Albert Habazaj: Nermin Vlora dhe gratë e shuqara të Kaninës

1348
Sigal

Ajo mbetet një Ambasadore e kombit, një misionare e rrallë që e lartësoi imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Botë. Puna e saj në fushën e botimeve e ka mbajtur lart flakën e qiririt të kulturës shqiptare

 

Nermin Vlora Falaschi dhe gratë e shquara të Kaninës

 

MSc. Albert HABAZAJ, Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

 

         ***

Prilli dhe maji me lule/ Erdhën vetë a ti i prure?”… Këto vargje brilante të një kënge lirike labe më kujtohen sa herë kundroj portretin e bukur të humanistes Nermin Vlora Falaschi, që ka gjak nëne në Kaninë, tek Plaku i Bardhë i Flamurit. Nermini ka lindur, më 18 prill 1921, në prillin e shpërthimeve të gjelbra horizontesh të kaltra. Mos vallë autori anonim i ka thurur këto vargje kur ka parë këtë Nermin fytyrë engjëllore me bukuri magjike, si të skalitur nga vetë Zoti me dorë? E si mos të çelnin lulet kur shikonin Nerminin?! Bukuria e Nerminit shfaqet në tre përmasa: Në trup, në shpirt, në mendim.

Dy zonja Kanine të historisë së Mesjetës

Historianët, nga studimet e dokumenteve të kohës, shkruajnë edhe për historitë e trishta femërore të Kaninës që nga Maria Frëngu [Muzaka], Rugina Balsha e deri te Donika, bashkëshortja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Ndër zonjat e rënda të Kaninës, princesha Rugina Balsha, e përmendur në folklorin popullor njëlloj si Rozafa apo Argjiroja e legjendave, por ndryshe nga ato, Rugina, njihet si një personazh i mirëfilltë historik. Ajo qëndroi në krye të zotërimeve të Vlorës në vitet 1415-1417. Por Rugina nuk pati fat t’i mbronte zotërimet e saj nga sulmi osman. Pasi dështoi në përpjekjet për t’ia dorëzuar principatën Venedikut ajo u largua në ekzil për t’u vendosur përfundimisht në Korfuz ku dhe vdiq në dëshpërim. Emra të tillë si “shkëmbi”, “përroi” apo “burimi” i Ruginës kanë qenë një lëndë e pasur etnografike e mbledhur dhe publikuar prej kohësh prej studiuesve të kësaj fushe. Folkori e trevës e ka gdhendur në vargje brilante, nëpërmjet teksteve të poezisë popullore të kënduara sipas stileve muzikore të këngës labe:

Pllakosi turku në Vlorë.

Ç’bën që rri, Rugjin’ e gjorë?!

Bën betim, bën betim.

Dil Princesha me kurorë,

Mblidhi djemt’ dhe bëja forrë!

Pashai me tre taborrë

Kërkon të na hedh’ në dorë.

Turqit – topa dhe trumpeta,

Rugjina- gur’ dhe shigjeta.

Rugjina, zemrën si shkëmbi,

Zgjodhi djemt’ e këtij vëndi.

Me shigjeta, jataganë,

Çau turqit, doli ndanë!…

Ndërkohë, që emri i historisë së fundit që lidhet me figurat femërore në Kaninë gjatë sundimit osman, është padyshim ai i Andronika Aranitit, që i flisnin edhe Donika, bijës së princit Gjergj Arianiti, vajza e madhe e njërit prej heronjve gjëmimtarë, tronditës, më autoritarë e të paepur të qëndresës anti-osmane të shekullit XV. Nga botime të niveli akademik, mësojmë se Kanina ka qenë vendlindja e disa figurave që kanë një rol të rëndësishëm në jetën kombëtare dhe të Perandorisë Osmane, ndër to dhe Donika Kastrioti, (shek. XV), bijë e Gjergj Aranit Komnenit Topisë. Donika u bë bashkëshorte e Skënderbeut, me të cilin u martua, në prill 1451; pati një djalë të vetëm, Gjonin. Pas vdekjes së Skënderbeut, bashkë me të birin mërgoi dhe u vendos në feudet e veta në Italinë e Jugut që u ishin lënë si pronë nga mbreti i Napolit, Ferdinandi. Edhe në dhé të huaj lidhjet nuk u ndërprenë me atdheun. Aty u kthye i biri Gjoni, për t’u vënë në krye të kryengritjeve. Më 1492 Donika u kujdes për t’i dërguar së motrës në atdhe ndihmë dhe më vonë ndërhyri pranë qeverisë venedikase për të përkrahur kërkesat e të vëllait, Kostandin Aranitit. Vitet e fundit Donika i kaloi në oborrin e Napolit, ku rriti pranë vetes të nipin e Gjergj Kastroitit (Gjergj Kastrioti II-Skënderbeu i Ri, 1476), i cili prej këndej u nis për të kryesuar një kryengritje në Shqipëri më 1499.

