Presidenti Ilir Meta: Kuvendi aktual, turpi i këtij vendi

312
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shfaqje e parlamentit monist për të spostuar vëmendjen

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pohoi dje se, është përpjekur të qëndrojë larg vendimit të Kuvendit për ta shkarkuar, duke theksuar se është e qartë që Kuvendi kërkon të heqë vëmendjen nga hetimi dhe zbardhja e krimeve zgjedhore dhe spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë. Natyrisht, nuk mendoj, që ka shumë arsye për cilindo, që të jetë i lumtur, por  të paktën duhet të jemi të kënaqur, për faktin se nga epoka e para 25 prillit e Parlamentit monist, po rikthehemi në epokën e pluralizmit politik parlamentar, pavarësisht se zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar dhe duhet të jemi të duruar derisa të përfundojë i gjithë procesi i ankimimit, sipas Kodit Zgjedhor në fuqi. Për shkak se në këtë periudhë kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana juaj për intervista dhe konsiderata të miat, lidhur me shfaqjen më të fundit të Parlamentit monist, ju e dini, që jam përpjekur të qëndroj larg asaj shfaqjeje, sepse ka qenë e qartë se ka qenë e ndërtuar për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore dhe zbardhja e tyre, si dhe për të spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë. Edhe pse Parlamenti ka qenë i shkarkuar që më 25 prill, ju e dini gatishmërinë time për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje, brenda afatit ligjor, që ishte data 10 maj, kërkesë kjo e bërë nga ana ime, që u refuzua prej tyre. Ata e kishin me diktat, që Presidenti i Republikës duhet të linte takimin e planifikuar prej 10 ditësh, sipas Protokollit të Shtetit, me Ministren e Jashtme të Austrisë dhe me Presidentin e Sllovenisë, për t’iu nënshtruar tekave të Parlamentit të 120 deputetëve. Atëherë, fillojmë me pyetjen: Kush e përfshiu Presidentin në fushatë, në datë 10 mars 2021?  Këto janë edhe billboard-et e vendosura në të gjithë Shqipërinë ku është edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Të jeni të sigurt, që këto, nuk i ka vendosur as Presidenti dhe askush nga opozita, pasi siç e dini, pushtetin vendor në të gjithë territorin e vendit, e kontrollon vetëm një parti, por edhe Policinë e Shtetit, si dhe të gjitha institucionet e tjera. Kjo “përfshirje”, një fakt, që e kanë parë të gjithë kudo, është denoncuar sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor, është denoncuar edhe në Prokurori, pavarësisht se ende nuk kemi ndonjë të dhënë nëse është ndaluar dikush, që ka bërë një veprim të tillë tërësisht të paligjshëm, përveçse dhe shumë të kushtueshëm, sepse këto billboard-e kushtojnë shumë. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur! Nuk po japim shfaqje se çfarë është thënë kundër Presidentit, por është e tepër e qartë se të gjitha shqetësimet e Presidentit u verifikuan. Do të ishte mirë të kishim patur zgjedhje model, por e dinë shumë mirë të gjitha ata që duan ta dinë, se Presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve. Është për të ardhur keq, që numri i denoncimeve të krimeve zgjedhore, para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë se sa në vitin 2017. Kjo ka ndodhur për shkak të mos-hetimit të dosjeve të Dibrës dhe të Shijakut, jo vetëm kaq. Por edhe për shkak edhe të sfidës, që është bërë publikisht, për të përsëritur “tërmetin” e Dibrës edhe në Vlorë, kuptohet edhe në të gjithë Shqipërinë. Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill.  Unë pres me shumë qetësi dhe durim, përfundimin e të gjithë procesit të ankimimeve dhe do të bashkëpunoj me shumicën e re, kushdo që do të jetë, edhe me opozitën e re në Parlamentin e ri, gjithmonë në respekt të Kushtetutës, të procesit të integrimit evropian dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies,  hap pas hapi, në të gjitha nivelet.

