ESHREF ZOTO: MILECI FSHATI QË SHKELI ME KËMBË YLLIN ME 5 CEPA

U arrestuan shumë burra të fshatit, nuk munguan as pushkatimet

Na morën edhe kostumin e babait, unazat dhe vëthët e nënës

Sigal

Fshati Milec i rrethit Kolonjë, i cili shtrihet rrëzë malit të Gramozit, tashmë është shkretuar pothuasje plotësisht. Banorët e tij janë shpërngulur në Tiranë, Elbasan dhe gjetkë. Shumë pak familje ende vazhdojnë të jetojnë aty, si dëshmitarë të vetëm për të treguar çfarë ka ndodhur dikur me fshatin e tyre.  Në të vërtetë Mileci nisi të shkretohej që kur erdhi në pushtet regjimi i Enver Hoxhës, – kështu shprehen banorët e këtij fshati. Ngaqë ky fshat nuk iu bind ndonjëherë regjimit të kaluar, fatin e banorëve nisën ta përcaktonin prangat dhe arrestimet, të papriturat në mes të natës, qendrimi në qeli për vite të tëra me radhë, vdekjet në birrucat e burgjeve për shkak të torturave, madje edhe pushkatimet, pa përjashtuar as sekuestrimet absurde. Sekuestruesit u grabitën banorëve edhe këmishën e trupit, grave u merrnin vëthët dhe unazat, varset dhe fustanet e nusërisë Acarimi mes palëvë u rëndua edhe më shumë kur dikush prej fisit Zoto shkeli me këmbë yllin e kuq me pesë cepa. Rregjimi i Hoxhës nuk do ta harronte kurrë këtë ngjarje.

Hakmarrja për yllin me pesë cepa

Hakmarrja për yllin e kuq me pesë cepa u kthye në një tmerr të vërtetë nga regjimi enverian, i cili i ndoqi si fantazmë deri ditën që ngrehina e tij politike dha shpirt.  Historitë e këtij fshati, janë të shumta, të dhimbshme, por edhe të frikshme. Njërën prej tyre e sjell për gazetën ‘Telegraf”, Eshref Zoto, i cili tregon se persekutimin në këtë fshat e ndjente edhe fëmija në barkun e nënës. Histori e tij rrëfen si poshtërohej një fëmijë, si diskriminohej e zbohej nga shoqëria, si largohej nga shkolla. Si injektonin deri në palcë edhe tek fëmijët frikën dhe tmerrin, gjë që e ka përjetuar edhe vetë historitreguesi ynë, i cili në atë kohë ishte 12 vjeç
Historia
Drejtori i konviktit të Teknikumit tregtar “Nako Spiru” në Tiranë u shfaq papritur në mencë me një letër të hapur në dorë. Në atë kohë ne sapo kishim filluar të drekonim. Dëgjohej vetëm trokëllitja e lugëve dhe e pjatave. Edhe pse konviktorët ishin duke ngrënë, përsëri dëgjohej një gumëzhitje që nuk kishte të sosur. Vetëm kur panë drejtorin e konviktit të hynte me një letër të hapur në dorë, të gjithë ngrinë një çast, ndërsa mencën e pushtoi heshtja e varrit. Krejt i ngrirë mbeta edhe unë, – tregon, Eshref Zoto, tashmë I moshuar, banor i fshatit Milec, në rrethin e Kolonjës. Të gjithë e dinim; sa herë drejtori hynte në mencë në këtë mënyrë, me një shikim të ftohtë, që i ngjante të vdekurit, dhe për më shumë kur ishim duke ngrënë bukë, gjithnjë kishte për të shpallur një lajm të keq për ndonjërin nga ne. Dikush do të përjashtohej nga shkolla. Kishte ndodhur edhe më parë. Ishte koha kur nxënësit përjashtoheshin për motive politike.
Tmerr i pritjes
E ndjeva se në atë letër që mbante drejtori i konviktit në dorë duhej të ishte i shënuar emri im, – vijon tregimin e tij Eshref Zoto. U rrëqetha i tëri nga një ndjenjë tmerri që më pushtoi befas atë çast. Gjatë kohës që unë vazhdoja shkollën, dikush prej fisit tim, i quajtur Riza Zoto, kishte shkelur me këmbë yllin e kuq me 5 cepa. Edhe pse u frikësova kur e dëgjova për herë të parë këtë ngjarje, nuk mund të them se mbeta i habitur. Në atë fshat gjithnjë mendohej se mund të kishte të papritura. Në fshatin tim nuk kishte kaluar kurrë qoftë edhe një çetë partizanësh. Kur ndonjëri nderonte me grusht, e bënte për humor, kurse të tjerët ia kthenin: “Në çfarë halli je futur or zotëri që i bie kokës me grushta”! Tashmë po prisja në ankth çfarë do të ndodhte. Para se të të zbonin nga konvikti, kërkohej t’i nënështroheshe procesit të demaskimit, përpara syve të të gjithë konviktorëve. Për këtë arsye u mbulova i gjithi në djersë, sepse e dija çfarë më priste. E dija që askush nuk do ta kthente kokën nga mua për të më parë si do të qëndroja me kokën ulur, por gjithkush do të kishte para syve të tij, fytyrën time, që me siguri ato çaste do të isha komplet i shpërfytyruar.

