Vendimi i qeverisë: Përgjysmohet numri i noterëve

664
Sigal

Shkurtohet numri i përgjithshëm i noterëve që ushtrojnë aktivitetin në vend.Deri në vitin 2026 në total në Shqipëri do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre 189 noterë, ndërsa numri i përgjithshëm i zëvendësnoterëve do të jetë 40. Urdhri i miratuar nga Ministria e Drejtësisë përcakton numrin e ri të totalit të noterëve për çdo bashki të vendit.

Sakaq referuar urdhrit të miratuar nga Ministria e Drejtësië për periudhën 2016 deri tani në total në vend ushtrojnë veprimtarinë 475 noterë, pra do të ketë më shumë se përgjysmim.

Urdhri i Ministrisë të Drejtësisë, bazuar në kriteret që përcakton ligji “Për noterinë” miratuar në 2018 përcakton se në bashkinë e Tiranës deri në 2026 do të ushtrojnë aktivitetin e tyre 40 noterë dhe 20 zv.noterë, në bashkinë Durrës 17, në Elbasan 13, Shkodër 12, Fier 15 noterë dhe zv.noterë, Vlorë 11 etj. Ligji për noterinë përcakton se numri i përgjithshëm i noterëve që kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit ndryshon çdo 5 vjet.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi tha për Monitor se numri i përgjithshëm i noterëve është përcaktuar sipas kritereve të përcaktuara në ligjin e miratuar në 2018.

“Ky numër është përcaktuar pas një studimi disa vjeçar i Dhomës Kombëtare dhe Ministrisë të Drejtësisë bazuar në kriteret e ligjit, përcaktimeve të volumit të punës të noterërve, pozicionit gjeografik dhe zhvillimit ekonomik të secilës bashki në vend”.

Neni 10 i ligjit “Për noterinë” përcakton se numri i përgjithshëm i noterëve që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të jetë më i lartë se numri i përcaktuar nga raporti 1 noter për çdo 15,000 banorë rezidentë, bazuar në të dhënat zyrtare të censusit të fundit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave.

Me ligjin e ri të noterisë Ministri i Drejtësisë, nuk mund të tejkalojë numrin e përgjithshëm të noterëve të parashikuar në raport me banorët rezidentë për çdo bashki, edhe ku raporti noter për banor resident në një bashki mund të jetë më i ulët ose më i lartë se raporti në rang kombëtar.

Znj. Sadushi garantoi se riorganizimi nuk cënon zyrat noteriale dhe shkurtimi i numrit të përgjithshëm do të ezaurohet gradualisht ndër vite. “Të gjithë noterët e licensuar do të vazhdojnë punën. Shkurtimi i numrit të përgjithshëm të noterëve do të vijojë gradualisht, si psh. ata që dalin në pension nuk do të zëvendësohen, siç ndodhte më parë. Me përfundimin e afatit 5 vjeçar numri i përgjithëshëm i noterëve do të rishikohet sërish, pasi ky afat është i përcaktuar në ligj”, pohoi znj. Sadushi.

Vendimet me numrin e përgjithshëm të pozicioneve nuk sjellin pasoja për licencat që u janë dhënë më parë noterëve dhe zëvendësnoterëve.

“Noteri i licensuar fillon aktivitetin në bashkinë në të cilën është licensuar nga Ministria e Drejtësisë. Ndryshimet e mëvonshme për ndarjen administrative territorial nuk kanë efekt mbi selinë ekzistuese të një noteri në detyrë. Ministri i Drejtësisë pas marrjes të mendimit të Dhomës, mund të urdhërojë që një noter i emëruar të kryejë katër ditë në muaj shërbim në një bashkki tjetër brenda të njëjtit rreth gjyqësor, në të cilën nuk vepron asnjë zyrë noteriale”, përcaktohet në ligj.

Dhoma Kombëtare e Noterisë organizohet në 6 degë vendore, për çdo zonë ku shtrin kompetencën e saj një gjykatë apeli. Në degën vendore të noterisë të Tiranës që përfshin Kamzën dhe Vorën numri I noterëve do të jetë 49. Në degën vendore të Durrësit përfshihet Shijaku, Rrogozhina, Elbasani, Kruja, Gramshi, Librazhdi, Peqin.