Bashkim Sulçe: Njeriu i mirë Idriz Peqini, mjeshtër i shtëpisë së bletëve

349
Sigal

Ai i ngjante bletës. Bleta, kjo punëtore e pashoqe e species së insekteve fluturakë, që në mënyrë instinktive, përmes punës së saj, i bën shërbimin më sublim njeriut, i jep mjaltin  njeriut për shërimin e 40 sëmundjeve, siç thotë populli, ka edhe një thumb për t’u mbrojtur. Sapo një tjetër insekt guxon ta prekë, bleta e shigjeton me thumbin e saj dhe jeta e saj merr fund. Sakrifikon jetën për t’u mbrojtur. Ajo fluturon pastaj rreth 20 a 30 metër më tej dhe bie në tokë e pajetë. “Vdes”,- thotë populli. Është e vetmja gjallesë që njeriu i thotë në mënyrë metaforike: “vdes”! Sepse vetëm njeriu vdes. Kështu i ndodhi edhe atij, mikut dhe punëtorit të palodhur, bletërritësit, njeriut të mirë, Idriz Peqini. Por Idrizi nuk kishte një të dytë që  ta sulmonte. Kurrë s’ka patur  “armiq” në jetën e tij. Ai e kishte të keqen nga brenda, në trupin e tij, të padukshme, memece. Dhe … një ditë të dielë, e padukshmja (çdo njeri e ka një të padukshme në trupin e tij) “ia nguli thumbin” dhe ia rrëmbeu jetën.


Bleta dhe Idriz Peqini ishin shëmbëlltyra e njëra-tjetrës. Ai ishte rritur mes bletëve. Ato e ushqenin dhe ai i ushqente. Një marrëdhënie reciproke e pafjalë. S’ka më bukur. Kishte një jetë që merrej me mirërritjen e bletëve. U shërbente, i ushqente, i mbronte nga ngricat e të ftohtët, i nxirrte nga një kullotë në tjetrën që të kullotnin në lule e bimë të reja, që mjaltin t’ia bënin sa më aromatikë njeriut. Kur çelte lulja, ai i merrte kosheret e bletëve e i çonte në Karavasta, apo deri në kodrat e Vlorës. Ka bletërritës dhe bletërritës. Idrizi e donte bletën si evladin. Ka bletërritës që ia përziejnë mjaltin bletës dhe ia shesin qytetarit për të bërë tregti, për të marrë sa më tepër fitim. Kurse me Idriz Peqini kemi një njeri ndryshe. Një njeri të sinqertë, të pastër, të ndërgjegjshëm dhe të hapur me klientelën e tij. Prandaj mjalti i tij është i shumëkërkuar dhe nuk i mbetet asnjë kg mjaltë pa u shitur. Ç’bën e si vepron Idrizi? Ja: Ti ke nevojë për një pagure, dy apo 12 pagure dhe i thua Idrizit. Se Idrizi ka mbi 40 koshere me bletë. Prit, të thotë Idrizi. Prit se nuk e kam vjelë bletën. Dhe vjen një ditë që të bën një telefon. “Hajde se do ta vjel bletën në iks datë. Ti shkon për të blerë mjaltë dhe e shikon Idrizin  teksa përvesh llërët dhe fare pa mbrojtëse në kokë, hap kapakun e kosheres dhe shikon prodhimin e bletës. “Më njohin bletët mua, prandaj nuk më thumbojnë, thoshte me shaka, i ndjeri Idriz. Ato e kanë mbushur hojen e tyre dhe ai i tymos me mjeshtëri që të mos vritet asnjë mizë dhe pasi e merr kornizën me mjaltë, (duart e tij janë mbushur plot me miza, por asnjëra nuk e thumbon të zotin), e fut në centrigugë përpara syve të klientit. Pastaj e mbush paguren me mjaltë bio. Kështu bën ai me çdo njeri, e njeh, apo s’e njeh. “Nuk bëj dot me hile. Ta përziesh mjaltin me sheqer, është gjynah nga zoti”,- thoshte ai. Një të diel, data 14 nëntor 2021, ora 11:30 pushoi së rrahuri zemra e mikut tonë të mirë, Idriz Peqini. Nuk kishte qënë ndonjëherë i sëmurë. Nuk ishte shtruar në spital e as qe kuruar ndonjëherë nga ndonjë sëmundje. Por, ishte ai, “thumbi i padukshëm” i infarktit që na ndjek të gjithëve, që ia mori jetën Idrizit. Idrizi ka lindur në fshatin Sopëz të Lushnjës, më 10/02/1976. Fisi “Peqini” në fshatin Sopëz, në kufi me fshatin Këmishtaj, shquhen si njerëz punëtorë dhe familjarë e fqinjë të mirë. Ishin tre fëmijë. Idrizi, Luti dhe Ilir Peqini. Secili krijoi familjen e tij dhe jetojnë me djersën e tyre. Ai e mbaroi arsimin bazë në fshat dhe  nuk mundi të vazhdonte më lart, sepse gjendja ekonomike e prindërve nuk i premtonte. Që në moshën e rinisë ai ka punuar dhe është kalitur me vështirësitë e punës në bujqësi. Në moshën 18 vjeçare Idrizi iu përgjigj thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak. Pas disa vitesh punë në kooperativë, atij iu plotësua dëshira që të  kishte edhe familja e tij një njeri në punë shteti dhe e punësuan në ndërmarrjen e Hekurudhës. Punoi në hekurudhë për gati 3ç vjet dhe u shqua për punë me ndërgjergje të lartë, duke marrë  kënaqësinë e vlerësimit nga shokët, të cilët kishin përshtypjet më të mira për Idrizin. Me ndryshimet demokratike, ai nuk abuzoi si shumë të tjerë dhe nuk mori veçse një dynym tokë për frymë. Veç pasionit për mirërritjen e bletëve, ai kishte hobi edhe gjahun. Shpesh herë merrte çiften në krah dhe dilte nga fushat apo nga pylli i kodrave të Gradishtës për të gjuajtur. Kishte edhe shokë nga fshati dhe fshatrat e tjerë dhe shkonin e vinin së bashku. Po kështu ai kishte qejf edhe gjahun e peshkut. Gjuante shpeshherë  së bashku me shokët për peshk. Mendoj, se kjo nuk ishte thjesht një hobi, por edhe një kërkesë e brendshme që diktohej nga nevoja për të siguruar gjellën e fëmijëve, të familjes, sepse ai kishte tre djem, të cilët duhet të rriteshin. Ai u martua më 23 shtator 1990 me Afërdita Hila dhe të dy rritën dhe edukuan 3 fëmijë: Mateus (i datëlindjes 1991), Xhoi (dtl.1996) dhe Kleo (dtl 2006).

