Elsa Ballauri: 8 dhjetori ishte produkt i zhvillimeve në vitet 1989-90, kur në Bllokun ish-komunist kishte filluar shpërbërja

593
Sigal

Intervistë me Elsa Ballaurin, kryetare e Grupit shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e cila ka qenë gazetare, një ndër pjesëmarrëset e para të zhvillimeve të dhjetorit 1990.

Ju tregoj ditët e ndryshimit të madh të dhjetorit 1990

 Intervistoi: Mimoza Çika- Kelmendi

 8 dhjetori nuk ishte thjesht një rastësi, ishte produkt i zhvillimeve në vitet ‘89 –’90 kur në  bllokun ish-komunist kishte filluar shpërbërja

8-9 dhjetor 1990 Lëvizja Studentore e Dhjetorit; 11 dhjetor takimi i studentëve dhe pedagogëve me ish -presidentin Ramiz Alia; dhe 12 dhjetor mbledhja për emërimin e lëvizjes – Partia Demokratike e Shqipërisë.

Lëvizja Studentore e 8-9 dhjetorit ishte një lëvizje spontane, që filloi me kërkesën për drita e ujë dhe që eventualisht arriti deri në kërkesën për krijimin e një partie opozitare. Por 8 dhjetori nuk ishte thjesht një rastësi, ishte produkt i zhvillimeve në vitet ‘89 –‘90. Në bllokun ish-komunist kishte filluar shpërbërja. Kjo lëvizje në Shqipëri nisi menjëherë pas ngjarjes së madhe të 2 korrikut 1990, ku u hapën disa ambasada të huaja në Tiranë dhe ku vërshuan mijëra të rinj brenda tyre me qëllim largimin nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Intervistë me Elsa Ballaurin, kryetare e Grupit shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e cila ka qenë atëherë gazetare, një ndër pjesëmarrëset e para të zhvillimeve të dhjetorit 1990. Ajo po ashtu ishte e vetmja femër në mbledhjen e parë të kësaj lëvizjeje, ku u vendos për emrin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare, e cila shënoi hapin e parë të pluralizmit politik shqiptar.

Deutsche Welle: Zonja Ballauri, si i kujtoni sot ato ditë të atëhershme të dhjetorit 1990?

Elsa Ballauri: Unë e ndjeva veten të përfshirë vetvetiu. Unë mund të tregoj shumë gjëra për ato ditë, por ajo që mund të them si më të veçantë është se e gjitha kjo ishte emocionalisht një gjë e jashtëzakonshme. Madje për njerëzit që u larguan shpejt nga Shqipëria dhe që nuk e përjetuan, jo vetëm ato momente por edhe më vonë, më duket sikur kanë një mangësi në historinë nga ajo që kam përjetuar unë, si histori e Shqipërisë, por edhe vetvetes. Për mua ky ishte një nga momentet më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe shumë i rëndësishëm si moment i një individi. Do të kujtoja këtu momente shumë të bukura si vajtja në qytetin studenti kur mblidheshin njerëzit, diskutonin me njëri-tjetrin dhe ku nga momenti në moment gjërat ndryshonin dhe ti ishe pjesë e të gjitha këtyre gjërave, ndodhive. Në atë kohë punoja si gazetare dhe e vetmja gjë që mund të përdorja kollaj ishte kasetofoni, të cilin e mbaja me vete. Kam inçizime interesante që jam e bindur që janë unikale, sepse në atë kohë ka pasur vërtet një kamera që punonte për televizionin, ndoshta ka pasur dhe aparate forografike. Por ditët e 8,9, 11,12 dhjetorit i kam të incizuara prej disa orësh kur ne ishim në qytetin studenti dhe bisedoja me njerëzit përreth mbi ndryshimet dhe ngjarjet që po zhvilloheshin.

Deutsche Welle: Zonja Ballauri, cilat ishin shkëndijat që ju nxitën për këto zhvillime?

Elsa Ballauri: Për mendimin tim hapja e ambasadave ishte shkëndija e parë që solli më pas edhe nevojën për ndryshime brenda vendit. Kështu që ne prisnim të gjithë një ndryshim nga pushteti. Më kujtohet kur ne shkuam në një miting që u organizua në sheshin e Tiranës me shumë dëshirë dhe shumë besim se gjërat do të kishin ndryshuar. Por ky miting ishte tërësisht kundër asaj që ne prisnim. Ishte një miting që na zhgënjeu. Politikanët që folën, folën në mënyrë shumë të kontrolluar, shumë ideologjike dhe tepër të acaruar me atë që kishte ndodhur më 2 korrik. Por ne e ndjenim që diçka do të ndodhte. Sepse kishte shumë arsye që të ndodhte një ndryshim. Këtë e sheh edhe në aspektin më konkret dhe personal që përjeton vetë. Në mbledhjen e parë unë isha e vetmja femër aty dhe më kujtohet kur studentët vijnë pas bisedës me Ramiz Alinë. Aty u diskutua kryesisht për emrin e lëvizjes. Pra është një Lëvizje studentësh apo më shumë? Por duke diskutuar me njëri-tjetrin menduam se ajo ishte më tepër se një lëvizje thjesht studentësh. Debatet e atëhershme për mendimin tim ishin jo thjesht debate të ftohta që mund t`i mbash mend sepse debatet ishin më shumë emocionale. Çdo gjë ndodhte shumë shpejt. Ishte e papërgatitur më parë.

