Flet për herë të parë Çelik Petriti
Si u dënua Sherif Merdani, dhe si e përjetova pushkatimin e dy miqve, poetëve martirë nga Bërzeshta, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi. Takimi me Xhoxhi Robon dhe si e mësova nga Harilla Papajorgji se Librazhdit ka qënë “në grykë të pushkës” të Udhëheqjes dhe mbante vendin e parë për nga letrat anonime për varfërinë. Si u bënë kurban Kryetari i Frontit Demokratik dhe sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit dhe ai i byrosë së parkut të mallrave në Prrenjës. Banka nuk kishte për të gjithë por frekuentimi ishte maksimal, me klasa deri në 36 nxënës. Ja historia e plotë.
-Si u dënua Sherif Merdani, dhe si përjetova pushkatimin e dy miqve, poetëve martirë nga Bërzeshta, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi
Një takim i papritur me Xhoxhi Robon në kooperative dhe habia e tij për jetën në fshat
-Nga Harilla Papajorgjin do të mësoja se rrethi i Librazhdit asokohe paskësh qënë “në grykë të pushkës” të Udhëheqjes
– Librazhdi mbante vendin e parë për nga letrat anonime plot ankesa mbi varfërinë ekonomike, ndërkohë që ekzistonte frika e partisë për pasojat që mund të rridhnin prej tyre
– Si u bënë kurban Kryetari i Frontit Demokratik dhe sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit dhe sekretari i Byrosë së Partisë të Parkut të mallrave në Prrenjës

Në ato rrethana paksa komike për dikë që mund të na shikonte nga larg, ai po më tregonte se, kur kishte qënë fëmijë, e kishte kaluar atë lumë symbyllur e s’ndjente fare gërvishtje, apo kilikosje nëpër shputa, duke vazhduar të më sqarojë se vërtet tani banonte në Tiranë, porse origjinën prej atij fshati e kishte. S’më tha ndonjë mburrje veç atyre vogëlsirave, por mua emri i tij, Sami Leka, diçka më kujtonte.
-Letrat anonime kishin shqetësuar partinë dhe ai erdhi të shihte realitetin me sy
-Drejtuesit e partisë në kooperativë ja fshihnin realitetin udhëheqësve në Tiranë
-Unë i thashë se vërtet janë të varfër, por zemrën e kanë të pasur e të pastër florí!
-Ai vazhdoi: – Çudi! Pse duhet të jenë të varfër, se ja, këto kodra duhet të jenë të begata si Myzeqeja.
– Çelik Petriti
Një fundjavë që m’u desh ta ngrysja ditën në fshat i vetëm, ndryshe nga herët e tjera kur me makinat e sharrave ikja në Pogradec, Përrenjas, apo Elbasan (veç rasteve të rralla kur shkoja në Korçë, deri në fshat te prindët) po vërtitesha i vetëm te “qendra” e kooperativës bujqësore, e përbërë prej dy godinave njëkatëshe: njëra si Shkollë Fillore, ndërsa tjetra e ndarë në disa pjesë për zyra e për dyqanin e fshatit; prej një barakeje dërrasash si gjellëtore, një barakeje tjetër si berberanë dhe një magazinë për së gjati, të cilat i kam pasqyruar edhe në tregimin “Qendra në skaj”. E, teksa po varavisja i përhumbur në vetvete, prej zyrave të atjeshme doli një mesoburrë (qytetar për nga veshja dhe nga fytyra e lëmuar), i cili binte në sy me ato pak flokë të kuqërremta, që i kishin mbetur përreth qafës. Doli dhe, sikurse edhe unë, filloi të bënte lëvizje boshe, gjë që më futi aq në sëklet, saqë po mendoja të shkoja të mbyllesha “që me pulat” në dhomën tonë (dhomë i thënçin një koteci të prerë prej korridorit të shkollës, në fund të tij). Por ai që vazhdimisht hidhte sytë andej prej nga doli, ku tashmë hynin e dilnin “Autoritetet e fshatit”, si duket e nuhati sëkletin tim dhe, për të më lehtësuar, filloi të më japë muhabet duke e filluar atë me përshkrimin e peizazhit përreth (madje me admirim e patetizëm si një poet) duke përmendur kodrinat e bukura, arëzat në të dy anët e Shkumbinit dhe malet lart përmbi Bërzeshtë. Më pas, mbas një pauze të shkurtër, filloi të më pyesë edhe se si ishin njerëzit e atjeshëm. E, kur unë fillova t’i flas me superlativa duke u shprehur se vërtet janë të varfër, por zemrën e kanë të pasur e të pastër florí, ai vazhdoi:

– Çudi! Pse duhet të jenë të varfër?!
