Në këtë muaji të bekuar të ramazanit nuk ka si të mos kujtosh ata, që sakrifikuan jetën e tyre në dobi të besimit mysliman. Ata na dhuruan dashuri, përkushtim dhe emocione, duke na kthyer gëzimin e syve të përlotur dhe buzëqeshjen e fytyrave të brengosura për gjithë vitet që u mohua besimi i Zotit. I tillë ka qënë Hafiz Sabri Koçi. Gjithë jetën e tij, ia kushtoi besimit në Zot. Punoi që të rrënjoste te njerëzit besimin, Ai nuk u mor kurrë me politikë, përkundrazi politika u mor me të. Këtë “dallëndyshe” të fjalës së lirë, regjimi diktatorial u përpoq që ta përdorte për interesat e tij, por dështoi përballë vendosmërisë së tij. Atëhere regjimi vendosi, që ta diskretitojë , dhunojë , burgosë, por ai nuk u përkul asnjëherë, sepse pati mbështetje tek i “ Madhi Zot”. “Në gjuhën fetare ky lloj njeriu si Hafiz Sabriu quhet “Muxhahid”, d.m.th. një njeri që shkrin veten për hir të Zotit. Është me të vërtetë një nder që ndodhet në mesin tonë një misionar i tillë, që nuk kurseu as jetën për ruajtjen e shtrirjen e normave morale Islame, Hafiz Sabriu plot përkushtim, me përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e besimtarëve. Gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare, gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste . Dhe kundërshtimet e goditjet nuk vonuan. Duke parë popullaritetin në rritje të Hafiz Sabriut, organet shtetërore ndërhyjnë dhe e transferojnë në Krujë, gjoja duke e graduar nën/Myfti. Më vonë në Kavajë dhe më pas e transferojnë në Korçë. Me kërkesën e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël emërohet përsëri imam në Shkodër. Populli kërkonte që të kultivohej feja, ashtu siç duhej, ndërsa diktatura gjithnjë e më shumë ashpërsohej. Të gjitha këtyre u erdhi fundi më 4 qershor 1966, kur i vunë hekurat dhe e arrestuan.
Tashti e priste burgu, puna e rëndë fizike. 4 qershor 1966 dita e arrestimit 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë burg. Vetëm ai që e ka provuar burgun e diktaturës komuniste në Shqipëri, mund ta dijë se ç’heq njeriu. Njeriu, me sa duket, qenka krijesa më e fortë. “I ra gurit dhe u thërmue, i ra njeriut dhe duroi”. Po, qenka e vërtetë, njeriu është më i fortë se guri. 22 tetor 1986; dita e lirimit. Nëse përvoja popullore ka provuar një gjë të tillë, jeta e Hafiz Sabriut është një provë e gjallë durimi e besimi, vullneti e përpjekje për jetë a vdekje. “Ashtu ishte shkruar prej Zotit xh. sh, shkruan Hafiz Sabriu, të përjetoja të gjithë atë që njeriu nuk ia dëshiron kurrë njeriut. U mbështeta në Zotin. Ai agjëroi fshehurazi për 21 vjet, vetëm me një kokër qepë në xhep dhe me një gotë kauçuku në të cilën zinte kos me qumështin, që i jepnin kundër helmit. Ai theksonte me besimtarët në burg se Allahu në Kuran thotë se ne e zbritëm Kuranin Natën e Kadrit.” Nata e Kadrit” është më e dobishme se 1000 muaj. Kishte gjetur një hapësirë bosh në mes të banjove, ku shkonte çdo ditë për t’u falur, larg syrit të gardianëve të burgut dhe shokëve të qelisë që prisnin të spiunonin dikë për të marrë një shpërblim. Në vitin 1990, së bashku në Shkodër hapëm Kishën dhe Xhaminë e parë në Republikë, mbas 30 vjetëve. Në fillim të fjalës së tij, Hafizi tha: “Vëllezër myslimanë, katolikë, ortodoksë, mbi të gjitha vëllezër Shqiptarë!”. Kjo ishte thirje për bashkëjetesë e harmoni fetare e atdhetare. Ai vazhdoi: “S’ka krim më të madh se t’i mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës të të madhit Zot”. Vlerësime kudo për prijësin e mendimit të lirë. Dom Simon Jubani i dërgoi një letër Hafiz Sabri Koçit ku theksonte: “Kur gjendeshim në burg së bashku nuk kemi pas frig me i festue Festat Fetare, biles edhe tuej këmbye vizita te njeri- tjetri për Bajram e Pashkë, nën hundën e atyne që na mbanin në burg për të vetmin krim, se besonim në Zotin dhe reklamonim të drejtat e Njeriut. Rapsodi Dedë Shyti shkruante: “Në nandëdhjetë i duel zani./ Meshën n’vorre si tufani./ celebron Simon Jubani./ Kur e lëshoi në Shkodër shkëndinë./ E çoi peshë të gjithë rininë./ N’xhami t’plumbit me Hafiz Sabrinë
Shkrimtari Xhahid Bushati shkruan: “Mbi bardhësinë e mëngjesit, plaku i urtë u shfaq si shtegtar, e kish marrë malli për xhaminë, dhe hyri si një ëndër e bardhë.
