Një qytetare nga Qeparoja ka denoncuar një abuzim serioz që sipas saj, po bëhet me pronën e saj në jug të vendit.Sipas denoncimit, dy shtetas, Arben Shahu dhe Florjan Pilafi, prej disa muajsh po kryejnë punime në një sipërfaqe toke, duke hedhur mbeturina inerte dhe ujë të ndotur në pronën private të qytetares. Ajo pretendon se toka ku po zhvillohen këto punime është pronë shtetërore, e cila është zaptuar në mënyrë të paligjshme nga Shahu dhe Pilafi. Gjithashtu, ajo pohon se si pasojë e këtyre punimeve janë shkatërruar rreth 15 rrënjë ullinj që ndodheshin në kufi me pronën e saj.
Qytetarja thekson se Bashkia Himarë, me një vendim të datës 19 shkurt 2025, ka urdhëruar pezullimin e punimeve deri në një vendim të dytë. Megjithatë, ky urdhër, sipas saj, është injoruar nga personat që po kryejnë punimet, dhe punimet kanë vijuar normalisht duke dëmtuar më tej pronën e saj.
Përballë mosreagimit të institucioneve lokale, ajo i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Vlorës me një kallëzim penal ndaj Arben Shahut dhe Florjan Pilafit, duke i akuzuar për “uzurpim dhe rrethim të paligjshëm të tokës shtetërore” si dhe për “hedhje të inerteve në tokë private”.
Në denoncimin e saj për JOQ, qytetarja ngre akuza edhe ndaj disa zyrtarëve të Policisë së Himarës, konkretisht ndaj Shefit të Komisariatit, Neritan Buzi, dhe Shefit të Krimeve, Ledion Dulomati. Sipas saj, këta zyrtarë i kanë kërkuar që të mos i shqetësojë më me denoncime, duke i thënë se personat që po kryejnë punimet janë “me dokumentacion të rregullt”.
Qytetarja shprehet thellësisht e shqetësuar për neglizhencën institucionale dhe mungesën e veprimeve konkrete, ndërsa kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve kompetente për të ndalur këtë abuzim dhe për të mbrojtur të drejtën e saj mbi pronën private.
Mesazhi i plotë:
“Pershendetje! Doja te beja nje denoncim per shkaterrimin e territoreve shteterore qe po behen ne Qeparo. Kemi qe prej dates 19.02.2025 qe kemi ber kallezimin e pare ne kamisariatin e Himares dhe bashkise Himare por asnje mase nuk eshte mare.
Sikur te mas mjaftonte shefi i komisariatit himare Neritan Buzi dhe shefi i krimeve Ledion Dulomati, diten e djeshme moren kontakt me shtetasen qe ka bere kallëzimin, dhe duke i bere presion i kerkuan te mos shqetesoje më personin që po zapton pronat shteterore sepse sipas tyre “i ka dokumentat ne rregull”. IKMT, IMT dhe policia e shtetit jane inekzistente!
Pamjet filmike qe po ju dergoj me jane marrë diten e sotme 30 prill 2025 rreth ores 11.30: Kane prere me shume se 15 peme ulliri dhe kane zaptuar 1900 m² truall shtetëror
Nuk na ka ngelur gje tjeter vetem te shkojme dhe per perballemi personalisht me keta persona qe po copetojne pronen tone….”




















