Prostitucion në qendrën e masazhit, arrestohet 35-vjeçari i dyshuar

268
Sigal

Menaxheri i një qendre masazhi në Tiranë është prangosur nga Policia e Shtetit pasi dyshohet se biznesin e tij e kishte kthyer në një “çerdhe prostitucioni”.

Në prangat e Policisë ka rënë 35-vjeçari nga Tirana me iniciale F.H., i cili dyshohet rekrutonte vajza nëpërmjet njoftimeve në gazetë me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte ato që të ofronin edhe shërbime seksuale.

Gjatë operacionit, janë marrë nën hetim edhe katër punonjëset e tij.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Goditet një tjetër rast në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.

Vihet në pranga, për shfrytëzim prostitucioni dhe për përshtatje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi.

Procedohen penalisht dhe 4 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.

Në bazë të provave të grumbulluara, si rezultat e një pune disamujore, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. H., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet njoftimeve në gazetë, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht edhe 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.