Një zonjë fisnike e Historisë bashkëkohore

Nermin Vlora Falaschi [Tiranë, 18. 04. 1921-Romë, 28. 11.2004, dhe që prej 06.07.2005 prehet përjetësisht në varrezat e qytezës së Kaninës] është një figurë e mbarënjohur, sidomos pas viteve 1990, duke u ngritur në lartësinë e figurave më të dashura të shqiptarëve. Ajo është Ambasadore Kombit, e denjë për këtë titull fisnikërie si drita e diellit për jetën, sepse është ndër jo shumë personalitete të shquara të Diasporës, që kanë merita të veçanta në lartësimin e imazhit të Shqipërisë në botë. E quaj fat, nder e përgjegjësi që e kam njohur nga afër në Shqipëri dhe në Itali, që i kam pasur miq të mëdhenj të dy dhe kam mësuar shumë prej tyre, prej asaj gjuhe të kulluar shqipe të Nerminit, prej atij mendimi të thellë, të gjerë, argumentuar dhe shprehur me aq dashuri nga Nermini e mbështetur aq besnikërisht nga Renzo Falaschi. Fakti që në hollin e banesës së tyre në bllokun e aristokratëve në Romë, Vila Borgese, via Gramsci, n.7, ata kishin varur në mur lart, në krahun e djathtë portretin e Gjergj Kastriotit dhe në krahun tjetër portretin e Ismail Qemalit në përmasa gati sa ¾ e një dere dhome, nuk na flet thjesht për një dashuri romantike të përjetshme të italianit martuar me një shqiptare, por na dhuron mesazhe të mëdha për nderimin qysh në familje (kudoqoftë kjo familje, bërthamë e shoqërisë qytetare të globit), në kontekst, për ato figura të shquara që bënë histori për rrjedhën e kohës në Evropë e në Shqipëri. Fakti që çifti simpatik i fisnikëve të bukur Renzo e Nermin (burri – italian, ambasador i përjetshëm i Italisë, gruaja – shqiptare, humaniste, shkrimtare shqiptare e diasporës) prehen pikërisht këtu në Kaninën e origjinës së të parëve të Nerminit është mesazhi më i lartë i humanizmit me dritë që marrim nga institucioni universal i qetësisë së përjetshme, të vendprehjes pas mosjetës, në se përdorim një neologjizëm kadareian për pasvdekjen. Vërtet që Nermini ka ikur nga jeta fizike, duke kaluar përmasën e përjetësisë, veçse ka lënë pas vetes një pasuri të çmuar diturore, një monument të gjallë shkrimesh me një vlerë të jashtëzakonshme. Nermini “përveç disa teorive të veçanta për prejardhjen e gjuhës shqipe, ka krijuar edhe prozë, poezi dhe sprova në italisht dhe në shqip” Mendojmë se ka rëndësi të theksojmë se përpjekjet e saj gjithëfarëshe në fushën e shkrimeve e të botimeve, e kanë mbajtur ndezur flakën e qiririt të kulturës shqiptare jo vetëm në Itali, por në shumë vise të globit (mbi 12 shtete), ku ka punuar pa iu ndarë të shoqit diplomat. Të dy, me magnetin e shpirtit, mblodhën thërrimet e dritës dhe përjetësisht kullojnë me mjaltë Kanine.