Apokalipsi fashisto-nazist dhe vlerat e Antifashizmit Shqiptar

606

Dr. Moikom Zeqo: Në një vend të pushtuar nga të huajt me një qeveri kolaboracioniste nuk ka luftë civile por vetëm Luftë Çlirimtare. Gabimi me reabilitimin e Ahmet Zogut dhe statuja e tijë përballë Heroit të Kombit Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Asnjë parti tjetër në Shqipëri, nuk e ka në program mbrojtjen e patjetërsueshme të vlerave të Antifashizmit

Antifashizmi, një risi e jashtëzakonshme në historinë e popullit shqiptar

Nga Moikom Zeqo

Në 75 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazi- fashist, vetëdija e kombit shqiptar u vu përsëri në një provë inkandeshente të kuptimit dhe të Kujtesës.
Viti 2019 i ka pasur të dizenjuara jo vetëm vlerësimet për Luftën Nacional Çlirimtare por dhe sulmet e egra kundër kësaj ngjarje madhore. U rindez artificialisht dhe në mënyrë bizare, tepër spekulative një i ashtuquajtur “debat” nga pinjojtë e kolaboracionistëve dhe adhuruesit e një “resurectioni” (ringjalljeje) të ideve të sotme fashiste që janë kaq të dukshme dhe të përhapura në Europë.
Megjithatë mund të them se në asnjë vend tjetër europian nuk ka patur dhe nuk ka një egërsi të tillë për të mohuar Antifashizmin shqiptar, përveç ne Shqipëri.
A kemi të bëjmë me një dukuri sui generis, me një trill, apo me arsye Frojdiane të instiktive dhe të psikologjisë së shqiptarëve, apo me një diversion të alimbikuar kundër historisë shqiptare dhe thelbit jo vetëm të Antifashizmit Shqiptar por dhe të Antifashizmit Botëror.
Tezat bizare dhe fantaziste të disa prej “anonimëve të historisë” se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare qe një luftë civile, janë teza që nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën historike. Dihet që atdheu i parë i fashizmit qe Italia e Musolinit dhe D’Anuncios. Shumë më përpara se sa të vinte në pushtet Hitleri.
Por ai që e njeh historinë e popullit italian e di mirëfilli dhe me siguri se pati dhe një lëvizje të jashtëzakonshme të antifashistëve italianë, vetëkuptohet kundër fashistëve italianë. Në asnjë rast historianët seriozë të Luftës së Dytë Botërore nuk thonë për Italinë se është përfshirë në një luftë civile, sepse koncepti i Antifashizmit në përplasje dhe përleshje me konceptin e Fashizmit nuk kish të bënte as me një materie etnike, as dhe me klasifikime të luftërave civile të cilat kanë karakter krejt tjetër. Por ajo që nuk ndodh në shkencën historike të Italisë, habitërisht reflektohet për gati 30 vjet në mënyrën më patologjike nga disa diletantë të historisë, duke e konsideruar gjoja luftën civile në kundërshtim me të gjitha konceptet determinuese dhe shpjeguese se në një vend të pushtuar nga të huajt, me një qeverisje klienteliste të kolaboracionistëve, nuk ka luftë civile por ka qartazi Luftë Çlirimtare.
Askush nuk e vë në dyshim se lufta kundër kolaboracionistëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit është në substancë një Luftë Antifashiste. Dhe ky klasifikim historik është i pashpërbëshëm dhe i patjetërsueshëm dot.
Kur po bëheshin përpjekjet për formimin e Partisë Socialiste, për të bërë një kapërcim të madh konceptual në kushtet aktuale dhe të së ardhmes, u tregua një kujdes i madh që në programin e PS-së të vihej fakti i nderimit të vlerave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si një shtyllë vertebrore e strukturës mendore dhe politike të kësaj partie.
Asnjë parti tjetër në Shqipëri, që i përket këtyre viteve të estabilishmentit politik nuk e ka në program mbrojtjen e patjetërsueshme të vlerave të Antifashizmit jo vetëm shqiptar por dhe atij botëror siç e ka PS. Pas fitimit të zgjedhjeve parlamentare në mars të vitit 1992, Partia Demokratike e shpalosi programin e saj duke mos vlerësuar Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, përveç përdorimit të ndonjë retorike, që nuk e beson askush dhe sulmoi pikërisht datën 29 nëntor 1944 si datën e Çlirimit të Shqipërisë. Ky nuk ishte thjesht një gabim por një deformim konceptual i PD, që nuk e ka revizionuar deri më sot. Pikërisht këtu e kanë burimin të gjitha qëndrimet kundërshtuese dhe asgjësuese ndaj Antifashizmit Shqiptar. Në të gjitha vendet e rajonit dhe të Gadishullit por dhe në Europë partitë politike që i takojnë dhe të majtës dhe të djathtës apo dhe të qendrës nuk e kanë bërë gabimin dhe marrëzinë për të mohuar vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare. Duhet të sjell këtu në vëmendje të lexuesve se pikërisht Antifashizmi që është një vlerë universale përbashkuese u përdor nga Berisha dhe PD si një atu dhe pikënisje për përçarje të egër dhe të pafund.


