, mikpritjen, por edhe zgjuarsinë e saj. Të gjitha gjellët kishin dy përbërës të përbashkët: bishtin e qengjit dhe kungullin. Darka u shtrua sipas zakonit dhe muhabeti qe i gjallë e mbresëlënës. Ali Pasha mbeti i kënaqur, por si njeri i mprehtë, vuri re se gjellët, ndonëse të shumta, nuk dallonin thelbësisht nga njëra-tjetra. Në fund të darkës, ai kërkoi që Aishja të vinte në mes të burrave – një kërkesë që mbante brenda vetes një provokim të hapur.
Kur ajo e pyeti nëse i kishte pëlqyer darka, Ali Pasha u përgjigj:“Po”, por shtoi se i kishte bërë përshtypje prania e dy asortimenteve në të gjitha gjellët: mishit dhe kungullit. Atëherë Aishja, me një zgjuarsi të ftohtë dhe me një dinjitet të palëkundur, iu përgjigj:“Edhe gratë janë si mishi dhe kungulli: nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra, Pasha”. Fjalia, e thënë pa sfidë të hapur dhe me zë paqësor, vendosi një kufi moral të qartë, të cilin pashai e kuptoi qartë. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm dhe përfundimtar: “Të kam motër, Aishe; kaq pata, me ty mbarova.”
Me këto fjalë, Ali Pasha pranoi një humbje morale dhe i mbylli çdo tentativë për poshtërim, duke lënë pas një histori që u shndërrua në simbol të zgjuarsisë, dinjitetit dhe forcës morale të një gruaje, por dhe të një fisi të tërë.
Megjithatë, krenaria e Ali Pashës nuk e linte të qetë. Pasi Aishja u largua, ai vendosi ta vinte në provë Maton, në një përpjekje për hakmarrje simbolike. Në odën e madhe të shtëpisë, ku qilimi i vetëm zinte rreth tridhjetë metra katrorë, ai vendosi një mollë në mes dhe iu drejtua të pranishmëve: “Kushdo që do ta marrë mollën pa shkelur mbi qilim do të shpërblehet, ndërsa ai që e shkelë do të ndëshkohet.” Disa nga shoqëruesit e pashait u përpoqën dhe dështuan. Kur erdhi radha e Matos, ai, me qetësi dhe zgjuarsi, palosi qilimin në të katër cepat dhe e mori mollën pa e shkelur. Ky veprim e la Ali Pashën pa fjalë. “Ma hodhe,” i tha ai më në fund. “Nuk të hodha, pasha, por të respektova, siç e meriton,” iu përgjigj Matua.
Pas kësaj, Ali Pasha u largua nga shtëpia i sfiduar, por pa e humbur miqësinë me Maton. Përkundrazi, këto episode e rritën edhe më shumë prestigjin e tij në Selckë dhe në rrethinat përreth. Emri i Matos u bë sinonim i mençurisë, trimërisë dhe integritetit, ndërsa Aishja u kujtua si një grua që dinte të mbronte nderin e vet dhe të familjes me dinjitet dhe pa fjalë të tepërta – duke vërtetuar se, “forca më e madhe është ajo që di të përmbahet”,siç thoshte Konfuci.
Halim Jaho – simbol i trashëgimisë selckiote
Halim Jaho, nip-stërnip i Mato Latifit, sapo i ka mbushur të gjashtëdhjetë e pestat. Deri në fund të viteve ’80, ai punoi në Minierën e Qymyrgurit të Memaliajt si elektromekanik, një profesion që kërkonte disiplinë, përkushtim dhe dije teknike. Por historia personale e Halimit, ashtu si ajo e shumë shqiptarëve, u përball me një kthesë të fortë në prag të viteve ’90. Rënia e sistemit monist dhe nisja e proceseve demokratike sollën jo vetëm transformime shoqërore, por edhe një riformatim të thellë të jetës së tij. Me shpërbërjen graduale të ndërmarrjeve shtetërore, ai u detyrua të linte vendin e punës dhe të merrte rrugën e emigrimit drejt Greqisë. Në Athinë, për rreth një vit, jetoi dhe punoi si emigrant, në kushte të vështira, por formuese dhe orjentuese. Kjo periudhë, megjithëse e ngarkuar me sakrifica, i shërbeu si shkollë e parë ku njohusistemin kapitalist.Aty grumbulloi kapitalin fillestar dhe, mbi të gjitha, kuptoi mekanizmat e tregut të lirë, ku iniciativa dhe guximi shpërblehen.
