Dilaver Goxhaj: Zhgënjimi i një filozofi ballist

  • Isuf Luzaj e priti me pushkë pushtuesin fashist për këtë u internua nga italianët në ishullin Ventotene bashkë me Abaz Ermenjin e Llazar Fundon
  • – Kur kthehet nga internimi ai është thirrur disa herë në takim nga Enver Hoxha për t’u bashkuar me LANC-in

Isuf Luzaj ka lindur në Kaninë-Vlorë, më 21.2.1913. Pasi mbaroi Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ndoqi studimet në Universitetin e Sorbonës në Paris dhe kthehet në Shqipëri në 1936. Më 7 prill 1939 (ishte pedagog në Shkollën Tregëtare). E priti me pushkë pushtuesin fashist në Skelë të Vlorës. Për këtë u internua nga italianët në ishullin Ventotene prej vitit 1939-1942 bashkë me Abaz Ermenjin e Llazar Fundon si dhe kontakton me Ali Këlcyrën. Kur kthehet nga internimi ai është thirrur disa herë në takim nga Enver Hoxha për t’u bashkuar me LANC-in, (sikundër shkruan vetë), pasi kishin qenë kolegë në Liceun e Korçës 1936-1938, por ai i është përgjigjur: “Jam i sigurtë që ju do ta fitoni luftën, por unë nuk besoj në ideologjinë marksiste-leniniste. Besoj në demokracinë.” I ndikuar nga Abaz Ermenji e Ali Këlcyra, shkoi e u bashkua me organizatën e Ballit Kombëtar, duke u udhëhequr nga parapëlqimi dhe jo nga veprimet e BK. Në Mbledhjen e Mukjes ishte pjesëtar i delegacionit të BK. Në atë Mbledhje është Isuf Luzaj ai që hodhi tezën “ncionaliste” për Kosovën dhe Shqipërinë Etnike, edhe pse binte ndesh me vendimet e“Kartës së Atllantikut” e gushtit 1941 midis Ruzveltit dhe Çurçillit, më vonë pranuar edhe nga Stalini, e cila “nuk njihte ndryshim me rrugën e dhunës të kufijve në Evropë”.

Interesi i këtij propozimi të bërë në emër të BK prej Isuf Luzaj ishte për ta devijuar qëllimin e thirrjes së asaj mbledhjeje nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili ishte për t’i bërë thirrje për herë të fundit BK të hiqte dorë nga veprimtaria përçarëse, të hynte në këshillat Nacionalçlirimtare si dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe, duke bashkërenduar veprimet e forcave në luftë kundër pushtuesit të arrihej më pas në një konferencë të përbashkët në shkallë kombëtare. Ai propozim, sikundër u tregua më pas, u shpik nga BK për ta përdorur si shkak për të mos hyrë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë. Kjo teori nuk i falej këtij intelektuali të shquar. Në nëntor 1944, i zhgënjyer, Isufi mori rrugët e mërgimit, fillimisht në Austri, pastaj në Itali. Në vitin 1946, ndër 10 të kërkuarit me këmbëngulje nga shteti shqiptar për t’iu dhënë gjyqit të popullit, Italia nuk i dorëzoi, po e dënoi atje me 2 vjet burg si i dyshuar për vrasjen e gjeneralit Zanini. Kur doli nga burgu shkoi në Argjentinë dhe prej vitit 1965 jetoi në SHBA, ku punoi profesor i filozofisë në Universitetin Nju Hempshire si dhe profesor i letërsisë spanjolle e franceze në Barat College, Ilinios. Më pas titullar i Katedrës së filozofisë në Universitetin e Indianës dhe Ilinoisit. Në vitin 1984, presidenti Regan, i ftuar nderi në Universitetin e Indianës, i dhuron Isuf Luzaj medaljen më të lartë në fushën e arsimit: “Profesor i Amerikës”, për të cilën, në dorëshkrimin e tij “Ditari i mësonjësit” shkruan: “Do të doja që kjo medalje të varej në një gozhdë muri në Muze të Tiranës”.Vdes më 25.11. 2000 në Çikago-SHBA.

Sigal

Isuf Luzaj, kur udhëheqja e LDK-Kosovë, i shkuan në shtëpi në Çikago (Ali Aliu dhe Ramazan Bekteshi) për t’i marrë mendim për zgjidhjen e problemit të Kosovës, ai u tha: ”Pa luftë, pa revolucion, nuk ka fitore! Rrëmbeni armët për liri!”, sikundër tregon i biri i tij Dalan Luzaj.

