Fatos Çerenishti: FAFA Group e gatshme të mirëpres turistët. Ne nuk do rrisim çmimet, edhe pse kontratat janë bërë kohë më parë

449
Sigal

“Agjencitë e huaja kanë sjellë delegatët, mund të jetë një sezon pa fitim”

Çmimet edhe pse jemi një situatë të vështirë nuk do rriten tek FAFA .Kontratat janë bërë vitin e shkuar dhe çmimet për shërbimet dhe atë çfarë do të ofrojmë i kemi fiksuar sipas kushteve të asaj periudhe.

Pavarësisht situatës konfuze që ka sjellë konflikti Ukrainë-Rusi, agjencitë e huaja ndërkombëtare të turizmit kanë vijuar me planet e tyre të monitorimit të kushteve në strukturat akomoduese ku kanë lidhur kontrata në Shqipëri.Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group, thotë se delegatët e tur-operatorëve kanë ardhur dhe kanë dhënë porositë e tyre mbi shërbimet dhe akomodimin, duke i paraprirë sezonit veror.Rritja e çmimeve, sipas Çerenishtit, nëse nuk do të ketë ndryshim, rrezikon ta kthejë sezonin vetëm në një qarkullues të parave, por pa lënë fitim për hotelet, të cilat kontratat me garanci i kanë lidhur me çmimet e një viti më parë, që ishin 30-40% më të ulëta sesa sot.

Prej disa kohësh, biznesi përfshi këtu sektorin e turizmit, po përballet me rritje të çmimeve në disa segmente. Si një nga grupet me kapacitet të konsiderueshëm akomodues, pjesë e kontratave me garanci të agjencive ndërkombëtare, si prisni të ndikoheni nga kjo situatë në koston tuaj?

Kjo situatë na ka shqetësuar jashtë mase dhe na është dashur të ulemi së fundmi të bëjmë një rillogaritje të të gjithë kostove shtesë që kemi pasur. Janë shtrenjtuar zëra të tillë si energjia, ushqimet, detergjentët.

Të gjitha së bashku na e kanë çuar koston 30-40% më shtrenjtë se një vit më parë. Kjo do të thotë se kemi një rritje të kostos për turist me 30-40%. Problemi real këtu është që ne kontratat i kemi bërë vitin e shkuar dhe çmimet për shërbimet dhe atë çfarë do të ofrojmë i kemi fiksuar sipas kushteve të asaj periudhe.

Është thuajse e pamundur t’i ndryshojmë dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Shpresa jonë e vetme është që çmimet të rregullohen. Në të kundërt, do të duhet të qarkullojmë para pa ndonjë fitim në rastin më të mirë.

A kanë nisur agjencitë e huaja, sikurse bëjnë tradicionalisht, t’ju vizitojnë për të parë kushtet dhe për të bërë komentet e tyre?

Fatmirësisht agjencitë kanë nisur të sjellin delegatët e parë që vijnë të kontrollojnë strukturat dhe ky është një sinjal pozitiv, në kushtet ku jemi edhe me situatën Ukrainë-Rusi.

Kanë nisur të japin porositë e tyre për sezonin për shërbimet që duhet të kenë dhe akomodimin. Pozitiv është fakti që edhe ata po vazhdojnë të shesin me paketa e kjo do të thotë që shesim edhe ne.

Cilët janë turistët që do të rikthehen këtë vit në zonën e Golemit?

Ka polakë, nordikë, gjermanë, çekë, por unë këtë vit në strukturat e mia do të kem kryesisht polakë, ndërkohë që një pjesë të kapacitetit e kam lënë në dispozicion të vendeve të rajonit, kryesisht Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si një angazhim të marrë që gjatë pandemisë, ku mbështetja jonë kryesore ishte turizmi patriotik.

Cila është paketa që preferohet më shumë ajo “të gjitha të përfshira” apo me “fjetje dhe mëngjes”?

Koncepti tani është ai i pushimeve me duar në xhepa, kur të gjitha janë të përfshira dhe ne drejt kësaj pakete kemi orientuar shërbimin tonë këtë vit, sipas kontratave që kemi nënshkruar.

Kostoja e një pakete, me të gjitha të përfshira për turist, për një ditë është mes 45-48 euro, të paktën aq e kemi përllogaritur ne në kontratat tona. Por me këto rritjet e kostove do ta kemi pak problem sepse gjërat janë shtrenjtuar.

Ka pasur një theks të vazhdueshëm për mungesën e punonjësve në sektor. Si po e përballoni këtë situatë?

Jemi munduar të bëjmë rritje pagash, pasi na duhet të mbajmë stafin e trajnuar që na mundëson shërbim me standard. Gjithsesi, pavarësisht rritjes së pagave, prapë ambienti është sfidues, pasi hapen struktura të reja vazhdimisht dhe nevoja për staf është e vazhdueshme.

Problemi më i madh këtë vit është gjetja e punonjësve dhe duke qenë se nuk po gjejmë në vend jemi lidhur me 2-3 agjenci për t’i marrë nga shtete të tjera. Ne shpresojmë që 40 punonjësit e parë të huaj të vijnë së shpejti, sikurse kemi rënë dakord.