Agim Aliçkaj: Serbia të trajtohet si agresore që humbi luftën

728
Sigal

Çfarë i tha Aliçkaj ish-Sekretarit të Shtetit Kissinger, gjatë përplasjes në Kongres për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë? Roli i diasporës dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të DioGuardi dhe shpëtimi i hebrenjve nga babai

 

Agim Aliçkaj: Serbia duhet trajtuar si çdo agresor që e ka humbur luftën

 

Intervistë të gazetës “Illyria”, në Nju Jork, me Magjistër Agim Aliçkaj, që erdhi në SHBA nga Deçani i Kosovës e u bë shumë shpejt një nga aktivistët më të përkushtuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. 20 vjet pas luftës në Kosovë, ai flet për kontributin e madhe të lobit shqiptar, çastet e fillimit të bombardimeve dhe nevojën për t’iu rikthyer punës në Washington.

 

Intervistoi Ruben Avxhiu, “Illyria”

 

Zoti Aliçkaj, ky që po jetojmë është një vit i nderimeve të shumë 20-vjetorëve. 20-vjetori i dhimbshëm i Reçakut, 20-vjetori i vendimit të vështirë të marrëveshjes në Rambuje, 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, 20-vjetori i çlirimit etj. Janë të gjitha, me të mirat dhe të këqijat edhe një kurorëzim i punës së shqiptarëve në Washington. Ju vetë keni qenë shumë aktiv në Ligën Qytetare si dhe personalisht. Çfarë kujtoni më shumë nga ato vite?

Dëshiroj të të falënderoj ty Ruben, dhe gazetën “Illyria” për mundësinë që t’i shpreh mendimet e mia për ngjarjet dhe situatën. Çdonjeri prej nesh ka shumë për të thënë. Njeherazi, ju përgëzoj për punën e madhe me dekada në të mirë të çështjes sonë kombëtare.

Është 20 vjetori i ngjarjeve shumë të dhimbshme por edhe te lavdishme dhe historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Masakra e forcave terroriste serbe mbi popullsinë civile shqiptare në Reçak e kaloi kufirin e durimit të SHBA-ve dhe vendeve demokratike perëndimore të Evropës. Fjala popullore thotë: “Kriminelin e zen gjaku i viktimës së pafajshme”. Ky akt barbar dhe mospranimi i marrëveshjes së Rambujesë, ishin faktorë shumë të rëndësishëm, në mes të shumë faktorëve tjerë, që ndikuan në vendimin e NATO-s për ta bombarduar Serbinë. Duhet çmuar lart sinqeriteti, drejtësia, burrëria dhe trimëria e ambasadorit amerikan William Walker në paraqitjen reale te masakrës së Reçakut.

Marrëveshja e Rambujesë ishte e vështirë dhe shumë e pavolitshme për Kosovën. Me të mund të arrihej sigurimi i të drejtave të njeriut dhe një nivel i kufizuar autonomie por kurrsesi pavarësia. Pala Kosovare nuk kishte rrugë tjetër përveç nënshkrimit. Duhet t’i falënderohemi arrogancës, budallallëkut dhe kalkulimeve të gabuara të diktatorit komunist Millosheviq dhe bandës së tij kriminale për mospranimin e saj. Serbët shumë e përdorin thënien “Sve ili nishta” ne shqip “Gjithçka ose asgjë” . Ata u munduan të marrin çdo gjë por fituan asgjë, fituan faqen e zezë dhe bombat e NATO-s.

Nga ato ditë të vështira, më kujtohen aktivitetet e panumërta masovike dhe energjia e pashtershme e veprimit te komunitetit shqiptaro-amerikan, demonstratat madhështore të subjekteve të bashkuara nën udhëheqjen profesionale dhe shume të suksesshme të ish-kongresistit Joseph DioGuardi, seancat dëgjimore në Kongresin amerikan ku i mundësohej një populli të vogël e të shtypur për t’i paraqitur padrejtësitë, keqtrajtimin, dhe shkeljen e të drejtave të tij kombëtare, politike dhe njerëzore. Me kujtohet edhe madhështia, mençuria dhe vlerat e larta politike dhe njerëzore të shumë përfaqësuesve të Kongresit amerikan, senatorët Dole, McCain, Biden, D’Amato, Schumer, Pressler, Pell, Lieberman, Helms dhe kongresistet Lantos, Gilman, Engel, Hyde, Boehner, Ed Royce, Rohrabacher, Ros-Lehtinen, Traficant e të tjerë, shumë prej të cilëve çështjen tonë e morën me zemër.

A ju kujtohet se ku ndodheshit në momentin kur filloi ndërhyrja e NATO-s në Kosovë? Si e përjetuat atë moment?

