Ermir Dizdari: Ju tregoj mardhëniet me Uçin dhe Koreshin

127
Sigal

Flet “Mjeshti Madh”, Ermir Dizdari: Ju tregoj marrdhëniet me Alfred Uçin dhe shkrimtarin Vath Koreshi

– Kujtimet me Orkestrën Simfonike të Radios dhe të Teatrit të Operës nuk harrohen

Mjeshtri Dizdari është njohësi më i mirë i Festivaleve të Gjirokastrës.Thuajse përveç këtij Festivali ai ka qenë prezent si drejtues i rretheve dhe në qendër për përgatritjen dhe konkurrim. Por këtë vit çuditërisht nuk është thirrur!Njeriu që quhet historian i Festivaleve të Gjirokastrës është lënë në hije këtë vit.Një njeri energjik, i sinqertë, që gjithë jetën ja ka kushtuar muzikës. Para disa vitesh ai ka marrë titullin “Mjeshtri i Madh”, por megjithatë ai mbetet po aq modest dhe i thjeshtë si më parë. I përket brezit të parë të dirigjentëve të përgatitur në Shqipëri, ku sipas tij përgatitja ka qenë e një niveli të lartë, pasi pedagogët e tij kishin mbaruar në shkollat më të mira të Rusisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë…

Po kur zhvillonit koncerte a vinte Rita Marko?

Ne në Durrës kishim shumë veprimtari dhe thuajse në të gjitha herët Sekretari i Parë, Rita Marko, ishte i pranishëm. Ai vinte familjarisht dhe na uronte. Ishte i dhënë pas koncerteve, e pëlqente muzikën. Kurrë nuk na ndërhyri në punë, madje na përkrahte. Pas tij Sekretar i Parë në Durrës, erdhi Iljaz Reka.Edhe për të ruaj kujtime të mira.Unë nuk gjykoj sistemin, por punën time.

Në fillimet e tua me këta instrumentistë të rinj, cilën pjesë që vutë në skenë do të veçoje?

Ne menjëherë ju përveshëm punës. Por ajo që do të veçoj është se ne me këto instrumentistë të rinj më vonë vumë në skenë operën “Bijtë e Skënderbeut”, të Adbulla Grimci, kompozitor dhe libret të Matish Gjeluci. Pra opera e parë në Durrës.As që mendohej të vihej një opera përveç Tiranës në një qytet si Durrësi.Ishte një punë e madhe.

A pati sukses opera? 

Jashtëzakonisht sukses.I paparashikuar. Ishte pikërisht ky sukses, pra fama që bëri ajo që ne na kërkuan të shkonim në Tiranë dhe ta jepnim aty shfaqjen. Mbas 5-6 ditësh ne shkuam në Tiranë në Teatrin e Operës dhe të Baletit.Vazhduam 4-5 net rresht shfaqje.Pra çdo gjë jashtë parashikimit.Në natën e pestë erdhi edhe Enver Hoxha me Nexhmijen dhe gjithë Byroja Politike. Ne ishim shumë të emocionuar. Rrinim si mbi gjemba.S’bëhej shaka me Enver Hoxhën.

-Në fund të shfaqjes, cili ishte vlerësimi i Enverit?

Ne prisnim si të hutuar.Një fjalë e tij e keqe të zhyste. Por ai me një buzëqeshje na bëri një vlerësim të tillë duke na thënë: Si ka mundësi që të jetë një orkestër kaq e kompletuar dhe në Durrës?! Ju lumtë! Ishte një shfaqje e bukur”.Sikur u çliruam nga emocionet.Hoqëm një barrë nga vetja.Ky vlerësim ishte i madh për ne, madje special. Dihet se në atë kohë ishte vetëm orkestra e Teatrit të Operës. Orkestra e Radios sapo kishte filluar të ngrihej. Pra ishim një orkestër modeste që dhamë një shfaqje profesionale. Pas kësaj shfaqjeje filluan koncertet me radhë… koncertet simfonike, festivalet e këngës, takimet kombëtare për klasën punëtore dhe për pionierë.Pati aktivitete të shumta mbas viteve ‘60.

-A e ke dirigjuar ndonjëherë orkestrën e Radio -Televizionit?

