…Ferrat dalin kështu me gen të fuqishëm tregtie, të aftë, të zgjuar, aktivë dhe shumë punëtorë…

Kjo jeta jonë e tanishme, e hapur prej katërkanatash, të ofron gjah të mirë për të peshkuar fakte, e ndërtuar shkrime të natyrave të ndryshme. Jetë e hapur, fakte të paçensuruara, shtrirje kohore pa kufi, e ndërtuar personazhe që nuk mendon tashmë se të vjen ndonjë e keqe. Duke ndjekur informacione nga më të ndryshme, nuhatja e kakohshme e zanatit, nuk më la të anashkaloj një urim. Atë e bën Drita Bejleri, që jeton në Manjago, që përfshihet në komunën e Pordenones, e përqendruar në rajonin e Fruili Venecia Xhulia, në Italinë verilindore.
Këtë urim, gruaja e tiranasit të njohur Klito Bejleri, i ndarë nga jeta para do kohësh, ia drejton vëllait Muharrem Ferra, me rastin e 85-së vjetorit të lindjes. Ky urim telegrafik, vuri në lëvizje fantazinë për të ndërtuar një shkrim, me familjen e origjinës së Drita dhe Muharrem Ferra. Drita e bukura si dritë, e pastër si dritë, e shndritshme si dritë, transparente si dritë, mbetet shumë e dashur me të afërmit e saj. Lidhja ime me të qëndron se babai i Dritës, që quhet Hajdar Ferra, është vëllai i gjyshes time Sabrije Ferra.

Lidhjet miqësore janë ruajtur, aq sa mund ta lejojnë kufizimet jo të pakta, të kësaj që quhet koha e sotme. Nga fëmijëria e saj, e deri tani kanë rrjedhur shumë ujra, të cilat kanë lagur kapituj jetësore të kësaj Drita Bejlerit. Hajdar Ferra është emër dhe mbiemër shumë i përmëndur në Durrës dhe jo vetëm. Mbetet në mbiemrin e famshëm Ferra, që thith brenda emra shumë të njohur si Xhemal Ferra (Konti Ferra), Ramazan Ferra, Isuf Ferra dëshmori dhe biznesmeni i famshëm i ditëve tona. Ferrat dalin kështu me gen të fuqishëm tregtie, të aftë, të zgjuar, aktivë dhe shumë punëtorë.

Ky Hajdar Ferra, i biri i Muharremit, nëpunës në kryporen e Vlorës dhe të Kavajës, është vendosur me shtëpi në lagjen shumë të njohur të Sefer Efeniut, madje në pikën dominuese të saj. Se çfarë prirjesh fantastike kishte ky Hajdar Fera për tregti, mjafton të pohojmë, që në moshën 9 vjeçare ngriti dyqan në mes të Durrësit, konturet e së cilës ruhen edhe sot. Përqendrohet në tregti në Venecia dhe merret me prodhimin e rimesos së arrës, që përdorej për mobilje. U blinte trupa arre disa tregtarëve turq, i punonte derisa dilte lulja tërheqëse e rimesos dhe i shiste. Fitimi ishte marramendës.

Në qytetin e Lekos, mësoi përdorimin e barotit dhe të dinamitetit. Arriti të hapë edhe një dyqan pranë shtëpisë dhe në vitet e sistemit të kaluar, krijoi të parën punishte të prodhimit të fishekzjarreve në Durrës. Në Leko zuri miqësi me një tregtar peshku dhe dashurohet me kunatën e tij italiane. Emri i saj është Elizabeta Bruna Berlezze. Bruna nuk kishte prindër dhe u rrit tek e motra. Italiane e bukur dhe mbase Drita e jonë, është kopje e saj. Në vitin 1937 Hajdar Ferra lidh kurorë me këtë italiane fisnike, grua e rrallë dhe punëtore e madhe. Ndonëse periudhë lufte, Hajdar Ferra vazhdonte tregtinë, derisa më në fund përqendrohet në Durrës. Nga martesa me Elizabeta Bruna Berlezze, lindin Muharremi në vitin 1939 dhe me 23 shkurt 1941 Drita. Fëmijë të kohës së luftës. Fëmijë me nënë italiane dhe baba shqiptar.
Sa e ndjeshme është Drita Bejleri, kur kujton nënën e saj. Qan me ngashërim, sikur e keqja të ketë ndodhur punë ditësh. Me 27 maj 1947, në moshën 35 vjeçare, nëna e Dritës dhe e Muharremit, gruaja e Hajdar Ferrës, italinia e përkryer, e bukur si vetë natyra Elizabeta Bruna Berlezze jep shpirt. Sëmundja e rëndë e kapi papritur, duke lënë fare të vegjël Muharremin në moshën 8 vjeç dhe Dritën 6 vjeçe, e pak muaj.

