Ndër monumentet e kulturës shqiptare një vend të rëndësishëm zenë dhe ndërtimet e kultit të krishterë të shek IV-XV. Këto ndërtime, si dhe ato të periudhës Paleokristiane së bashku me atë të Mesjetës së Hershme e të Mesme janë dëshmi materiale autentike me vlera të jashtëzakonshme për studimin e historisë së arkitekturës së ndërtimeve dhe të historisë të popullit tonë. Dëshmi për vlerën historike, autoktoninë dhe fillimin e Krishtërimit në trojet e sotme shqiptare është edhe -Historia, arkitektura, shek.IV-XV të trashëgimisë monumentale të Butrintit.

Butrinti
Buthroti i Lashtësisë dhe Mesjetës (sot Qendra Arkeologjike e Butrintit) ndodhet në një kep të ulët, në fund të Ksamilit. Aty ruhen gjurmë të banimit qysh nga shek. VIII para Krishtit e deri në shek. IX. Në shek. IV para Krishtit qyteti fortifikohet. Më vonë Augusti e themeloi si një koloni romake, duke e kthyer në një qendër të rëndësishme me ndërtime të shumta. Deri në shek. V-VI qyteti shërbeu si qendër peshkopale me ndërtime të shumta kishtare. Dyndjet rrënuese barbare sigurisht që zvogëluan aktivitetin jetësor në të, por Butrinti mbijetoi, dhe pas shek. IX
fillon të zhvillohet e të jetë arenë e luftërave ndërmjet bizantinëve dhe normanëve e anzhuinëve, e më vonë zotërohet nga venedikasit e pastaj nga turqit duke u kthyer në një skelë e peshkatarëve.
Sot falë gërmimeve që filluan me Ugolinin, gati një shekull më parë e që u pasuan për dhjetëvjeçarë nga shqiptarët e këto vitet e fundit nga Fondacioni Butrinti, dëshmohet historia mahnitëse e tij si:

Bazilika e Akropolit të Butrintit
Në vendin më të lartë të Akropolit, në anën lindore të tij, në një shesh të vogël shkëmbor ruhen rrënojat e bazilikës (bazilikë-ndërtesë me planimetri të rregullt), duke dominuar qytetin dhe fushat rreth tij në anën jugore dhe lindore. Në gjendjen e sotme paraqitet e tjetërsuar dhe i takon disa fazave ndërtimore. Gjatë gërmimit të bazilikës, në vitet 1928-1936 nga L.M.Ugolini dhe D. Mustili janë zbuluar dhe mozaikë ku brenda një fushe me motive gjeometrike pak të ruajtura si bordura me motive arkitekturore, harqe mbi kolona, shihet vizatimi i një peshku ndërmjet dy shpendëve, duke e datuar në fundin e shek.IV. Po kështu, dhe shumë fragmente arkitekturale të gdhendura, që i takojnë ikonostasit e elementeve të tjerë të faltores, përgjithësisht me materiale në nivel të mirë ekzekutimi, që së bashku me mozaikun duket se i takojnë një faze të vonë të ndërhyrjes në bazilikë; fundit të shek. IV.
Ishte gërmimi i plotë i monumentit i kryer në vitin 2008-2009 nga Fondacioni Butrinti nën drejtimin e Simon Greensdale, i cili shfrytëzoi dhe materialet e pabotuara nga Ugolini, që krijoi një tablo të mirë për bazilikën. Ndërtimi fillestar: bazilika paleokristiane, paraqet një godinë trinefshe me nartekst në anën perëndimore dhe një mjedis pranë murit jugor dhe me përmasa 33.65×22.31 metra. Në nartekst (sallë), i cili është ndërtuar rrëzë anës perëndimore të sheshit ku ngrihet, hyhet nëpërmjet një ambienti, sot pjesërisht të ruajtur me portë në murin jugor. Në këtë mënyrë narteksi është me një zgjatim në jug për të lejuar hyrjen në të nëpërmjet një thuajse portiku, meqënëse në këtë anë tereni është i aksidentuar dhe i pjerrët. Në anën jugore, në pjesën që i takon naosit, ndodhet një mjedis ndihmës, i vendosur jo si zakonisht, në të cilin hyhet nga mjedisi i mësipërm jugor i narteksit.

