Astrit Leka: Ja pse NATO e hoqi akuzën e terrorizmit ndaj UÇK-së

647
Sigal

Të pathënat e deritanishme të intelektualit 95- vjeçar, Astrit Leka, sot zv/president i Konfederatës Europiane të Veteranëve të Luftës së dytë Botërore.

SI U NEGOCIUA ME NATO-n PËR HEQJEN E AKUZËS SË TERRORIZMIT NDAJ UÇK-së.

Agron Mema

Në një minierë ari, thesari nuk ka kurrë të mbaruar. Sado i kujdesshëm e nikoqir të jesh në grumbullimin e tij, përsëri do të mbeten grimca të çmuara nëpër galeritë e saj. Mjafton të këmbëngulësh në kërkim dhe gërmim nëpër to. Kurrë fundi nuk ka fund. Kështu ndodh edhe me Astrit Lekën. Maja më e lartë e maleve historike me kuotën 80- vjeçare si dëshimtar dhe aktivist i ngjarve të rëndësishme të popullit tonë në shekullin e kaluar dhe fillimshekullin e ri. Ndoshta rasti më i rrallë, jo në Shqipëri po se po, por edhe në botë, që në një moshë të tillë, 95 -vjeçare, me në aktivitet dhe vujatje të papërshkruara, të ketë energjinë, vitalitetin dhe memorien e një 20 -vjeçari. Do t’ia kishte zilinë edhe një tru elektronik. Se i tillë është. Një arkivë e gjallë e historisë gati shekullore e popullit tonë dhe e luftërave të tij për liri, pavarësi, mbrojtjen e trojeve dhe të drejtave nga padrejtësitë historike që dhimshëm vijojnë prezente edhe sot, për demokratizimin e jetës, politikës dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Le të ndjekim më poshtë rrëfimin e tij me detaje të pa thëna më parë. Sidomos përpjekjen dhe realizimin në negocimin me partnerët e NATO-s për heqjen e akuzës ndaj UÇK-së si organzatë terroriste. Një fitore e madhe për çështjen e ardhmërisë së Kosovës që çoi në pavarësinë e saj si shtet dhe krijimin e ushtrisë së saj shtetërore. Një shërbim i vyer dhe madhor historik i çështjes kombëtare që kreu atdhetari Astrit Leka. Cili është kontributi i këtij intelektuali atdhetar të shquar të kombit tonë në këtë çështje? Ajo dhe detaje të tjera vijnë në intervistën e mëposhtme eskluzivisht për gazetën “TELEGRAF”:

 

PYETJE:-Përshëndetje zoti Astrit! Pavarësisht se ju jeni shprehur në media të vendit dhe të huaja, janë shkruar libra e dokumentarë televizivë për jetën dhe aktivitetin tuaj 80- vjeçar, natyrisht ka mbetur ende diçka pa u thënë. Pikërisht për këto duam të bisedojmë dhe t’i prezantojmë për lexuesin e gazetës “TELEGRAF”. Së pari, si nisi aktiviteti juaj antifashist?

