Dr.Kujtim Çako: Forcat e Armatosura dhe kontributi i Jaçe Lulës

1054
Sigal

Jaçe Lula kujtohet gjatë si një ushtarak madhor i elitës së Forcave të Armatosura (FA), ish- Zëvendësministër i Mbrojtjes dhe për kontributet e tij në ristrukturimin e FA. Ishin vitet ´80 kur unë jam njohur dhe punuar me Jaçe Lulën. Në detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Jaçe Lula emërohet sipas vendimit të Byrosë Politike dhe të Sekretariatit të KQ në tetor të vitit 1982, i cili mbuloi veç të tjerave Industrinë ushtarake, Institutin e prodhimeve ushtarake (ISP 6), Autotraktor etj. Në këtë muaj ndodhën ndryshime në udhëheqjen e MM dhe shtatmadhorinë e Ushtrisë. Kështu në detyrën e ministrit të Mbrojtjes u emërua Prokop Murra dhe drejtuesit e tjerë të rinj të këtij dikasteri. Në detyrën e zëvendësministrit të parë të Mbrojtjes dhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u emërua Kiço Mustaqi, dhe në detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes Jaçe Lula. Bajram Manen dhe Simon Ballabani si dhe drejtorë e zëvendësdrejtorë të rinj. Jaçe Lula ishte një ushtarak klasi, karriere, arsimdashës, tepër aktiv edhe në kohën kur ishte zëvendësministër. Veç kujtimeve të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të sjellë në kujtesë shkurt, një dimension tjetër të Jaçes, ndoshta të panjohur deri tani. Ai ishte në fillimet e punës në MM në funksionin e ri dhe duke qenë me përgatitje të gjithanëshme dhe me prejardhje artilier, ishte ngarkuar të mbulonte edhe Drejtorinë e Industrisë Ushtarake. Unë ruaj kujtime të mira për punën e përbashkët me Financat e Industrisë Ushtarake që ai mbulonte, por do të shkruaj vetëm për një aspekt. Ishin vitet e fillimeve në fushën e kualifikimeve shkencore pas universitare (pas akademike) në MM, Akademinë Ushtarake, SHLBO dhe më gjerë. Duke qenë se unë i kisha hyrë kësaj rruge dhe merresha me udhëheqje dhe oponenca shkencore, Jaçja me guximin dhe inteligjencën që e karakterizonte, mbas një bisede të këndshme dhe miqësore mes nesh, i hyri rrugës së kualifikimit pasuniversitar për mbrojtjen e Gradës shkencore “Kandidat – Doktor i Shkencave”. Në atë kohë duhej të mbronte 4 provime sipas VKM në fuqi, prej të cilave 2 në universitetin shtetëror të Tiranës, si lëndën “Filozofia” te fakulteti Juridik dhe Gjuhën e huaj – Rusisht te fakulteti i Filologjisë, ndërsa 2 të tjera në Akademinë Ushtarake. Në lidhje me USHT ruaj edhe unë kujtime të mira bashkëpunimi. Kjo fillon nga koha si student ushtarak dhe më vonë si me profesorët e mirënjohur të dy lëndëve, Zija Xholi dhe Ylvi Basha. Mbasi dha provimet për këtë, për fat të keq, sëmundja ia ndërpreu këtë rrugë kualifikimi shkencor. Një brez i tërë i ushtarakëve kujtojnë me respekt Jaçe Lulën si një ushtarak, intelektual me emër dhe njeri social i veçantë. I paharruar kujtimi i tij!

P.s. shumë shokë shkruajnë, me këtë rast duhet përgëzuar Z. Gani Elezi dhe shumë të tjerë me komentet e tyre me vlerë. Këto shkrime përfaqësojnë copëza historie me objektivitet dhe realizëm dhe me vërtetësi historike, si historibërës.