Intervista e Ramës në TV serb e porositur? Mediat serbe ndezin polemikë: Gazetarja, ish-gruaja e Vuçiç, i shërben ende presidentit

675
Sigal

Intervista e Ramës në televizionin serb ndez polemikë në mediat e Beogradit. Shkak, gazetarja që intervistoi shefin e qeverisë shqiptare. Ksenija Vuçiç ose tanimë, Jankoviç, është ish-gruaja e presidentit Vuçiç. Mediat serbe shkruajnë se ajo i shërben ende Vuçiç.

Intervista e Edi Ramës në Televizionin serb Pink, bëri bujë në Serbi dhe Shqipëri.

Në mediat shqiptare gjeti jehonë thirrja e përsëritur e Ramës që Serbia të njohë Kosovën, justifikimi i tarifës speciale për produktet serbe dhe mbrojtja që i bëri bukëpjekësit shqiptar, duke përfituar nga rasti për të bërë shenjën e shqiponjës.

Ndërsa në Serbi, mbi të gjitha bëri jehonë fakti se gazetarja ia hodhi poshtë argumentin e bukëpjekësit duke i thënë se ai vazhdon të jetojë në Beograd dhe mbi të gjitha, për 3 gishtat që i tregoi Ramës.

Duke i bërë shenjën e 3 gishtave që përdoret ende nga grupimet politike apo parapolitike të shovinistëve serbë, gazetarja duket se nxori lajmin më të madh nga intervista.

Këto u thanë, mbeti pa u thënë se gazetarja Ksenija Vuçiç është ish – bashkëshotrja e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe ka 2 fëmijë me të.

Ajo është divorcuar me presidentin serb, por mbajnë marrëdhënie shumë të mira, aq sa ajo nuk i është kthyer mbiemrit të vajzërisë Jankoviç pas divorcit, por ka mbajtur atë të ish – bashkëshortit.

Gazetarja ka një emision të rëndësishëm në televizionin Pink, pronari i të cilit është mik i afërt i Aleksandar Vuçiç.

Madje siç mund ta shihni në këtë artikull në gazetën serbe Espreso, ajo vazhdon të mbështesë ish – bashkëshortin dhe e përdor emisionin në favor të tij.

“Ksenija Vuçiç është shumë aktive në Tëitter, por për ata që nuk e dinë se kush është nëna e fëmijëve të Vuçiçit, djali Danilo dhe vajza Milica, është mundësia ta bëjë këtë tani”, thuhet në artikullin e Espreso, që titullohet “E dini si duket dhe si tingëllon gruaja e Vuçiç?”.

Nëntitulli thotë pak më shumë:

“Gazetarja Ksenija Vuçiç në TV Pink është duke udhëhequr shfaqjen Pravac (Drejtimi), në të cilën ajo mbron autoritetin e Vuçiçit”.

Më pas, gazeta jep detaje nga jeta private e Presidentit që e quan të dhimbshme, për shkak të divorcit që pati në 2013 me Ksenijan për t’u martuar po atë vit në dhjetor me Tamara Gjukanoviç, një punonjëse e Ministrisë së Jashtme serbe.

Disa muaj para martesës, ai u kap nga paparacët, siç mund ta shihni në foto, në një restorant me të dashurën që u bë gruaja e dytë dhe që mesa duket shkaktoi divorcin.

Megjithatë ndarja nuk e prishi marrëdhënien e ngushtë politike mes Aleksandrit dhe Ksenijas.

Ata vazhdojnë t’i shërbejnë njëri- tjetrit, ai nga politika në mendia, ajo nga media në politikë.

Për gazetarët serbë, edhe intervista me Kryeministrin e Shqipërisë ishte një shërbim i nevojshëm për Presidentin serb, ndërsa premtimi që Rama do kujdesej për Ksenijan në Tiranë, nëse ajo ngrinte 3 gishtat, ishte një premtim miqësor që në fakt i bëhej Aleksandër Vuçiçit.