PËRGJIGJE: -Përshëndetje  juve dhe redaksisë së gazetës “TELEGRAF”! Natyrisht që kanë mbetur pa u thënë se janë 80- vite aktivitet, kur mbaj mbi supe 95- vite jete. Unë do flas për disa prej tyre. Linda në qytetin e Sarandës ku xhaxhai im qe nënprefekt dhe babai prokuror. Jetova gjithë jetën deri më 1990 në Tiranë. Tani jetoj në Zvicër, në Gjenevë. Me origjinë jam nga Borshi i Bregdetit, ku sa herë vij, shkoj e vizitoj. Shoh shtëpinë dhe trojet e të parëve të mi, sodis këtë bukuri të rrallë të natyrës së rivierës joniane në brigjet jugore të Shqipërisë. Marr jetë dhe energji. Pas arsimit fillestar shkova për studime në Liceun Francez të Korçës-Kokrispi, ku midis shumë të tjerëve kisha shok edhe Luan Omarin, djalin e Bahri Omarit dhe nip i Enver Hoxhës, në atë kohë e kishim profesor në Lice. Prej pushtimit italian të Shqipërisë, turbullirave dhe trazirave politike nga rezistenca antifashiste e popullit tonë, babai vendosi të më hiqte nga Liceu i Korçës dhe të më regjistronte në Porto Firence, në ‘Kollegjiali Cicogninni’. Fillova studimet, por edhe këtu i ndërpreva. Qe koha kur djaloshi shqiptar, 18- vjeçari Vasil Llaçi, kreu aktin heroik duke qëlluar mbi Viktor Emanuelin e Tretë, Mbretin e Italisë, i cili kish ardhur për vizitë në Tiranë pas marrjes së Kurorës së Mbretërisë Shqiptare. Qe maj i vitit 1941. Ky akt bëri jehonë të madhe në Itali dhe gjithë opinioni italian u indokrinua me urrejtje kundër shqiptarëve, pasi kishim dashur t’u vrisnim Mbretin e tyre, Perandorin. Dhe ndodhi incidenti…Në kolegjin tim një student nga më arogantët, gjithë mllef e urrejtje, në prezencën tonë, shau flamurin tonë kombëtar, flamurin e Skënderbeut, duke e shoqëruar me mjaft fjalë fyese dhe ofenduese edhe ndaj popullit tonë. Qe situatë e padurueshme. M’u ndez gjaku. Isha trupgjatë dhe i fuqishëm. Nuk e durova dot më dhe e godita me grusht. Ra në tokë i përgjakur. Situata u acarua dhe shokët e tij filluan të grumbulloheshin. Mora një karige dhe ju drejtova të gjithëve me fjalët se kush të donte le të afrohej. Në kolegj ishim rreth 600 studentë. U bë problem. Por meqë luaja futboll dhe futbollistët kanë një solidaritet të fortë mes tyre, studentët italianë më thanë ‘që z. Leka ne jemi miq, nuk ka nevojë se pse kështu’. Nga ana tjetër, autoritetet fashiste, për demagogji dhe propagandë, nuk u interesonte zgjatja e këtij incidenti dhe e kaluan duke thënë se neve tanimë jemi një popull me një mbret dhe flamuri shqiptar ka sëpatat e Liktorit. Nuk jemi pushtues, por për të civilizuar dhe sjellë përparimin e zhvillimin tek populli shqiptar nën një mbretëri. Me kaq u mbyll ky incident. Vjen Qemal Stafa, edhe ai student në kolegj, dhe më thotë që të mbahemi fort me flamurin e Skënderbeut. Nuk më përjashtuan nga shkolla se merrte karakter politik dhe kjo nuk u interesonte fashistave për sa thashë edhe më lart. Vendosa me vetveten të mësoja sa më shumë, të isha i pari i klasës, t’u tregoja se nuk jemi lëng groshi. Një ditë Qemal Stafa më thotë: “Astrit, eja të ikim! Të vemi në Shqipëri. Atdheu ka nevojë për neve atje”. Por këtë e tha nga që qe komunist. Unë kurrë nuk u pajtova me lëvizjen komuniste, me lëvizjen çlirimtare dhe luftën kundër fashizmit po. U binda dhe sëbashku u kthyem në atdhe për të filluar luftën kundër pushtuesit dhe lirinë e Shqipërisë. Nisa mësimet dhe aktivitetin antifashist në gjimnazin e Tiranës. Klasa ime ishte më revolucionarja , kishte shumë komunistë. Nga kjo klasë ranë 11 dëshmorë në luftë. Në klasën time bënte pjesë edhe Ramiz Alia e Prokop Murra, e shumë eksponentë të tjerë të lëvizjes komuniste. Kur u ktheva unë, ishte viti 1941 dhe Shqipëria qe i vetmi vend neutral nga lufta në Evropë. Më pas më caktuan në Qarkorin e Rinisë së Elbasanit, si një nga krahinat më të rëndësishme të lëvizjes dhe të luftës se kishte Labinotin dhe Normalen. Aktivitet i gjerë. Vazhdova luftën në batalionin “Çermenika”. Gjatë okupacionit gjerman u ngarkova të punoja me njësitet guerrile të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës, Shkupit që në atë kohë ishte në territorin shtetëror Bullgar, i përkiste Bullgarisë. Gjatë kësaj kohe si guerrilas, në një periudhë tre vjeçare, kryem 45 aksione të guximshme e të rrezikshme, të gjitha të suksesëshme, ideuar, organizuar dhe drejtuar nga unë në shumicën e tyre. Kam pasur shumë peripeci. Gjashtë herë kanë dashur të më pushkatojnë komunistët dhe fashistët pushtues. Po ja dola dhe ja ku jam edhe sot, 95 vjeç.

PYETJE: – Po gjatë luftës e keni takuar Enver Hoxhën, se thatë që e kishit pasur profesor në Liceun e Korçës?