Se ja, këto kodra duhet të jenë të begata si Myzeqeja. Për të qeshur e për të qarë: Tani së voni, kur isha duke i dhënë dorën e fundit këtij libri, më ra në dorë një përmbledhje tregimesh memuaristike të autorit Mark Aliaj (i plakur nëpër burgje) dhe në tregimin e tij “Dëllinja”, lidhur me një vizitë në Golaj të Hasit të numurit 2 të Partisë (Besnikut të Partisë) Hysni Kapo dhe fiksova këtë fjali të fillimit të fjalimit të tij: “Golaj qënka një vend pjellor si Myzeqeja…” Më tepër se interesante: Sa të gatshme e jetëgjata sloganet e oratorëve në takime masive (apo edhe individuale) me popullin! Unë ngrita supet e s’dija ç’t’i thosha më tej atij bashkëbiseduesi të rastit. Por, për fat, dikush atij i bëri shenjë që nga oborri para zyrave që të shkonte atje dhe asisoj u ndamë. Më vonë do ta merrja vesh se ai paskësh qënë Xhoxhi Robo (më duket si myzeqar për nga origjina) dhe me detyra goxha të larta në Parti e në Pushtet (madje më vonë edhe në Diplomaci, si ambasador i Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës). Sikurse më pas do të merrja vesh që ai paskësh ardhur atje për të tatuar situatën, sepse që andej u shkruakëshin shumë letra anonime me ankesa, akuza e “shpifje” dhe se kishte ikur në Tiranë paksa i qetësuar, mbasi e “kishin evidentuar” një anonim. Ia “kishin ngjeshur” sekretarit të Komitetit të Rinisë të fshatit: një djalë i urtë e komunikues me ne mësuesit, i shkreti. Por për fat gjysmë të mirë, tek ai nuk kishin shkuar më tej se shkarkimi si sekretar, përjashtimi përkohësisht nga radhët e BRPSH – së dhe nga privimi i kërkesës për t’u futur në Parti. Vite më vonë do të më jepej rasti të njihesha dhe miqësohesha me Harilla Papajorgjin (funksionar i lartë në kohën e Diktaturës) kështu që nga ai tip impulsiv, energjik e i kulturuar, do të mësoja se rrethi i Librazhdit asokohe paskësh qënë “në grykë të pushkës” të Udhëheqjes, për arsye se mbante vendin e parë për nga letrat anonime plot ankesa (herë – herë kërcënuese) mbi varfërinë ekonomike, ndërkohë që ekzistonte frika e pasojave që mund të rridhnin prej tyre, si një rreth me një vijë të gjatë kufiri. Dhe, “për t’i bërë zap” ata njerëz, do të kishte kurbane duke filluar që nga kuadrot e vetë Partisë si Kryetari i Frontit Demokratik dhe sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit (“i vetëmbytur” në Durrës gjatë pushimeve të diktuara) si sekretari i Byrosë së Partisë të Parkut të mallrave në Prrenjës ( “i aksidentuar” gjatë udhëtimit për një shërbim urgjent në Tiranë) deri te masakrat ndaj “Armiqve të Klasës”, nisur nga SHERIF MERDANI, me burgim të gjatë dhe finalizuar me pushkatimin e dy poetëve martirë nga Bërzeshta GENC LEKA e VILSON BLLOSHMI. Në një rast tjetër, si gjithnjë kur isha i vetëm e vërtitesha kuturú në “qendrën” e fshatit, prej një makine me targa të Tiranës zbriti një burrë. Qytetar edhe ai në pamje, mjaft i kuruar në veshje, por jo aq faqelëmuar si myzeqari dhe u ul mbi një gur në cep të rrugës automobilistike, duke fshirë me shamí djersët nën jakën e këmishës, gjithnjë me shikim të pandërprerë përtej lumit, sipër nga Bërzeshta. Pas ca, mbasi ai mori vesh se shërbeja atje si mësues, më pyeti nëse isha ngjitur ndonjëherë sipër në Bërzeshtë dhe nëse aty afër mund të kalohej lumi zbathur në vah. Sepse më tha që kishte zbritur nga makina gabimisht aty e jo atje më tej, ku lumi kalohej me pasarelë për t’u ngjitur në atë fshat, gjë që do t’i hante kohë po të kthehej mbrapsht në drejtim të pasarelëse dhe do ta vononte për ku ishte nisur. Sepse kishte ardhur atje enkas për të bërë një