Erisa Zyka: Turiste në vendin tim!

Carnet de voyage (a sort of) –  Ditari i udhëtimit (një lloj)

Rigjetja e rrënjëve është një proces i pashpjegueshëm që buron nga gjithësia e ujërave, e maleve, perëndimeve të papërshkrueshme të diellit ( si ato të Vlorës) dhe njerëzit që duam. Jugu ka plot perla larg kostove marramendese, duhet të dish t’i gjesh.

01 Ditari i udhëtimit

Ishte hera e parë që nuk hyra në Shqipëri përmes kaltërsisë së qiellit!

Sigal

Një tjetër kaltërsi më mbështolli në fluturim valësh për të rigjetur rrënjët e vendlindjes. Rigjetja e rrënjëve është një proces i pashpjegueshëm që buron nga gjithësia e ujërave, e maleve, perëndimeve të papërshkrueshme të diellit ( si ato të Vlorës) dhe njerëzit që duam. Aty vlon forca si hekuri, që rrihet në zjarr, përcillet dashuria e buzëqeshjeve të sinqerta dhe energjia e çmendur, që më ripërtërijnë e më veshin për t’u përballur me betejat e jetës. Shpeshherë përlotem kur shoh malet, detin, lumenjtë, liqenet. Ndoshta pasi magjia e Shqipërisë, për mua, është kjo…

Në tragetin e mbushur me pasagjerë të huaj me destinacion Korfuz-Sarandë, ne me një çift tjetër shqiptarësh bëjmë përjashtim. Lamë pas qytetin e vjetër të Korfuzit me arkitekturën mbresëlënëse veneciane, deti i ngrohtë i të cilit, lagështira dhe mushkonjat, ia zvenisin bukurinë.

02 Mbërrijmë në Sarandë.

Pas 8 vjetësh, qyteti ka pësuar një metamorfozë. Eshtë e rrallë të shohësh një qytet në Jugun e Shqipërisë me kaq gjallëri, me dekor të kuruar, të pastër, shpirti i të cilës jeton ende përmes shkallëve të bukura të qytetit, mirësjelljes së banorëve të saj, plazheve të bukura dhe Butrintit të mahnitshëm, edhe pse janë vjedhur shumë statuja që nga 1997. Vetëm sarandiotët e dijnë se si ka qenë Butrinti më parë. Saranda ka përftuar një sharm (nur) perëndimor, si qytetet e Spanjës së Jugut dhe është i mbushur me të huaj. Mua më pëlqen të jem e rrethuar nga gjuhë të ndryshme, kultura të ndryshme, histori të ndryshme, për faktin e thjeshtë se ato janë pasuri. Më rri shumë bukur petku i diversitetit. Eshtë pikërisht për këtë arsye që më pëlqen Brukseli me multinacionalizmin e tij. Por multinacionalizmi i jep një tjetër dimension Shqipërisë, si vendi që ka kaluar izolimin më të madh në Europë. Ndaj jam vërtet e impresionuar…

Mbeta duke përsëritur shprehjen:

“Perëndimorët janë velur me luksin dhe vijnë për të rigjetur natyrën dhe njeriun në formën më të thjeshtë të tyre. Dhe mbi të gjitha, nuk vijnë në Shqipëri për të gjetur luksin. Atë dijnë ku ta gjejnë”. Në këtë kuptim, është çmënduri për ne të duam të shkojmë patjetër në Ksamil si turistët e tjerë, kur Shqipëria është ‘e mbushur’ me Ksamile.

