Albert Habazaj: Protokolli i Tiranës dhe Çlirimi i Vlorës

469
Sigal

Në nderim të 100- vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës

PROTOKOLLI I TIRANËS DHE ÇLIRIMI I VLORËS

Bisedimet shqiptare – italiane përfunduan më 2 gusht 1920 me nënshkrimin e një protokolli paraprak në Tiranë.

MSc. Albert HABAZAJ

Shpërthimi i kryengritjes së Vlorës, në kohën kur Roma e ndjente veten të siguruar diplomatikisht për të realizuar synimet e saj imperialiste ndaj Shqipërisë, i përmbysi planet e diplomacisë italiane. Kryeministri Xh. Xholiti u bind, më në fund, se me këtë faktor të ri – me kryengritjen e armatosur të shqiptarëve dhe me jehonën që ajo gjeti në opinionin publik europian – nuk kishte shanse për të siguruar vendimin mbi aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi Shqipërinë. Gjendja e vështirë ushtarake italiane në Vlorë dhe rritja e lëvizjes antiimperialiste brenda në Itali, si rezultat i të cilave, sikurse shprehej Xh. Xholiti, “kishte filluar në shthurje në vetë organet e shtetit”, e detyruan qeverinë e Romës, të fillonte bisedimet me qeverinë e Tiranës për t’i dhënë fund luftës në Shqipëri. Por, në të njëjtën kohë, ajo synoi që, me anën e bisedimeve, të shkëpuste nga qeveria e Tiranës të drejtën për të mbajtur ushtritë e veta në disa pika strategjike të bregdetit shqiptar. Më 29 qershor 1920, Roma  vendosi të dërgonte në Shqipëri si ministër fuqiplotë, agjentin e regjur të imperializmit italian, baronin Alioti (baron Carlo Maria Alberto Aliotti), “për të sistemuar, – sikurse thuhej në komunikatën zyrtare – interesat italiane në Shqipëri dhe për të arritur paqësimin”.

Alioti arriti në Durrës në ditët e para të korrikut dhe ra menjëherë në kontakt me qeverinë e Tiranës. Gjatë bisedimeve që pati me palën shqiptare diplomati italian me anën e shantazheve dhe kërcënimeve, u përpoq ta bindëte qeverinë e S. Delvinës të pranonte projektin e Romës. Por pala shqiptare, në të cilën merrte pjesë dhe Spiro Koleka, si përfaqësues i padeklaruar i Komitetit të Mbrojtjes  Kombëtare, si edhe më parë, i hodhi poshtë këto propozime. Duke kujtuar se po të bindeshin udhëheqësit e Komitetit të Drashovicës që të pranonin kërkesat italiane, do të përulej edhe qeveria e Tiranës, baroni Alioti i ndërpreu përkohësisht bisedimet dhe ndërmori një udhëtim deri në Vlorë, ku ra në kontakt me krerët e Drashovicës. Por edhe kjo orvajtje dështoi. Atëhere autoritetet italiane kaluan përsëri në provokime e kërcënime të hapura. Më 17 korrik 1920 komanda ushtarake e pushtimit në Vlorë shpalli një urdhër – dite, me të cilin njoftohej në mënyrë kategorike se ushtritë italiane jo vetëm nuk do të largoheshin nga Vlora, por se ishin në gjendje edhe ta shtypnin “rebelizmin shqiptar”. Përballë këtij provokimi nuk u tërhoqën as qeveritarët e Tiranës edhe as luftëtarët e Vlorës.

Madje, këta të fundit natën e 22 korrikut 1920 shpërthyen një sulm të furishëm kundër ushtrisë italiane në Vlorë dhe pas disa orë luftimesh hynë përsëri në lagjet e jashtme të qytetit. E bindur më në fund se shpresat e saj për të qëndruar në Shqipëri kishin dështuar plotësisht dhe me qenë se në këto kushte të reja nuk i shërbente më marrëveshja e 29 korrikut 1919 me Greqinë për të përkrahur pretendimet e njëra – tjetrës në Shqipëri, më 22 korrik 1920 qeveria e Xholitit e anulloi marrëveshjen Titoni – Venizellos. Nga ana tjetër, ajo u detyrua t’u jepte fund edhe manovrave diplomatike. Xh. Xholiti thirri në Romë baronin Alioti dhe në vend të tij dërgoi në Tiranë kontin Manxoni për të përfunduar traktatin në bazë të kërkesave të palës shqiptare.

Në këtë mënyrë, borgjezia imperialiste italiane pranoi disfatën që pësoi nga populli shqiptar. Duke shprehur keqardhjen për këtë disfatë, Benito Musolini, përfaqësuesi i rretheve më reaksionare të borgjezisë italiane, shkruante në gazetën “Popolo d’Italia”, më 28 korrik, (sipas HSH 2, ndërsa, sipas botimit të Drejtorisë së Arkivave Shtetërore të Shqipërisë, Tiranë, 1959, “Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917 – 1941”,  ky artikull që mban nr. 56, shënon në f. 64 datën 15 korrik 1920), në artikullin e tij me titull “Amarissimo” (it.: i hidhur, tepër i hidhur; këtu: shumë i hidhur deti Adriatik), duke pranuar disfatën që pësuan ushtritë italiane të pushtimit në LV: “La Caporetto albanese[1]) é infinitamente piu grave dell’ altra che si svolse fra Isonzo e Piave; allora perdemmo posizioni, materiali, uomini e due provincie, ma non perdemmo la volontà di ricominciare e di rivincere: sta volta la nostra disfata é d’ordine morale e l’abbiamo ormai diplomaticamente sigillata come un fatto accettato e compiuto. Poche migliaia di albanesi, senza artiglerie, ci hanno ributtati, fulmineamente, su Valona, e per evitare che ci rigettassero in mare, abbiamo aperto delle trattativa senza risultato”.

