/Telegraf.al/ “ … Në fund të viteve 50-të dhe në vitet 60-të punoja në redaksinë e “Zërit të Popullit”. Si gazetar unë takoja shumë njerëz. Ata që i takoja ngaherë ishin shkrimtarët. Zakonisht në ato vite ata mblidheshin në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që ishte në mjediset e ndërtesës së Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Atje, vinte pothuaj ditë për ditë edhe Ali Asllani. Mua më bënte përshtypje pamja e tij. Ishte një plak i pastër në rrobe dhe në fytyrë, gjithmonë i larë dhe i rruar me faqe pakëz të kuqërrem me cipë të hollë, që atëherë thoshin se xha Aliu i bën me pudër mëngjes për mëngjes pas briskut. Trupin e kishte të drejtë dhe gjithmonë mbante në jakën e këmishës kravatë.
-Mos më shikoni mua, or tungjatjeta, si vishem e si mbahem. Unë kam qenë ambasador në Evropë në kohën e Zogut dhe më përpara kam qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ismail Qemal bej Vlorës. Më është bërë zakon, or tungjatjeta, të dal në mëngjes i rruar, pa edhe të vishem mirë. Ah, të kisha kostume të mira, pa të më shihnit! – na thoshte ai shpesh. Neve na vinte çudi, se si nuk përtonte ta mbante veten aq pastër ky plak 80-vjeçar.
Dhe kur hynte ndonjë aktore apo vajzë e bukur në Klubin e Shkrimtarëve, Ali Asllanit në tryezë i vetëtinin sytë dhe përsëriste shprehjen italisht, që e kishte qejf:
-Amore felicita! – pastaj shtonte,- Eh , të isha në moshën 70 vjet.
Ne, të rinj në atë kohë, qeshnim, pasi nuk shihnim ndonjë ndryshim të madh mes moshës 80-vjeçare dhe 70-vjeçare dhe i thoshim:
– Po ju, xha Ali, të kishit dëshirë të ishit 40 vjet ose të paktën 50! Ç’ju duhet 70-ta?
Ai tundte kokën dhe thoshte me zë të ulët e të hollë, sikur këndonte:
– Ah, more djem! Për mua edhe 70-ta është “Amore felicita! …Po këtë do ta merrni vesh më vonë!
Pastaj na tregonte vjersha nga një libër, që përgatiste për botim me një titull që ndonjërit nga ne i dukej i çuditshëm për një poet plak. Libri quhej “Vidi – vidi, pëllumbeshë”.
– Nuk ju është shuar zjarri i dashurisë në vargje, xha Ali? – i thashë kur më lexoi një nga vjershat e librit.
Ai vuri dorën në gjoks:
– E kam të ndezur këtu! Djeg këtu, djeg edhe në vjersha. Ah, more Drito! – dhe psherëtiu duke përsëritur: – Amore felicitá!
Pastaj lexoi:
Pyeta zoga, pyeta zogj,
pyeta zemrën që m’u dogj,
pyeta lulet nëpër bahça,
nëpër bahça, që unë plaça:
Muaj e vitra po të pres,
vidi-vidi të thërres!
– E, po ti, xha Ali, na i kalon neve me vjershat e dashurisë. Ne të rinj jemi, por nuk e shkruajmë dot kështu dashurinë! – i thashë.
– Ju nuk e shkruani, por e bëni! – qeshi ai dhe shtoi: – Ah, edhe bëni edhe shkruani, more tungjatjeta, por duhet t’ju dalë turpi, siç më ka dalë mua , që t’i tregoni. Unë i tregoj se nuk kam turp – dhe e mbylli fletoren.
Një ditë, kur hyra në klub, e pashë xha Alinë tek rrinte në tryezë. U ula me të në heshtje, se m’u duk i menduar. Ishte viti 1960 në mos gaboj.
– Për “Hanko Hallën” mendoni, xha Ali? – i thashë për t’ia ngritur humorin.
– Eh, tani edhe ne, edhe Hankot po harrohemi! – psherëtiu ai.