Prodhimtaria e tij në fushën e letërsisë, historisë, filozofisë e gjuhësisë është e begatë, por që nuk njihet në Shqipëri, e cila ngërthen mbi 100 vëllime, (një pjesë e mirë me poezi e poema), por shumica e pabotuar dhe ruhen prej vajzës së tij Elisabeta. Në Shqipëri janë botuar disa prej tyre pas vitit 2000 nga “Ombra GVG”.

Duke qenë pluralist në mendime, kjo nuk e ka penguar Isuf Luzajn gati 30- vjeçar të ishte balllist fanatik, por përballja më pas edhe me demokracinë në Perëndim fillon të korrigjohet në mendime. Duke qenë me karakter, ai e shfaq zhgënjimin e tij, sepse gjatë luftës i besoi “demokracisë” së Ballit Kombëtar, duke e shprehur këtë shpesh herë në poezinë e bollshme të tij. Përparimi i ndërgjegjes s’është veçse një diferencim i problematikave. Më hapur e shpreh atë zhgënjim në poezinë e tij “Zhgënjimi”. Zhgënjimi është një shkrepëtimë që fërgëllon brenda ndërgjegjes.

Isuf Luzaj duhet besuar se flet për atë që ka provuar. Zhgënjimi i filozofit-ballist Isuf Luzaj është i njëjtë me zhgënjimin që ka pësuar gjithë populli shqiptar me pluralizmin demokratik të këtyre 32 viteve. Ndoshta, Ai, duke i njohur mirëbëmat e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit gjatë luftës, si dhe duke dëgjuar deklaratat e Fatos Nanos, Sali Berishës dhe Edi Ramës me shokë për “demokracinë pluraliste”, prandaj dhe nuk ka marrë mundimin të vinte në Shqipëri kur u vendos pluralizmi politik edhe pse gjithë familjen e kishte këtu. Aq më shumë duke dëgjuar për largimin e pareshtur nga kjo “demokraci” të 2,5 milionë shqiptarëve, nga 3,5 milionë që ishim në vitin 1990.

Duke qenë se Isuf Luzaj e ka shprehur disa herëpërmes botimeve të tij letrare zhgënjimin për ëndrrën e dikurshme të “demokracisë” së Ballin Kombëtar, prandaj Balli Kombëtar, Legaliteti, PD-ja, PS-ja dhe vetë Edi Rama, jo vetëm që nuk i kanë ngritur bust a monument, por nuk i përmendin as emrin dhe as veprën, ndërkohë që nuk kanë lënë tradhëtarë të popullit e kriminelë në shërbim të nazifashizmit pa u ngritur buste e monumente.

ZHGËNJIMI

Nga Isuf Luzaj

Shekulli hajdut me urë në dorë,

i vuri zjarrin kryq e tërthor planetit.

Dogji male e fusha, lumenj dhe detin.

I thau popullit zemrën me bore,

me mëri gjaksori, me dredhitë e Dreqit.

 

Po mua fakirin, ku erdh’ e më gjeti

me një kalidhe labi, buzë deti?

 

Erdhën dhe shirat me ujë të tërbuar,

e pinë popujt që ishin etur.

Sa më shumë gjerbën, aq më shumë u harbuan.

Gjithësekush zgjodhi një udhë të tij:

shtigjesh të ujqve, që e shpinin në ngjirë.

Provoi i pafajshmi tragjikomedinë,

përtej çdo të lige, përtej çdo të mire!

I çmendur endej nga e shpinte furia.

 

Po ç’mu desh mua, pa pirë e pa u dehur,

ta përqafoja mirazhin dhe magjinë,

të çmëndesha fantazmash si dashnori i thekur.

Pas fantazmës dhe unë duke thirrur e mbledhur:

të thjeshtët pa mend, që u futën në çmendinë.

U vërtita fakiri shkalluar nga dehja,

zjarr më zjarr, betejë më betejë.

As shihja, as kuptoja ku më shpinte përpjekja,

me thonj e me dhëmbë duke shpuar tunele.

 

Sa më i egër rreziku, më e këndshme është dehja.

Sa më e bukur dehja, aq më I ëmbël rreziku.

Si vashëz e bukur, buzëqeshte përpjekja;

aq më tërheqëse theroria dhe vdekja,

kur zu të përgjunjej, kolovitej armiku.

 

Kur mbaroi muzika, kur mbaroi kremtimi:

lodhur, rraskapitur, u dorëzua armiku.

Fitorja u bë korb, rrahi krahët dhe iku…

Kur hapa grushtet – një tufë me miza.

 

Mallkova mëmën që më lindi e më rriti…

Nuk gjej dot më prehje dëshpërimi.

 

Dhimbja më e hidhur qenka ZHGËNJIMI!

 

***

 

Shënim: Marrë prej vëllimit me poezi, esse dhe mendime filozofike: “Përtej së mirës dhe së ligës”, “Ombra GVG”,Tiranë, dhjetor 2003.