Drita ruan si kujtim disa foto. Pjesë prej tyre, do t’ia bëjmë të njohur edhe publikut. Qan dhe kujton, por jeta kjo është. Hajdar Ferra pas kësaj, krijon martesë të dytë. Me Feridenë shtohen me katër fëmijë, vajzat Sanija, Noxhi, Suzi dhe i vetmi djalë Ali Ferra.
Hajdar Ferra, tregtar shqiptar, që shkëlqeu falë inteligjencës, aftësive profesionale, cilësive të rralla nuhatëse dhe përshtatës i zbatimit të formulave të biznesit. Italia ishte shpirti i tij, për t’u aftësuar në këtë profesion që asnjëherë nuk zbehet. Hajdar Ferra të kujton në miniaturë, karrierën e shkëlqyer të shqiptarit të madh, krutanit të mprehtë dhe virtuoz Xhemal Ferra, i cili asnjëherë nuk e miratoi se qe gjallë epitetin e vënë Konti Ferra.

Kjo është edhe historia me italianen e bukur, zemër madhe, e cila e donte familjen, e donte punën, e donte Shqipërinë si Italinë, por që e mbylli jetën shumë të re. Drita është e prekur me reagimin e saj. Ajo rrëfen dhe qan. I dridhen buzët dhe i përcëllohet shpirti kur kujton fjalën nënë, kur kujton mama Brunën, që përkëdhelitë e saj sapo kishte filluar t’i ndjente. Bruna mbylli sytë, kur Drita e vogël, drita e syve të saj ishte vetëm 76 muajshe.
Viti 2013, Dritën e gjeti me humbje të madhe. Largohet nga jeta, tiranasi i mirë, burri i lartë, që shkëlqeu në Manjago në mjediset italiane Klito Bejleri. Tri fëmijët e familjes Bejleri kanë krijuar vatrat e tyre. Djali i madh, Alketi, jeton në një qytet me Dritën. E i dyti Zijai, që i thërrasin Bushi, është saksofonist i famshëm në qytetin gjerman të Kaiserslautern-it. E shoqja, Dhurata, luan në piano dhe djali i dytë Emiljano ushtron oboj-in. Kanë jetë aktive koncertale dhe janë të dëgjuar kur performojnë edhe si familje. Gjithashtu Emiljano, ndjek studimet e larta për arkitekturë.

Drita Ferra, kujton:
-Kur shkonte Bruna në Krujë, gjyshja Sulltana dhe halla Sabrija, habiteshin me këtë italiane me norma të kohës. Ajo vendosi në shtëpi llambën elektrike, duke zëvëndësuar atë me vajgur. Mblodhi në një rast të gjitha veshjet me lidhëse (ushkur) dhe i zëvëndësoi me llastik. Eh, thonin ato, çfarë na bëri kaurresha kur hyri në shtëpi.
Kujtimet janë pa fund. Bruna krijoi respekt të madh edhe për dy vëllezërit Qesja, Xhavitin dhe Xhaferin. Hajdar Ferrën ata e kishin dajë. Shkonin shpesh në Durrës. Madje Xhafa bëri edhe shkollën qytetëse të Durrësit dhe jetoi tek Hajdari, në lartësinë e lagjes Sefer Efeniu. Takimet me Elizabeta Bruno Berlezze-n, me këtë italiane me zemër shqiptareje, ishin nga më mbreslënëset. Humbja e saj i ligështoi të dy djemtë e Hajdar Qesjes, ashtu sikundër të dy fëmijët Dritën dhe Muharrem Ferrën.
Hajdar Ferra është lindur me 1 janar 1900. Dy shifra tejet të rralla dhe të veçanta. Dita e parë e motit dhe fundi i një shekulli dhe lindja e një shekulli tjetër. Jetoi 89 vite, duke mbyllur sytë në 1989-tën. Jeta e tij shumë aktive, veçanërisht në fushën e tregtisë, të prodhimeve të fishekzjarreve, duke qenë ndër të parët që njohu barotin dhe dinamitin. Hajdari i Ferrave krijoi emër edhe si mekanik, i aftë të bënte gjithçka të vlefshme, që i duhej ekonomisë së vogël dhe të madhe.

Drita Bejleri po avancon në moshë. I vëllai Muharrem Ferra edhe ky i zoti si mekanik, i gjithanshëm, është me dy fëmijë Redianën dhe Agimin. Kanë patur baba Hajdar Ferrën dhe nëna e tyre ishte italiania Bruna Berlezze, e lindur në Itali dhe me banesë të përjetshme në Durrës. La trashigimi emrin dhe mirësitë e pafund.
Nga një urim i motrës Drita, për të vëllanë Muharremin, ngacmuam instiktet e zanatit, për t’u shtrirë gjërësisht në fushë të parrahur, të kujtesës për historinë e Hajdar Ferrës, të veprimtarisë së tij dhe të lidhjes martesore me italianen Elizabeta Bruna Berlezze.

Drita Bejleri, vajza e Brunas, jeton në Manjano, në vendin e nënës së saj. Kujtimet për nënën dhe babanë, i kanë krijuar kostumin tërheqës të pleqërisë. Jetëgjatë trashëguesja e dy mbiemrave të njohur të Ferrave dhe të Bejlerit!
Dashuria jote mbetet shumë prekëse për Durrësin e fëmijërisë, për Durrësin tokën e përjetshme të nënës tënde italiane, për shoqërinë dhe miqësinë, që e le si dëshmi e zemrës dhe shpirtit tënd të ndjeshëm.