Para televizionit, me familje, në shtëpinë time në Yonkers. Lajmet tregonin se po afrohej momenti i bombardimeve, por gjithmonë ekzistonte mundësia që të ndaleshin, nëse krimineli Millosheviq i telefononte ambasadorit Holbrook se e pranonte marrëveshjen e Rambujesë. Fatbardhësisht, kjo nuk ndodhi dhe kryeministri rus Primakov, që vinte në SHBA për të kërkuar ndaljen e bombardimeve, u kthye mbrapsht në gjysmë të rrugës, i refuzuar nga nënkryetari amerikan Al Gore. Kur filloi bombardimi, të gjithë u ngritëm në këmbë dhe filluam ta përqafojmë njëri-tjetrin. Babai im Arif Aliçkaj filloi të qante dhe ne bashkë me të. Ai ishte me karakter shumë të fortë, ishte hera e parë në jetë që unë e pashë të derdhte lot. Përjetimi vështirë mund të përshkruhet, gëzim, krenari, triumf, shpresë, besim në fitore, por edhe shqetësim. E dija se, që nga ky moment, çlirimi i Kosovës nga thundra shekullore serbe ishte i sigurt. Por, ekzistonte ende një ndjenjë frike dhe shqetësimi se çfarë do të ndodhte në ditët në vijim, sa do t’i kushtonte popullit tonë liria . Dhe, për 78 ditë bombardimi populli shqiptar i Kosovës kaloi nëpër një periudhë të tmerrshme. Shpërngulje masovike me dhunë, vrasje të popullsisë së pafajshme civile, përfshirë gra dhe fëmijë, dhunime, masakra, tortura çnjerëzore dhe zhdukje pa gjurmë. Këto krime makabre të kriminelëve serbë, nuk bën të harrohen kurrë.

Sa i rëndësishëm ishte–sipas jush–roli që luajtën shqiptarët e Amerikës në fatin e Kosovës? A do të kishte ndodhur ndërhyrja e NATO-s pa lobimin modern të më shumë se një dekade në Washington?

Shqiptarët e Amerikës luajtën një rol të pazëvendësueshëm në fitoren e Republikës së Kosovës. Është gjë e ditur se fati i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar vendoset në shtetin më të madh dhe më demokratik të botës, në SHBA. Prandaj, pa lobim profesional dhe efektiv në SHBA vështirë se do të arrihej bombardimi i Serbisë, çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Por, duhet kuptuar se parakusht për këtë ishte rezistenca gjithë popullore në trojet tona. Rezistenca e popullit shqiptar ka filluar në momentin kur këto troje u okupuan nga serbo-sllavët, para më shumë se 100 viteve. Në dekadat e fundit, me shtimin e represionit serb me qëllim të shkatërrimit përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera, rezistenca filloi të bëhet me masovike dhe më e organizuar, së pari me protesta paqësore të udhëhequra nga LDK dhe forcat tjera demokratike e më vonë me luftë të organizuar të prirë nga UÇK. Pra aty, mu në Kosovë, ishte faktori i parë dhe burimi i fitores sonë. Faktori i dytë është lobizmi në Amerikë, pa të cilin Kosova nuk do të bëhej shtet. Pastaj radhiten edhe shume faktorë të tjerë që e ndihmuan këtë arritje të madhe, unë besoj se vet Zoti i madh i bëri bashkë të gjitha për ta shpëtuar kombin tonë nga shkatërrimi.

Si ndodhi që u angazhuat me Ligën Qytetare të Joseph DioGuardit? Si u bashkuat me të? Cilat ishin meritat historike të saj?

Pas marrjes se autonomisë dhe okupimit klasik të Kosovës në korrik të vitit 1990, mbeta pa punë si gati të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ne gusht të atij viti u nisa për në Amerike me shpresë se ky do të ishte një qëndrim i imi i përkohshëm. DioGuardi dhe Liga, me angazhimin e tyre në Washington për Kosovën, ishin bërë të njohur në komunitetin shqiptar, në Amerikë. Unë vura kontakt me DioGuardin nëpërmjet miqve të mi të nderuar vëllezërve Osmani nga Morina e Gjakovës, kontribues të mëdhenj të Ligës dhe të veprimeve lobiste në Washington, për një kohë të gjatë. DioGuardi planifikonte një vizitë në Evropë, në fund të gushtit të vitit 1990. Unë e bëra organizimin e qëndrimit të delegacionit të Ligës te vëllezërit e mi Naimi, Esati dhe Samiu, në Oslo, Norvegji. U mblodhën mjete të rëndësishme financiare dhe u krijua dega e Ligës, në Oslo, nën udhëheqjen e Naimit. Ai për disa vite, derisa unë u forcova materialisht, kontribuoi për anëtarësimin tim në Ligë dhe vetë ishte anëtar i Bordit, deri në pavarësimin e Kosovës.