Në vitet 1992-1996 unë kam qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë

Ne ishim gjithsej 36 deputetë të PS-së ndërkohë që shumicën e kishte PD dhe partitë e tjera antikomuniste. Në ditët e fundit të majit 1992 Sali Berisha tashmë President i Shqipërisë ndërmori dhe realizoi një akt të përbindshëm: Me urdhër të tij u zhvarrosën komandantët dhe heronjtë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, midis tyre dhe trupi i Enver Hoxhës, i Myslym Pezës, i Hysni Kapos, i Spiro Moisiut dhe dhjetëra heronjve të tjerë. Asnjëherë nuk kishte ndodhur dhe nuk ka ndodhur në Europë një gjë e tillë, një zhvarrosje që ishte një përdhosje e egër, një lloj hakmarrje ndaj figurave emblematike të Antifashizmit Shqiptar. E mbaj mend shumë mirë atë ditë, bashkë me mikun tim Sabit Brokajn shkuam në Pezë ku nipi i Babë Myslymit, Sokol Peza organizoi rivarrimit e eshtrave të figurës legjendare, pa një të dytë si shëmbëlltyrë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Myslym Pezës së pavdekshëm. Dhe mu kujtua historia jonë e shekujve: Gjergj Kastriot Skënderbeun e zhvarrosën jeniçerët turq, Pjetër Bogdanin, shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe udhëheqës i luftës antiosmane në shekullin 17, ja nxorën trupin e vdekur nga varri po turqit dhe ja hodhën qenve në Prizren. Rasti i tretë është akoma më i tmerrshëm, trupat e heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, të atyre që udhëhoqën jo vetëm të Enver Hoxhës dhe Spiro Moisiut, por dhe shumë të tjerëve i përdhunuan vetë shqiptarët.
Por si reagoi Partia Socialiste në këtë rast? Mund të them se jo vetëm deputetët por dhe në përgjithësi elektorati ndoshta i shokuar nga kjo ngjarje nuk reagoi me protesta ashtu siç duhet të ndodhte. Ndërkohë në Muzeun Historik Kombëtar ishte shkatërruar Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe përgjithësisht i festës së 5 Majit si festa e dëshmorëve bëhej veç e veç nga partitë.
Vite më vonë si drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në vitin 2004 kur ishte 60 vjetori i Çlirimit të Atdheut si vit Jubilar, unë përgatita dhe shkrova një projekt për të ringritur dhe rikonceptuar Pavionin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Këtë projekt ja dërgova Fatos Nanos që ishte Kryeministër. Ishte zv/kryeministri i kohës Namik Dokle i cili më përkrahu në këtë projekt. Duke kujtuar se sa të rënda kanë qenë përpjekjet mohuese ndaj Antifashizmit shqiptar vetë kjo ide për të ringritur Pavijonin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dukej si një sfide vërtetë e drejtë, por me shumë vështirësi për shkak të paradoksalitetit të kohës.
Me një përkushtim të pabesueshëm ditë dhe natë me grupin tim të punës punuam në arkivin e shtetit për të gjetur dokumentet origjinale të periudhës nga 7 prill 1939 deri me 29 nëntor 1944. U zbuluan shumë gjëra që shpesh ishin dhe të befasishme për mua. Kryesisht ishin dokumentet italiane, gjermane por dhe ato angleze. Ndërkohë historiani amerikan Bernd Fisher kishte botuar një libër pikërisht për Rezistencën e organizuar Antifashiste të shqiptarëve në vitet 1939-1944. Për fatin e mirë në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar ruheshin shumë relike dhe dëshmi të dëshmorëve dhe heronj të luftës. Kjo ka rëndësi të madhe për arsye se dhe projekte ynë qe një projekt muzeumologjik.