Narteksi komunikon me naosin (salla kryesore) nëpërmjet tri dyerve, nga një për secilin nef (hapësira ndërmjet kolonave). Nëpërmjet dy arkadave, sot të murosura, naosi ndahet në tri nefe. Arkadat ndarëse të nefeve anësore nga nefi qendror dhe absidat e mjedisit të altarit trikonkësh përbëhen nga pesë pilastra. Mjedisi i altarit trikonkësh është tërësisht i hapur ndaj nefit qëndror, ndërsa me dy anësoret lidhet nëpërmjet dyersh të ngushta. Pilastri qendror për secilën arkadë është më i madh se të tjerat dhe ka në plan formën e shkronjës “T”. Duke u nisur nga trashësia e mureve (rreth 1 metër) dhe nga pilastrat e përbëra mund të mendohet se Kisha ka qenë e mbuluar me qemerë cilindrik, duke pasur mbi pilastrat e mesit nga një hark tërthor, si brinjë qëndrueshmërie. Fillimisht dyshemeja ishte prej llaçi, por në një kohë të dytë pas një djegie
zëvendësohet në nefin qendror dhe atë jugor me mozaik, duke qenë dyshemeja e re në nivele më të larta. Mozaikët janë me figura zoomorfe deti, të zakonshme e dekor gjeometrik bimor.***
(fq 45 mozaikët)

Bazilika e madhe e Butrintit
Bazilika e madhe e Butrintit rrënojat e së cilës ndodhen pranë portës me kulla të rrethimit antik të qytetit, është jo vetëm më e madhja për nga përmasat, por edhe më e përkryera në krahasim me bazilikat e tjera.
Studimi i parë i monumentit i përket Ugolinit, i cili në vitin 1927, kaloi nga Finiqi në Butrint, ku vazhdoi për vite të tëra edhe me botime për këtë qendër të rëndësishme të antikitetit e mesjetës. Për Ugolinin kishim të bënim me një kishë të periudhës bizantine të ndërtuar pranë njërës të portave kryesore të qytetit, mbi ndërtime më të hershme të shekujve të parë të erës sonë. Kjo rezultonte nga gërmimi që Ugolini kreu në shtresën e periudhës romake, ku 2 metra nën nivelin e dyshemesë së kishës doli një rrugë e shtruar me pllaka të mëdha guri. Sipas tij periudhës bizantine i takonin absida dhe transepti, ndërsa të tre nefët ishin shtuar në periudhën veneciane.
Në vitin 1974 në kuadrin e Insitutit të monumenteve të Kulturës, kryem një ekspeditë studimi të plotë të bazilikës, ku u realizuan punime gërmimi për të nxjerrë në dritë monumentin, disa sondazhe dhe rilevimi i plotë i tij. Rezultatet u botuan më vonë. Duke filluar nga viti 1994, Butrinti ka qenë objekt i studimeve të thelluara dhe botimeve nga ana e studiuesve të angazhuar në kuadrin e Fondacionit Butrinti, ku objekt i tyre ishin dhe ndërtimet e kultit. Botimet janë të shumta dhe të lavdërueshme, pasi për nga niveli dhe cilësia e pasurojnë njohjen tonë për këtë qendër të rëndësishme të trashëgimisë. “
Ky ‘Monument’ është i vetmi që ka ardhur në ditët tona me mure të ruajtura gati në tërë lartësinë e tyre. Është një Bazilikë trinefshe (me përmasa 20.15×13.33 m) me transept të vendosur tërthor (23.87 mx7.57m) dhe që del jashtë nefeve duke i dhënë bazilikës formën e shkronjës “T”. Nefi qëndror që është dhe më i gjerë(7.o8m) se nefet anësore4.02 m dhe 3.90 m) hapet tërësisht ndaj mjedisit të altarit, që zë tërë gjerësinë e nefit e që përfundon me absidën gjysmërrethore i kolonës ndërmjet pllakave ndarëse. Mjedisi i altarit përfundon në anën lindore me një absidë me një dritare të madhe treshe. Po me dy arkada mbi pilastra të vegjël mjedisi i altarit ndahej nga krahët veriorë dhe jugorë të transeptit…
…Dyshemeja e nefeve të basilikës është e shtruar me pllaka të mëdha drejtkëndëshe prej guri gëlqeror. Në mes të nefit qëndror, pranë njëri tjetrit dhe në aks të tij janë dy bazamente rrafsh me dyshemenë. Ato i takojnë amvonit të dikurshëm. Ky amvon na duket i ngjashëm me atë të bazilikës “B” në Filipi, të bazilikës “B” në Nikopol (amvoni i vjetër), pra të njëjta me formën e përdorur në Konstandinopojë…