Unë për një kohë e kam kryer detyrën e Sekretarit të Ligës dhe vazhdoj të jem anëtar i Bordit Ekzekutiv edhe sot. Çdo shqiptar e ka detyrë të japë kontributin e vet kombëtar në vendin ku gjendet dhe me mundësitë që ka. Shqiptarët në mërgim gjithmonë janë interesuar e kanë përkrahur dhe kanë lobuar për kombin e vet, prej momentit që kanë zbritur në dhe të huaj. Por, ishte hera e parë që lobizmi u shndërrua në një veprim të organizuar, modern, masovik dhe shumë efektiv. Mjafton të përmendi vetëm dy deklarata. Presidenti Rugova pat thënë se “Liga ka bërë punë në Washington sa një shtet”, ndërsa krimineli Millosheviq, në Hagë, me dëshpërim deklaroi se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”. Puna e lobit të parë shqiptaro-amerikan- LQSHA është e dokumentuar dhe duhen libra të tërë për ta përshkruar, gjë që do të bëhet në të ardhmen e afërt. Aktivitete të panumërta për tri dekada në mbrojtje të të drejtave të njeriut të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera të okupuara nga sllavo-grekët si dhe afirmimit të çështjes gjithëkombëtare: protesta të ndryshme, demonstrata dhe tubime masovike; seanca dëgjimore në Kongres, takime me senatorë, kongresistë, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve tjera amerikane; takime me gazetarë, deklarata publike, artikuj, intervista dhe debate në shtyp, radio dhe televizion (FOX News, CNN, ABC, PBS, CSPAN, NY Times, NY Post, Washington Times e shumë tjera); organizim të vizitave të gati të gjithë liderëve dhe personaliteteve të njohura nga të gjitha trojet tona në SHBA (Rugova, Berisha, Demaçi, Arbnori, Buxhovi, Qosja, Ramajli, Bukoshi, Xhaferi, Sulejmani, Haradinaj, Sopi, Gjergji, Rexhepi, Gjini, Stavileci, Mustafa dhe shumë të tjerë), si dhe të delegacioneve të Ligës , shumë herë bashkë me senatorë, kongresistë dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës amerikane, kudo në trojet tona sipas nevojës për përkrahje. Duhet veçuar takimi i Presidentit Rugova me Presidentin Clinton, i organizuar nga Gilman dhe DioGuardi. Ky takim, edhe pse i shkurtër, ia dridhi themelet Serbisë. Dëshiroj të nënvizoi edhe faktin se Liga ishte e para, që me deklaratë publike i dha përkrahje të parezervë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në SHBA. Pra, meritat historike të Ligës, themeluesit te saj, Joseph J. DioGuardit, këshilltares për çështje ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, Bordit ekzekutiv dhe të anëtarësisë së gjerë janë të jashtëzakonshme. Aftësia komunikuese dhe depërtuese e Joe’s e përforcuar me aftësitë për analizë, organizim dhe parashtrim të çështjeve të Shirley’t janë të pashembullta.

Do të veçoja dy momente të paharrueshme nga paraqitjet e Joe’s dhe Shirley’t. Në konfrontim me kongresisten serbo-amerikane Helen Delic-Bentley, në dëshminë e mbajtur, në prill të vitit 1990, Joe ia mbylli gojën asaj duke i thënë disa herë: “Unë nuk jam lobist i paguar, unë jam shqiptar etnik”. Ndërsa, në dëshminë tjetër të mbajtur në mars të vitit 1998, Shirley e kundërshtoi hapur ambasadorin Gelbard, i cili më parë kishte deklaruar gabimisht se UÇK ishte organizatë terroriste duke i thënë: “Jo, zoti ambasador, e keni gabim, nuk mund të jenë terroristë ata që i mbrojnë shtëpitë dhe familjet e veta, nëse UÇK është terroriste atëherë edhe unë bashkë me 400 mijë shqiptaro-amerikanë jemi terroristë”. Shto këtu kualitetin e Bordit Ekzekutiv dhe të shumë përkrahësve të Ligës nga gati të gjitha trojet tona, nga gati të gjitha besimet fetare dhe nga shumë lami të jetës.

Është për t’u habitur përpjekja e disa liderëve politikë nga vendet tona dhe përkrahësve të tyre atje dhe në diasporë, disa prej tyre edhe shokë të mi, për ta nënçmuar dhe njollosur personalitetin e Joe DioGuardit dhe punën e tij kolosale në të mirë të çështjes shqiptare. Marrja me të tjerët që në mënyrë të vet i shërbejnë kombit, jo vetëm që është humbje e panevojshme kohe, por është edhe gabim trashanik që i dëmton rëndë interesat tona kombëtare.