qokë. Pasi mora vesh atë shqetësim të tij, i thashë se lumin mund ta kalonim së bashku. Dhe ashtu bëmë. Për fat, duke dalë i suksesshëm në iniciativën time, edhe pse me ankthin se mos ai rrëzohej ngaqë na rrëshqisnin këmbët mbi guralecët e lëmuar të veshur me alga. Në ato rrethana paksa komike për dikë që mund të na shikonte nga larg, ai po më tregonte se, kur kishte qënë fëmijë, e kishte kaluar atë lumë symbyllur e s’ndjente fare gërvishtje, apo kilikosje nëpër shputa, duke vazhduar të më sqarojë se vërtet tani banonte në Tiranë, porse origjinën prej atij fshati e kishte. S’më tha ndonjë mburrje veç atyre vogëlsirave, por mua emri i tij, Sami Leka, diçka më kujtonte. Më vonë rastësisht do ta merrja vesh se në Tiranë ai bënte punën e përkthyesit të Literaturës Politike pranë institucioneve të larta të Partisë. Madje edhe se “Kapitalin” voluminoz të Marksit ai e kishte përkthyer në gjuhën tonë. E, megjithatë, edhe pse kishte qënë komandanti i parë i batalionit të Bërzeshtës, event me të cilin mburreshin banorët e atyre anëve, ai ishte harruar, i anashkaluar dhe asnjëherë s’e ftonin në festimet e përvjetorëve të atij batalioni. E pse?! Sepse (siç thuhej) në njërën nga festimet e para, kur ende e ftonin të merrte pjesë, ai e kishte braktisur tribunën e mitingut ceremonial, mbasi nuk i kishte duruar dot disa bashkëkrahinarë të vet asokohe pushtetarë e partiakë lokalë (madje edhe më lart) që rrihnin gjokset si drejtues të atij batalioni ndërkohë që ai, komandanti vetë, nuk i kishte njohur asnjëherë si të tillë. Madje ndonjërin nuk e njihte fare si person.

”. E, në këtë vazhdë, s’do të lija pa përmendur rastin e mëposhtëm të përplasjes (veçse burrërisht tashmë) me një zyrtar të lartë nga dikasteri përkatës epror, sepse prej tij kisha përjetuar satisfaksion duke iu përgjigjur fisnikërisht fisnikërisë së tij dhe burrërisht burrërisë. Ndryshe nga komunikimi me arrogancë i gjeneralit në Rrajcë, të përshkruar pak më parë.
Vite më vonë…
Vite më vonë, kur unë kisha filluar punë në “Radio – Tirana”, më vjen aty një i njohuri i tij dhe imi njëkohësisht, për të ndërhyrë që, me rastin e përvjetorit të vdekjes, atij komandanti t’i kushtohej pak vend në rubrikën e atëhershme ..KUJTESË” (të lakmueshme për shkak të shikueshmërisë) të Televizionit Shqiptar, të cilën munda t’ia realizoj. Madje, pasuar edhe me një shkrim modest të tipit portret në RD (gazeta e partisë në pushtet asokohe) gjithashtu diçka e lakmuar shumë; sidomos nga ata që aderonin, apo simpatizonin të majtën. Po i shkruaj këto episode lidhur me të, edhe pse jo një herë prej bashkëkrahinarëve të vet kam dëgjuar opinione nga më ekstremet (pozitive e negative) lidhur me të (ndoshta nga pozicionet partiake, ndoshta tendencioze personale, ndoshta edhe për hir të së vërtetës) dhe besoj se jam në rregull me sentencën e famshme të Volterit: “Midis së gënjeshtrës dhe së vërtetës duhet të zgjedhim këtë të dytën sido që të jetë ajo, e ëmbël, apo e hidhur”. E, në këtë vazhdë, s’do të lija pa përmendur rastin e mëposhtëm të përplasjes (veçse burrërisht tashmë) me një zyrtar të lartë nga dikasteri përkatës epror, sepse prej tij kisha përjetuar satisfaksion duke iu përgjigjur fisnikërisht fisnikërisë së tij dhe burrërisht burrërisë. Ndryshe nga komunikimi me arrogancë i gjeneralit në Rrajcë, të përshkruar pak më parë. Konkretisht: Ishim bërë “me dhimbje koke”, sepse na kishin lajmëruar që do të na vinte për kontroll një ekip i Ministrisë së Arsimit me në krye vetë drejtorin e drejtorisë së Arsimit 8 – vjeçar, BUHRAN HOTI, i etiketuar asokohe si