Mund të them se gjatë vitit 2004 jehona në shtypin e printuar dhe Tv për lajmet që vinin nga puna që bëhej në Muzeun Historik Kombëtar ishin të pafundme, madje jehona qe e rrafshit Europian. Meqenëse unë vendosa të ekspozoj automatikun e Antifashistit italian që kishte qëlluar Musolinin dhe të dashurën e tij pati shumë gazetarë italianë, francezë, grekë me të cilët kam biseduar dhe kam dhënë intervista. Gjithashtu vumë në stendat prej xhami edhe armët e nipit të Geringut të vrarë në Pezë por edhe një aparat kinematografik me të cilin ishte bërë një filmim me Brigadat partizane pikërisht me 29 nëntor 1944 në Shkodër.
Vështirësitë për të realizuar projektin muzeumologjik qenë shumë të mëdha. Në atë kohë isha pothuaj i vetëm. Miqtë e mi dijetarë si Pëllumb Xhufi, Ksenofon Krisafi, Fatos Tarifa dhe Paskal Milo në atë kohë nuk kishin pothuajse asnjë lidhje me mua, ata mund të më kishin ndihmuar më shumë. Por shumë veteranë kanë ardhur për të dhënë ndihmesën e tyre gjatë ditëve që punonim intensivisht. Dua të shpreh kënaqësinë time se përgjithësisht gazetarët e shtypit të printit dhe TV kanë qenë shumë korrekt dhe stimulues gjatë ndërtimit të këtij Pavijoni. Njëkohësisht më ka përkrahur dhe Presidenti i Republikës së asaj kohe, Alfred Moisiu i cili i dhuroi Muzeut disa relike të të jatit si dhe një hartë origjinale gjermane që kishte të ravijëzuara lëvizjet operacionale. Kujtoj që ekspozuam dhe dokumentin origjinal të komandës gjermane që vërtetonte datën e çlirimit 29 nëntor 1944.
Përurimi i Pavijonit të Antifashizmit Shqiptar që u bë në 29 nëntor 2004 qe masiv dhe i bujshëm. Në atë kohë në qeverisje qe Partia Socialiste. Por pas një viti në 2005 në mënyrën më të pabesueshme i fiton zgjedhjet Sali Berisha dhe partia e tij. Për shumë vetë kjo qe n jë gjë shokuese dhe e paimagjinueshme. Por ajo që ka ndodhur ka ndodhur.
Kuptohet që pas disa muajve të ardhjes në krye të qeverisjes të Kryeministrit Sali Berisha mua më shkarkuan nga detyra e drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar pa asnjë motivacion sqarues, por thjesht si një “hakmarrje” duke më bërë kështu “një viktimë” të procesit mohues ndaj Antifashizmit shqiptar. Mund të them që për mua heqja nga Muzeu Historik Kombëtar mund të shoqërohej me një detyrë paralele për arsye se unë kisha qenë dhe ministër i Kulturës së Shqipërisë dhe anëtar i Kuvendit për katër vjet. Por një gjë e tillë as nuk mund të imagjinohej. Dua të dëshmoj këtu se i takova miqtë e mi , shokët e udhëheqjes së PS dhe kërkova që ata të reagonin dhe ta bënin një çështje të debatit politik qoftë dhe në Kuvend.
Për fat të keq askush nuk e ngriti zërin dhe nuk reagoi qoftë dhe me një shkrim kundër heqjes time, gjë që më ka bërë të bie në mendime të thella për atë që quhet solidariteti shoqëror për të mbrojtur të vërtetën.
Në një debat të Kuvendit, ministri i Kulturës së asaj kohe zoti Bujar Leskaj në një mocion ku flitej për problemet e kulturës shpjegoi përpara deputetëve socialistë se “Moikom Zeqon e hoqëm se mbronte Datën 29 nëntor si datën e Çlirimit të vendit”. Kjo është botuar në gazetën Koha Jonë.
Por kjo qe absurde sepse megjithëse kishte fituar zgjedhjet Kryeministri Sali Berisha në Kushtetutë ekzistonte dhe nuk u hoq qoftë dhe formalisht data 29 nëntorit si datë e Çlirimit.
Partia Socialiste e ka mbrojtur me përkushtim madhështinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare por mund të kish bërë më shumë. Por ndërkohë ndodhën disa ndryshime që mund të ishin parandaluar. Kështu Bulevardi i Dëshmorëve befas u përgjysmua dhe gjysma tjetër e tij u mbiquajt si Bulevardi Zogu i Parë gjë që ishte një gabim dhe modifikim i keq i historisë. U vu në shesh statuja e Ahmet Zogut me uniformë gjenerali në vijë të drejtpërdrejtë dhe përballë statujës së Gjergj Kastriotit në shesh.