Kisha mbetur me lugë në dorë

Befas vura re se më kishte mbetur luga në dorë, – vazhdon tregimin e tij, Eshfref Zoto, – e lëshova ngadalë mbi tavolinë për të mos shkaktuar as zhurmën më të vogël. Ishte prill i vitit 1953. Po ndjeja frikë, tmerr, ankth të pafund. Më dridhej gjithë trupi. Një çast mendova: “Ah, sikur të mos përmendet emri im…”. Dëshiroja të vazhdoja shkollën me çdo kusht. Kisha përfunduar shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë dhe tani doja të përfundoja studimet në Teknikumin tregtar.  Deri atë çast kisha qenë nxënës i shkëlqyer, ëndërroja që pas mbarimit të shkollës të isha dikushi, por jo, nuk do të nodhte ashtu. Në fshatin tim burrat e fisit Zoto po arrestoheshin njëri pas tjetrit. Shkelja e yllit të kuq me këmbë kishte qenë një lajm që ishte hapur me shpejtësi alarmante
Procesi i demaskimit
Drejtori i konviktit ngriti letrën që mbante në dorë për ta lexuar. “Ah, sikur të mos përmendet emri im, u luta përsëri në heshtje, por drejtori kishte mbërritur tek pika më kritike e letrës. “Eshref Zoto”, u dëgjua zëri i tij. Atë çast m’u duk sikur gjithë menca përsëriste të njëjtën fjalë Eshref Zoto… Eshref Zoto… Eshref Zoto…Eshr… Dridhesha i tëri. Nuk mund të them se i dëgjova të gjitha fjalët. Isha krejtësisht i turbulluar. Drejtori i konviktit nuk po bëntë gjë tjetër, veçse po më lexonte aktakuzën, para gjithë konviktorëve, njësoj sikur të ishte pokuror. Ndoshta ishte i detyruar, shikimi i tij nuk ishte më i gjallë, i ngjante vështrimit që ka një i vdekur. Në brendësi të qenies time kishin mbetur fjalët e para: “Eshref Zoto largohet nga konvikti… Familja e tij nuk ka mbajtur qëndrim të mirë politik…”.  Po prisja që drejtori të hidhte vështrimin nga unë dhe të deklaronte: “Familja e këtij njeriu ka shkelur me këmbë yllin e kuq me pesë cepa…”, por ai edhe pse nuk e tha këtë, kuptohej se ddiçka e tmerrshme duhej të kishte ndodhur me njerëzit e fisit tim. Drejtori vazhdonte të lexonte me po atë vështrim që mund të ketë vetëm një i vdekur.
Isha shpallur armik
Ndërsa drejtori i konviktit lexonte letrën, mua më ishin mbushur sytë me lotë. Nuk doja të ikja nga shkolla, por mes rreshtave që kushedi nga cila dorë ishin shkruar, përsëritej: “Familja e Eshref Zotos nuk ka mbajtur qëndrim të mirë politik…”. Kjo frazë që përdridhej si një gjarpër brenda kafkës time, më hiqte çdo mundësi për të qëndruar në shkollë. Dukej qartë se gjithçka ishte e përgatitur me kujdes. Në të vërtetë në familjen time nuk kishte ndodhur asgjë e re në lidhje me politikën, madje as për mirë, as për keq. Babai vazhdonte të qëndronte i heshtur pa thënë asgjë për qeverinë. Krejt i heshtur kishte qëndruar edhe kur e sekuestruan. Megjithatë unë kisha dëgjuar diçka për atë që kishte ndodhur me fisin tim. Para disa ditësh më kishte ardhur edhe nëna, Havaja. Kishte ardhur në Tiranë për të më takuar. Dridhej e tëra dhe qante. Mes lotëve më tregoi se kishin arrestuar Riza Zoton, kushëririn e babait. Rizai kishte qenë partizan në Brigadën e VI që nga viti 1943. Kishte luftuar edhe në Vishegrad. Para se ta arrestonin punonte si sekretar në sekretarinë e Divizionit në Korçë. Të gjitha këto i dija edhe më parë, por nëna përmes lotëve më tregoi se gjithçka kishte ndodhur gjatë një mbledhje partie, sepse Rizai ishte komunist. Në atë mbledhje, më tregonte nëna, ishte folur për kolektivizimin. Riza Zoto pasi kishte dëgjuar deri në fund fjalën e të deleguarit, ishte ngritur dhe kishte thënë: “Unë nuk jam dakord me këtë vijë që po ndiqni… Ne nuk luftuam për të qenë të varfër, por për mirëqënie…”

