Asije Hoxha: “Urdhër i përkthyesit” një ligj i dështuar znj.Margariti

453
Sigal

 

Për të argumentuar mosnjohjen e realitetit nga Ministria e Kulturës në fushën e shqipërimeve shkurtimisht japim një panoramë  të gjenezës së fjalëve -përkthyes- dhe -shqipërues-.

Aleksandër Xhuvani në studimin “Për mjeshtrinë e të përkthyemit ”  analizon që fjalët –me përkthye, përkthim ,– ndërtuar me parafjalën  -për- nuk gjenden tek shkrimtarët e letërsisë së vjetër shqipe Pjetër Budi, Pjetër Bogdani. Në fjalorin e Rossit,-vazhdon Xhuvani ,- në pjesën e parë italisht-shqip, fjalët tradure- traducione i përkthen me fjalët-me sjellë-, -me kthye-. Edhe Kristoforidhi ndër ungjijtë që ka përkthyer përdor fjalën “këthyer” gegënisht dhe “këthyer ” toskërisht. Petrit Imami në librin “Origjina e fjalëve shqip” shkruan: “Eqrem Çabej shpjegon origjinën e fjalës –këthyer- nga latinishtja Çabej thekson se shtresa e parë e huazimeve në gjuhën shqipe nga latinishtja është bërë para shekullit  IV. Nga latinishtja gjuha shqipe ka huazuar 602 fjalë themelore, ndërmjet të cilave  është huazuar edhe fjala –kthej –(konvertere- me kthye).

Rexhep Qosja në librin “Porosia e madhe”  shkruan: “  Naim Frashëri shumë fjalë të reja i krijoi  me anë të parashtesave. Me parashtesën -për –krijoi fjalët e reja- përkëthehet-etj. Sot përdoret në trajtën standarde-përkthehet.

Kolec Topalli, në librin e Imamit shpjegon: “ Emri i shpendit shqipe është formuar nga fjala (s)qep, së cilës i është shtuar parashtesa -sh.  Së pari fjala shqip ka qenë ndajfolje me kuptimin se diçka është “qartë” Këtë e ndeshim në veprën e Gjon Buzukut “Meshari” (1555) “…që vjen me thashunë shqip”.

Fjalori i gjuhës shqipe 1954 ”(fq 399 lexojmë: – përkthej me shpjegimin e kthej nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Fjalët me prejardhje të huaj (kthej ) përgjithësisht nuk e zgjerojnë vargun fjalëformues. Nga fjala kthej është krijuar vetëm fjala e re-përkthej -me format e saj gramatikore trajtë formuese: përkthenjës– përkthim -përkthyes. Ndërsa  në (fq 541) lexojmë fjalën –Shqip (me shpjegimin e gjuhës shqipe) dhe vargun fjalëformues prej saj: shqipëroj -shqipe-shqipërim – shqiptim-shqiponjë –shqiptar-shqiptarçe– shqiptarisht – shqiptarizoj-shqipfolës etj.

Në fjalorët e gjuhës shqipe 1954, 1980, 2002 e në vazhdim shpjegohet qartë kuptimi i fjalës përkthej, që ka karakter përgjithësues, domethënë: kthej nga një gjuhë e huaj në një gjuhë tjetër dhe fjala -shqipëroj që ka karakter përcaktues: nga një gjuhë e huaj në gjuhën shqipe. Dallimet kuptimore që marrin fjalët përkthej dhe shqipëroj janë bërë tashmë pronë e gjuhës shqipe, dhe nuk janë sinonimikë. Edhe në Fjalorin e terminologjisë tekniko-shkencore për letërsisë, përgatitur nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë 1965 janë vendosur të dyja fjalët për përdorim letrar, por jo si sinonimike njera me tjetrën. Në faqen 30 lexojmë –përkthej-përkthim– përkthyes dhe në faqen 37 lexojmë –shqipërim– shqipëroj. Edhe në fjalorin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”1998 përgatitur nga Akademia e Shkencave fjalët e huazuara nga gjuhët e huaja i ndan në grupe: Fjalët e huaja që zëvendësohen plotësisht me fjalët shqipe në të gjitha kuptimet si: inspiroj me frymëzoj; gratis me falas; fjalët e huaja që zevendësohen pjesërisht si fjala ekstrem që zëvendësohet me fjalën skaj, por fjala ekstremist nuk zëvendësohet me fjalë shqipe; dhe fjalët e huaja  që janë bërë pronë e gjuhës shqipe.

