Specialisti Desar Bardhoshi/ Mbi 70% e sëmundjeve tek njerëzit kanë origjinë kafshët ku përdoren antibiotikë jashtë kritereve

1446
Sigal

Mbi 70% e sëmundjeve tek njerëzit vijnë me origjinë ose kanë si vektor transmetimi, kafshët

 

Përdorimi i antibiotikëve dhe siguria ushqimore jashtë standardeve janë me rrezik për konsumatorët

 

Desar Bardhoshi

 

Vendi ynë, në 27 vitet e fundit, ka kaluar në një tranzicion të thellë, i shoqëruar me ulje-ngritjet e tij. Ashtu si edhe ne çdo sektor tjetër, edhe në sektorin veterinar, vragat e këtij tranzicioni janë të dukshme. Ndoshta, mund të them që sektori veterinar mund të jetë një nga sektorët që ka vuajtur më shumë gjatë këtij tranzicioni. Ndërkohë që sot po bëhet një lufte e madhe kunder antibiotiko-rezistencës, ne vazhdojmë të endemi ne shkretëtirën tonë të tranzicionit.

Evropa sot ka një model të mirë caktuar për shërbimin veterinar që në të shumtën e rasteve, ky shërbim varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe në shumë pak raste nga Ministria e Bujqësisë. Kudo në Evropë, ky shërbim shihet si tepër i rëndësishëm, pasi jo vetëm për sa i përket sigurisë ushqimore, por edhe për shkak të zoonozave (mbi 70% e sëmundjeve tek njerëzit vijnë me origjinë ose kanë si vektor transmetimi kafshët). Por çfarë po ndodh tek ne? Trajtimi si plaçkë lufte “para-pas zgjedhore” në këto vite të tranzicionit nuk la jashtë si shërbimin veterinar edhe AKU-në, si pjese e këtij sektori, që u pa me së shumti si një vend-grumbullim militantësh për të bërë para të shpejta.

Ne nuk patëm dje, madje as sot nuk kemi një strategji kombëtare mbi shërbimin veterinar, as në drejtimin praktik por edhe në atë të shëndetit publik veterinar. Edhe me hapjen e Urdhrit të Mjekut Veterinar, situata prapë nuk është përmirësuar. Pasi arnimi i herë pas hershëm dhe shpikjet unikale që vetëm tek ne ekzistojnë, siç janë Farmacitë Veterinare, nuk na lejojnë të ecim para, por na lenë të lëngojmë këtu ku jemi.

Një pyetje të thjeshtë kam për Ministrinë e Bujqësisë, por edhe për ata të Urdhrit te Mjekut Veterinar: Në cilin vend të BE apo vendeve fqinje, një mjek veteriner e ofron shërbimin e tij nëpërmjet Farmacisë Veterinare apo me gjeni një vend ku shërbimi veterinar funksionon sipas modelit tonë?

Jua them unë, në asnjë vend të BE-së nuk ka dhe nuk ekzistojnë farmaci veterinare si tek ne, por vetëm praktika veterinare (klinika, stacione). Edhe në rastin e farmacive që tregtojnë antibiotike për përdorim veterinare, farmacisti nuk e lëshon kurrë pa pasur para syve një recetë veterinare (sot në shume shtete, recetat kanë kaluar në format elektronik, e kanë disa elemente të ndryshëm sigurie për të shmangur abuzimet). Por më unikalja në vendin tonë është se farmacisti i Farmacisë Veterinare, nuk ka mbaruar Fakultetin e Farmacisë, por të Mjekësisë Veterinare. Është njëlloj sikur mjeku human ku vizitohemi të gjithë, te ishte dhe farmacist në të njëjtën kohë, diçka qe vetëm në Shqipëri ndodh.