Nuk i plas cipa fare për eurot që morën për shkarkimin e Presidentit

Unë jam përfshirë në fushatë për mbrojtjen e zgjedhjeve, kam bërë fushatë të hapur, denonco krimin elektoral. Janë gati 30 denoncime që janë nisur nga institucioni i Presidentit, në ato institucione që merren me këto çështje. Nuk ekziston ndonjë Kuvend i tillë në të gjithë kuptimin e fjalës. Ai Kuvend është turpi i atyre që e krijuan, përjashtoj atë që ka ndodhur atë ditë që kam qenë në Gjermani, është një nga faqet më të errëta të Shqipërisë. Faqen e zezë të gjitha ata që e bënë këtë gjë. Dhe që nxorën Presidentin e Republikës në pritë, sepse e lanë pa asnjë mbrojtje Republikën. Ka shumë arsye ky Kuvend që iku të votojë në këtë mënyrë, sepse, ju e dini që Presidenti ndaloi në 8 qershor, një gjakderdhje të 2019-ës, e cila do të shërbente për të shpallur opozitën në Shqipëri si një organizatë terroriste. Është normale që ky parlament, nuk më plas cipa fare se sa euro kanë marrë, për të shkarkuar Presidentin. Ata donin të pushtonin Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë institucionet dhe zyrat publike, çdo vend pune në Republikën e Shqipërisë, ishte Presidenti dhe populli i jashtëzakonshëm i 2 marsit, që frenoi atë proces. Pavarësisht të gjitha mangësive, vendi shkoi drejt zgjedhjeve që garantojnë një pluralizëm parlamentar. Po kështu, kanë pasur shumë arsye për të bërë këtë shkarkesë mllefi ndaj Presidentit, sepse kam mbrojtur çdo veprim për të cënuar sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë. Njëkohësisht kanë shumë të drejtë, pasi u mësuan keq me 120 deputetë, kartonëngritës. Njeriu kur nuk bashkëjeton dot me llogaridhënien, që është themeli i një Republike Demokratike, normal, pasi të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën, kudo në Shqipëri, në Kavajë. Drejtorët e kujt ishin to që vajtën atje dhe shkaktuan gjakderdhje në zyrën e PD-së. Të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën në Elbasan dhe kush planifikonte që atë dhunë ta shtrinte në të gjithë Shqipërinë sepse mësohesh keq me 120 kartonë në parlament. Sa i takon përpjekjeve të Presidentit.

Tek unë ndikon vetëm Kushtetuta, do të jem këtu deri në korrik 2022!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka komentuar urdhrin ekzekutiv të Presidentit të SHBA, Joe Biden, për të bllokuar pasuritë dhe hyrjen në Amerikë të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. I pyetur nga gazetarët nëse ka emra se kush janë politikanët që e detyruan Presidentin Biden të firmosë këtë urdhër, Ilir Meta deklaroi se “Nuk kam asnjë emër, por ju them se kemi firmosur e bërë publike edhe marrëveshjen e ekstradimit dhe mbështesim çdo gjë”. Kreu i Shtetit u pyet edhe për shkarkimin e tij, nëse do të ndikojë vendimi i Kuvendit në dekretimin e qeverisë së re, duke thënë se “Nuk mund të marrë seriozisht një akt të tillë dëshpërues, të një Kuvendi të shkarkuar prej kohësh. Të një Kuvendi që ua kam thënë edhe ndërkombëtareve, edhe juve, që ka zero opozitë. Madje do i kërkoj falje dikujt, një kolegeje jo shqiptare, që më pyeti për një forcë jo të re politike dhe ja dhashë që atëherë parashikimin 0.3%, por doli aty afër 0.5%. Tek unë ndikon vetëm Kushtetuta e Republikës, nuk ndikojnë këto gjëra. Ndikon tek unë edhe çelja e negociatave. Kam kërkuar t’i bindim të tërë, që të çelim negociatat, se sa më mirë të ecim në këtë drejtim, do vëmë nën kontroll edhe proceset brenda vendit”.

Pyetje: Nëse Kushtetuesja shprehet pro shkarkimit, a do e njihni këtë vendim?

Meta: Kini durim deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm, do jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme. Këto kohë s’do jemi në mënyrë shumë intensive, se do i lëmë kohë të përfundojë procesi zgjedhor i ankimimeve. Me fillimin e sezonit të ri, do jemi shumë aktivë këtu dhe të jeni shumë të qetë.

Pyetje: Do e merrni drejtimin e LSI-së?

Meta: Të ftoj të kthehemi në majë të Jezercës e të Korabit në çdo moment.