PËRGJIGJE: – Po, e kam takuar. Pas asaj kohe të gjatë ndarjeje nga Liceu i Korçës, për herë të parë e kam takuar më 8 shtator 1943, ditën e kapitullimit të Italisë fashiste. U ktheva në Labinot për të raportuar, apo dhënë llogari siç thoshim atëhere, për detyrën që më kishte ngarkuar Enver Hoxha tek misionet ushtarake anglo-amerikane ku zëvendësova Koço Tashkon. Në atë kohë komunikoja me majorin Neell etj. Po atë natë Enver Hoxha, ish profesori im në Liceun e Korçës, i cili kishte besim tek unë që nga Korça se në Lice, kur harronte diçka në shtëpi, m’i jepte mua çelsat e shtëpisë të shkoja ta merrja e t’ia sillja, nuk dërgonte nipin. Duke e ditur se dija dhe italisht, më tha që të shkoja e të bisedoja me komandën italiane për të dorëzuar armatimin me kusht që ne do t’u falnim jetën. Bëra detyrën e ngarkuar. Disa pranuan e disa jo dhe dihen fatet ku u derdh edhe gjak, si në Gërhot të Gjirokastrës. Më tej vazhdova luftën me detyrat e ngarkuara.

PYETJE: -Cili është aksioni më i rrezikshëm si guerrilas që e kujton dhe po të jepej rasti nuk do ta bëje përsëri, natyrisht nisur nga rrezikshmëria e parë nga pozitat e sotme?

PËRGJIGJE: -Një nga aksionet më të rrezikshme, që është cilësuar si nga më të rrezikshmit e guerriljeve në rrang evropian, i vlerësuar kështu nga historianë dhe vlerësues të Luftës së dytë Botërore, studjues evropianë e të dëgjuar, është aksioni i bërë ndaj ministrit të ekonomisë së asaj kohe. Në këtë aksion të guximshëm i mora ministrit , me armën tek koka, autorizimin e bardhë me firmë dhe vulë. Me këtë autorizim shpëtuam koka njerëzish. Shtoj se ky aksion frymëzoi artistin dhe dramaturgun Ndrek Luca dhe ngjarja u bë subjekt i dramës së tij, u motivua prej tij dhe shkroi dramën “Një firmë me revole”. Drama u vu në skenë dhe u vlerësua me çmim, pavarsisht se heroi kryesor i saj, heroi real, vuante dënimin si “armik i popullit”. Qe viti 1981.

PYETJE:-Thatë që punonit me rininë antifashiste. E keni njohur Ramize Gjebrenë?

PYETJE:-Po. E kam njohur, si jo. Ishte shoqja ime e ngushtë. Kishte flokë të verdhë, sy të kaltër, fytyrë me lëkurë të bardhë gati ëngjëllore, shumë inteligjente dhe me fjalë të ëmbël në buzëqeshjen e shoqëruar. Ishte antifashiste dhe jo komuniste. Qe aktiviste në lëvizjen antifashiste. Qe shumë e dashur dhe miqësore me shokët. Kishte adrenalinën e entuziazmit, ndoshta zoti kish ujdisur bukurinë me zgjuarsinë. Më erdhi keq për fatin e saj. Kur e mora vesh u ndjeva keq. Dhe sot nuk e di si i ndodhi. E kujtoj me respekt dhe dhimbje shoqen time të mirë. E kam një peng që nuk flas dot se nuk di gjë. Shumë gjëra mbetën enigma nga lufta, ashtu si edhe pëshpëritjet për vrasjen e mikut tim Qemal Stafa. Nuk flasim dot për ato që nuk dimë. Shumë ngjarje mbeten enigma nga Lufta. Historia nuk bëhet me hamendësime kur mungojnë faktet, mbeten vetëm paragjykimet, gjë që historia nuk i pranon.

PYETJE: -Ku ju gjeti çlirimi i vendit?