Mëngjeset buzë detit në Sarandë janë të mrekullueshme nga tabloja e sarandiotëve të moshuar, që pasi lahen në plazhin publik, aspak të mbipopulluar dhe me ujin e pastër edhe pse pranë portit, luajnë domino, shah, bëjnë batuta dhe diskutojnë me orë të tëra ndërsa shohin turistët që kalojnë para tyre me çanta shpine. Margariti dhe Silva e Vila Margariti, ku qëndrojmë, është shëmbëlltyra dinjitoze e qytetit. Të dy arsimtarë, u futën në zemrën tonë me kulturën, qytetarinë dhe thjeshtësinë e tyre. Ato pak orë bisedash mund të ishin shndërruar në mijëra nëse qëndrimi ynë nuk do ishte relativisht i shkurtër. Sipas Margaritit, sarandiotët lahen te pllakat. Ndaj, ne ishim kuriozë ta zbulonim plazhin e pllakave. Pllakat, me shkëmbinjtë e limuar, ku nuk je i detyruar të marrësh shezllon (chaise longue), me bukurinë mbresëlënëse të pamjes që ofron bari me të njëjtin emër, mikpritjen e Marselës, buzëqeshjen dhe fisnikërinë e Adolfit, profesorit të skulpturës, që takuam rastësisht, kanë një efekt manjetik. Sipas Adolfit, për ata që nuk duan të bëjnë turin me anije për plazhe të virgjëra si Krorëz e gjire të tjera, mjafton të kalosh cepin e djathtë të plazheve të Sarandës për të gjetur super plazhe 1-2 km më larg. Ndërkohë që drekat dhe darkat te Ladi, përballë marinës, me Barbunin e freskët, guzhinën e shijshme dhe njohjen shumë të mirë të qytetit vijnë si “crème de la crème”.

03 Shqipëria është ‘e mbushur’ me Ksamile

Njeriu nuk ka nevojë për luks për të shijuar momente të bukura të jetës. Mbeta duke përsëritur shprehjen: “Perëndimorët janë velur me luksin dhe vijnë për të rigjetur natyrën dhe njeriun në formën më të thjeshtë të tyre. Dhe mbi të gjitha, nuk vijnë në Shqipëri për të gjetur luksin. Atë dijnë ku ta gjejnë”. Në këtë kuptim, është çmënduri për ne të duam të shkojmë patjetër në Ksamil si turistët e tjerë, kur Shqipëria është ‘e mbushur’ me Ksamile. Mjafton qasja e duhur për ta gjetur Ksamilin dikur tjetër. Për ata që dijnë ta shijojnë jetën, mund të asistojnë në momente pikante të papërsëritshme në qytet si në barin Elvis, pranë plazhit publik. Aty shërben ‘Nona’, një grua e moshuar sarandiote, për të cilën vitet nuk kanë asnjë rëndësi. Ajo është e re në zemër dhe kjo reflektohet edhe në jetën e përditshme. Nona i tërheq të huajt me sharmin e saj dhe cocktailet që bën sipas stilit të saj dhe tregon jetën e saj me shumë pasion. Aty flasim me hollandezë, francezë dhe polakë. Batuta e fortë që lanë hollandezët, ku takuam edhe një kryetare bashkie të një qyteti të rëndësishëm hollandez është: “Kaluam nga Tirana dhe sinqerisht nuk morëm vesh asgjë. Gjendemi përpara një paradoksi. Ne lexojmë që Shqipëria është një ndër nga vendet më të varfra në Europë. Ndërkohë në Tiranë shohim makinat më luksoze, restorantet luksoze, bare luksoze dhe banorët e kuruar”. Hajde të japësh shpjegimin e duhur për këtë. Ndërkohë të tjerë na tregojnë që kanë arritur ta bëjnë pothuajse gjithë Shqipërinë nga Veriu në Jug për 14 ditë. Vdes për këto lloj shkëmbimesh. Udhëtimi vazhdon në Himarë dhe Llaman, ku uji ftohtë dhe ngjyra e ujit gurëkali mund të artikulohet në shkallën superiore. Eshtë një kryevepër për ata, që notojnë shumë si ne. Jugu ka plot perla larg kostove marramendese, duhet të dish t’i gjesh.

