5 Shtatori, dita e çlirimit të Skraparit

2208
Sigal

 

Engjëll Musai

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Tomorri

 

 

Sot Skrapari feston 78-vjetorin e çlirimit

5 shtator 1942 – 5 shtator 2012

Skrapari ka një histori të pasur luftrash për liri dhe pavarësi kombëtare, për zhvillim e përparim shoqëror. Skraparasit përpara rrezikut që kërcënonte jetën e tyre, Atdheun, kanë zgjedhur rrugën e trimërisë, rrugën e luftës së armatosur, se historia e Skraparit, si vetë historia  e Shqipërisë  është një gjerdan luftrash të pa prera me pushkë e penë. Në luftën për liri e pavarësi edhe në Skrapar u formuan çetat me Çerçizët e Gramenot e vetë si çeta e Laçe Backës, Riza Kodhelit, Servet Zaloshnjes,  Ali Farmaqit, Sulejman Spatharës, Tajar Vëndreshës etj., ku gjatë viteve 1906 – 1908 çetat e Skraparit u ndeshën disa herë me forcat turke, duke bërë që Skrapari të kthehej në një zonë nën kontrollin e çetave patriotike. Si rezultat i këtyre përpjekjeve më 14 gusht 1912 këtu në Çorovodë luftëtarët e këtyre çetave me në krye trimin Laçe Backa e Sokol Radëshi përzunë Kajmekanin turk, grisën flamurin e osmanllinjëve dhe ngritën flamurin shqipëtar.
Mbas shpalljes së pavarësisë këtyre Çetave iu shtuan edhe çeta e Riza Cerovës e Ali Koprënckës, që luftuan kundër shovinistëve grekë, zhvilluan luftime të përgjakshme, për mbrojtjen e kufijve të Atdheut, duke shuar synimet e grekërve për të pushtuar  Shqipërine e jugut.
Është e njohur beteja që zhvilloi çeta e udhëhequr nga Riza Cerova e Ali Koprëncka zhvilluar në Tepelenë, kundër ushtrisë italiane, duke kapur 300 ushtarë e oficerë me gjithë armatimet e tyre. Lufta e çetave patriotike të Skraparit më 1920 ku morrën pjesë mbi 470 luftëtëtarë Skrapallinj.


Gjendja e vështirë ekonomike
Gjendja e vështirë ekonomike, niveli i mjerueshëm arsimor e shëndetësor gjatë viteve 1924 -1939 ishin faktorët kryesorë, që kjo krahinë mbajti qëndrimin kompakt antizogist. Në vitet 1932 -1935 u bënë tepër të njohura lëvizjet antizogiste të udhëhequra nga Riza Cerova, por dhe e figurave të tjera si Muço Kapinova, Nuri Vlusha, Pasho Hysi, Sinan Leshnja, Myrto Cerova, Ramiz Spathara, Riza Vala, Tajar Grepcka, Nure Dobrusha, Zylyftar Veleshnja, Asllan Osoja,Xhevahir Arapi, Xhafer Kuçi, Taip Vishanji, Riza Kuçi etj. Ndaj këtij antizogizmi, Zogu duke shfaqur urrejtje të vjetër e të re ndaj popullit të Skraparit, mori masa të ashpra duke dënuar 443 vetë me vdekje, burgime të përjetshme apo të përkohshme, që për numrin e popullatës që kishte rrethi në atë kohë, i binte të bënte çdo banor i Skraparit 3 muaj burg mesatarisht.
Skraparasit nuk i kanë qejf mburrjet dhe nuk e veçojnë Skraparin, sepse ashtu siç ka deklaruar Muço Kapinova: “Vlora, Shkodra apo çdo Krahinë tjetër, për mua janë Skrapari, se pa to, as Skrapari nuk është i lirë… “. Nisur nga traditat e lashta atdhetare, duke patur parasysh, gjendjen në kushtet e asaj kohe, Partia në Qarkun e Beratit, piketoi dhe formoi më 14 Mars 1942 çetën “Plakë” të Skraparit, si formacioni i parë luftarak në Shqipërinë e Jugut, pas çetës së Heroit të Popullit, Myslym Peza. Në fillim Çeta ishte e vogël në numër, por shpejt ajo u rrit.