Në Evropë, por jo vetëm, përdorimi i një antibiotiku në kafshët e prodhimit, ka një rrugë të mirë përcaktuar, ku fermeri apo kujdestari i kafshës, në momentin që dyshon se një kafshë është e sëmurë, njofton veterinerin dhe, pikërisht, është ky i fundit që vendos diagnozën (pas marrjes së anamnezës ose kryerjes së analizave mikrobiologjike dhe testit të antibiogramës) dhe vendos mbi mjekimin përkatës për të cilin ka përgjegjësi profesionale dhe ligjore. Pas kësaj, mjeku veteriner shënon në librin e mjekimeve (ose në sistemin digjital për ato vende që e kanë), numrin e matrikullit të kafshës, kodin e fermës dhe sa ditë mbetje lë ai medikament me të cilin është trajtuar kafsha, thënë ndryshe, për sa kohë nuk mund të konsumohet qumështi, mishi apo veza.

Ndërkohë që tek ne ndodh krejt e kundërta. Shumica e fermerëve nuk thërrasin mjekun veteriner kur shohin një kafshë të sëmurë, por shkojnë në farmaci veterinare, marrin një antibiotik, e aplikojnë vetë, dhe presin pastaj shërimin e kafshës. Gjë që ka bërë anashkalimin total të rolit të veterinerit, një rol kyç për të mos thënë, roli më kryesor i të gjithë zinxhirit. Tregtimi i medikamenteve veterinare pa recetë, ka bërë që sasia e antibiotikëve në tregun shqiptar, përveç se jashtë kontrollit, të jetë dhe shumë e lartë.

  • Si mundet të heshtin institucionet kur shiten antibiotikë pa recetë?
  • Po kur kemi të bëjmë me njerëz të pandërgjegjshëm mbi kohën e mbetjes se antibiotikëve, kush e mban përgjegjësinë?

Po të shohim përtej detit, në Itali, abuzimi me medikamentet veterinare, si në rastin e Mjekut Veteriner, por edhe fermerit, quhet kundërvajtje ligjore e rendë dhe dënohet me gjobë administrative nga 2 582 deri në 15 493 Euro.

Mos jemi ne një vend aq i zhvilluar sa t’i tregojmë Evropës që jemi të aftë të shpikim diçka të re që ata nuk e paskan zbuluar me qindra vjet apo mos ndoshta ky i joni është një sistem hibrid, i cili u shkon për shtat interesave të disave?

Në çdo vend të BE, për çdo mililitër antibiotik, deklarohet se tek kush kafshë është përdorur, bashkëshoqëruar me kodin e fermës përkatëse. Tek ne shiten dhjetëra litra në ditë dhe në shumicën e rasteve, nuk presin as kuponin tatimor.

  • Si ka mundësi që tek ne ka kompani që importojnë me tonelata gjatë një viti dhe askush nuk ka shkuar një herë t’i pyesë: “More, ku i çuat gjithë këto ilaçe?”.
  • Si ka mundësi që një kompani mund të fusë një trajler me 22 ton ilaçe dhe mos të gjurmohet dot në asnjë hallke të sistemit, se ku ka shkuar qoftë edhe 1 gram?
  • Kemi të bëjmë me një padituri, neglizhencë apo me një krim të kryer me dashje?!

Zgjidhje për këtë sistem hibrid ku ndodhemi sot do të ishte rikonceptimi i farmacive e depove veterinare dhe kalimi në praktika të mirëfillta veterinare. Ngritja e një plani të mirëfilltë Farmako-vigjilence që do të përfshijë çdo hallkë dhe do të detyrojë çdo hallkë të zinxhirit të tregtimit të ilaçeve, të raportojë mbi aktivitetin e saj nga importuesi, deri tek veterineri në terren. Njëkohësisht, futja në praktike e një modeli recete unike për të gjithë mjekët veterinerë dhe aplikimi i recetës elektronike. Pasja e një sistemi informatik kombëtar për të gjithë veterinerët, ku çdo kafshë e mjekuar të shënohet në sistem, në mënyrë që Autoriteti Kombetar i Ushqimit, të jetë gjithmonë në dijeni dhe nëpërmjet këtij sistemi, edhe agro-përpunuesit që merren me përpunimin e produkteve me origjine shtazore, të njoftohen mbi produktet që presin të marrin nga fermerët. Ndërgjegjësimi i kryerjes së antibiogramës para çdo trajtimi me antibiotikë dhe aktivizimi i laboratorëve mikrobiologjikë lokalë, do të ishte një fillim i mirë dhe shumë efikas si për mjekun veteriner, ashtu dhe për vetë fermerët.