Emin Musliu: Ja si u vlerësua potenciali i lumenjve në vitin 1950 nga Rrahman Hanku, Petrit Radovicka, Hysni Dino

301
Sigal

Si u vlerësua potenciali i lumenjve në vitin 1950 nga Rrahman Hanku, Petrit Radovicka, Hysni Dino

-Si u bëmë anëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të Digave të Larta, në prill të vitit 1964

– Nga viti 1957 e deri në vitin 1990, janë projektuar e ndërtuar 300 diga të larta mbi 15 m

-Në vitet 1962-1963, tre profesorë kinezë punuan në Shqipëri me ing. Egon Gjadrin, Iljaz Këllezin, dhe Farudin Hoxhën, për digën hark të lumit Drin

– Në vitin 1972, një delegacion qeveritar i Shqipërisë, shkoi në Kinë për të firmosur marrëveshjen për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës

 

Ing. Emin Musliu

Ngacmimet e para për potencialin e lumenjve filluan t’i vlerësojmë që në vitin 1950 me ndërtimin e hidrocentralit të Selitës (Tiranë). Në atë kohë Rrahman Hanku, Petrit Radovicka, Hysni Dino dhe unë, filluam të mendojmë në këtë drejtim. Me ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës në lumin e Matit gjatë viteve 1954-1958, vlerësimi për potencialin energjetik të lumenjve u ngrit në një shkallë më të lartë. Me tërë përpjekjet tona të shumta për t’u bërë anëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të digave të larta, miratimi u bë në prill të vitit 1964. Në maj të po këtij viti, delegacioni ynë, i përbërë nga Petrit Radovicka, Anesti Lubonja dhe Jorgji Ziko, mori pjesë në Kongresin e digave të larta, në Edinburg të Anglisë. Në këtë kongres ne u anëtarësuam në Organizatën Ndërkombëtare të Digave të Larta. Nga viti 1957 e deri në vitin 1990 janë projektuar e ndërtuar 300 diga të larta mbi 15 m për ujitje, bonifikime e për hidrocentrale. Në vazhdim të përpjekjeve tona për specializimin e inxhinierëve në fushën e projektimit të digave të larta, në fund të vitit 1961, i kërkova ambasadës kineze që të na ndihmojnë me dërgimin e tre specialistëve kinezë në këtë fushë. Gjatë viteve 1962-1963, tre profesorë kinezë (Dun, Ma dhe Shi) erdhën në Shqipëri dhe, në bashkëpunim me ing. Egon Gjadrin, Iljaz Këllezin, dhe Farudin Hoxhën, hartuan tre variante shembull për digën hark të lumit Drin. Specializimi i inxhinierëve tanë në fushën e ndërtimit të veprave hidroenergjetike vazhdoi edhe në vitet më vonë, si në Francë, Itali, Jugosllavi dhe Greqi. Në vitin 1965, një grup specialistësh shkuan në Kinë për të biseduar lidhur me skemën e shfrytëzimit Në shtator të vitit 1966, ftuam në Shqipëri prof. Eskantes, i cili ndihmoi në modelimet hidraulike të veprave. Në vitin 1968, një delegacion qeveritar, me në krye prof. Petrit Radovickën, shkoi në Kinë, ku u trajtuan të gjitha problemet mbi projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe për lëvrimin e të gjitha makinerive, pajisjeve dhe materialeve teknologjike, si dhe u bisedua për lëvrimin e mjeteve të transportit dhe makinerive të ndërtimit. Të gjitha problemet u zgjidhën në mënyrë të shkëlqyer. Në atë kohë unë isha emëruar Drejtor i Përgjithshëm për ndërtimin e hidrocentralit te Vaut të Dejës.