Ju thatë që ishit e vetmja femër në atë mbledhje. Ku e gjetët guximin zonja Ballauri? Ishte kohë e vështirë, jemi në fillimet e ndryshimit dhe në pushtet vazhdonte nomeklatura e kuqe?

Çështja e guximit është një çështje individuale, e vetë personit. Unë për çudi atëherë nuk kam ndjerë frikë. Edhe pse kishte njerëz përrreth që më kujtonin që kisha një vajzë të vogël… Por mua më dukej e tepruar edhe kjo. Ndofta është raporti që njeriu ndjen për atë që i jepet mundësia të bëj, nevoja që ai ndjen që duhet të ketë disa ndryshime dhe ajo që unë them gjithmonë është një investim personal i cili po nuk egzistoi nuk mund të ketë ndryshime.

Po sot pas 20 vjetësh, a mendoni se ky ndryshim që nisi në atë kohë ka arritur aspiratat apo ëndrrat e të gjithë studentëve dhe të të gjithë shqiptarëve?

Herë pas here jam trishtuar nga ajo që po kalojmë gjatë këtyre 20 vjetëve. Edhe tani nuk mund të them që jam në një fazë optimiste. Por nga ana tjetër kam bërë përpjekje që t`i bëj një analizë më të thellë të gjithë kësaj periudhe, të historisë shqiptare. Dhe tani jam në gjendje të them se çfarë i bëri diktatura shqiptarëve. Duke u nisur nga ky aspekt mendoj se rezultati duhet të ishte ky që është. Për fat të keq. Nga ana tjetër natyrisht që nuk jam e kënaqur për shumë gjëra. Sepse mendoj se për sa kohë ka njerëz si unë që duan ta bëjnë ndryshimin dhe mund ta bëjnë ndryshimin dhe disa prej tyre kanë rezultat pozitiv në këtë drejtim, pra pse jo. Ne të gjithë shqiptarë jemi. Pra çfarë ka në komunitetin tonë që nuk ecën? Gjithmonë kam menduar se varfëria ka qenë shumë e madhe, sa nuk ishte më fizike por psikologjike dhe ajo ka bërë që korrupsioni të jetë një nga modat më të mira, me të cilat njerëzit jetojnë në mënyrë shumë lluksoze dhe ligjore. Por edhe kjo me sa duket nuk është e mjaftueshme. Populli ka nevojë për eksperienca, biles eksperianca të fuqishme. Dhe po ta shohësh historinë e botës dhe të vendeve të tjera të gjitha ato kanë kaluar në eksperiencë të forta, në ulje dhe ngritje të fuqishme. Dhe ne nuk e kemi pasur këtë si komb duke e kombinuar me ekzistencën e një shteti. Por mund të them edhe këtë që tranzicion pa dyshim do të jetë shumë i gjatë. Për sa kohë kishim një diktaturë të gjatë dhe të thellë edhe tranzicioni do të vazhdojë shumë gjatë. Nuk jam e kënaqur po ashtu sepse shumë gjëra duhet të ishin kapërcyer deri tani.

A janë fajtorë për këtë Berisha dhe Rama, dy protagonistë të politkës, të cilët janë nismëtarë të ndryshimeve të Shqipërisë qysh në 1990 dhe sot janë po ata që po krijojnë një ngërç serioz në dialogun politik?

Unë i kam ndjekur fillimet e tyre në dhjetor të 1990. Dhe për çudi atëherë ata ishin më të afërt, pra duket sikur marrëveshja në atë kohë ishte më e lehtë se sa tani. Ata kanë shpallur një luftë të tmerrshme me njëri – tjetrin. Kjo është shumë e dëmshme për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Por është për të të ardhur keq edhe për një gjë tjetër: Duket se Shqipëria ka mbetur dhe do të vazhdojë të mbetet për një kohë të gjatë në këtë gjendje, psikologjike, politike, sociale. Ne kemi një brez të ri, i cili është absolutisht i papërgatitur për të marrë mbi supe një drejtim të mirë dhe këtu është faji përsëri i brezave që drejtuan deri më sot. Ata kanë bërë sistemin shkollor jashtëzakonisht të dobët, kanë shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk e kanë mësuar dhe edukuar qytetarin që shteti është për t’i mbrojtur dhe për t’u kujdesur për këto të drejta dhe jo për t’i shkelur. Aktualisht kemi një gjeneratë të papërgatitur, për fat të keq injorante, shumë dembele dhe shumë abuzuese.