Çeta partizane e Skraparit

Çeta partizane e Skraparit që nga momenti i formimit të saj deri në gusht 1942, ushtroi një veprimtari të dendur propagandistike, duke shkuar fshat më fshat, duke folur për luftën e armatosur që duhej bërë kundër pushtuesve fashistë, jo vetëm në krahinën tonë por edhe në krahinat fqinje të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Gramshit, Beratit dhe Mallakastrës. Kudo që kaloi, ajo ndihmoi në ngritjen e Këshillave Nacional Çlirimtarë. Gazeta “Zëri i Popullit” e porsa botuar në numrin e parë shkruante: “Çeta trime partizane që i ka dalë për zot lirisë së vendit, ju përvesh punës me sakrifica të medha për të luftuar armikun e urryer… Partizanët dhe vullnetarët e lirisë në Skrapar nuk lënë katund pa vizituar, nuk lënë vënd pa mbjellë farën e luftës së drejt, e luftës antifashiste që ben populli shqiptar.”  Në këto rrethana armiku nuk e ndjente vehten të qetë ndaj u përpoq t’a asgjesonte çetën dhe të çarmatoste popullin që ishte vënë në mbështetje të saj. Pikërisht për këtë qeveria kuislinge e Mustafa Krujës, bashkë me pushtuesit fashist, nisën në drejtim të Tomorricës detashmentin me 63 milicë e xhandarë me në krye kapiten Xhaf  Balin, të sigurtë se do t’a shpartallonin çetën partizane dhe bazat e tyre, ata ranë vetë robër se u çarmatosën me turp nga çeta partizane e komanduar nga Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku më 31 gusht 1942 në fshatin Mëlovë.
Plani për shpartallimin e detashmentit nga ana e shtabit të çetës u hartua në shtëpinë e Atdhetarit të shquar Hysen Zaloshnjes.

Jehona e aksionit të Mëlovës
Jehona e aksionit të Mëlovës nga Çeta e Skraparit bëri që fashistët dhe qeveria kuislinge të alarmuar në gjithë Shqipërine, të egersuar nga poshtërimi që ju be duke i çarmatosur e duke i lënë të shkojnë të lirë në shtëpitë e tyre, lëshuan urdhërin për të rrethuar me shpejtësi Skraparin. Ndaj nisën në 3 drejtime forca të shumta të milicisë fashiste. Përballë forcave të shumta të milicisë fashiste, partizanët e çetës së bashku me forcat vullnetare të popullit, pas fitores mbi Xhaf Balin, ishin plot entuziazëm për fitore të reja. Komanda e Çetës më 3 shtator 1942, duke u mbledhur në shtëpinë e atdhetarit të shquar Sinan Leshnja, hartuan planin e sulmit për shpartallimin e forcave fashiste e çlirimin e Çorovodës.  Me punën e saj e komunistëve të tjerë, kjo çetë bëri që ne popullin atdhetar të Skraparit të ngjalleshin traditat patriotike të tij. Armiku po shikonte sesi Tomorri, Ostrovica, Ramija, Taronina e Tënda e Qypit ku kishin luftuar Riza Cerova, Muço Kapinova, Servet Zaloshnja, Ali Farmaqi (Çepani), Myrto Cerova etj., po bëheshin çerdhe shqiponjash partizane ku si rezultat i kësaj pune në popull, radhët e tyre u shtuan saqë në krah të tyre u rrjeshtua i gjithë populli i Skraparit.
Më 4 shtator efektivi i çetës dhe forcat vullnetare që kishin arritur në rreth 1 000 vetë, nisur nga situatat e krijuar, komanda e çetës vendosi që me një pjesë të forcave të rrethohej armiku në Radësh kurse me forcat kryesore të sulmohej e të çlirohej Çorovoda. Mbas luftimesh të përgjakshme, me shpartallimin e batalionit të 10të të milicisë fashiste, në pasditen e 5 shtatorit, në Çorovodë hynë fitimtarë forcat çlirimtare. Popull e partizanë festonin fitoren.
Çlirimi i Skraparit pati një jehonë të madhe sepse ngriti në një shkallë më të lartë moralin dhe bindjen e popullit në mbarë vendin për fitoren mbi fashizmin, për drejtësinë e qëllimeve që kishte lufta partizane, u krijua besimi në popull se fashizmi me luftë të vendosur, me solidaritet e moral të lartë mund të thyhej përfundimisht.

Jehona e aksionit mbërriti deri në Pezë ku ishte duke u zhvilluar Konferenca e Pezës. Madje në rezolucionin e saj thuhej: “Në Skraparin e Riza Cerovës, çeta partizane po zë milicë e karabinierë me dyzina dhe po çarmatos oficerët e tyre.”