Nëna nuk kishte fuqi të më tregonte

Nëna nuk kishte fuqi t’i shkonte tregimit deri në fund. Ishte krejtësisht e tmerruar. Ajo ishte e vogël nga shtati, por atë çast m’u duk edhe më e vogël akoma, sikur të ishte një fëmijë. Përmes fjalëve të saj që ndërpriteshin në mes herë pas herë, mësova se Rizai ishte acaruar mjaft me të deleguarin në mledhje. Kur përgjgjet dhe kundërpërgjigjet po ktheheshin në akuza për njeri-tjetrin, Rizai kishte shkëputur yllin e kuq me pesë cepa nga kapela dhe e kishte shkelur me këmbë. “Ky nuk është ylli për të cilin ne luftuam”,  kishte thënë ai dhe kishte dalë nga mbledhja.

Para se të largohej nga çadra ku zhvillohej mbledhja e celulës së partisë, i deleguari i kishte thënë: “Riza Zoto, ngrije yllin që e hodhe përtokë”! “Nuk mund ta marr më atë yll, ishte përgjigjur Riza Zoto, tashmë buka është thyer dhe nuk ngjitet më” “Merre yllin, se bukën e ngjit partia”, i ishte drejtuar sërish i deleguari. “Buka e thyer nuk ngjitet më, – thotë një fjalë e urtë”, kishte qenë përgjigjja e Riza Zotos. Pak a shumë ky kishte qenë tregimi që më solli nëna që kishte ardhur nga fshati. Pas tre ditësh, më tha ajo, Riza Zoton e arrestuan. Por e keqja nuk kishte marrë fund me kaq. Pas tij arrestuan Dule Zoton, Myslim Zoton dhe Muhamet Zoton. U arrestuan edhe burra të tjerë.

I konsideruan armiq

Që të gjithë i konsideruan si grup armiqësor kundër partisë dhe pushtetit popullor. Të njëjtin fat, patën edhe Tahir Mehmeti, Xhafer Mehmeti, dhe Xhafer Bejko. Partia i kishte shpallur luftë Milecit. Më vonë, kur isha i përjashtuar nga shkolla, do të mësoja se të gjithë u dënuan nga 15 vjet deri me pushkatim. Riza Zoto u mor në pyetje nga prokurori Nevzat Haznedari, i cili e kishte patur nxënës Riza Zoton në shkollën e Bezhanit, një fshat ky jo shumë larg nga fshati Milec. “Nga kush je nxitur”, – kishte qenë pyetja e Haznedarit, – trego bashkëpunëtorët”, kishte këmbëngulur ai “Kam bashkëpunuar vetëm me bindjen time”, ishte përgjigjur Riza Zoto.