Në këtë fjalor  nuk përmendet fjala -përkthyes-, dhe del qartë se nuk është fjalë sinonimike që mund të zevendësohet plotësisht ose pjesërisht me fjalën -shqipëroj. Mbas vitit 2001 shtëpitë botuese filluan që krahas fjalëve -përkthej –përkthyes të përdorin  edhe fjalët shqipëruar-shqipëroi. Fjalë ishte vendosur që në fjalorin e 1954, por që nuk përdorej.

I referohemi disa librave:

“Topi me dhjamë”, GUY de MAUPASSANT, përkthyer nga… 1946

“Kobzari” Taras Shevçenko, përkthyer nga … 1959

“Mizantropi ” Molier, përkthyer nga …1973

“Kthimi i shumëpritur” Sandra Brown, përktheu…. .2004

“ Leksione dashurie”, JACQUELINE WILSON,  përktheu…2005

“ Gjëmimi i malit” Yasunari Kawabata,  përkthyer nga…2005

“Lirika” SERGEJ ESENIN, shqipëruar nga…. 2001

“Kodi i Da Vinçit”, DAN BROWN, shqipëruar nga…..2003

“Qyteti i shtazëve” Isabel Allende, shqipëruar nga …… 2003

“Mjellma e zezë” Sveva Casati Modignani, shqipëroi….. 2006

Në artikullin “Reagojnë përkthyes dhe botues…” botuar në gazetën Standard 7 tetor 2020  lexojmë që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në varësi nga Ministria e Kulturës hedh shashkën për: “Urdhrin e përkthyesit”. Kjo qendër sipas gazetës pa e studiuar togfjalëshin “Urdhër i përkthyesit ” kërkon  të vendosë norma kategorike! Përkthyesit dhe shqipëruesit kanë një vizion të ndryshëm për metodën e punës, që do të përdorin ndaj tekstit në gjuhë të huaj.  Me të drejtë në artikull sqarohet ky dallim: “ Të gjitha  institucionet shtetërore, që kërkojnë përkthyes kanë protokollet e tyre  për licensim për shkak të njohurive shumë specifike që kërkohen …A mund që çdo ministri të krijojë Urdhrin e përkthyesit? Përkthimi në ministri ka të bëjë me ligje dhe praktika juridike nga eksperienca e vendeve të ndryshme. Në këtë rast kemi thjesht përkthime të sakta, sepse një fjalë e gabuar jo vetëm që nuk i shërben qëllimit, por edhe

shtrembëron njohuritë për të cilin është marrë përkthimi. Puna e përkthyesit është më e lehtë, sepse përkthyesi  mjafton që të njohë mirë dy gjuhët dhe realizon një përkthim korrekt. Vetë fjala përkthim ka marrë kuptimin e kthimit korrekt nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Ndërsa puna e shqipëruesit kërkon siç shprehet Pjetër Bogdani: “Që bukur të kumbojë e të kallxojë Arbërisht”. Për veprën  “Çeta e profetëve” (1685)  botuar në dy gjuhë shprehet: “M’u desh pra me djersë të madhe të qis në dritë shumë fjalë plaka dhe të harruara duke përshtatur herë gjuhën tonë me italishten, herë italishten me gjuhën tonë…” Shqipërimi i një vepre letrare kërkon një punë të gjatë dhe mjaft të kujdesshme. Shqipëruesit duhet të njohin mirë dy gjuhët. Kështu për të shqipëruar një  fjali ose paragraf duhet t’i përshtatet  frymës së gjuhës shqipe duke ruajtur kuptimin e përgjithshëm, por duke mos lënë asnjë fjalë pa shqipëruar. Frazeologjia, lidhja e mendimeve, fjalëve duhet të kenë frymën e shqipes. Duhet me i dhënë fjalisë petkun shqiptar. Një përkthim i mirë i një vepre poetike me veçoritë artistike të origjinalit realizon një vepër artistike më vete.

