Denoncimi/ Ja faktet e reja që do shërbejnë si padi ndaj Arshivit të Shtetit për pranimin e dokumenteve të falsifikuara të pronave. Ish-Drejtoresha Nika: Në 2010 tapia nuk ishte e arkivuar, por në 2018-n Arkivi “polli” tapi

834
Sigal

Av Kujtim Cakrani zbardh skandalin: AQSH pranon të tjera dokumente të falsifikuara, ndërsa Prokuroria, edhe pse i jepen këto fakte, mbyll hetimet

Arkivk Qendror i Shtetit bëhet “lavatriçe” e dokumenteve të falsifikuara të Pronave

Para disa ditësh gazeta “Telegraf” publikoi një dokument pronësie të falsifikuar, që ishte pranuar në 2018-n në Arshivën Qendrore të Shtetit me firmën e Z. Kosta Barjaba, si kryetar i Komisionit të Përhershëm të Ekspertëve të AQSH dhe të drejtorit të Përgjithshëm të AQSH, Ardit Bido, i cili, pas kësaj, do të përdoret vetëm për të përvetësuar prona të patundshme në një fshat të Fierit. Ky rast, ku AQSH përdoret si arshivë e dokumenteve të falsifikuara të pronave, nuk ishte i pari. Një qytetar tjetër nga Vlora ka sjellë në gazetën “Telegraf” dokumente të falsifikuara të pronësisë, të cilat janë pranuar në arshivën e AQSH, pas vitit 2010, dhe, pas kësaj, AQSH dërgon në Prokurorinë e Vlorës fotokopje të këtyre dokumenteve të falsifikuara, si dokumente origjinale të pronësisë.

Denoncuesi Viktor Sherifi

Rasti i fundit, përveç që është i freskët, por edhe më i paprecedenti, ku dokumenti “Akt Njoftimi Zotënimi” që mban nr. 893 dhe fillon me datën 20, të vitit 1942 dhe përfundon me vitin 1944. Ky dokument pretendohet që është lëshuar nga gjoja Mbretëria Shqiptare Prefektura e Vlorës. Ky dokument nuk ka ekzistuar tashmë prej vitit 2018 është bërë pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit, “pasi për këtë institucion përbën rëndësi historike”.

AQSH, “lavatriçe” e dokumenteve të falsifikuara të pronave

Konflikti ndërmjet shtetasit Viktor Sherifi dhe pseudo pronarëve, familjes Shehu nga qyteti i Vlorës, ka filluar plot 25 vite me parë, dhe sot janë akoma në procese gjyqësore, në prokurori dhe së fundmi edhe me institucionin e Arkivit Qendror të Shtetit, Tiranë! Familja Shehu me pretendimin se, është pronare i një sipërfaqeje trualli në qytetin e Vlorës, duke paraqitur një dokument në formën e fotokopjes, pra, jo origjinal “Akt Njoftimi Zotënimi” që mban nr. 893 dhe fillon me datën njëzet të vitit 1942, që nga pikëpamja ligjore nuk përbën dokument pronësie, pasi nuk ka dalë nga zyra e Hipotekës së kohës! Në vitin 1993 i drejtohen gjykatës së shkallës së parë Vlorë, ku kanë kërkuar kësaj gjykate të njihen pronarë dhe të saktësojnë sipërfaqe toke prej 3 vretenësh dhe disa rrënjë ullinj! Më pas janë drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, ku i kanë kërkuar kthimin fizik të disa sipërfaqeve toke truall! Me vendimin nr.64 datë 12.12.1994 KKP Vlorë, vendosi të kthejë tre sipërfaqe, një ndër të cilat është edhe shtëpia e shtetasit Viktor Sherifi. Në këto kushte shtetasi Viktor Sherifi nisi kërkimet e tij, pasi aludonte që kjo sipërfaqe toke trualli, ku ai kishte ndërtuar banesën e tij prej vitit 1989 me leje nga autoritetet vendore të kohës, përfituar nga familja Shehu dhe pikërisht nga Petrit Shehu, ishte përfituar me dokumente të falsifikuara, dhe pikërisht me anë të dokumentit “Akt Njoftimi Zotënimi” nr.893 të vitit 1942.

2010, Drejtoresha e Përgjithshme Nevila Nika: Nuk ekziston dokumenti i pronësisë në AQSH

Në këto kushte, në vitin 2010 Viktor Sherifi i drejtohet Arkivit Qendror të Shtetit, ku i kërkon, nëse në fondin e këtij arkivi gjendet Akt Njoftim Zotënimi me nr. 893 i vitit 1942, dhe përgjigja nga ky institucion ishte se, “Në dokumentet Arkivore të këtij arkivi nuk gjendet ky dokument” pra Akt Njoftimi i cituar më sipër! Drejtoresha e Përgjithshme e AQSH, Nevila Nika, në shkresën me numër protokolli 4526/1 datë 04.11.2010 në përgjigje drejtuar L. Ç, shkruan: Në përgjigje të kërkesës tuaj për të dhëna pronësie Akt Njoftim Zotënimi numër 893 datë 20 .07. 1942 në vendin Çaire – Skelë Vlorë në emër të I. SH. ju njoftojmë se nga kërkimet e bëra në dokumentet arkivore që disponojmë, nuk u gjetën të dhënat e kërkuara.