Pas kthimit në Shqipëri, Halimi u përfshi në aktivitetin e kambizmit, një prej formave më të përhapura të sipërmarrjes në fillimet e tranzicionit shqiptar. Me kapitalin e krijuar dhe me intuitën e tij të lindur për biznes, në vitin 1993 themeloi kompaninë “Ali Pashë Tepelena”, e cila operonte në fushën e tregtisë së karburanteve. Emërtimi i biznesit nuk ishte aspak rastësor, por një akt i vetëdijshëm simbolik. Ai lidhej ngushtë me historinë e familjes së tij, pasi katragjyshi, Mato Latifi, rreth shtatë breza më parë, kishte qenë mik i afërt i Ali Pashë Tepelenës dhe e kishte pritur atë në shtëpinë e tij në Selckë. Në këtë mënyrë, biznesi i tij u shndërrua në një urë lidhëse mes së tashmes dhe së shkuarës, mes ekonomisë së tregut dhe trashëgimisë historike familjare.
Pas katër vitesh të suksesshme në tregtinë e karburanteve, Halimi ndërmori një hap edhe më ambicioz: futjen në fushën e ndërtimit, fillimisht në Tiranë, në partneritet me mikun e tij Ardian Resuli. Në këtë fazë të zgjerimit, për një periudhë të shkurtër, ai pati si këshilltar ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, ndërsa në disa projekte bashkëpunoi edhe me ish-ministrin e Brendshëm Agron Musaraj. Kompania e tij realizoi ndërtime në zona strategjike dhe prestigjioze të kryeqytetit: përballë Kryeministrisë një objekt 14-katësh, një pallat 9-katësh në Rrugën e Durrësit pranë sheshit “Skënderbej”, tek ish-Stacioni i Trenit, pranë Arkivës së Shtetit, afër bustit të Vojo Kushit, si dhe në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi”. Brenda më pak se nëntë vitesh, ai arriti të ndërtojë rreth 900 apartamente luksoze dhe 120 njësi tregtare, një sukses i jashtëzakonshëm për realitetin shqiptar të asaj kohe.
Në vitin 2006, Halimi emigroi në Spanjë, tashmë jo më si kërkues fati, por si biznesmen i konsoliduar. Atje u fokusua në tregun imobiliar, duke u marrë me shitblerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht toka dhe troje ndërtimi. Në vitin 2011 u zhvendos në Dyseldorf të Gjermanisë, ku vazhdoi të njëjtën veprimtari, por me një fokus më specifik: objekte të sekuestruara nga gjykatat, të cilat i blinte, i rikonstruktonte dhe më pas i shiste. Tre vite më vonë, rruga e biznesit e çoi në Zyrih të Zvicrës, ku themeloi kompaninë “2AG”, një ndërmarrje që bashkonte dy aktivitete kryesore: tregtinë e tokave dhe apartamenteve, si dhe ndërtimet e përgjithshme. Në Zyrih, ai ka ndërtuar disa objekte në toka të blera drejtpërdrejt prej tij, pa hyrë në bashkëinvestime me pronarë të tjerë, duke dëshmuar jo vetëm kapacitet të lartë financiar, por edhe vizion të qartë dhe të pavarur sipërmarrës.
Sot, Halimi konsiderohet një nga biznesmenët shqiptarë më të fuqishëm që operon në Europë, një figurë që mishëron ndërthurjen mes suksesit modern dhe respektit për trashëgiminë e hershme stërgjyshore. Historia e tij dëshmon se rrënjët e forta dhe vizioni i qartë mund ta çojnë njeriun larg, pa e shkëputur kurrë nga origjina e vet.
* * *
Këta pak shembuj tregojnë, se Selcka përfaqëson shumë më tepër sesa një pikë në hartë. Ajo është një urë lidhëse mes krahinash, një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë historike dhe një shembull i qartë se si gjeografia, historia dhe kultura ndërthuren për të formuar identitete të qëndrueshme. Puna për hartimin e monografisë “Kopshtina jonë, Selckë e Madhe” ka ofruar një këndvështrim të ri dhe më të thelluar mbi këtë vendbanim dhe njerëzit e tij, duke rikthyer Selckën aty ku i takon: në vëmendjen e historisë dhe të kujtesës kolektive.





















