Fatmira Mustafaj: Respekt prindërve Zylyftar dhe Bule Veleshnja

847
Sigal

Ata që të rriten ty, më dhanë 45-vite të jetës lumturi, dashuri, respekt dhe dinjitet njerëzor.

Respekt dhe mirënjohje  prindërve  Zylyftar dhe Bule  Veleshnja!

Deri me sot ke folur e shkruar ti  i shtrenjti im, por sot në 3 muajt e largimit tënd nga jeta do të shkruaj dhe do të flas unë për ata që me edukimin që të dhanë u bën përmendore respekti dhe dashurie në shpirtin tim.

Ata që të rriten ty, më dhanë 45-vite të jetës lumturi, dashuri, respekt dhe dinjitet njerëzor.

Tek ty Skënder, njoha karakterin e fortë siç janë burrat e asaj krahine, skraparllinjtë, njerëzit e mrekullueshëm të atij vendi të bekuar, të cilët kërkojnë t’u ngjajnë maleve të lartë dhe shkëmbinjve të fortë ku janë rritur, atdhetarë që forcën e marrin si Anteu, mbështetur fort  në tokën e nënës dhe të babës. Ata që nuk dinë të bëjnë pazare me interesat e Shqipërisë. I gatuar me virtyte dhe krenar si biri shpirtëror i Zylyftar Veleshnjes dhe Bule Veleshnjes  na mëkoi  çdo ditë dashuri, respekt dhe të  përkulemi para emrit te tyre, veprës së tyre unë dhe fëmijët e mi, për atë çka bënë. Babai, Zylyftar Veleshnja  të rriti me atdhetarizmin e flaktë që e karakterizonte dhe që mbeti deri në fund të jetës së tij. Luftëtari që u rrit në vitet e një padrejtësie të madhe shoqërore, prapambetjeje u ngrit për një Shqipëri pa shtypje dhe shfrytëzim në kryengritjen e Fierit me 1935, kundër  regjimit të Zogut, lëvizje që u drejtua nga atdhetari Riza Cerova, djali i hallës së tij. Regjimi  e dënoi  Zylyftar Veleshnjen  me 101 -vite burg, dhe kjo  e detyroi të emigronte në Greqi dhe më pas në ish Jugosllavi. U kthye pas 5- viteve, kur fitoi amnistinë. Vendin e gjeti të pushtuar, por nuk mund të viheshin nën thundrën e pushtuesit skraparllinjtë. Skrapari që është i bekuar me malin e shenjtë Tomorin,  s’mund të qëndronte në heshtje.  Zylyftar Veleshnja e ktheu shtëpinë  në qëndrën e kryengritësve të asaj zone, duke ngritur Grupin e Skraparit. Ky grup me sakrificat dhe gjakun e derdhur i shtoi lavdinë Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, e cila do të kulmonte në betejën e Tendës së Qypit,  ku  mbeti i plagosur rëndë. Pranë këtij burri, luftëtari, njeriu të paepur, të drejtë, të mençur, megjithëse me një arsim autodidakt, modest, i matur në fjalë, mbështetësi i vegjëlisë, qëndronte bashkëshortja e tij e mrekullueshme, Bule Veleshnja. Ajo me heshtjen e saj mbështeti të gjithë rrugën e sakrificave të luftës dhe të ndërtimit të vendit, të Legjendës së Skraparit, siç e quan poeti i madh Xhevahir Spahiu, Zylyftar Veleshnjën. Bulja, ishte  nëna që solli në jetë 10 fëmijë  dhe bëri bir në shpirt  të 11-in, Skënderin e vogël, të cilët i edukoi me ndershmërinë që e karakterizonte, shpirtin e ndjeshëm, që bënte ta ndante kafshatën e gojës me të tjerët. Mikpritësja që e ktheu derën e Veleshnjave  në një sofër, ku dje në luftë gjetën ngrohtësinë partizanët me të cilët ndau bukën dhe u bë mbështetëse e idealit të tyre, prandaj u zgjodh delegatja e Skraparit në Kongresin e parë të Gruas Antifashiste Nacional Çlirimtare në Berat. Thjeshtësia e bëri njeri të dashur dhe të respektuar për të gjithë. Gruaja që qëndroi në hije, për t’i dhënë shkëlqimin e duhur njeriut të jetës, i cili ia kishte dedikuar  jetën vendit të tij, lirisë, Shqipërisë demokratike, për një përparim dhe një jetë më të mirë.

Prindërit e nderuar rritën 11 fëmijë.

