Tensionet në Kosovë/ Zyrtarja europiane thirrje 705 deputetëve të PE për dorheqjen e Borrell dhe Lajçak

65
Sigal

Presidenti I KE-së Michel pro konferencës ndërkombëtare Kosovë-Serbi. Kryeministri Kurti: Ja 4 pikat për stabilizimin e situatës në veri të Kosovës

Kati Schneeberger, Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian u bëri thirrje 705 deputetëve të Parlamentit Evropian, që të kërkojnë dorëheqjen e Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut nga funksionet e tyre. Schneeberger ka kërkuar dorëheqjen e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, me arsyetimin se vendimet e tyre rrezikojnë paqen dhe demokracinë në Evropë. “Ju bëj thirrje të gjithëve:- Bëni thirrje për dorëheqjen e Komisionerit dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, Emisarit Special Miroslav Lajçak dhe Drejtorit të Përgjithshëm Gert Jan Koopman. Vendimet e tyre rrezikojnë demokracinë dhe paqen në Evropë”,- thuhet në letrën e Schneeberger. Sipas Schneeberger, Borrell e Lajçak nuk janë të pavarur dhe nuk marrin vendime në frymën e vlerave evropiane. “Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Ka nevojë urgjente për njerëz në këto pozita, që përfaqësojnë dhe mbrojnë vlerat e BE-së. Ne kemi nevojë për përfaqësues në nivel të BE-së që përfaqësojnë interesat e qytetarëve në Evropë. Dhe këta qytetarë duan paqe dhe demokraci, jo një luftë tjetër”. Këshilltarja i ka quajtur skandal masat e prezantuara kundër Kosovës nga Komisioni Evropian të hënën para Parlamentit Evropian. “Masat e prezantuara ndaj Republikës së Kosovës nuk janë vetëm skandal dhe dëmtojnë besueshmërinë e reputacionin e BE-së, por rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithë neve”, ka shkruar tutje këshilltarja e BE-së.

Këshilli Evropian mbështet idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë

Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre. Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel. “Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në. “Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit ( duke iu referuar marrëdhënieve Kosovë-Serbi)”,- tha Michel. “Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, tha ndër të tjera ai. Kujtojmë se ideja për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës propozon 4 pika për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti reagoi lidhur me ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës. Ai foli edhe për hapat për deeskalim të situatës të propozuara nga Borrell. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Kosova është e gatshme të kontribuojë në deeskalim. Ai përmendi hapat që është e gatshme t’i ndërmarrë Kosova, si dhe hapat që pret nga Serbia. “Të nderuar zonja dhe zotërinj, Të dashur miq: Dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve në përgjigje të ngjarjeve në Veri të Kosovës dhe diskutimeve më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit. Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga z. Josep Borrell, Zëvendës President i Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, bëra propozimin e mëposhtëm me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim. Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në deeskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë, që mbështesin qëllimet e deeskalimit dhe stabilitetit në rajon. Më konkretisht, hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim:
1) Reduktimi i pranisë së Policisë të Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit, që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim:
1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.

Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra. Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. Deeskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim. Gjithë të mirat dhe përshëndetje të përzemërta nga Prishtina. Ju faleminderit shumë.”