Fjalimi Nolit në vitin 1923: Gishtrinjtë e deputetëve proqeveritarë përballë gjykatores së lartë të popullit 

596
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Lindi më 6 janar 1882 me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin shqipfolës İbriktepe, në Trakinë Lindore, asokohe vilajeti i Edrenesë. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. Vdiq më 13 mars 1965 në SHBA Në gusht 1923, zhvillon turne paraelektoral në Shqipërinë e Jugut: Vlorë, Fier, Berat, Korçë, Ersekë, Bilisht, Pogradec, Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë. Kryefjala e fjalimeve të tij nëpër mitingjet që organizohen në kuadrin e lëvizjes popullore për thirrje të Asamblesë Kushtetuese është: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”. Ai demaskon qeverinë e kohës si “Kabinet të pykave”.

Fan  S. Noli, votuesit dhe qeveritarët sipas kategorive të Makiavelit

Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, për “Kabinetin e Pykave” më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundërshtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme. E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën, as për shëndetin, as për arsimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po atje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.

Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira:

  • Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët:
  • Qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit:
  • Qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave

Se ca janë pyka nga dituria, e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti. Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lire, që të përpiqen t´i kundërshtojnë. Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrutshme), duke me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrjeth deficiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken – shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve. Nga padia prishën në vend që të ndërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur, sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë. Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta e tani nuk ekziston më. Një debojë (depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët. Nga padia s´u japin asjnë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.

Cili është programi ynë:

Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndershmit.

Me të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi.

Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë.

Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë.

Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar.

Duam t´i japim popullit liri, e jo tirani.

Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru, po me kanun e me drejtësi.

Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim, e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa.

Duam të ndërtojmë, e jo të prishim.

Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë.

Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arsimit dhe pasurisë përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nëntokë.

Bujqësia/ Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë, të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqësojmë duartë e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës (banorë) se sa ka Shqipëria sot. Për të zhvilluar pasurinë e tokës, Shqipëria duhet ndarë në gjashtë a shtatë zona bujqësore, me një ekspert agronom shëtitës në krye të cilitdo, i cili t´i mësojë katundarët tanë si të mbjellin, si të plehërojmë, si të lërojnë, ç´të mbjellin, si të mbjellin, si të rriten e si të korrin. Me pak harxhe nga anë e shtetit, ndofta më pak se ato që harxhon sot degë e bujqësisë, vendi ynë mund të nxjerrë më shumë drithë, pemë e begëti se sa i duhen për konsumin e brendshëm e të eksportojë tepricën, kur sot pothuaj të gjithë prefekturat importojnë së jashtëmi një pjesë të madhë të ushqimit të tyre.

Shëndetësia/ Raca shqiptare po degjenerohet e po shuhet nga malaria, nga sifilia dhe oftika, nga mosmbrojtja e nënave dhe vdekësia e tmerruar e foshnjave. Me pak harxhe mund të merren masa efektive për të lëftuar tretjen e ngadalshme të racës sonë. Duam që Shqipëria të ndahet në 6-7 zona shëndetësore me mjekë ekspertë për sëmundjet e sipërme. Cilado prej këtyre zonave shëndetësore duhet të ketë dy a tri mamira eksperte shëtitëse, të cilat të kujdesen për nënat me barrë e për shëndetin e foshnjave.

Arsimi / Që ta vëmë arsimin në udhë duhet ta mbushim kokën njëherë e mirë që për shkollat e mesme duhet të importojmë mësonjës të huaj, me anën e të cilëve të krijojmë mësonjës modernë për të nesërmen. Për këtë qëllim është absolutisht e nevojshme të fillohet një gjimnaz qendror i plotë, me një degë normale, një degë klasike, një degë teknike, një degë tregëtare, me mësonjës të huaj. Shtatë a tetë gjysmë gjimnaze pregatitëse duhen themeluar prapë me mësonjës të huaj nëpër qytete më me rëndësi për të ushqyer gjimnazin qendror. Veçanërisht duhet të importojmë mësonjës ekspertë të gjimnastikës e të muzikës, për të forcuar trupin, për të zbutur shpirtin e racës së re. Nëpër katundet duhet adaptuar sistemi i mësonjësve shëtitës. Pastaj shkollat tona duhen frymëzuar me një mënyrë të atillë që të rriten njerëz për punë e qytetarë me karakter. Problemet e sipërme e veçanërisht atë të arsimit s´mund ta zgjidhë një kabinet prej të paditurish dhe mediokrësh si i sotmi.

Shërimi, pra, është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme.

Po që të mundin zgjedhjet të japin përfundimin e dëshiruar duhet siguruar vota direkte dhe e fshehtë drejtpërdrejt prej tërë popullit. Kam besimin të plotë që populli ynë është mjaft i zgjuar sa të dijë si ta përdorë votën e tij; jam i sigurtë që populli ynë është mjaft trim sa të votojë ashtu si i thotë ndërgjegja. Populli ynë vojti mjaft prej kësaj guverne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara i cili ka thënë ” Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën”.