Fatos Daci: Në 100-vjetorin e luftërave dibrane kundër serbëve

462

Në 100-vjetorin të luftërave dibrane kundër serbëve

Sigal

Në nëntë vjet luftë me krajlat, dibran;t sup më sup si mallet!

Lufta dibrane “9 vjet me krajla” është unikale në historinë e popullit tonë. Përgjatë viteve 1912-1921, kur nisi dhe kur mbaroi pushka me serbët pushtues, dibranët bënë një rezistencë heroike, të përgjakshme, plot sakrifica e vetmohim për të mbrojtur jetën, shtëpitë, trojet e nderin e shqiptarit.

Luftuan, nga një betejë në tjetrën, si luanë të vërtetë, kundër ushtrive pushtuese serbe, austriake, bullgare, italiane, greke, malazeze etj, që të gjitha shumë herë më të armatosura, shumë herë më shumë numerikisht dhe më të fortë ekonomikisht. Dhe ia dolën të ishin fitimtarë, të mbronin tokat dhe nderin e shqiptarit, të mbronin edhe shtëpitë, fshatin dhe krahinën e tyre.

Duhet theksuar, se gjatë të gjithë historisë, dibranët, të ndodhur para shtigj-kalimeve strategjike dhe të rrugëve të karvaneve nga kryheshin lëvizjet Lindje-Perëndim dhe Europë Lindore e Qendrore drejt detit Adriatik, janë vënë gjithnjë para dy zgjedhjeve:- O të vdesin me nder e dinjitet, duke luftuar, o të turpëroheshin e të gjunjëzoheshin para ushtrive barbare! Në këtë mes, dibranët, me vetëdije të plotë dhe vendosmëri maksimale zgjodhën rrugën e patriotizmit të kulluar, të luftonin e të vdisnin për tokat shqiptare, Shqipërinë dhe gjuhën e zakonet shqipe.

Arma më e fuqishme e dibranëve, në këtë luftë, ishte uniteti mes vetit, bashkimi mes tyre, sakrifica e përbashkët. Dibranët u ngjeshën sup më sup si malet, shpinë për shpine si vëllai me vëllanë. Në këtë luftë të gjatë, me shumë armiq, dibranët bashkuan armët dhe zemrat.

 

Heroikja dhe sakrifica u bënë përditshmëria e tyre. Kjo, mendojmë, se ishte çelësi i fitoreve të tyre, një shembull, që është i vlefshëm për historinë e të gjithë shqiptarëve.

Mund të sjellim disa shembuj, që e vërtetojnë këtë konkluzion.

Mobilizimi ishte detyrë kombëtare dhe përgjigja ndaj kushtrimit për rrezikun armik ishte obligim për secilin patriot dibran, ashtu si dhe reagimi i çastit ndaj fqinjëve, shokëve e miqve bashkëluftëtarë ishte krejt legjitim. Secili e donte në lartësinë e vetes dhe më lart, bashkëluftëtarin e vet. Epike është thirrrja e Mehmet Skepit, një burrë mustaqe kapadai, nën breshërinë e plumbave të mitralozit te Vorret e Pilafe: “ Ai që vdes, sot, asht i pavdekshëm” dhe thërret “Ta kapim hasmin të gjallë!” Po kështu edhe Maliq Popinara shkon në Kërçisht me 25-30 vetë dhe i thotë një bashkëfshatarit të vet: “Pse pret më?!”

Flamuri ynë ka qenë i shenjtë edhe për të gjithë dibranët. Dhe për Hazis Mudën-Pilafin kështu ishte, sepse në orën 9 allaturka, 1913, u ngrit flamuri shqiptar në qendër të Peshkopisë.

Elez Koçi në Ostren ngriti flamurin e Pavarësisë dhe pastaj u varros i gjallë nga pushtuesit. Ali Terziu, nga Trebishti, e solli flamurin kuq e zi të Pavarësisë qindra kilometra nga larg, të fshehur në gji, dhe me të arritur në Trebisht e ngriti publikisht te xhamia e fshatit, akt nga i cili vendësit thonë se ka ngelur dhe tradita e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në të gjithë dasmat, që bëhen aty. Dhe ky burrë patriot u vra nga armiqtë e kombit shqiptar.

Supër heroike është qëndresa burrërore e burrave dhe familjes të kullës Shaba në Vajkal të Bulqizës, kur barbarët i vranë të lidhur dorë për dore.