PËRGJIGJE: -Çlirimi i vendit më gjeti partizan në Brigatën  e parë. Dua të them se gjatë Luftës u burgosa dy herë. Për herë të parë u lirova për mungesë provash. Dhe herën e dytë u arratisa me ndihmën e miqve të babait. Funksiononte miqësia në atë kohë. Dhe po të kishe mik, i kishe të gjitha….nuk e di sot….Në Brigadën e Parë u aktivizova përsëri me luftime në Shqipërinë e Mesme sepse e njihja mirë atë territor. Por dua të them se në Labinot, kur u prish marrëveshja e Mukjes për të cilën edhe Enver Hoxha qe dakort dhe vendimi për luftë të përbashkët qe shpallur, papritur kjo marrëveshje u prish me pasojat që dihen. Kujtoj se atë ditë në Labinot kur Miladin Popoviçi mori në dorë formatin e Marrëveshjes së Mukjes, u nxi në fytyrë, nuk e duroi dot “Shqipëri Enike” që qe shkruar në Marrëveshje. Pëshpëriti diçka në serbisht dhe e grisi fletën. …U gris dhe marrëveshja dhe filloi lufta mes njëri -tjetrit. Që nga momenti i prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, ne si familje u distancuam shumë nga komunistët. Ndaj nesh filloi goditja. Pavarësisht se luftoja shumë dhe bëja trimëri të rralla, pabesia udhëtonte pas krahëve të mia. Gjithmonë jam parë me sy jo të mirë nga partia Komuniste e më pas me ndryshimin e saj, PPSH. Thashë pak më lart, se nga burgu gjerman më liruan me ndihmën e miqve familjarë. Dua të kujtoj këtu, se gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, na erdhi lajmi se 104 të burgosurit me mua, shokët e mi të burgut, ishin pushkatuar nga gjermanët. Kisha shpëtuar nëpër gjethe të fikut. Në 28 nëntor 1944 bëra parakalimin, sëbashku me forcat partizane, para udhëheqjes në Tiranë si çlirimtar. Atë ditë u tha zyrtarisht se 28 nëntori ishte dita e çlirimit të Shqipërisë. Më pas u vendos data 29 nëntor. Mund ta vërtetoj me një dokument të ministrisë së mbrojtjes në atë kohë, dokument që e kam në arkivën time, dhe ky dokumet-urdhër thotë se: “kush ka qenë partizan në formacionet ushtarake të LANÇ-it deri në 28 nëntor 1944, meriton medaljen e pjesmarrjes si luftëtar i LANÇ-it”. Unë e kam këtë medalje, por familja ime gjatë 46- vjetëve në komunizëm ka pasur vetëm persekutime.

PYETJE.-Thatë që keni qenë partizan i Brigadës së Parë partizane. Si e keni njohur komandantin e saj, Mehmet Shehun?

PËRGJIGJE:-Mehmet Shehu ishte trim, i zoti. Me kulturë të madhe, madje më shumë se Enver Hoxha. Po qe kriminel.

PYETJE: -Sot në Gjenevë, me se meret Astrit Leka 95 -vjeçar?

PËRGJIGJE: -Jam zv/ president i Konfederatës Europiane të Veteranve të Luftës së Dytë Botërore dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Veteranëve, e cila numëron 37 milionë anëtarë me 188 shtete. Në jubileun e 60- vjetorit të Luftës së Dytë Botërore mbajta fjalimin në emër të gjithë veteranëve të botës, në Minsk të Bjellorusisë, ku dhe u dekorova nga Presidenti Lukashenko. Ata që nuk u dekoruan, të nxitur nga xhelozia dhe smira, më thanë se pse e pranova dekoratën nga Lukashenko, një komunist radikal. Unë ua ktheva se ky komb ka dhënë 1/3 e dëshmorëve në luftën kundër fashizmit. Kam 11 dekorata, çmime, certifikata e vlerësime të panumërta…

PYETJE: -Cili është aktiviteti juaj më i rëndësishëm në Gjenevë?