Ja dhe përkthimi në shqip i këtij paragrafi: “Kaporetoja shqiptare është shumë më e rëndë se tjetra që u zhvillua midis Izoncos e Piaves; atëhere humbëm pozicione, materiale, njerëz dhe dy krahina, por nuk humbëm vullnetin për të rifilluar dhe rifituar; këtë herë disfata jonë është e rendit moral (ka karakter moral) dhe tanimë diplomatikisht kemi vulosur si një fakt të pranuar dhe të kryer. Pak mijëra shqiptarë pa artileri na hodhën, na përplasën me furi në Vlorë dhe, për të shmangur hedhjen në det, hapëm bisedime pa ndonjë rezultat”[2]. Kaporeto shqiptare tepër të hidhur – e cilëson Duçja Luftën e Vlorës.

Bisedimet shqiptare – italiane përfunduan më 2 gusht 1920 me nënshkrimin e një protokolli paraprak në Tiranë. Në të thuhej se qeveria italiane e respektonte sovranitetin shqiptar dhe integritetin tokësor të Shqipërisë dhe, në përputhje me këtë, do të tërhiqte trupat e saj nga Vlora dhe pjesët e tjera të vendit, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Në pikën e fundit theksohej se protokolli do të mbahej i fshehtë, por me kërkesën e palës shqiptare, në të u shtua edhe se ai do të përdorej nga të dy palët, në rast se çështja shqiptare do të vihej në diskutim në KP. Sipas marrëveshjes që u bë më vonë, largimi i trupave italiane do të fillonte më 17 gusht dhe do të merrte fund brenda 15 ditëve, deri më 2 shtator 1920.

Protokolli i Tiranës qe një fitore e madhe për popullin shqiptar. Me luftën e tyre heroike shqiptarët, të përkrahur nga proletariati italian, e detyruan qeverinë imperialiste të Romës të tërhiqte trupat ushtarake nga Shqipëria dhe të njihte, sipas protokollit, sovranitetin shqiptar mbi Vlorë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, të cilën e kishte shkelur me marrëveshje të fshehta dhe me pëlqimin e fuqive të tjera të mëdha. Ministri i jashtëm i Italisë, konti Karlo Sforza, në raportin që mbajti më 6 gusht 1920 përpara parlamentit italian, u përpoq t’i qetësonte qarqet e egërsuara imperialiste duke pohuar: “Duhet të pranojmë se nuk mund të qëndronim të sigurtë të qetë në Vlorë dhe njëkohësisht të shkaktonim pakënaqësinë dhe keqardhjen e shqiptarëve për pakte ndërkombëtare që duhej të ishin të fshehta, por që nuk mbetën të tilla” (ishte fjala kryesisht për Traktatin e Londrës, të botuar nga qeveria sovjetike) dhe se kur u nënshkruan këto pakte “mbase nuk u muar parasysh zgjimi i ndjenjës kombëtare shqiptare, mdjenjë e cila tani është shtrirë në masat dhe i ka vënë ato në lëvizje, të shkëputura nga sundimi i vjetër i bejlerëve”[3].

Sipas kushteve të protokollit, më 17 gusht 1920 ushtritë italiane filluan të tërhiqeshin nga Vlora në Skelë dhe prej këtej të riatdhesoheshin në Itali. Pas disa ditësh shqiptarët liruan robërit e luftës, gati 1400 ushtarë e oficerë italianë, të cilët gjendeshin në fushat e përqëndrimit në Vajzë e Tepelenë. Qeveria e Tiranës dërgoi menjëherë, së bashku me forcat e xhandarmërisë, edhe autoritetet civile, të cilat morën në dorëzim qytetin. Më 3 shtator 1920, të pritur me gëzim të papërshkrueshëm nga mijëra qytetarë e fshatarë, luftëtarët patriotë me flamurin kombëtar në krye, hynë në Vlorën e çliruar dhe të bashkuar me atdheun e pavarur.

Lufta Kombëtare e Vlorës ishte një fitore e madhe me një rëndësi jetike për pavarësinë kombëtare dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Ajo mbeti e gjallë në kujtimin e popullit shqiptar, si një faqe e lavdishme e historisë së tij dhe u përjetësua në këngët popullore, të cilat u thurin lavdi heronjve të rënë në këtë luftë si Selam Musaj, Zigur Lelo, Toto Hosi, Sino Micoli, Dule Dalani etj.

Fitorja e Luftës Kombëtare të Vlorës pati pasojë të menjëhershme në zgjidhjen e “çështjes shqiptare” nga Fuqitë e Mëdha. Sukseset e patriotëve shqiptarë dhe nënshkrimi i protokollit të Tiranës i hoqën Romës çdo të drejtë për të kërkuar nga KP njohjen e pretendimeve të saj ndaj Shqipërisë. Veç kësaj, qeveria italiane, duke humbur pozitat e veta në Shqipëri, nuk kishte asnjë interes që të lejonte realizimin e pretendimeve greke e jugosllave mbi Shqipërinë. Kështu “çështja shqiptare”, me të cilën nënkuptohej çështja e copëtimit të Shqipërisë, nuk u shtrua  në diskutim nga Konferenca e Paqes. Me luftën e tyre heroike shqiptarët i detyruan Fuqitë e Mëdha ta dërgonin dosjen e “çështjes shqiptare” në arkiv dhe të vulosnin një herë e përgjithmonë pavlefshmërinë e Traktatit të Fshehtë të Londrës