E njohën Hafizin e Xhamisë Plakë… Dikush qau. (Dikush Fatiha këndon…) U afruan e i puthën dorën, si për të thënë: “Hafizi jeton” Edhe pse i moshuar, mbi 70-vjeç ka qarkulluar kudo në Shqipëri për të hapur Xhamitë e Teqetë. Në Shkodër, Koplik, Durrës, Vlorë, Delvinë, Gjirokastër, Lazarat, Berat, Korçë, Leskovik, Laç, Peqin, Domje (Tiranë), Teqja e Dervishe Hatixhesë (Tiranë), Xhamia e Naziresë (Elbasan), Xhamïa e Dine Iloxhës (Tiranë), Xhamia e Kirasit (Shkodër), Reç i Poshtëm (Shkodër), Përmet, Kavajë, (Përurohet xhamia e re), Bulqizë, Vrinë, Shenevlash Durrës, Rrogozhinë, Boks (Shkodër), Korçë (Përurohet kompleks; Islam) Burrel, në fshatin Panaja (Vlorë), Xhamia “Ebu Bekr” (Shkodër), Zemblak (Korçë), Bilisht. Në të gjithë këto përurime H. H. Sabriu merr pjesë, mban ligjëratën e rastit dhe kryen ceremonitë fetare. Nuk po përmendim këtu sa e sa ligjërata e predikime mbajtur në sheshin Namazgja (Tiranë), në Xhaminë e Ethem Beut në Tiranë e sa e sa ceremoni në rrethe. Në këto takime Ai ka theksuar me forcë të madhe, bashkëjetesën fetare në Shqipëri si shembull i shkëlqyer për Botën. Kjo bashkëjetesë u duk qartë, gjatë 13 viteve të drejtimit të K.M.SH. Me urtësi, arsye, tolerancë zgjidhi çdo keqkuptim, çdo vështirësi, që dilte në punë e kudo. Aktiviteti i tij kudo nëpër botë, në takime e konferenca të ndryshme, paqyroi gjendjen e mjeruar ekonomike e shpirtërore të popullit shqiptar. Më 18.6.1991 u nisën në Mekë të Arabisë Saudite 165 besimtarë Islamë nga Shqipëria për haxhillëk. Në krye të këtij grupi ishte Hafiz Sabri Koçi, si “Kryetar Komitetit Mysliman Shqiptar”. U muar vesh që Haxhi nga Shqipëria kishte bërë 20 vjet burg se predikonte mësimet e Zotit, që në këtë vend ishin të ndaluara. U befasuan e të gjithë donin ta takonin e t’i shtërngonin dorën, ta përqafonin për vuajtjet, por dhe për besimin e palëkundur ndaj Zotit. Ishte i sëmurë nga tensioni e zemra. Vuajtjet e torturat në burg kishin bërë punën e vet. Në Mekë, kur i ofruan ndihmë mjekësore, ai iu përgjigj: “Ndihma më e mirë për mua, është hapja e një xhamie dhe e një shkolle fetare në Shqipëri”. Haxhi Hafiz Sabri Koçi ka besim të thellë në fuqinë e Zotit se feja në Shqipëri do të lulëzojë krahas zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë demokratike. Gjithënjë në fjalën e tij mishërohet qartë dhe në mënyrën më të kthjelltë dëshira dhe përkushtimi ndaj fesë dhe Atdheut. Shpesh theksonte, se pasuria dhe pozita s’janë kusht për ndershmërinë dhe meritën e lartësimin e njeriut. Fundi i të gjitha begative të kësaj bote nuk peshojnë asgjë. Një vit pas vdekjes, Hafiz Sabri Koçi është vlerësuar si një nga 100 udhëheqësit myslimanë të Shekullit XX-të. Kjo nga “Instituti i Kërkimeve Objektive”, botuar në Neë -Delhi të Indisë. Një besimtar ditën e Bajramit më tha: “Si Hafiz Sabri Koçi, Shqipërisë i vjen një herë në 200 vjet ! Dhe ai kishte të drejt