Marrim strofën e parë  të poezisë “Letër nënës”, nga libri i shqipëruar “Lirika” të Sergej Eseninit.

Letër nënës

Gjallë je, moj ti, nënoshka ime?

Gjallë jam edhe unë…Të përshëndes.

Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje!

Izbën tënde deri në mëngjes.

Shqipëroi I Kadare 

Letër nënës

Rron ende , ti rron, moj nëna ime?

Dhe unë rroj. Me mall të përshëndes!

Ç’natë e kaltër, izba në mendime,

seç të rri, të fle gjer në mëngjes.

Shqipëroi  Dh Qiriazi

 

Letër nënës

Si ia shpie moj nënokja ime?

Mirë jam dhe unë.-Të përshëndes!

Në atë izbën tënde paç bekime ,

mbrëmjeve kur muzgu zë të zbresë.

Shqipëroi H Qesko

 

Letër nënës

Gjallë akoma je, nënokja ime?

Gjallë jam dhe unë. Rrofsh e qofsh!

Dritë e mbrëmjes derdhtë ligjërime,

mbi kasollen tënde qoshk, më qoshk.

Shqipëroi D Aagolli

Të katër shqipërimet të krijojnë një ndjesi të këndshme, sepse  shqipëruesit si profesion kanë artin e fjalës, kanë një kulturë të pasur në njohjen e thesarit të gjuhës popullore, frazeeologjisë, zakoneve, traditave, kanë imagjinatë. Për të realizuar në shqip bukur një poezi, përqendrohen në ndërtimin sintaksor të vargut, arrijnë të realizojnë përmbajtjen në kombinimin e fjalëve që tingëllojnë shqip, në ritmin për të realizuar një shqipërim në gjini dhe lloje të ndryshme letrare. Mjeshtria e shqipërimit është ta realizosh veprën më bukur se origjinali. Gjuha shqipe është një gjuhë hyjnore dëshmi e kësaj gjuhe janë shqipërimet e F Nolit, L Poradecit, A Çajupit,  S Luarasit, R Zhvarc , M Kutelit etj. Përkthimet e Nolit, Lasgushit janë më të ndjeshme dhe më të bukura se origjinali. Sot shqipëruesi ka një hapësirë më të gjerë për të  pasuruar njohuritë e tij në këtë fushë, sepse i jepet mundësia të njohë tabanin e gjuhës shqipe, është afër burimeve të etnografisë, të poezisë gojore, të folklorit shqiptar. Çdo përkthyes në radhë të parë është shkrimtar dhe a mund ta ndrydhësh me urdhra talentin e shkrimtarit siç ndodhte në monizëm?  Formulimi  i Urdhrit është jo vetëm fyes, por edhe jashtë kohe. Është një urdhër gjysmak. Iku ajo kohë ku shqipëruesit nuk i përmendej as emri, si në rastin e Gjon Shllakut, që anonim përktheu në mënyrë të përsosur poemën Homerike . Libri i Ismail Kadaresë  “Eskili ky humbës i madh ” në vitin 2001 u përkthye në Hungarisht “Aiszkhulosz, a naby vesztes”. Nëse miratohet “Urdhëri i përkthyesit” kush do ta urdhërojë që të mos përkthejë veprat e tij në gjuhë të huaj ? Kujt do t’i japë llogari Ismail Kadare? Ose Pjetër Bogdani veprën e parë origjinale “Çeta e profetëve” (1685) e botoi në dy gjuhë italisht dhe shqip. Po për veprat e shqipëruara çfarë urdhri do të nxjerrë QKLL ?  