Aleksandër Dragoti, mjeshtër i realitetit /Dragoti piktori që nderohet në Muzeun Kombëtar të Athinës. “Revolucion” & “Lindje dhe Perëndim” dy pikturat më të reja që përcjellin realitetin shqiptar

2172
Sigal

Pikasso shpiku kubizmin me anë të së cilës  donte të përcillte formën e një shprese të re të jetës.

Dy pikturat e reja moderne të Aleksandër Dragotit që përcjellin realitetin shqiptar

Dragoti është ndër piktorët e pakët që ka në Muzeun Kombëtar të Athinës 8 piktura

Pikturat e tij ndodhen edhe në shtëpitë e politikanëve grek si Simitis, Micotaqis, apo Dora Bakojanis

Albert Z. ZHOLI

Aleksandër Dragoti është një ndër piktorët shqiptarë që tashmë njihet jo vetëm për pikturat e tij cilësore, por edhe për shembullin intelektual ku shpesh herë guxon që me penel të kritikojë problemet e ndryshme politiko-sociale në Shqipëri. Ai tashmë numëron në prodhimtarinë e tij rreth 500 piktura si kompozime, peizazhe, portrete, natyra të qeta, por ku mbizotëron  piktura abstraksioniste, moderne e cila është pëlqyer shumë në Greqi. Aktualisht, Dragoti është ndër piktorët e pakët Ballkanik por edhe ata grek që ka në Muzeun Kombëtar të Athinës 8 piktura. Dhe këto piktura janë pranuar nga një komision special duke e lartësuar dhe vlerësuar maksimalisht pikturën e Dragotit. Në këtë muze janë 8 piktura të titulluara “Athinaja nudo” në stilin modern, abstraksionist, ku Ahthinaja e famshme greke shfaqet në pozicione të ndryshme nudo duke fshehur pjesët intime, ku dalin në pah bukuria, fisnikëria, por dhe mendimi i saj filozofik si një ndër femrat më të ditura në botë. Këto 8 piktura mbeten ndër më të komentuarat në Muzeun e Athinës. Përpos këtyre pikturat e Dragotit ndodhen edhe në shtëpitë e politikanëve grek si Simitis, Micotaqis, apo Dora Bakojanis. Ndërsa në dy pikturat e reja Aleksandër Dragoti shpalos  disa ide dhe mendime tepër filozofike, që përbëjnë një risi në pikturën e tij moderne.

Piktura e parë e tiulluar “Revolucion”

Kjo pikturë denoncon problemet e shumta sociale të kohës që jetojmë në atdheun tonë.  Nëpërmjet vijëzimeve, formave abstrakte  autori denoncon shkatërrimin e materies, të normalitetit, pasi sërish ka filluar të instalohet hakmarrja që është humbja e koshiencës.  Mes mugëtirës së problemeve të shumta këta njerëz hakmarrës ecin në përditshmëri mbi një bazament të thyer.  Autori diku në qendër të pikturës ka vendosur  pionierin e ri, atë pionier të njeriut real të jetës, i cili duhet të dominojë, të bëjë kthesën.  Ky njeri është i rrethuar nga mediokriteti . Pamja e tij, dora e shtrirë për largim, tregon dhe tenton të përcjellë dëshirën e njeriut korrekt për ta zmbrapsur këtë mediokritet.  Në shumë poste, në shumë organizata këta mediokër me brutalitetin, nënvleftësimin, përbuzjen që i karakterizon nga mosformimi i duhur përbëjnë një shëmti të shoqërisë. Ata janë kthyer në bastardë që vetëm mendojnë fitimin e pandershëm.  Ata e keqkuptojnë demokracinë. Demokracia nuk do të thotë humbje virtytesh apo humbje morale. Jo! Duhet të jetë e kundërta.  Ndaj të mësuar me këtë ideologji përfitimi, autori do të tregojë se aktualisht sëmundja më e keqe e shoqërisë është ideologjia  e gabuar dhe jo kanceri. Pikasso shpiku kubizmin me anë të së cilës  donte të përcillte formën e një shprese të re të jetës. Atë të jetës me rregulla, norma bazuar mbi aftësitë, nivelin  dhe punën e ndershme.  Ndaj politika shqiptare ecën kundër rrymës, kërkesave të popullit  pasi ndërtesën e demokracisë  nuk e sheh në këtë prizëm, në këtë këndvështrim. Përkundrazi,  ndërtesa e demokracisë së brishtë shqiptare në këto 30 vjet  ka filluar nga kati i 30 pa çati dhe që kjo çati në gjuhën e piktorit quhet absurditet.  Nëpërmjet simbolikave të vijave dhe formave të ndryshme autori formëzon disa thika imagjinare  që janë pjesë e problemeve botërore. Këto thika nuk janë pambuk, por metali që presin dhe tregojnë atë pjesë të realitetit botëror si varfëria, skamja, luftërat lokale, që ndikojnë dhe në problemet e shoqërisë shqiptare. Portreti  tjetër i sfumuar në qendër të pikturës   qartëson një klloun gjysmë njeri që luan me njerëzit dhe nuk po kupton fatin e tij. Vjen momenti që këta njerëz po ndërgjegjësohen për realitetin që jetojnë dhe po reagojnë. Kjo pikturë në vaj me përmasa 3,5 X 1.5 metër përbën një evolucion në krijimtarinë e Dragotit.

Piktura e dytë e titulluar “Lindje dhe Perëndim”

Tek kjo pikturë autori tregon pozicionin gjeografik por edhe shpirtëror të Shqipërisë. Historikisht shqiptarët kanë dashur të jenë me perëndimin, por koha, pushtuesit, udhëheqësit i kanë orientuar drejt lindjes. Kjo është historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve, një luftë jetësore ndërmjet lindjes dhe perëndimit që e kanë sfilitur historikisht. Në këtë pikturë dominojnë 3 ngjyra: E kuqja ngjyra e dashurisë njerëzore, e triumfit njerëzor. E kaltra që tregon hapësirat e pafundme të jetës dhe globit.  E verdha ngjyra e pastër, që të bën të reflektosh dhe kërkosh paqe, mirësi. Të tria këto ngjyra janë në unitet siç i ka krijuar Perëndia  ku e verdha e paqtë, përqafon të kuqen e gjithësisë të cilat shkrihen në kaltërsinë oqeanike dhe atë qiellore.  Të tria ngjyrat janë dhënë në formë kubiste në vijim të idesë së Pikasos, ku ky unifikim ngjyrash është forma e një shprese të re të jetës. Piktura  është në vaj dhe ka përmasat 1 x 2 metër.