Burokracitë e qeveritarëve/ Prof. Lush Susaj: Pse nuk ka një bashkëpunim vizionar mes Univeristetit të Tiranës me atë të Prishtinës?

194
Sigal

 

  • Bashkëpunimi nuk bëhet me demagogji, sofizma as burokraci
  • Duhen programe dhe tekste të përbashkëta për lëndët që zhvillojmë
  • Patrullat e qeveritarëve dhe militantëve politik, që lëvizin midis Tiranës dhe Prishtinës, nuk sollën asgjë përbashkuese

Bashkëpunimi nuk bëhet me demagogji, sofizma as burokraci.

Bashkëpunimi dhe bashkërëndimi i punës midis shkollave dhe universiteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, është shërbimi më i mirë, që mund t’i bëhet integrimit ndërshqiptarë në rajon. Ky bashkëpunim, për vetë rëndësinë dhe efektin e jashtëzakonshëm që ka, gjithnjë është përballur dhe do të vazhdojë që të përballet me demagogji, sofizëm, korrupsion dhe pengesa të ndryshme burokratike. Përballja me demagogjinë ka të bëjë me faktin që të gjitha qeverisjet e vendeve tona, nga njëra anë flasin aq shumë për bashkëpunimin dhe integrimin e programeve, metodikave dhe teksteve mësimore, ndërsa nga ana tjetër nuk bëjnë asgjë konkrete në këtë drejtim. Flasin aq shumë për shkëmbime përvojash dhe stafesh akademike, përkundrejt faktit që të gjitha projektet e financuara në këto drejtime përfundojnë në dorën e një grupi të vogël militantësh të politikës, të cilët nuk dine dhe nuk mund të bëjnë asgjë për bashkëpunimin real midis Kosovës dhe Shqipërisë. Përtej demagogjisë, edhe më i rëndë është mashtrimi dhe sofizmi për bashkëpunime, projekte dhe kotësira që nuk bëjnë për asgjë e nuk kanë ekzistuar kurrë. Kjo sjellje sofiste shërben vetëm për të përgjumur dhe mpirë gjithnjë e më shumë shpirtin dhe fuqinë reaguese e bashkëpunuese të shkollës dhe të universiteteve shqiptare në rajon. Në këtë mënyrë, patrullat e qeveritarëve dhe militantëve politik, që lëvizin midis Tiranës dhe Prishtinës, nuk sollën dhe nuk mund të sjellin asgjë të mirë, asgjë përbashkuese dhe asgjë integruese e zhvillimore. Përkundrazi, ministritë dhe administratat tona, duket sikur funksionojnë vetëm sa për të penguar e demoralizuar çdo vullnet dhe intelektual, që punon pa u lodhur e më gjithë fuqinë e shpirtit për njësimin e teksteve dhe të programeve mësimore të shkollave dhe universiteteve. Jetojmë në një realitet të tillë ku intelektualët më të mirë të arsimit dhe shkencës në Kosovë e në Shqipëri, janë mënjanuar qëllimisht nga projektet, nga debatet, nga udhëtimet dhe nga të gjitha aktivitetet e bashkëpunimit dhe integrimit real. Institucionet dhe administrata jonë, duket sikur është lëshuar si një llavë ujqërish për t’u pasuruar duke vjedhur, korruptuar dhe defaktorizuar të gjitha institucionet dhe hallkat e vendimarrjes dhe bashkëpunimit ndërshqiptarë. Interesi i vetëm i tyre është përvetësimi i fondeve dhe projekteve, nga ku nuk mbetet asgjë e dobishme.

Megjithatë, gjithnjë ka patur e do të ketë mësues, profesorë dhe intelektualë të nderuar, të cilët punojnë me forcën e mendjes dhe shpirtit të tyre për bashkëpunimin dhe integrimin midis shqiptarëve. E kam fjalën për individët e heshtur të këtij bashkëpunimi, të cilët lëvizin dhe punojnë me shpenzimet e tyre, duke realizuar kështu programe dhe tekste të njësuara për nxënësit dhe për studentët e Kosovës dhe Shqipërisë. Për shkak të lëvizjes së ndërsjelltë të studentëve për studime dhe specializime pasuniversitare, programet dhe tekstet e përbashkëta bëhën siguri dhe bazë për bashkëpunim të qëndrueshëm e produktiv midis shkollave dhe universiteteve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Duhen programe dhe tekste të përbashkëta për lëndët që zhvillojmë.

Të sigurtë që kurrë nuk do të mund të ishim pjesë e projekteve dhe takimeve bilaterale të politikës dhe militantëve të  institucioneve të arsimit në Tiranë dhe Prishtinë, të tre profesorët që ndodheshim atë ditë të Prillit 2016 në Prishtinë, vendosëm që të punojmë me mjetet dhe shpenzimet tona, për të realizuar tekstet mësimore të përbashkëta për lëndët që mbulojmë.