Skënderi nuk kishte asnjë dallim nga fëmijët e gjakut të tyre. Ngrohtësia e duarve të nënë Bules e rritën dhe dora e babait që i shtrëngonte dorën, e ngjiste në shkallët e arsimimit dhe edukimit. Me këtë përkujdesje filloi Normalen e Elbasanit. Fjalët e të atit, do t’i mbeteshin në mendje gjithë jetën Skënderit:  -“Bir, vendi ka nevojë për mësues, të cilët do të përhapin dritën kudo, do të ndërtojnë shpirtrat njerëzorë. Inxhinieri ndërton godinën, kurse mësuesi ndërton njeriun.”  Pas mbarimit të shkollës së mesme do të shkonte në Institutin e mësuesisë, dega histori –gjeografi dhe në përfundim, do të shkonte si mësues në fshatrat e Beratit, duke bërë realitet porosinë e babait: “Do të shkosh atje ku ka nevojë Atdheu, biri im.” Në çdo hap që hidhte,  Skënderi  kishte shembullin e prindërve që e drejtonte, prandaj fshati dhe brezat e  nxënësve nuk do ta shlyejnë nga mendja mësuesin korrekt drejtuesin, muzikantin që drejtonte të gjithë aktivitetin kulturor dhe artistik të shkollës në fshatin Mbrakull,  dhe jetës artistike në fshat. Thjeshtësia që e karakterizonte e bënte që çdo derë t’ i hapej dhe të pritej me krahë të hapur nga banorët. Ashtu do të punonte dhe do të krijonte marrëdhëniet me të gjithë, në çdo detyrë që do t’ i besohej më vonë. Si i tillë do të kishte një vend të veçantë, edhe në familje, tek motrat, vëllezërit dhe fëmijët e tij. Qëndrimi i pashembullt  i prindërve që mposhtën dhembjen e vdekjes së dy djemve në krye të detyrës,  Namik dhe Timon Veleshnja, konsolidoi tek Skënderi,  se Atdheu, Shqipëria,  qëndron mbi  gjithçka. Gjaku i të rënëve, dje në luftë dhe sot në krye të detyrës, duhet të bëhet mësim frymëzim për brezat  e rinj. Prandaj për 16 vjet drejtoi Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve  të rrethit Berat, iu përkushtua me të gjitha forcat punës për të mbajtur të gjallë në memorien e njerëzve heroizmin, atdhedashurinë  e flaktë, shpirtin e sakrificës. Vlera që do të edukojnë brezat. Burri i urtë, i mençur, i matur, i qeshur, i dashur, poet në shpirt dhe në letër, hokatar  në fabulat e tij, i prerë në parime në publicistikën e shkruar, i shtruar në rrëfimet e tregimeve të tij, si dhe  i papërtuar për ta hedhur në letër çdo moment të punës së Organizatës së Dëshmorëve. Si një familjar shembullor dhe baba i përkushtuar,  dashuria për të s’do të zbehet  kurrë! Boshllëku është i madh i shtrenjti ynë! Por imazhi yt i respektuar nga të gjithë, na jep forcë. Kështu të donin prindërit e tu, Zylyftar dhe Bule  Veleshnja. Fëmija  artist, siç e quan shkrimtari dhe qytetari i nderuar beratas, Ylli Polovina, i atyre viteve që u çapit për dore me të atin në kalldrëmin e rrugicës që të çonte në shtëpinë  Veleshnja,  në lagjen Kushtrimi,  Berat, i ndrojtur, por plotë shpresë, pati vetëm një ëndërr: – “Të bëhej njeriu i denjë për të bërë krenar prindërit, për të mos hedhur poshtë sakrificat e tyre, humanizmin e tyre të veçantë që i bën madhështorë”.

Ti  ia arrite Skënder!

Ti je shembulli më i mirë i imagjinatës së tyre. Do të mbetesh shembëlltyra e tyre! Çdo ditë jetove me dashurinë dhe respektin e madh për ta. E meritojnë! Të ndërtosh një vepër, të shkruhet emri në të, por t’ia rrëmbesh  nga duart fatit të keq,  jetën e një fëmije për ta bërë atë të madh, dhe me një vend të nderuar në shoqëri, mbetesh jo vetëm në historinë e shkruar, por do të tregohet brez pas brezi, gojë pas goje. Prandaj ju, të nderuara figura prindërore, Zylyftar dhe Bule  Veleshnja, do të mbeteni gurë të çmuar dhe shembull për çdo prindërim!

Respekt dhe mirënjohje në përjetësi!

Fatmira  Mustafaj