Ndërsa hetimet vazhdonin, Haznedari i kishte bërë të ditur: “Edhe sikur të mos tregosh asgjë, edhe sikur t’i tregosh të gjitha, në burg ke për të vdekur”. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Pasi përfundoi 15 vitet e dënimit, e arrestuan për herë të dytë. Shkoi në burgun e Sarandës dhe nuk u kthye më i gjallë që andej. Gjithë të tjerët u dënuan nga 15 vjet e lart, kurse Dule Zoton dhe Tahir Mehmetin i pushkatuan. Të gjitha këto i solla ndërmend atë çast kur drejtori i konviktit ishte duke lexuar letrën. Ndërsa në rshtat e parë të letrës ishte shkruar se familja ime nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë politik, më poshtë vinte në dukje se unë rridhja nga një familje kulakësh. Përsëri ndjeva të rrëqethura në trup, tregon Eshref Zoto.
Isha shpallur kulak
Isha vetëm 16 vjeç kur mora vesh se rridhja nga familje kulakësh, pra edhe unë nuk isha gjë tjetër veçse pinjolli i një kulaku. Nuk kisha menduar kurrë se do të më quanin kështu. Megjithatë kjo akuzë nuk m’u duk dhe aq e rëndë, me sa duket gjithë tmerri im ishte fiksuar tek ngjarja e yllit të kuq me pesë cepa. M’u kujtua jeta e tim ati, Alizotit, kështu quhej ai, – rrëfehet Eshref Zoto.  Babai kishte mërguar në Selanik të Greqisë që në moshë të vogël. Punoi atje për 33 vjet me rradhë. Ditën që u kthye në fshat, solli bagëti, kuaj, qe, vegla pune, madje dhe të gjitha orenditë e shtëpisë. Nuk kishte harruar të sillte as parmendën. Që nga Selaniku solli edhe lugët. Kishte punuar 33 vjet, jo pak. Solli edhe shumë para. Përveç tokave që kishim blemë edhe toka të tjera. Tashmë konsideroheshim më të pasurit e fshatit. Por që të gjitha i kishim vënë me punë. Jeta e babait qëndronte mbi gjithçka që kishim. Ç’kërkonte të thoshte drejtori me fjalën “kulak”, pyesja veten, pa gjetur dot asnjë përgjigje. Për këtë arsye kjo akuzë nuk më dukej e rëndë. E vështirë për mua ishte shkelja e yllit të kuq me pesë cepa dhe arrestimi i burrave të fisit Zoto, sepse kjo më frikësonte me largimin nga shkolla. Ku ta dija unë se edhe kulaku nuk ishte më i mirë për qeverinë e asaj kohe. Ne edhe pse kishim patur pasuri, në vitin 1949 disa njerëz të dërguar nga qeveria erdhën dhe na sekuestruan 400 krerë bagëti, qetë, kuajtë, arat dhe kullotat. Nuk na lanë asgjë.