Kohë shumë pas krijimit, pasi unë deri në vitet 1986, isha në Durrës.Në vitin 1986 erdha në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës si specialist në Drejtorinë e Artit, ku kam pasur fatin të kem zv/ministër, Alfred Uçin dhe Drejtor i Drejtorisë së Arteve ishte shkrimtari Vath Koreshi. Këto ishin dy intelektualë të kompletuar. Ajo ka qenë një periudhë e artë.Pikërisht, në këtë periudhë unë kam drejtuar herë pas here Orkestrën Simfonike të Radios dhe të Teatrit të Operës duke dhënë simfoni, koncerte si dirigjent.Kam dhënë edhe koncerte të ndryshme në Akademinë e Artit. Kam drejtuar edhe 2 Festivale të Radios (1987-88). Festivali është përgjegjësi.Aty ishte e gjithë Shqipëria. Koncertin e diplomës e kam dhënë me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës dhe të Baletit, ku kanë kënduar dy arie Ramiz Kovaçi dhe dy arie Nina Mula. Zëri i tyre është brilant dhe sot i kujtoj me ëndje.

-Në cilën vit ka qenë ky moment?

Ka qenë në vitin 1971. Unë ika nga shkolla pa e mbrojtur diplomën, sepse nuk ishte mundësia në atë kohë, pasi ishim kuadrot e parë që mbaruam. Mbasi vura operën dhe disa aktivitete të tjera në Durrës më dhanë leje një vit dhe unë erdha në Teatrin e Operës.Këtu vura dhe një operë tjetër “Përtej mjegullës” bëra dhe koncertin e diplomës në qershor dhe pastaj u ktheva sërishmi në Durrës.

-Si u lidhe me veprimtaritë folklorike?

Duke u marrë me grupin e Gjirokastrës atje ishte një përvojë shumë e mirë. Kur kam drejtuar orkestrën në të njëjtën kohë jam marrë edhe me veprimtaritë folklorike.

-Në sa festivale folklorike ke marrë pjesë?

Në të gjitha festivalet.Gjithmonë si Drejtor Artistik.

-A ke pasur rastin të takosh herë tjetër Enver Hoxhën në festival apo pas festivaleve?

Ka qenë viti 1968. Mbasi mbaroi festivali u bë koncerti përfundimtar në Teatrin e Operës. Nga Durrësi kisha zgjedhur grupin e Rrashbullit, me këngëtar Dervish Shaqen dhe një kërcimtare me emrin Merushe.Ato këndonin këngë patriotike dhe këngë trimërie. Unë bashke me grupin u ndodha në skenë dhe kur mbaroi shfaqja, Enver Hoxha erdhi në skenë i falënderoi të gjithë duke na dhënë dorën dhe duke na thënë “Ju lumtë na mrekulluat!”.

-Kush ka qenë Festivali më i bukur nga Festivalet e Gjirokastrës?

Festivali i vitit 1988 për mendimin tim ka qenë festivali më i arrirë nga të gjithë festivalet.

Çfarë institucionesh kulturore ke drejtuar në këtë periudhë?

Në këtë periudhë u nda Teatri i Operës nga Ansambli dhe unë shkova si Drejtor në Ansamblin e Shtetit 3-4 vjet dhe më pas Drejtor i Qendrës kombëtare folklorike.Vendi i punës dhe jeta mua më lidhën edhe me veprimtaritë folklorike.Këto ishin me formë ekspeditash.U krijua një lidhje shpirtërore edhe me folklorin. Kësaj iu përkushtova edhe shumë kohë. Unë kam disa vite që kam dalë në pension, por duke pasur këto lidhje mua më vjen mirë të punoj jo vetëm si pedagog i jashtëm në Akademi, por edhe si drejtues i shumë aktiviteteve në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë vit kam qenë edhe në festivalin e Drenasit.Drenasi është një qytezë e vogël 20-30 km nga Prishtina.Festivalin ata e kanë nisur që në vitin 1961 dhe e kanë mbajtur rregullisht çdo 4 vjet.Në kohën e Luftës e kanë ndërprerë dhe menjëherë pas luftës e kanë vazhduar.