Erisa Zyka, pasqyra e Identitetit Kombëtar

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës Telegraf

 

Zhvillimi teknologjik i sistemeve elektronike, tokësore dhe satelitore, shpejtësia, që përkthehet edhe lajm në një kohë të shpejtë nëpërmjet internetit, dinamizmi i ngjarjeve, që pasqyrohen, e kanë bërë botën më të vogël dhe njerëzit më të afërt me njëri tjetrin. E bëra këtë hyrje për të treguar se sa herë që lundroj në rrjetet sociale, padyshim që mes shumë personazhesh, të cilët i kam të skanuar për të lexuar shkrimet, apo komentet e tyre pasi ke çfarë mëson, është edhe kolegija jonë dhe një mike e veçantë Erisa Zyka, ose siç quhet ndryshe Erisa e Brukselit, apo Euroklanit. Dy ditë më parë duke ndjekur udhë-rrëfimin e Erisës, më tërhoqi vëmëndjen një mini reportazh për udhëtimin e saj drejt Atdheut tonë, ku Erisa në këtë stinë të nxehtë, por edhe paksa të tensionuar për kushtet që duhet t’i ofrojmë turistëve, me shumë dashuri ajo ‘ lartësonte vlerat e humanizmit dhe mikpritjes tradicionale shqiptare, por edhe me kaq shumë mirësi të linte të kuptoje se qytetarët shqiptarë kanë një gjatësi të mjaftueshme të vijës bregdetare, por edhe të zonave të tjera turistike, liqeneve, lumenjve, maleve, të cilat mund të shfrytëzohen shumë mirë dhe me pak shpenzime, pikërisht në kohën kur në vendin tonë ka shumë debate për çmimet e kripura. Erisa tregonte se në grupin e madh turistik me të cilët udhëtuan për në Shqipëri, shumica dërmuese janë të huaj. Dhe kjo mjafton të kuptosh përshkrimin që Erisa i bën Shqipërisë, se vendi jot, apo familja jote asnjëherë nuk duhet të shahen apo të fyhen. Shkurt ajo ndjek filozofinë: “Atdheu mbi gjithçka”! Pikërisht se këto fjalë zemre të Erisës ishin edhe një mësim për maturinë që duhet të tregojnë mediat, ju drejtova Erisës që këtë përshkrim të udhëtimit të saj nga Korfuzi me lagështi e mushkonja drejt bukurisë shqiptare, porta e të cilës ishte Saranda, ta bëja pjesë të publikimit në Telegraf.al. Kohë më parë gjatë një interviste në Telegraf.al  Erisa Zyka e Euroklanit nga Brukseli, deklaroi se motivi i saj në jetën e përditshme, por edhe atë profesional vazhdon të jetë i njëjtë: “E vërteta! Ajo qëndron në krahun e të pambrojturve. Që në fëmijëri nuk mund të rrija pa thënë të vërtetën. E vërteta jetonte lumturisht brenda meje dhe ajo shfaqej vrullshëm sa herë që hapja gojën. Jam jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj padrejtësisë dhe jam munduar ta luftoj atë në çdo aspekt në Tiranë, apo Bruksel”. Endrra e Erisës pas përfundimit të shkollës së mesme ishte midis regjizurës dhe gazetarisë. U desh një këshillë e të jatit që ajo të vendoste të zgjidhte gazetarinë, për të cilën Erisa  është shprehur se: “ Ishte fati im. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Edhe pse unë nuk e zgjodha gazetarinë, më zgjodhi ajo mua. Këtë e kuptova gjatë luftës së Kosovës. Pata fatin që të bëhesha përkthyese e gazetarëve të Radios dhe Televizionit Publik Francez gjatë luftës. Aty e kuptova sa e rëndësishme ishte të përcillja zërin e shqiptarëve, që kishin vuajtur kaq shumë nën regjimin e Millosheviçit, që kishin parë masakrat, mizorinë e tmerrin e luftës dhe që e dëshmonin atë. Mbaj mend, që ditën e parë në kufirin e Morinës, gazetarja e “France Info” dhe “France Inter”, Nathalie Bourrus filloi të më bërtiste me të madhe pse nuk po përktheja. Por unë isha mbytur në lot nga dëshmia e një nëne”. E pra sot Kosova është çliruar, amaneti i nënës për të cilën Elisa u mbyt nga lotët është bërë realitet dhe Millosheviçi mori ndëshkimin e merituar nga Gjykata e Hagës. Saranda është bërë edhe më e bukur, ndaj le të shijojmë këtë reportazh, të cilin Erisa Zyka na e sjell me plot ndjenja duke treguar se ne kemi nevojë për modele të këtyre përmasave që sikurse thoshte Nënë Tereza: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.