Dokumenti i falsifikuar i “Akt Njoftim Zotënimi” numër 823

Në këto kushte e anë të një kallëzimi penal të prokurorisë së rrethit Vlorë ku kallëzon familjen Shehu për falsifikim të dokumentit të vjetër “Akt Njoftim Zotënimi. Prokuroria e Vlorës në vitin 2012 pasi kreu hetime lidhur me origjinalitetin e dokumentit 893 viti 1942, pyeti pjesëtarët e familjes Shehu, por asnjëri prej tyre nuk dispononte dokumentin origjinal, duke pretenduar se, ai nuk gjendet, sepse u kishte humbur. E ndodhur përpara kësaj ngjarjeje, prokuroria e Vlorës kreu edhe aktin ekspertimit grafik të këtij dokumenti duke krahasuar edhe me dokumente të tjerë të kohës, pasi nga pikëpamja e redaktimit ky dokument duket qartë se i mungojnë të dhënat e kohës. Redaktimi i tij duket qartë se është i manipuluar, pasi ai fillon me datën e përpilimit 20 korrik 1942 dhe përfundon me datën 20 korrik 1944. Pra falsifikatorët kanë harruar ç’kanë shkruar në fillim dhe në fund.

Ekzaminimet kriminalistike të Pavarura: Dokumenti i pronësisë, i falsifikuar

Gazeta “Telegraf” publikon edhe ekspertizën e pavarur kriminalistike të lëshuar në datën 11.10.2012 nga Xhevair Çeloaliaj, me cilësinë “ekspert kriminalistik” sot Drejtor i Policisë Shkencore, ku thuhet se nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin e datës 15. 08.2012 të oficerit të Policisë Gjyqësore Altin Muçaj, u janë dërguar për ekspertizë dokumenti në fjalë dhe konkluzioni i ekspertit Çeloaliaj është: Shifra “4” në fund të vitit 1944 në gjendjen që paraqitet nuk është shifra e shtypshkruar “2”. Kjo shifër duhet të jetë shifra e shtypshkruar 4. Vulat me tekst “PRETURA E VLORËS” nuk ka madhësi të njëjtë. Pullat e taksës objekt ekspertimi nuk kanë madhësi të njëjtë me pullat e taksës respektive. Mirëpo, edhe pse ekspertiza u kërkua nga Prokuroria e Vlorës, nuk u përfill aspak nga vetë prokuroria e Vlorës, duke ngritur shumë pikëpyetje, përse? Gjithsesi prokuroria Vlorë nuk i mori të pandehur këta persona, pasi, sipas saj, kjo vepër penale ishte parashkruar, duke iu referuar kohës së përdorimit të saj nga të akuzuarit. Në këtë mënyrë, në vitin 2013 nisën proceset gjyqësore, kundër Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave Tiranë, duke i kërkuar pavlefshmërinë e vendimit NR. 65/1994 të KKP Vlorë. Trupi gjykues në seancën gjyqësore i kërkoi familjes Shehu dhe, saktësisht, Petrit Shehu dokumentin origjinal Akt Njoftimin e vitit 1942, të cilin ai kishte përdorur kur kishte fituar pronën! Petrit Shehu pretendonte se nuk e kishte origjinalin dhe dispononte vetëm fotokopjen e tij! Në këto kushte gjykata e përfundon gjykimin. Por marifetet juridike në gjykatat më të larta bënë që kjo çështje të mos përfundonte me kaq shpejtësi dhe në mënyrë që familja Shehu të humbiste pronën e fituar me dokument të falsifikuar. Përsëri qytetari Viktor Sherifi, i drejtohet prokurorisë Vlorë, ku kallëzon Petrit Shehun për përdorim të dokumentit të falsifikuar dhe, si rrjedhojë, përfitim të tokës shtetërore dhe private. Aktualisht prokuroria e Vlorës, fillimisht prokurori Klodjan Llaho dhe aktualisht prokurori Anton Pali pasi ka hetuar këtë kallëzim penal e ka përfunduar hetimin me arsyetimin se: Dokumenti “Akt Njoftimi nr. 893 i vitit 1942 në formën e origjinalit figuron në fondin e Arkivit Qendror së Shtetit!” Por ky prokuror nuk shikon se dokumenti nga pikëpamja formale është i falsifikuar!