Çfarë luftërash ka bërë Ahmet Zogu? Ai kishte dy luftëra gjatë jetës së tij politike: Luftën e 1920 dhe rezistencën kundër fashizmit. Ishin të tjerë ata që i bënë këto luftëra dhe ende sot nuk kanë statujat e tyre. Akoma më keq gati në kufinjtë e të pabesueshmes kryetari i PS-së Rama jashtë çdo konteksti historik por dhe politik rehabiliton dhe përuron dhe bustin e Mit’hat Frashërit gjë që krijoi debate të mëdha dhe krejt të panevojshme.
Është një aksiomë e politikologut të madh Maks Verber se politikanët nuk kanë tagër të ndërhyjnë për të ndryshuar historinë. Historia është një specialitet i historianëve dhe dijetarëve. Nga ana tjetër mendoj se Bashkia e Tiranës bëri shumë mirë që vendosi portretet e dëshmorëve dhe heronjve antifashistë për ti dhënë sadopak një ngjyrë festive pikërisht 75 vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Qëndrimi ndaj Antifashizmit shqiptar nuk është thjesht një qëndrim ndaj së kaluarës, nuk është as një qëndrim ndaj të sotmes, por është një qëndrim esencial shumë i thellë ndaj së ardhmes. Antifashizmi Shqiptar që nis më 7 prill 1939 që ka Mujo Ulqinakun si heroin e parë Antifashist në rrafsh Europian është historia jonë më e lavdishme. Më 1942 një djalosh i ri Vasil Laçi i bëri atentat Perandorit Viktor Emanuelit dhe ky është një rast unik gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Konferenca e Pezës është gjithashtu krahas Kuvendit të Lezhës në 1444 dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 1878 duke qenë stacione të mëdha të vetëdijes kombëtare. Lufta Antifashiste i pati të tëra modalitetet dhe institucionet e një ushtrie çlirimtare serioze me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, të Brigadave dhe më 1944 numëroheshin 70 mijë partizanë ndër të cilat 7 mijë ishin femra, një tregues ky i mrekullueshëm emancipues.
Nga ana tjetër Shqipëria është vendi unikal në Europë që u çlirua vetë pa futur asnjë këmbë të ushtrive aleate të kohës që dhe kryeqyteti i Tiranës është i vetmi kryeqytet Europian i çliruar nga vetë shqiptarët. Për më tepër armata partizane doli dhe jashtë kufijve shtetërorë për të luftuar falangat fashiste deri në Viçigrad ngjarje kjo e pashembullt në 20 shekuj.
Gjithashtu dua të vë në dukje humanizmin e lartë të popullit shqiptar, jo vetëm që mbahet kampion i shpëtimit të jetëve të hebrenjve por pas 8 shtatorit 1943 me kapitullimin e Italisë fashiste disa dhjetëra mijëra oficerë dhe ushtarë italianë gjetën mbrojte dhe strehim tek shqiptarët, gjë që nuk ndodhi fjala vjen në Jugosllavi apo në Greqi.
Jam i mendimit se ne kemi shkruar gjithmonë një histori empirike të Antifashizmit Shqiptar pa vënë në dukje në raport me rrethanat e kohës dhe të vetë situatës së popullit tonë kontributin e shqiptarëve. Por duhet bërë patjetër një vlerësim më sublim i Antifashizmit Shqiptar jo për apoteozë por për realitet të thekshëm dhe të vërtetë.
Antifashizmi është një shpikje e Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e Parë Botërore është thjesht një përleshje imperialistësh.
Kurse Antifashizmi është një kulturë e re, një ndërgjegje më epërme e njerëzimit, ku për herë të parë shtete dhe sisteme politike të ndryshme u bashkuan siç ishte rasti i Anglisë, i Bashkimit Sovjetik dhe të Amerikës për të luftuar Apokalipsin Fashisto-nazist. Vlera e Antifashizmit Shqiptar është në thelb integrimi me Antifashizmin Botëror me aleatë shumë të mëdhenj që Shqipëria nuk i kishte patur kurrë më parë.
Habitërisht dhe realisht Antifashizmi Shqiptar ndikoi dhe në luftën për çlirimin e Kosovës ku krahas UÇK-së dhe Aleatët e dikurshëm të Luftës së Dytë Botërore si Anglia dhe SHBA bënë “një edicion të dytë” të çlirimit të Kosovës dhe të krijimit të shtetit të dytë shqiptar në Europë.