Monumentet e shek. VII-XII,
Bazilika e madhe e Butrintit
Bazilika e madhe e Butrintit paraqet një bazilikë të çerekut të dytë të shek. VI, të tipit helenistik, trinefshe me transept, e cila rindërtohet sipas nesh në gjysmën e dytë të shek. IX. Kësaj kohe i takon rindërtimi i pilastrave të lira të arkadave që ndajnë nefet, harqet me tulla mbi to, mbi të cilat kemi nga një dritare. Gjithashtu në këtë kohë rindërtohen pjesa qendrore e aksidës me dritaren në formë të ndryshme nga e mëparshmja, trepjesëshe, me shtylla prej tullash. Gjatë rindërtimit zëvendësohet mozaiku i dyshemesë së mjedisit të altarit me një shtresë tullash mbi nënshtresë argjile si dhe rindërtohet mjedisi i altarit e më vonë shtohet një kapelë në krahun jugor të transeptit. Këto rindërtime janë kryer me gurë e me tulla të vendosura në mënyrë të çregullt ndërmjet gurëve. Nga letërkëmbimi me Papën Gregori I (viti 595) dhe Papën Honor (viti 625) bindemi se ndërprerja e jetës qytetare në Epirin e Vjetër, pavarësisht nga dëmet e shkaktuara, ishte e shkurtër dhe se një pjesë e tyre mbijetuan edhe si qëndra peshkopale dhe u ngritën padyshim me vështirësi dhe për një kohë të gjatë pas valëve shkatërimtare të dyndjeve barbare e avaro-sllave. Ndër to duket se ka qenë dhe Butrinti. Në dy shekujt që pasojnë nuk kemi të dhëna në këtë aspekt të historisë. Mospjesëmarrja e peshkopëve të qytetit në Koncilet e kohës, mund të shpjegohet siç pamë, me kohët e vështira që kalonte perandoria, e aq më tepër që përfshirja e peshkopatave të “Perëndimit “ që vareshin prej shekujsh nga Roma, bëhej me vështirësi. Për qenien e strukturave kishtare të Epirit të Vjetër kemi dëshmi pjesmarrjet në Koncilët dhe në Noticiet shek. VI-IX.
Gjendja ndryshoi me “aneksimin” e mitropolive të “Perëndimit” në tërësinë e Patrikanës së Konstandinopojës, që datohet gjatë viteve 901-907, ku për herë të parë, mbas shumë kohe vihet rregull në preseancat kishtare. Në atë noticie radhitet e 35-ta duke u përmendur ndër peshkopatat e Naupaktit-Nikopojës dhe Butrinti duke vijuar dhe në shekujt e mëvonshëm.
Përmendja tjetër me interes, që e trajtuam më lart, lidhet me qëndrimin në Butrint të
Shën Ilias të Riut, rreth vitit 881, që udhëton drejt Butrintit (Bothroton) “ qytet portual i Epirit të Vjetër”. Sipas jetëshkrimit të Shenjtit, në atë kohë aty ndodhej dhe zëvendësi i strategut, i cili e arestoi, dhe me gjithë ndërhyrjen e strategut (vetëkuptohet se është fjala për atë të Temës së Nikopojës) në favor të tyre, që e njihte Shën Ilian e Ri, që ai ta rishqyrtonte veprimin, por më kot. Po kështu me interes është edhe përmendja prej gjeografit të shquar arab të shek. X Ibn –Haukan, i cili në përshkrimin e tij të detit Mesdhe thotë që në ekstremitet të këtij gjiri të Venedikut janë dy qytete Badhrant-i (Butrinti) dhe Adhrant-i (Otranto).
Nga këto fakte kuptohet se nga mesi i shek. IX, pas krijimit të Temës së Nikopojës Butrinti ishte një qendër me prani të një përfaqësuesi e drejtuesi të pushtetit qendror administrativ e ushtarak, një port që merrte pjesë në jetën ekonomike, edhe pse në një numër të reduktuar banorësh si pasojë e ndodhive historike. Por edhe më përpara në shek. VII-VIII në territoret në veri të Butrintit përmëndet arhondia e Vagenetisë, çka tregon se vështirë që Butrinti dhe rrethinat e tij ishin jashtë sundimit bizantin.
Pra: nuk mund të themi që qyteti nuk kishte një katedrale apo dhe faltore më të vogla, pse nuk po i shohim, apo që autoriteti ushtarak e administrativ rrinte në Vrinë në një vilë të pafortifikuar, siç e mendojnë studiuesit e asaj qendre me kërkimet shumëvjeçare sistematike e me vlera për Butrintin dhe rrethinat e tij nga periudha antike në mesjetën e mesme. Rimëkëmbja ekonomike e sociale e qytetit të Butrintit nuk mund të mos fillonte me restaurimin e fortesës, në radhë të parë akropolit dhe me restaurimin e katedrales, duke shfrytëzuar çka ruhej ende në këmbë. Si studiuesit e mureve rrethuese të Butrintit, por edhe për kala të tjera, ashtu edhe ne për katedralen jemi nisur nga teknika e ndërtimit, që filloi të përdorej nga shek IX, në mos edhe më përpara, në një periudhë rindërtimesh me nxitim në vendbanimet deri atëhere të rënuara, e cila karakterizohej nga ripërdorimi i gurëve, tullave e tjegullave nga ndërtimet e shembura, që duhej të rindërtoheshin. Kjo mënyrë e ndërtimit të mureve në këtë periudhë haset edhe në Greqinë veriore (Epir) dhe jo vetëm kaq! …