prepotent i madh. Ai, sapo hyri në korridorin e shkollës, menjëherë u drejtua nga klasa ime. Me siguri për faktin se aty ndjehej zhurma e goditjes së një guri në përpjekje për të ngulur gozhdë në parvazin e thyer të derës. U fut dhe, “pa dhënë merhabá”, menjëherë më pyeti se sa nxënës kisha në klasë. – 36, – iu përgjigja enkas me zë të lartë dhe ai filloi të numëronte bankat, të cilat ishin vetëm 8. – Po vetëm 16 prej tyre frekuentojnë shkollën në këtë klasë?! – Jo, përgjithësisht të gjithë; me përjashtime të rralla, të përkohshme si kudo, për shkak sëmundjesh, fatkeqësish familjare, apo arsyesh të tjera… – Auu! Po ku ulen këtu ata?! – Ja këtu, – ia ktheva duke i treguar dërrasat midis dy rreshtave dhe tetë hapësirat boshe të bankave ku mundohesha të sistemoja të tretët. – Dhe ti e quan normale këtë?! – Domosdo që e quaj anormale. Ndryshe s’do të kisha shkuar para tri ditësh deri në Hotolisht (12 km larg që këtej) për të marrë atje shoqërisht 3 copë të vjetra, mbasi ajo shkollë, e ekspozuar në rrugën kryesore nacionale (meqë pritej inspektim) sapo ishte furnizuar me të reja. Me makina të rastit dhe me shpenzimet e mia natyrisht. Ndryshe vetëm 3 do të kisha sot këtu. Ja, këto më të konsumuarat.

– Po këtë s’e rregullonit dot? – vazhdoi duke u drejtuar nga dera e klasës.
– S’jam marangoz. S’kam as vegla pune dhe, ja kështu, duke u munduar me gurë, s’po e qullos dot. Sepse për dreq jam edhe sallaks. Asisoj, kur po mendoja se ai (si prepotent që etiketohej) do të shpërthente, përkundrazi, i uli tonet dhe filloi të më pyeste për pjesën teorike të programeve lëndore. Por, mesa duket, shpejt u bë pishman, sepse unë kisha bërë për vete profesorët më të njohur të profilit tim e jo të mos e bëja “të dorëzohej” atë, pa e ditur se i ç’profili lëndor ishte. Prandaj i ndërpreu pyetjet për mua dhe kaloi te kolegu i Matematikës, të cilin menjëherë e “nxori lakuriq” nga gënjeshtrat, me të cilat ai po përpiqej të mbulonte mangësitë (jo për faj të tij natyrisht, por të mungesës së mjeteve mësimore) dhe u hodh te kolegët e tjera të miat, vajza aq shumë të sjellshme, të urta e të përkushtuara ndaj punës (“të thjeshta gjer në madhështí). Ato, “gëk – mëk” njëra, “gëk – mëk” tjetra dhe kaq…- E lëmë këtë punë dhe jeni të lirë deri pasdite, – tha papritur ai. Kaq desha unë dhe, pasi mbarova ca punë të vogla, me zorrët që po “më bënin revolucion”, shpejtova drejt gjellëtores së kooperativës (për fat të keq, të “pistores” më mirë;nga kushtet primitive që kishte) për të arritur të merrja atje pjatat e zakonshme të fasuleve e të makaronave. Por për një çast e ula ritmin, sepse po dëgjoja nga pas zëra dhe, me bisht të syrit, vërejta se ishte ai duke diskutuar me shoqet e mia e me drejtoreshën. Madje kishte qëlluar çasti kur po u thoshte atyre të mbanin mbi supe vetëm defektet e gabimet që u takonin e jo të pranonin mbi kurriz çdo lloj kusuri prej të tjerëve. – Bëhuni më të guximshme, – theksoi ai , – e vutë re që i lashë në mes pyetjet ndaj jush?! I lashë, sepse u tremba mos po i binte të fiktit ndonjërës… Ja, e shikoni këtë djalin para nesh, këtë kolegun tuaj?! U shpejtova e i rashë më qafë kot, por ai ma ktheu “hazër – xhevap” me argumente, duke më bërë të skuqem. – S’ta përton ai. Allçak është, – ia ktheu me mirësi e me humor drejtoresha ime, që tashmë e kishte marrë veten. Asisoj hëngrëm drekë së bashku me të në gjellëtoren e Kooperativës, pas së cilës së bashku mbetëm aq miq me të, saqë më vonë më erdhi keq kur do të mësoja se e kishin shkarkuar nga detyra, duke e qarkulluar në Durrës.




