Në këtë mënyrë, përvoja dhe materialet e sintetizuara e të përdorura në vite e dekada, do të bashkoheshin për t’u përzgjedhur dhe sistemuar për hartimin e teksteve unike, me tematikë dhe terminologji të njësuar e të kuptueshme për nxënësit, studentët dhe specialistët e të dyja vëndeve tona. Të bindur që kjo ishte rruga e vetme për të bërë diçka konkrete, filluam menjëherë punën, e cila u kurorëzua me botimin e tekstit të parë mësimorë për lëndën e Vreshtarisë. Është një tekst i publikuar që në vitin 2018 në Prishtinë. Për këtë tekst bashkëpunuan ngushtë Profesor Bedri Dragusha (profesor i vreshtarisë në Universitetin e Prishtinës) dhe Profesor Lush Susaj (profesor i vreshtarisë në Universitein Bujqësor të Tiranës). Pas tre vitesh, efekti i tekstit të përbashkët duket që është i jashtëzakonshëm. Me të drejtë ndihemi të gëzuar që puna, mundi dhe shpenzimet tona ja vlejtën në të mirë të studentëve dhe shkëmbimeve akademike midis vendeve tona. Për vetë specifikat e teksteve dhe lëndëve profesionale, në këtë rrugë duhej punuar përsëri për të publikuar edhe tekstin tjetër me titull “Praktikumi i Vreshtarisë”. Kjo për shkak se në këtë fushë dhe të gjitha fushat e tjera, prej shumë vitesh ka patur një boshllëk të madh në drejtim të teksteve bashkëkohore e të njësuara për Shqipërinë dhe Kosovën. Kujtoj faktin që teksti i fundit i Vreshtarisë në Shqipëri është punuar dhe botuar në vitin 1972, dhe ka për autor profesorët e nderuar Petraq Sotirin, Todi Gjermani dhe Taso Ninin. Ndërsa në Prishtinë, teksti i fundit për vreshtarinë është punuar dhe botuar në vitin 1982, dhe ka për autorë profesorin e nderuar Bashkim Koronica. Falë profesionalizmit dhe përvojës së pasur e këtyre autorëve, tekstet e tyre i qëndruan shumë mirë kohës deri në ditët e sotme, ku falë futjes së teknologjive të reja dhe kultivarëve tëri në strukturat varietore, nevoja për tekste të reja është e madhe, një problem që duhet zgjidhur për të gjitha disiplinat shkencore. Në këtë drejtim, edhe më e nevojshme ishte puna për integrimin dhe njësimin e termave dhe temave mësimore, në mënyrë të atillë që studentët dhe specialistët e të dyja vendeve të mësoheshin e të natyralizoheshin me terminologjinë dhe sinonimet, që përdoren në tekstet profesionale. Për shëmbull, ishte e nevojshme që të binim dakord për të tilla terma sikurse janë krasitje, kitje apo kimje?. Sikurse ishte e nevojshme që të binim dakord edhe për emërtime të tilla sikurse ato që kanë të bëjnë me frutin e rrushit, që në krahina të ndryshme quhet kalavesh, bistak, vile dhe veshul. Edhe këtë problem e zgjidhëm përmes diskutimeve dhe pasqyrimit të përfundimeve në  tekstin e ri që hartuam. Në këtë mënyrë, përveç tekstit të parë të përbashkët të botuar në vitin 2018, në një bashkëpunim të gjatë me profesorin e vreshtarisë dhe pemëtarisë në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës, u arrit që të botohet edhe teksti tjetër me titull “Praktikumi i Vreshtarisë”. Ky material I sapo dalë nga shtëpia botuese në Prishtinë ka për bashkëautor Profesor Lush Susaj (pedagog i vreshtarisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës) dhe Profesor Gjok Duhanajn (pegagog i vreshtarisë në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës). Teksti mësimorë me titull “Praktikumi i Vreshtarisë”është një libër me 186 faqe, i botuar me ngjyra  dhe me një cilësi shumë të mirë të fotografive, grafikëve dhe ilustrimeve praktike.

Në këtë mënyrë është realizuar bashkëpunimi i sinqertë midis tre pedagogëve të Prishtinës, Pejës dhe Tiranës dhe frutet e këtij bashkëpunimi janë dy tekstet e mësipërme universitare. Kjo tregon se për bashkëpunimin produktiv ka rrugë e mundësi të jashtëzakonshme. Të tilla bashkëpunime tregojnë që problemet e universiteteve tona mund të zgjidhen në mënyrë perfekte në të gjitha rastet kur angazhohen vetë profesorët dhe titullarët e disiplinave shkencore, jashtë burokracive politike dhe tenderave dhe urdhër shërbimeve korruptive. Këto dy tekste të përbashkëta mësimore janë prova më i mirë për mënyrën se si pedagogët dhe msuesit e Shqipërisë dhe Kosovës, mund dhe duhet të bashkëpunojnë e të sakrifikojnë në shërbim të për afrimit dhe kapërcimit të ndasive të krijuara gjatë shekullit të kaluar në fushat e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor: ku puna dhe nevoja më e madhe është e do të mbetet njësimi i programeve dhe teksteve mësimore, në mënyrë të veçantë sqarimi dhe zgjidhja e problemeve, që lidhen me terminologjinë dhe emërtimet.

Në stadin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe Kosovë, më shumë se kurrë më parë ka lindur nevoja që profesorët dhe mësuesit e vendeve tona të ndërtojnë sa më parë urat e komunikimit dhe bashkëpunimit në shërbim të zgjidhjes së këtyre punëve me impakt dhe rëndësi të jashtëzakonshme në jetën shoqërore e politike të shqiptarëve. Unë besoj në profesionalizmin dhe në dashurinë e madhe që kanë mesuesit dhe profesorët për Shqipërinë dhe për Kosovën. Shumë shpesh kemi parë e po shofim mënyrën se si politika na ka ndarë e na ka vonuar në rrugën dhe mjetet e bashkëpunimit dhe integrimit, ndërsa shpirti dhe dashuria gjithnjë na kanë bashkuar e do të na ndriçojnë rrugën e bashkëpunimit dhe integrimit ndërshqiptarë dhe europian.