Qeveria fut në listën e investimeve rindërtimin e hekurudhës Vorë -Hani i Hotit me kosto 243 mln euro

95
Sigal

Pas fillimit të punës për ndërtimin e një linjë të re hekurudhore që do të lidhë Durrësin me Tiranën dhe Rinasin, qeveria e Shqipërisë përfshiu në listën e investimeve publike për periudhën 2022-2024 rindërtimin nga e para të linjës aktuale hekurudhore Vorë -Hani i Hotit, e cila aktualisht është jashtë funksionit.Ministria e Financave përllogariti një kosto prej 30 miliardë lekësh rreth 243 milionë euro për përfundimin e plotë të projektit që programohet të zhvillohet dhe të përfundojë përgjatë periudhës 2014-2027 (shih tabelën bashkëngjitur).Ndërtimi i saj do të nisë të financohet në vitin 2024 me një shumë prej 1,5 miliardë lekësh (12 milionë eurosh) dhe është në listën e projekteve që do të financohen me fonde të huaja.Projekti për rindërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit është pjesë e Planit Ekonomik të investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sipas këtij plani kosto totale e projektit është më e ulët rreth 172 milionë euro, nga të cilat janë siguruar 36 milionë euro të financuara nga një kredi e BERZH 31 milionë euro dhe Fondi i Ballkanit (WBIF) prej 4.5 milionë eurosh.

Projekti i detajuar për rehabilitim financohet përmes një granti prej 4.5 milionë eurosh të miratuar në dhjetor 2016. Punimet filluan dhjetor 2018 dhe pritej të përfundonin këtë vit, por projekti ka pësuar vonesa për shkak të Covid-19, ka sqaruar Ministria e infrastrukturës.

 

Si u shkatërrua

Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, afërsisht 120 km e gjatë, u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi në kufirin Shqipëri/Mali i Zi në vitet 1980.Infrastruktura e trasesë është përkeqësuar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Kufizimet e shpejtësisë së trenave vijnë gjithashtu dhe nga kalesat e shpeshta të paautorizuara në nivel (kryqëzimet e paautorizuara me rruget lokale). Shumica e kalesave të autorizuara, të cilat kryqëzohen me rrugët kombëtare dhe vendore nuk janë të mbrojtura. Sistemi i sinjalizimit, i dëmtuar gjatë periudhave të trazirave në vitet 1991 dhe 1997, është pothuajse inekzistent. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë.

Ndërtesat dhe platformat e stacioneve janë jashtë standardeve. Gjendja e urave është përkeqësuar dhe gjerësia e tyre nuk përputhet me gjerësinë e trasesë 6.0m të kërkuar nga standardet e TEN-T. Për më tepër, ato nuk përshtaten me elektrifikimin e ardhshëm të hekurudhës.

Së fundmi, Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje hekurudhore për shkak të dëmeve të shkaktuara në urën mbi lumin Ishëm, në km 35+000. Para këtij tërmeti, Transporti i udhëtarëve mbulohej nga dy trena në ditë, por numri i udhëtarëve ishte shumë i ulët. Edhe transporti i mallrave linte për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të gjata dhe kërkesë të ulët, dhe jo të planifikuar.

Ndërhyrjet e parashikuara

Projekti synon të përmirësojë shërbimet e transportit të udhëtarëve dhe mallrave dhe rritjen e sigurisë dhe shpejtësisë së trenave në përputhje me standardet e BE-së. Objektivat teknike përfshijnë:

– Përmirësimin e shtrirjes horizontale të linjës hekurudhore, për të mundësuar lëvizjen e trenave me shpejtësi 100-120 km/orë;

-Përmirësimin e shtrirjes vertikale (lartësisë së trasesë) për të shmangur përmbytjen e hekurudhës (km 69 deri në 74);

-Zëvendësimin e superstrukturës (traversa, fiksuese, shina);

– Zëvendësimin dhe rehabilitimin e përbërësve të nën-strukturës (nën-ballast, nënshtresë);

-Rehabilitimin dhe përmirësimin e përbërësve të strukturës (ura, tombino, mure mbajtëse, nënkalime, mbikalime të këmbësorëve, tuneli i Lezhës);

– Përmirësimin e kalesave në nivel (zvogëlimi i numrit të kalimeve, kalesa të sigurta në nivel, etj.);