Tenderët, institucionet shkelin afatet e ankimimit, APP shkresë kontraktorëve: Respektoni ligjin

46
Sigal

Institucionet publike nuk respektojnë afatet e ankimimit nga bizneset për procedurat tenderuese, duke publikuar fituesit apo arkivuar procedurat në sistemin elektronik, pa përfunduar shqyrtimi i tyre. Shqetësimi është ngritur nga Agjencia e Prokurimit Publik, duke iu kërkuar të gjithë enteve kontraktore të zbatojnë legjislacionin në fuqi në këtë drejtim.

Përmes një shkrese, drejtuar të gjithë institucioneve që kryejnë procedura prokuruese për punë, mallra apo shërbime theksohet se janë të detyruar të presin përfundimin e ankimimit, jo vetëm nga Komisioni i Prokurimit Publik, që është institucioni përgjegjës për shqyrtimin e tyre, por edhe përfundimin e proceseve gjyqësore, në rast se çështja shkon në gjykatë.

Sipas legjislacionit në fuqi, operatorët ekonomikë të interesuar mund të bëjnë ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik kundër veprimeve ose mosveprimeve të autoritetit/entit kontraktor.

Në fakt, janë të shumtë bizneset, që shfrytëzojnë këtë hapësirë ligjore, duke qenë se vetëm në periudhën janar – gusht të këtij viti janë 555 subjekte që i janë drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik për të kundërshtuar kriteret apo për vlerësimin e ofertave të dorëzuara në tenderë.

Ndërkohë që, referuar vendimeve të KPP, një numër shumë i lartë i tyre e më konkretisht mbi 66% e totalit, pranohen, duke bërë që procedura të anulohet tërësisht apo të kërkohen ndryshime përpara se të rihapet nga e para.