DioGuardi, së bashku me kolegun e tij të shquar, nga Kongresi Amerikan, Tom Lantos, ishin të parët që u interesuan për fatin e hebrenjve në Shqipëri dhe promovuan aktin e madh të shpëtimit të tyre nga shqiptarët. Familja juaj ka dhënë një kontribut të veçantë në këtë drejtim, duke ndihmuar në mbrojtjen, shpëtimin e hebrenjve. A mund të na tregoni se si ndodhi kjo?

Vizita historike e DioGuardit dhe të madhit Tom Lantos, në Kosovë dhe Shqipëri në Maj të vitit 1990, përveç avancimit të çështjes së Kosovës, solli edhe një fitore tjetër të madhe për kombin shqiptar. Ata u takuan me udhëheqësin komunist të Shqipërisë Ramiz Alia për ta bindur atë që ta mundësojë demokratizimin e Shqipërisë në mënyrë paqësore. Gjatë bisedimeve, kur ai e kuptoi se Tom Latos ishte hebre, për ta impresionuar, ai solli dosjen plotë me dokumentacion origjinal që dëshmonte për shpëtimin e të gjithë hebrenjve që ndodheshin apo erdhën nga vendet e tjera në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky akt madhor, nën kujdesin e DioGuardit, u autentifikua nga Yad Vashem në Izrael, u shndërrua në libër nga Harvey Sarner, mori famë dhe ndihmon edhe sot në afirmimin e vlerave tona kombëtare. Babai i im, Arif Aliçkaj, i cili, gjatë vitit 1943, kryente detyrën e Sekretarit të komunës se Deçanit, ndihmoi në shpëtimin e familjeve hebreje që iknin nga gjermanët për të shpëtuar jetën. Miku i tij Arsllan Rezniqi (i nderuar zyrtarisht nga Yad Vashem), i cili merrej me tregti dhe kishte shitore në Deçan, i sillte hebrenjtë nga vendet tjera për t’i kaluar në Shqipëri. Babai im siguronte për ta dokumente udhëtimi false me emra boshnjakë myslimanë, për t’i shpëtuar, në rast kontrolli, nga gjermanët. Ata e organizonin strehimin e tyre të përkohshëm te familjet shqiptare në fshatrat rreth kufirit dhe pikë bashkimi e kishin Sharrën e Roshkodolit. Shumë shqiptarë tjerë nga të gjitha territoret tona, emrat e të cilëve ndoshta nuk do të dihen kurrë, morën pjesë në shpëtimin e hebrenjve. Ishte ky një veprim human dhe madhështor i mbarë kombit shqiptarë, bazuar në besën shqiptare dhe traditën pozitive shekullore për ta mbrojtur mysafirin në rrezik, pa dallim feje, race apo kombi.

Ju keni një histori interesante me Henry Kissinger, në seancën dëgjimore, në Kongres, ku ai ishte ndër dëshmitarët që folën para Kongresit Amerikan. A mund të na e tregoni edhe një herë për lexuesit tanë, çfarë ndodhi mes jush dhe ish-Sekretarit të njohur Amerikan të Shtetit?

Në dëgjimin që u mbajt në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kongresit Amerikan, në mars të vitit 1999, përveç senatorit Dole, ambasadores Kirkpatrick dhe Dr. Kissinger foli edhe përfaqësuesja e Ligës, zonja Shirley Cloyes DioGuardi. Ajo e parashtroi me shumë sukses çështjen e Kosovës dhe nevojën për bombardime të NATO-s për ta ndaluar terrorizmin Serb. Vetëm Dr. Kissinger ishte kundër intervenimit. Në pushim, në mes të dy seancave, u afrova te ai dhe duke ia dhënë librin për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri “Rescue in Albania”, i thashë: “Dr. Kissinger, më lejoni që t’ju jap një libër, që tregon për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, gjatë Holokaustit, tregon për shpirtin e madh të popullit shqiptar. Ky popull sot, është duke përjetuar situatë të ngjashme dhe ka nevojë për ndihmën tuaj”.

Ai e shikoi titullin me shumë interes, e bashkoi me dokumentet që kishte dhe më premtoi se do ta lexonte. Unë besoj se ky libër ndikoi që ai në paraqitjet e tij të mëvonshme të dalë me qëndrim të ndryshuar. Ky është shembull i një veprimi të thjeshtë, shumë të lehtë, i cili kur bëhet me zemër dhe qëllim të mirë, mund të rezultojë në një vlerë të madhe.

 

Vijon