Avokat Kujtim Cakrani: Përsëri Arkivi Qendror i Shtetit kapet në flagrancë të një krimi shumë të shëmtuar

Problemi është: Si ka mundësi që ky dokument tashmë është bërë pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë! Ndërkohë që në vitin 2010 ky dokument nuk ishte pjesë e arkivit të shtetit! E pra kuptohet, se mafia e tokave vepron dhe kur gjendet në vështirësi për të justifikuar apo legjitimuar veprimet e saj, gjen mbështetjen e plotë të Arkivit Qendror të Shtetit, i cili merr përsipër që t`i ndihmojë ata duke futur aty dokumente pronësie me qëllim legjitimitetin e tyre! Përsëri dhe në këtë rast Arkivi Qendror i Shtetit është kapur në flagrancë të një krimi shumë të shëmtuar, shpërdorimit të detyrës nga drejtuesit e tij, ku me anë të pranimit të dokumentit “Akt Njoftimi Zotënimi të vitit 1942” të prefekturës Vlorë, ka bërë aktin tjetër të paprecedent të humbjes së besueshmërisë së këtij institucioni nga qytetarët. Dokumenti Akt Njoftim Zotënimi që mban nr.893 është tërësisht i falsifikuar, pasi duket edhe me sy që nuk përmbush as anën formale, as atë të redaktimit, pasi:

-Si ka mundësi që drejtuesit e AQSH nuk e kanë konstatuar që ky dokument fillon me datën 20 korrik 1942 dhe përfundon me datën 20 korrik 1944!

-Si ka mundësi që në këtë dokument AQSH nuk konstatuar që nuk ka asnjë vulë të institucionit që e ka lëshuar, por mbi të gjitha drejtuesi i AQSH dh grupi i ekspertëve përhershëm të thirrur nga drejtuesi AQSH duhet të kishte një gjë parasysh përveç faktit që ky dokument nuk ka asnjë vlerë historike për publikun por duket të konstatonte se: Nga viti 1942 deri në vitin 1944 shitblerjet e pronës ishin të pezulluara! Gjithsesi kjo është një shkelje e ligjit nga ata që kanë për detyrë ta zbatojnë, por edhe ekspertët e instituti të kriminalistikës para se ta dërgonin këtë dokument tek AQSH duhet të konstatonin dhe të tregoheshin profesionalë, duke kryer ekspertizën e letrës, bojës, vulave dhe firmave etj. Pas këtyre veprimeve të drejtueseve të AQSH, Ekspertëve të përhershëm, ekspertëve të institutit të kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme, është i nevojshëm dhe do të ngrihet një kallëzim penal i prokurorisë së krimeve të rënda Tiranë, pasi nga tërësia e veprimeve të kryera duket qartë, se jemi përpara një grupi të strukturuar kriminal, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre, jo vetëm që shpërdorojnë detyrën, duke bërë pjesë të Arkivit Shtetëror dokumente të falsifikuar me të cilat më parë është vjedhur prona publike dhe private, por krijojnë tek qytetarët edhe një gjendje pasigurie, duke humbur besimin tek institucionet publike dhe jo tek një institucion të dorës së dytë, por, pikërisht, tek ai që është më i rëndësishmi tek një shtet dhe Arkivi i Tij.

Disa pyetje Drejtorisë së Përgjithshme të AQSH

  • Si e shpjegon Drejtoria e Përgjithshme e AQSH, që dokumenti i pronësisë nuk gjendet në arkiv në 2012-n, e vërtetuar kjo nga drejtoresha e Përgjithshme e AQSH Nevila Nika, por gjendet më vonë, në 2018-n?
  • Kur është pranuar në AQSH?
  • Cilët e kanë pranuar?
  • A ka ekspertizë nga Policia Shkencore dhe vendim pranimi në AQSH nga Komisioni i Përhershëm i Ekspertëve të AQSH për t’u pranuar ky dokument pronësimi?
  • Nëse ka, si ka mundësi që AQSH, të mos shikojë që dokumenti fillon në fillim të tij me vitin 1942 dhe mbaron me vitin 1944?
  • Kaq të verbër janë në AQSH?
  • A ka AQSH dokumentin origjinal të këtij dokumentacioni për pronësinë?
  • Nëse nuk ka, përse AQSH ka pranuar fotokopje?
  • Cila është vlera e rëndësishme historike e një fotokopjeje të pronësisë nga individë të zakonshëm pa kontribute historike, që u pranua në AQSH?

Pyetje për Prokurorinë

  • A do të fillojë Prokuroria hetimet ndaj Arshivës Qendrore të Shtetit që ka pranuar të arkivojë dokumente të falsifikuara për pronësinë, në kundërshtim flagrant me ligjin “Për Arshivat?

Prokuroria duhet të hetojë një për një të gjitha dokumentet që janë pranuar në Arshivën e Shtetit, e sidomos ato që kanë të bëjnë me pronësinë, për të zbuluar, nëse ka edhe raste të tjera, që AQSH ka arkivuar dokumente të tjera të falsifikuara për pronësinë, siç janë rastet që ka publikuar gazeta “Telegraf”, duke u bërë AQSH “lavatriçe” e dokumenteve të falsifikuara të pronësisë.

  • Përse nuk ka vepruar prokuroria, kur ka provuar dhe pranuar që dokumenti i pronësisë është i falsifikuar?