Në vitin 1972 një delegacion qeveritar i Shqipërisë, shkoi në Kinë për të firmosur marrëveshjen për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës. Kryetar i delegacionit qeveritar isha emëruar unë. Ndihma e qeverisë kineze në këtë kohë, ishte e jashtëzakonshme, për të gjitha problemet. Në qershor të atij viti zhvillova një takim me kryeministrin kinez Çu En Lai, të cilit i përcolla falënderimet e qeverisë shqiptare për ndihmën e jashtëzakonshme të Kinës dhe njëkohësisht, i transmetova propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehut, që kaskadën e Drinit ta shpallnim Kaskada e miqësisë shqiptaro- kineze. Çu En Lai u shpreh: “Është propozim intere- sant, do porosis delegacionin kinez që do të vijë në Shqipëri në maj të vitit 1974 dhe, vendosni.” Në këtë kohë u bë plani prognoz 20-vjeçar, 1974-1994. Në të u përfshinë hidrocentrali i Bushatit dhe i Skavicës që të ndërtohen brenda vitit 1994. Për arsyet që dihen e nuk dihen, në vitin 1978, Enver Hoxha i ndërpreu marrëdhëniet me Kinën. Kjo ishte një fatkeqësi e madhe për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Deri në këtë vit ne ishim të pranishëm në Kinë. Pas këtij viti, të gjithë shtetet kishin raporte të mira me të, ndërsa ne, jo më. Si pasojë e këtij qëndrimi, nuk u realizua ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës dhe Bushatit. Përpjekjet tona për fuqizimin e strukturës për studimin, projektimin dhe ndërtimin e hidrocentraleve vazhduan edhe në vitet e ardhshme. Në fillim të vitit 1983, unë, së bashku me ing. Sazanin, shkuam në Institutin ISMES të Bergamos për t’u njohur me ndërtimin statik, dinamik të digave prej betoni. Më vonë ftuam drejtorin e ISMES-it në Shqipëri dhe në mes të vitit 1983 dërguam për specializim në Bergamo, ing. Fisnik Kadiun dhe ing. tjetër, të cilët qëndruan 6 muaj në Institut, ku dhe u njohën me të gjitha problemet e modelimit të digave prej betoni. Mbi këtë bazë ndërtuam edhe laboratorin e modelimeve pranë Institutit të Studimeve të teknologjisë të Ndërtimit (ISTN) në Tiranë. Në shtator të vitit 1989, unë dhe ing. Fisnik Kadiu morëm pjesë në Kongresin e RILEM-it që u mbajt në Helsinki të Finlandës, ku u bëmë dhe anëtarë kësaj organizate. Përpjekjet tona për t’u njohur me problemet e studimit, projektimit dhe ndërtimit te veprave hidroenergjetike dhe të ndërtimit të strukturës organizative, kanë qenë të gjithanshme e të plota, me qëllim që të përballonim me sukses ndërtimin e të gjitha veprave hidroenergjetike në të ardhmen. Në bazë të përvojës së përftuar në fushën e studimit, projektimit dhe ndërtimit të veprave hidroenergjetike, nga ana jonë u morën për bazë kriteret themelore në këtë fushë. Kështu, për tri hidrocentralet e ndërtuara mbi lumin Drin (Vau i Dejës, Fierzës dhe Komanit) janë marrë parasysh dy kritere themelore. Krahas punës së bërë për studimin, projektimin dhe ndërtimin e veprave hidroenergjetike, filluan bisedimet me palën jugosllave për veprat e përbashkëta. Në vitin 1961 u krijua Komisioni i përbashkët shqiptaro-jugosllav për shfrytëzimin e ujërave të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në shtator 1962 u hartua protokolli i parë i Komisionit të përbashkët, ku u trajtuan me përgjegjësi të lartë të gjitha problemet ndërmjet dy vendeve. Këto protokolle marrëveshjeje vazhduan deri në vitin 1981. Gjatë 10-vjeçarit të parë 1961-1971, kryetar i delegacionit tonë qeveritar, u emërua Petrit Radovicka dhe, nga mesi i vitit 1971, deri në vitin 1981, kryetar u emërova unë. Në këto protokolle të përbashkëta të miratuara nga qeveritë e dy vendeve, të cilat ndodhen në arkivën e Ministrisë së Jashtme, janë zgjidhur me përparësi të gjitha problemet.

                                  Gjendja e energjisë elektrike para çlirimit të vendit

Për shkak të sundimit otoman, që zgjati prej gati pesë shekujsh, si dhe kushteve të tjera historike, shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 e gjeti Shqipërinë një vend agrar të prapambetur, të varfër me rreth 90% analfabetizëm e pa asnjë lloj industrie. Edhe në periudhën e mbretërisë së Zogut, Shqipëria mbeti një vend i prapambetur agrar dhe në këto kushte as që bëhej fjalë për zhvillimin e energjisë elektrike. Nga viti 1912 e deri në vitin 1949, për gati 37 vjet, nuk u mor asnjë nismë për ndërtimin e veprave hidroenergjetike. Kjo periudhë ishte shumë e dhimbshme për popullin dhe vendin tonë. Nga viti 1939 deri në vitin 1944, për rreth 6 vjet, vendi ishte nën pushtimin e Italisë dhe Gjermanisë e as që bëhej fjalë për ndërtimin e veprave hidroenergjetike. Arsyet janë të shumta e të ditura. Në këtë fushë, vetëm pas çlirimit të vendit, u krijuan kushtet dhe mundësitë për të ecur përpara, duke bërë të mundur që më 1 tetor 1949 të krijohet Ndërmarrja Hidroelektro dhe të fillojë ndërtimi i hidrocentralit të Selitës (Lanabregas). Centralet e para diesel të ndërtuara në vend filluan të japin energji elektrike në vitin 1925 në Korçë, në vitin 1927 në Tiranë e kështu me radhë në disa qytete e qendra kryesore. Kjo energji elektrike e prodhuar me gjeneratorë shërbente për ndriçim të institucioneve shtetërore dhe të familjeve në gjendje të mirë ekonomike. Shpenzimet për instalimin e saj ishin të mëdha dhe 1 kwh kushtonte 4.5 lekë, në një kohë kur paga e punëtorit nuk kalonte 3-4 lekë/ditë. Prodhimi i energjisë elektrike në të gjithë vendin në vitin 1938 ishte rreth 8 milionë kwh ose rreth 8 kwh për banorë.