          Ja si na u shpreh djali i Idrizit, Xhoi, për babanë

“Eh, çfarë të bëj tani!? Jemi akoma të tronditur nga ikja kaq papritur e babait. Jam shumë i mërzitur. Më mungon shumë prania e tij. Më duket se iku për mungesë kujdesi babai. Ai ashtu e pati të shkruar, por neve djemve dhe mamit na ka mbetur peng, se ai nuk ka qënë i sëmurë ndonjëherë. Nuk e prisnim të na ikte kaq shpejt dhe papritur. E kam pas shumë të mirë babanë. Ka qenë jo thjesht baba për mua, po dhe një shok dhe unë tani ndjehem i vetëm dhe pa përkrahje. Se për çdo gjë ai ka qënë i gatshëm dhe më ka lënë mua bletën e më duket se edhe bletët mbajnë zi për babanë.

Mbase do vdesin dhe ato, se u mungon dora e të zotit. Bleta e njeh të zotin nga aroma e lëkurës. Babai ishte shumë i rregullt dhe na kërkonte llogari. Kur vinte ai te shkolla bisedonte me mësuesit për çdo gjë mbi sjelljen tonë. Kur rrija me babin, ai donte të më njihte me shokët e tij dhe kur shkonte për gjueti, më mbante shumë pranë. Për herë më fliste, më jepte porosi për jetën. E kisha si shok se ai qe shumë i afërt me mua. Më mësonte praktikën se si të punoja me bletën. E hapte pa mbrojtëse, pa rrjetë në kokë kosheren. Sikur e njihnin bletët dhe nuk e hanin. Kishte çifte babai dhe ishte shumë i fiksuar pas gjuetisë, por dhe për peshk kishte qejf shumë. Mbase dhe sepse me këto që sillte, i kishim edhe si gjellë. Bletët i kishte shumë kujdes dhe ishte gati të flinte mes koshereve. Babit i ra infarkt në orën ç të mëngjesit dhe e çuam me ambulancë në spital, në Tiranë. U fut në sallë e bëri ndërhyrje… Doli mirë, se vajta e pashë me mamin, por pasi dolëm jashtë, mbas 1ç minutash, na erdhi lajmi i hidhur se babai kishte ndërruar jetë. Mbylli sytë përgjithmonë, në orën 11:30 minuta të ditës së diel, më 14 nëntor 2021”. Edhe ne, miqve të Idrizit, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shprehim dhimbjen tonë dhe keqardhjen e madhe, duke e kujtuar njeriun e mirë përmes këtij shkrimi në gazetën Telegraf. Sinqerisht, i shprehim ngushëllime familjes së Idrizit dhe të kenë jetën e gjatë djemtë: Qoftë i paharruar emri i tij! U prehtë në paqe dhe fëmijët të rrojnë e ta kujtojnë të mirin, babanë e tyre!”