Ndofta kjo u bë shkak që unë shkova në redaksinë e “Zërit të Popullit”, u mbylla në zyrë dhe shkrojta një artikull për traditën letrare të harruar. Dhe atje përmendja Ali Asllanin me veprën e tij dhe të tjerë, duke theksuar se vërtet duhen nxitur shkrimtarët e formuar pas Luftës Nacionalçlirimtare, por nuk duhen harruar poetë të tillë të mëdhenj të traditës që jetojnë mes nesh si Lasgush Poradeci dhe Ali Asllani . Ishte hera e parë që botohej në “Zërin e Popullit” një artikull me një përmbajtje të tillë.
Ditën që doli në shtyp artikulli, mua nuk më rrihej pa shkuar në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të parë efektin e tij, veçanërisht tek Ali Asllani. Por kur hyra në klub, atë nuk e gjeta. Në tryezën ku rrinte zakonisht xha Aliu, ishte ulur Kin Dushi me Dalan Shapllon. Ata e kishin lexuar artikullin dhe thanë fjalë të mira. – Të shohim se çfarë do të thotë xha Aliu! – qeshi Kin Dushi.
– Ah, do të jetë gëzuar, po ta ketë lexuar! – tha Dalani.
Pas pak , në derë të klubit u duk Ali Asllani . Ishte i qeshur. Në dorë mbante diçka të mbështjellë me letër.
– U vonova. Uro njëri dhe uro tjetri . Unë nuk e dija pse më uronin. Kur më thanë se Dritua më kishte lavdëruar në gazetë, shkova me vrap e bleva. Gati sa më bëri të qaj, or tungjatjeta! Po edhe unë do të të bëj të qeshësh tani !- dhe xha Aliu hapi letrën e mbështjellë.
Ishte një shishe e vogël me raki. E pimë të katër; Ali Asllani, Dalan Shapllua, Kin Dushi dhe unë për shëndetin e autorit të “ Hanko Hallës”.
Pas pak vjetëve Ali Asllani filloi të dalë rrallë në Klub. Shëndeti nuk po i ecte. Me gjendjen ekonomike ishte keq. Jetonte tek e bija. Në vitin 1966 ai u rëndua më shumë. Si e pamë që tanimë nuk dilte në klub, një ditë i shkuam të dy me Dalan Shapllon në shtëpi. E gjetëm në dyshek me jorgan krahëve, të dobët dhe me zë të mekur, por çuditërisht të rruar dhe të pastër. Në dhomë ishte vajza e tij, Irfeti, që i rrinte pranë dhe kujdesej. Ai sa na pa, u gëzua dhe bëri të ngrihej , duke thënë:
– Amore felicita!
Unë e Dalani qeshëm. E po, ky, nuk hoqi dorë, thamë ne me vete. Ai pyeti për klubin dhe pastaj shtoi, duke zënë në gojë emrat e nja dy-tri aktoreve që ishin vajza simpatike.
– Po ato të bukurat, vidi-vidi , pëllumbesha, vijnë në klub?
– Vijnë dhe mezi ju presin, xha Ali !- i thamë.
Eh,!- bëri xha Aliu.
Mandej ai foli për djalin që e kishte prej kohësh emigrant në Kanada dhe që nuk e kishte parë:
– Do të vdes pa e parë!
Ne ndenjëm gjatë. Ali Asllani tregoi edhe një ngjarje kur ishte ambasador në Greqi në vitet 30- të. Nuk e mbaj mend mirë, se kaloi një kohë e gjatë, dhe nuk kam ndonjë shënim. Por më kujtohet që tha se në një takim letrar në Athinë, ishin ftuar Lasgush Poradeci dhe Fishta. Ftesa i kishte shkuar Fishtës, por sipas Ali Asllanit ky nuk e kishte njoftuar Lasgushin dhe kishte shkuar vetëm në Athinë.
Që atëherë më mbeti pak qejfi me Fishtën!- tha xha Aliu me jorgan mbi supe dhe pastaj shtoi :- Punë poetësh, or tungjatjeta !
Më nuk e pashë Ali Asllanin. Me vete për një kohë të gjatë pëshpërisja:” Vidi- vidi , pëllumbeshë”.
Dhjetor 1996 Dritëro Agolli , #kujtime