Nëse nxjerrim një urdhër absurd do të përfundojmë si në kritikën në një gazetë për shqipërimin e romanit të Dostojevskit “Krim dhe ndëshkim” ku autorja e përkthimit sipas shkruesit …duhej të përkthente gjithshka me besnikëri dhe kuptimi del vetë”,  ose … autorja shqipëron “do të mbeteshin  gjatë ose për një kohë të gjatë”, ndërsa duhet të thoshte “për gjithë jetën,” ose autorja shqipëron “…pa ia ndarë shikimin pyetës fytyrës së tij, ndërsa duhet të thoshte vetëm “pa ia ndarë shikimin pyetës” dhe s’ishte nevoja  të shtonte “fytyrës së tij”. Cili është qëllimi i këtij urdhri? Kush do t’i kontrollojë veprat e shqipëruara?  Ata që nuk dinë se përdorimi i fjalës shqipërim po përdoret nga viti  2001, dhe pas 20 vjetësh del Ministria e Kulturës me Urdhrin e përkthyesit? Në parlamentin shqiptar 1921  kur disa deputetë filluan të diskutojnë për E Koliqin Fan Noli u ngrit dhe tha: A kemi tagër ne të gjykojmë E Koliqin? Kështu është edhe me QKLL. Ka tagër QKLL të gjykojë dhe vlerësojë përkthyesit, që nga ana historike është zanati i parë në botë? Ka tagër QKLL të hartojë një urdhër? Në fjalën e saj drejtoresha e kësaj qendre shpalli vitin 2021 si vitin e hartimit të “Urdhrit të përkthyesit”. Drejtoresha para se të punojë për urdhrin e përkthyesit duhet të lexojë ,për të njohur realitetin, librin e Sergei Eseninit “Lirika” 2001 ku përpara emrit të autorit shkruhet shqipëruar nga I Kadare, V Kokona, Dh Qiriazi, Q Sheme , H Qesko, Ç Skënderi, M Çelo, K Kodra, Z Elshani, I Rugova, D Agolli, L Poradeci, Esat Mëkuli, V Ziko, F Haliti etj. Përsëritet 20 herë fjala shqipëruar. Në 370 faqe vargjet tingëllojnë bukur shqip. Fjalori i zgjedhur është shqip! Këtë duhet të kërkojë Ministria nëpërmjet një udhëzimi nga të gjitha shtëpitë botuese për mos përdorimin e fjalëve të huaja, që nuk janë pronë e shqipes, ose  fjalëve të huaja që kanë sinonimin shqip! Për shkrimin e fjalës sipas shqiptimit shqip, duke përdorur vetëm alfabetin shqip. Në konferencën shkencore të Akademisë së shkencave 2003 në disa kumtesa u trajtua edhe problemi  i emrave të shkrimtarëve të huaj: -Ka shtëpi të huaja botuese, që nuk pranojnë ta japin lejen e përkthimit nëse emri i autorit  nuk do të ruajë trajtën  e gjuhës së vet dhe të shkronjave.  Konkretisht në kopertinë  tek disa libra lexojmë: GUY de MAUPASSANT -SANDRA BROWN- JACQUELINE WILSON-Chode DAN BROWN etj. Të kërkohet me një udhëzim vendosja sipas shqiptimit dhe shkronjave shqip në kllapa.

Ka filluar përgatitja e Urdhrit të përkthyesit. Ka tagër QKLL për të gjykuar shqipërimet  e Lasgushit, që janë më tingëlluese dhe më depërtuese në shpirtin njerëzor sesa origjinali:

“…a nuk je ti o ëndrra ime,

që n’errësirë po ndriçon,

e vjen më prek me nur e hije?