Baptisteri i Butrintit (planimetri) është njëra nga dëshmitë më me vlerë të artikulturës dhe artit të shekujve V-VI tç vendit tonë, rëndësia e të cilit kalon kuadrin vendor duke qenë baptisteri më i madh me planimetri qendrore në botën mesdhetare. Baptisteri doli në dritë nga gëemimi prej Ugolinit në vitin 1928, i cili ndërtesën rrethore e daton të shek V dhe kolona të shek. VI, ndërsa mozaikun e fundit të shek. V dhe kolonat të shek VI, kur ndërtesa u kthye në baptistër…
Në vitin 1974, në kuadrin e IMK (Instituti i Monumenteve të Kulturës) kryem
studimin e ndërtesës dhe mozaikut, dokumentimin e plotë të gjendjes së tyre, me synimin e punimeve konservuese që për një kohë të gjatë nuk ishin kryer. Për ne baptisteri është një ndërtim i njëkohshëm duke përdorur dhe mbetje të mureve të ndërtesave më të vjetra d.m.th. që me mbarimin e ndërtimit të mureve dhe strukturave të mbulesës dhe dekoracionit të brëndshëm të saj është shtruar mozaiku me vaskën
e pagëzimit dhe dy emblemat megjëherë pas hyrjes, edhe ato të një kohe me gjithë dyshemenë dhe pjesëp e të njejtit kompozim. Edhe ne e kemi datuar baptisterin si një tërësi të mesit të shek. VI, nga krahasimi me mozaikët e bazilikës “A” i Nikopojws, ndërsa dhomën në perëndim si të gjysmës së dytw të shek. VI.
Gjatë vitit 1982 u kryen gërmime të reja për të sqaruar ndërtimet më të vjetra dhe lidhjen e tyre me ndërtesën e baptisterit. Gjatë viteve 1994-1998, nga ana e fondacionit Butrinti u kryen gërmime të mëtejshme me synimin e sqarimit të lidhjeve të baptisterit me ndërtimet e mëparshme, arsyet e ndërtimit të tij në atë vend, si dhe vendin e tij në një kuadër më të gjerë gjeografik e historik dhe vlerat e tij. Autorët e gërmimeve dhe studimit të monumentit W. Bowden e L.Përzhita, arritën të na paraqesin një tablo më të plotë të monumentit dhe lidhjen e tij me ndërtimet më të hershme që mund të nxirreshin në dritë, për shkak se më thellë nuk lejoninujërat nëntokësorë, ata i datojnë të shek. I-II të erës sonë.

Në Butrint ndodhen Kisha nr 1 dhe Kisha nr 2
Kisha nr 1
Kisha nr 1 ndodhet në anën veriore të baptisterit paleokristian dhe muri jugor i saj është ndërtuar mbi një mur të tij. Muret e kishës ruhen në lartësi të ndryshme. Ajo me planimetri drejtkëndëshe
përbëhet nga naosi, narteksi i vonë dhe mjedisi i altarit, i cili në anën lindore përfundon me një absidë gjysmërrethore. Në narteks hyhet nga një portë në anën perëndimore. Prej tij kalohet në naos, i cili ka pasur edhe dy porta të tjera në anën veriore dhe jugore, të cilat sot janë të murosura. Ikonostasi është prej murature guri dhe ka dy porta. Muri i tij nuk lidhet me muret e kishës. Muratura e kishës është ndërtuar me gurë gëlqerorë të lidhur me llaç gëlqereje. Rradhë janë përdorur dhe tulla të vendosura ndërmjet rradhëve të gurëve, zakonisht nga një tullë dhe shumë rradhë nga dy, njera mbi tjetrën.

Kisha nr 2
Kisha numër 2 ndodhet pranë mureve rrethues antike, në afërsi të portës së liqenit (Skea). Ajo vendoset tërthor murit rrethues, i cili shërben si muri perëndimor i kishës. Në kishë hyhet nga dy porta, njëra në murin verior dhe tjetri në atë jugor, sot e murosur. Muret e kishës janë ndërtuar me të njëjtën teknikë ndërtimi si të kishës së parë. Datimi i këtyre dy kapelave është i vështirë, jo vetëm për karakterin fragmentar të ruajtjes së tyre, por edhe për teknikën mjaft të rëndomtë të ndërtimit. Si kohë e mundshme e ndërtimit të tyre duhet të jenë shekujt IX-X.
Marrë nga libri: Kishat e Shqipërisë
Historia, arkitektura shek.IV-XV. (Botim 2022)



