Na morën edhe kostumin e babit

Unë atëherë isha 12 vjeç dhe nuk kuptoja se ç’po ndodhte, por mbaj mend që qaja duke u lutur të mos na i merrnin dhentë. Nëna, Havaja, që fshinte lotët fshehurazi, më thoshte të mos qaja, duke më shpjeguar se dhentë po na i merrte partia. Nga që nuk kuptoja asgjë, nëna përpiqej të më shpjegonte se partia ishte gjë e mirë, por unë nuk mund ta besoja nënën time, se e shihja që ajo qante fshehurazi. Njerëzit që kishin hyrë në shtëpinë tonë, morën edhe kostumin e babait që e kishte sjellë nga Selaniku, por ata morën edhe rrobat që mbante nëna në dollap, kushedi që prej sa kohësh. I morën edhe vëthët, unazat, varset, gjithë stolitë që i kishte ruajtur me kujdes. Unë nuk e kuptoja kush do ta vishte kostumin e babait. Njeri prej të ardhurve përmendi emrin e Enver Hoxhës, atë çast m’u duk se Enver Hoxha kishte dërguar njerëz për të lënë lakuriq njerëzit e Milecit. Kur njerëzit e qeverisë u larguan, pashë që nëna nuk pushonte dot së qari, vetëm babai nuk tha asnjë fjalë të vetme. Ai qëndronte i heshtur. Nuk ishte ngatërruar kurrë me politikë. Nuk e dëgjova kurrë të fliste për yllin e kuq me pesë cepa, por as për komunizmin. Megjithatë sekuestrimi ynë nuk do të merrte fund me kaq, pasi u përjashtova nga shkolla Tregtare, në vitin 1953 na sekuestruan për herë të dytë, për të mos na lënë asgjë, përveç leckave që na kishin mbetur në trup. Partia, “ajo gjëja e mirë” që më kishte shpjeguar nëna, na kishte kthyer në mjeranë të vërtetë. Edhe pas sekuestrimit të radhës, babai nuk tha asnjë fjalë. Qëndroi i heshtur si gjithnjë. Pas 6 vjetësh vdiq, duke marrë me vete zhgënjimin e 33 viteve në mërgim…Ndërkohë vazhdonte procesi i demaskimit para syve të të gjithë konvktorëve.
Largimi nga shkolla
Ndërsa drejtori i konviktit kishte përfunduar leximin e letrës së hapur, dha sqarimet e fundit. “Eshref Zoto, – tha ai, – nesër në mëngjes duhet të largohet nga konvikti”. Nuk më mbetej gjë tjetër veçse të mblidhja rrobat dhe sendet e mia dhe të larghesha njësoi si një njeri i zbuar. Atë çast m’u kujtuan fjalët e nënës që kishte ardhur disa ditë më parë për të më takuar në Tiranë. “Hap sytë bir, ishte porosija e saj, mos thuaj ndonjë fjalë se të përzënë nga shkolla, ki kujdes. Babai që kur ka ardhur nga Selaniku, nuk e ka hapur gojën kurrë. Ka frikë nga politika. Ki kujdes bir”,- përsëriste nëna, – ndërsa dridhej brenda shtatit të saj të vogël si prej fëmije. “Do të përpiqem të mos iki nga shkolla”, – thash me vete. Të nesërmen kërkova takim me minsitrin e Tregtisë së asaj kohe. I tregova gjithë historinë time nga fillimi në fund. I thashë se nuk mund të konsiderohesha kulak, pasi gjithçka kishim patur si pasuri, ishte puna e babait për 33 vjet në Selanik të Greqisë. Nuk harrova t’i thosha që prindërit e mi, ia dhanë “me dëshirë” partisë gjithçka që kishin tepër, dhëntë, lopët qetë, arat dhe kullotat. Nuk e përmenda ngjarjen e yllit të kuq me pesë cepa, por i tregova se babai kishte mbajtur qëndrim të mirë politik. Nëse të tjerët, njerëz të fisit tim, kishin gabuar, ky nuk ishte as faji i babait, as faji im, arsyetoja unë, para ministrit të Tregtisë. Ministri pasi më dëgjoi deri në fund m’u përgjegj. “Ju mund të ktheheni përsëri në shkollë, nëse më sillni një vërtetim nga Komiteti Ekzekutiv në rreth, që ju nuk rridhni nga familje kulaku dhe se familja juaj ka mbajtur qëndrim të mirë politik.”

Më kërkohej e pamundura

Ministri po më kërkonte të pamundurën. Po të kisha qenë kaq i zoti sa të siguroja atë vërtetim, përse duhej t’i qaja hallin ministrit. Megjithatë shkova në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Kolonjë, por përgjigjja e tyre ishte: “I kemi shkruar njëherë të vërtetat ashtu siç janë”. Pas kësaj përgjigjeje, mblodha rrobat e mia dhe ato pak sende që kisha në dhomën e konviktit dhe dola jashtë me një valixhe të vogël në dorë. Pas kisha lënë Shkollën e teknikumit tregtar “Nako Spiru” në Tiranë, kisha lënë pas ëndrrën time dhe po nisesha drejt fshatit tim rrëzë Gramozit, atje ku kishin shkelur me këmbë yllin e kuq me pesë cepa. Gjithë jeta ime do të ishte pa të nesërme, ashtu si e gjithë fshatit tim, që tashmë është shpërngulur në Tiranë, Elbasan e gjetkë me shpresën për ditë më të mira…