S’je ti që plot prej dashurije,

shpres’ edhe gaz më murmuron?

Kush je ti? Engjëlli me shpresë,

apo një lajkatar pa besë?

Ma hiq tashi këtë dyshim:

Kjo mbase nj’ëndër mund të jetë,

për zemrën time një gënjim,

e ndryshe krejt fat i vërtetë.

Po dhe kështu; jet edhe fat,

veç ty që sot t’i kam besuar.

Më qan me lot shpirti’i ngrat;

e mbrojtje vi për të kërkuar…

Çfarë urdhëri do t’i japë QKLL shqipëruesit të ri të veprës “ the Sekret ” Marenglen Pepa kur të lexojë qartë dhe me emocion : “ Është e pamundur të kontrollojmë çdo mendim që kemi. Studiuesit thonë se ne kemi rreth 60 000 mendime në ditë. E imagjinon dot sa i lodhur do të ndiheshe po të  përpiqeshe t’i kontrolloje të gjitha këto mendime? Për fat të mirë ka një mënyrë më të lehtë: nëpërmjet ndjenjave tona. Ndjenjat na tregojnë se çfarë mendojmë.

Ndjenjat janë  mjeti më i mirë që të ndihmojnë që të krijosh jetën tënde, ndërsa mendimet janë  shkaku parësor i gjithçkaje…(fq 29). Mund të ketë edhe shqipërues të paaftë, por ata skualifikohen menjëherë nga shtëpitë botuese, sepse prishin imazhin e tyre. Shqipëruesit tanë

janë të suksesshëm, edhe sepse  jetojnë me një gjuhë të pasur dhe të sigurtë. Mjafton të citojmë Ismail Kadarenë në  librin “Ftesë në studio” që QKLL të tërhiqet  nga kjo aventurë me   shqipëruesit: “ Shqipja është një nga gjuhët  më të zhvilluara flektive, me nyje e parafjalë. Falë kësaj cilësie, e padyshim gjithë mekanizmave të tjerë të saj, ajo e përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë, sulmin osman…përveç motorit të fuqishëm  të sintaksës, që i jep mundësi të punojë duke i shfrytëzuar edhe dhuntitë sintetizuese të gjuhëve gjermanike, edhe elegancën e gjuhëve analitike latine, (gjuha shqipe i jep material pa fund  dhe të përgatitur shqipëruesit), përveç pasurisë së nyjave, parashtesave e prapashtesave që janë kanxhat që sigurojnë betonarmenë e një gjuhe, sistemit të fjalëformimit (kujto fjalën -shqip dhe vargun fjalëformues të saj) që e ka ndër më të larmishmet, përdorimit të shkathët të  fjalive lidhore që janë ndër mekanizmat më të hollë të një gjuhe, larmisë së theksave të fjalëve dhe shkurtësisë së ndajfoljeve, çka bën që vargu të dallgëzojë lirshëm apo të pritet ngutshëm si në zgrip. Ajo ka dy mënyra zgjedhimi foljor tepër të rradha në botë: habitoren dhe dëshiroren, që i japin hapësira të reja mendimit. Ja, Eskili, më i nderuari e më hijerëndi ndër mysafirët e këtushëm mund të jetë i qetë. Vështirë se do të gjendej një gjuhë tjetër ku do të jepeshin më saktë mallkimet e tij kozmike, klithmat, urimet dhe thirrjet delirante të personazheve të tij. Kjo kryhet në shqip falë formës dëshirore të foljes formë që vjen nga thellësia e kohërave, atëhere kur besohej se mallkimi i shprehur luante një rol të rëndësishëm në shtjellimin e ngjarjeve…”

Shqipëruesit tanë jetojnë në një gjuhë të pasur , që me punë dhe këmbëngulje do të realizojnë shqipërime cilësore duke vazhduar traditën e shqipëruesve të talentuar paraadhëse.