Edhe në situata të vështira, lufte, burrat merren vesh si burrat. Edhe në kushte jo të favorshme, zakonet e burrave dhe dinjiteti i tyre nuk përlyhen. Shembull tipik është ai i Hakik Menës me Ibrahim Gjoçin. Kur Lura u thirr me kushtrim, për të pritur me pushkë serbët në Qafë të Gëlqeres, lurasit, sipas zakonit, u rreshtuan para tre burrave: Hakik Menës, Gjon Doçit dhe Ibrahim Gjoçit, por më shumë u rreshtuan me Ibrahim Gjoçin. Ama, Ibrahim Gjoçi, një burrë i përmendur e me norma të larta, u tha mbështetësve të tij: “Ju, faleminderit që erdhët pas meje. Po unë, dhe ju, pas Bajraktarit!”- edhe pse këto dy familje kishin në mes një plagosje. Pra, burrash u lidh besa për të luftuar armikun e përbashkët. Madje, kur u sëmur Hakik Mena, dhe po vdes me këtë rast, u la amanet të bijve që mortin e tij ta drejtonte Ibrahim Gjoçi. Dhe Ibrahimi e drejtoi mortin e Hakik Menë si burrë i vërtetë malesh.

Dibrani edhe dhimbjen ka dashur gjithnjë t’ia pakësojë tjetrit. Madje, ka qenë i gatshëm të sakrifikohet vetë, për të ndihmuar e shpëtuar tjetrin. Rast i pastër i kësaj sakrifice sublime është ai i Hysen Hafuzit në Ceren, në tetor 1913, kur serbët vranë barbarisht 34 patriotë: të gjithë të shpallur dëshmorë të atdheut. Hyseni ishte rreshtuar për pushkatim bashkë me birin dhe djalin e vëllait, që ishte djalë i vetëm. Në këto kushte, ai u lutet serbëve që ta falnin djalin e vëllait, duke ju premtuar se do të sillte edhe një djalë tjetër të vetin në vend të tij. Por, serbët i vranë për të mbetur me piedestalin e lirisë.

Për lirinë e vatanit dibranët nuk kanë pranuar asnjë ofertë joshëse, me para ose forma të tjera.

Një burrë nga Mustafet ishte burgosur më 1921, se djali i tij ishte rreshtuar me forcat patriotike kundër ushtrisë pushtuese serbe dhe i bën thirrrje të birit që të kthehej në shtëpi, të lirohej ai. Por, i biri iu përgjigj, se “për liri të atdheut ka bërë sakrificë prindërit, familjen, pronën e jetën”.

Murat Kaloshit, më 1921, serbët i vunë para një shpërblim të madh që ai të ndalte luftën kundër tyre. Dhe jo pak, por plot 10.000 fr.ari. Por, Murati refuzoi me burrëni e patriotizëm dhe bëri një luftë 50- orëshe kundër tyre.

Në këto “9 vjet luftë me krajla” popullsia e pambrojtur, pleq, plaka, gra e fëmijë, kanë parë tmerre me sy. Barbaritë serbe janë të pashembullta, por nuk do të merremi me këtë anë, pasi e kemi trajtuar shumë herë të tjera në dhjetëra artikuj dhe disa libra. Këtë herë do të përmendim e do të kujtojmë me respekt e krenari solidaritetin e paparë të popullsisë jashtë zonave të luftës, për të larguarit nga lufta në zonat e tyre, të cilët i strehoi pa asnjë refuzim, i bëri si të familjes, duke ndarë bukën e gojës me ta. Ndryshe, gjëma e madhe që shkaktuan pushtuesit nuk mund të përballohej lehtë, do të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë.

U shquan për ndihmë e solidaritet vëllazëror ndaj fatkëqinjëve dibranë nga zonat e luftës me serbët Martaneshi, Çermenika, Elbasani, Peqini, Tirana, Mirdita dhe veçanërisht edhe Lura. Lura, për të gjithë të ardhurit ndau dhe tokën e babës me ta. U dha parcela toke dhe ju thanë: “punoni, hani dhe shpëtoni nga kjo e keqe! Toka dhe shtëpia jonë janë edhe tuajat.” Kështu ndodhi edhe te Bucet e Lurës me të larguarit nga Sohodolli i Dibrës. Rast vërtetë i pashoq.

Ja që historia përsëritet, por modeli për tejkalimin e situatës së vështirë e kemi në historinë tonë, në përvojën dibrane….

Kështu bënë dibranët edhe në vitin luftës së Kosovës, kur në rrethin e Dibrës e në komunën e Dibrës u strehuan plot 17 mijë familje të larguara nga tmerret e luftës atje, të cilët i pritën dhe i përcollën më së miri, me dashuri e solidaritet, dhe e ndanë të keqen së bashku, si i ka hije vëllait me vëllain.

Sjellje dhe qëndrime të tilla qind për qind atdhetare të bëjnë të ndjehesh krenar për dibranët dhe luftën e tyre historike kundër pushtuesve të vendit dhe të Dibrës, janë një shembull i qartë e domethënës, se si mund të përballohen situatat e vështira të imponuara nga armiqtë.