Përgjigje: -Këtë e bëj publike për herë të parë në gazetën tuaj. Ka të bëjë me UÇK-në dhe historinë kombëtare të shekullit 21. Me pavarsinë e Kosovës dhe ardhmërinë e saj. Në vitin 1998 UÇK-ja ishte në bashin e kundërsulmit duke u etiketuar si organizatë terroriste nga propaganda antishqiptare dhe sidomos ajo serbe. Kjo njollosje jepte pasoja negative. NATO-ja e kishte të domosdoshme nevojën e verifikimit të kësaj  akuze, se a ishte në të vërtetë UÇK-ja terroriste në kohën e luftimeve në ish- Jugosllavi për pavarësinë e Kosovës. Nëse mbetej ky etiketim, kjo njollë ndaj UÇK-së, rrezikohej seriozisht pavarësia e Kosovës. NATO ngarkoi shtetin italian si vend anëtar të saj, që të ta verifikojë këtë akuzë dhe meqë qe edhe afër Shqipërisë. Romano Prodi në atë kohë kryeministër i Italisë dhe Xhorxhio Napolitani në atë kohë ministër i brendëshëm dhe më pas president i Italisë, të mbështetur edhe nga presidenti amerikan Bill Klinton, filluan misionin e verifikimit ndaj kësaj akuze për UÇK-në. Dërguan në shtëpinë time këshilltarët e tyre dhe m’u drejtuan me këto fjalë: “Hetuam në gjithë botën shqiptare dhe na doli se kishte një shqiptar të moshuar në Gjenevë, i cili mund të na jepte një përgjigje të saktë nisur nga një ide e guximshme, se nuk i trembet Millosheviçit, edhe pse duke u bërë armiku numër një i tij. I dëgjova dhe më pyetën se ç’mendim kisha për UÇK-në. Më propozojnë bashkëpunimin dhe më japin ofertën se sa para do për konsultat. Ndërpreva bisedën. U thashë se në shtëpinë time nuk bëhen pazare për çështjen kombëtare shqiptare, prandaj ndërpres ç’do bisedë.. Ata kërkuan ndjesë. Dhe unë duke menduar se largimi im nga kjo ofertë mund t’i çonte ata në një burim tjetër që mund të ishte anti UÇK-së. Dhe kjo sillte pasoja katastrofike kombëtare. Rifilluam bisedën. Avokati im zvicerian, një autoritet shkencor dhe politik, më kritikoi për mos pranimin e parave me arsyetimin, se’ ju keni investuar gjithë jetën që bota vjen dhe ju kërkon në shtëpinë tuaj’. Më këshëlloi që mos bëni bisedime NATO-UÇK në Gjenevë se rrezikon nga agjentët e Millosheviçit që nuk janë të pakët këtu. Mund t’ju hedhin një granatë në shtëpinë tuaj, në katin e dytë, (e dinte avokati saktë shtëpinë time). Avokati më këshilloi që të gjitha takimet t’i bënim jashtë Zvicrës, pasi edhe vetë shteti zviceran do të interesohej se ç’farë bëhet në shtëpinë e Astrit Lekës. Takimet u bënë në Shqipëri dhe në Itali me të dërguarit e UÇK-së, por dhe në vende të tjera europiane. Mbas disa muajsh takimesh nëpër Evropë, delegacioni italian që qe ngarkuar nga NATO-ja na tha se Romano Prodi, ditën e hënë të asaj jave maji, në ora 10, do të kishte përgjigjen se UÇK-ja nuk qe organizatë terroriste, por përkundrazi ajo luftonte për çlirimin e popullit të saj nga zgjedha serbe. Gjatë kësaj kohe, kërkesa nga ana e palës përfaqësuese të NATO-s, që UÇK-ja mos të bënte atentate në ambasadat jugosllave në kryeqytetet evropës, ndoshta qe me vend kërkesa e partnerëve të NATO-s, por nuk ndodhi asgjë. Gjatë gjithë kohës së negociatave mes përfaqësuesve të NATO-s dhe UÇK-së, këta të fundit i merrnin udhëzimet nga Drejtoria Politike e UÇK-së në Kosovë. Kërkesa nga delegacioni që lajmi i deklaratës së Romano Prodit të jepej në media dhe në rrjetet e informimit publik si lajm kryesor, partnerët e NATO-s na dhanë përgjigje se duhet të presim 2-3 javë për këtë publikim. Pas disa ditëh erdhi delegati amerikan Gillbert në Gjenevë dhe mori kontakt  me delegacionet dhe përfaqësuesit italianë që kishin marrë pjesë në bisedime dhe që flisnin në emër të qeverisë së tyre dhe të interesit të NATO-s. Delegati amerikan, që ishte amerikani më anti UÇK-së, i shprehu publikisht dhe në shtyp dhe konferenca, pas bisedimeve me delegatët e UÇK-së, ku unë në këtë bisedë nuk mora pjesë se kishte mbaruar misioni im, ky person, delegat, shpalli në shtyp rezolutën e bisedimeve me UÇK-në. E ndoshta solli dhe luftën e Kosovës. Por këto bisedime sqaruan në opinionin e aleatëve ndërkombëtarë  pozicionin e UÇK-së, por edhe shpëtoi një masakër të planifikuar nga Millosheviçi, për vrasje masive rreth 200 mijë kosovarë. Të gjitha u neutralzuan. Por në shtëpinë e Astrit Lekës ka pasur shumë kohë, edhe pas luftës së Kosovës, një përjetim frike për një farë kohe, me tmerrin e hakmarrjes së Millosheviçit.

FALEMINDERIT ZOTI ASTRIT!

Faleminderit dhe juve!

Intervistë e marrë në janar 2019.