Si u festuan Krishtlindjet 100-vjet më parë gjatë pandemisë së gripit spanjoll dhe lëvizja kundër maskave

653
Sigal

Maskë ose burg

Si u festuan Krishtlindjet, 100- vjet më parë gjatë pandemisë së gripit spanjoll 

Më 21 dhjetor 1918, në faqet e gazetës së Ohajos, Komisioneri lokal i Shëndetësisë, ftoi lexuesit që t’i rezistonin tundimit të puthjes tradicionale të Krishtlindjes.“Këtë vit, do të tregoni më shumë dashuri për babanë dhe nënën, për vëllain, motrën dhe pjesën tjetër të familjes, duke qëndruar në shtëpi në vend që të shkoni t’i vizitoni për Krishtlindje ose të bëni ahengje dhe mbledhje familjare”, – shkruajti ai.

Krishtlindje 1918: Në atë kohë, kërcënimi nuk quhej covid-19, por gripi Spanjoll dhe në Shtetet e Bashkuara, kurba e infektimeve u ul pas valës së dytë. Vetëm në SHBA, kjo pandemi shkaktoi 675 000 viktima, më shumë se dyfishi i atyre të shkaktuara deri më tani nga covid-19, por në një popullsi shumë më të vogël se ajo aktuale. Ishte një shekull tjetër, një tjetër pandemi, një tjetër fazë historike, megjithatë, midis Krishtlindjeve 2020 dhe 1918 ka pikëtakime të ndryshme.

Një artikull i botuar në faqen e internetit të “Smithsonian”, rindërton pamjen historike të kohës

Në vitin 1918, indikacionet shëndetësore nuk i përkisnin qeverisë federale (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ose CDC në 1946-ën), por komunave. Disa qytete, si San Francisko, kishin menaxhuar në mënyrë efektive valën e parë, duke bërë të detyrueshme maskat dhe distancimin, si edhe izlolimin, në mes të tetorit 1918. Masat kishin funksionuar, por rihapja në fund të nëntorit, kishte qenë shumë e shpejtë. Në mes të dhjetorit, rastet ishin sërish në rritje dhe qytetarët, tanimë nuk i respektonin kufizimet e reja.

Jo maskë!

Pati lëvizje kundër maskës: “Jo maskë!”. Disa e përshkruanin detyrimin për të mbajtur maskë, si shkelje të të drejtave të tyre, të tjerët, duke mos i mbajtur, përmendën arsyet fetare. Po ashtu, pati ankesa për zierjen e maskave çdo ditë për 10 minuta.

Mosbindja lidhur me maskat, nuk ishte e vetmi fakt që mund të dukej i njohur. Në Milwaukee, qyteti i shumë emigrantëve katolikë nga Evropa Veriore, mbylli kishat nga frika e infektimit gjatë periudhës në prag të Krishtlindjes. Për këtë arsye, kishte nga ata që ankoheshin për pezullimin e festimeve dhe sallonet e bukurisë të hapura. Edhe në vitin 1918, para krijimit dyqaneve të mëdha të konsumizmit, Amazon dhe Black Friday, Krishtlindja ishte koha për blerje dhe dhurata. Nga frika e vonesave në zinxhirin e furnizimit, tregtarët kishin ftuar klientët të blinin paraprakisht. Për ata që nuk dilnin nga frika e infektimit, tregtarët garantonin shpërndarjen nëpër shtëpi.

Besimi tek institucionet

Ndryshe nga sot, masat parandluese nuk u politizuan. Kishte një familjaritet më të madh mes popullatës me epidemitë. Shumë kishin humbur një fëmijë nga difteria ose kishin parë dikë të paralizuar nga poliomieliti. Njerëzit ishin më të gatshëm për disa kufizime të lirive personale, në mënyrë që të përballeshin me një “armik të padukshëm” dhe më të prirur, për t’u dhënë besim autoriteteve. Shefat e departamenteve të shëndetit publik shpesh kishin kompetenca policore dhe mund të organizonin karantinë për një person ose për një rreth të tërë. Askush nuk do të kishte guxuar të kontestonte autoritetin e tij dhe kishte një besim më të madh te shkenca, pavarësisht nga njohuritë për viruset e vaksinat.

Edhe atëherë, pyetej sesi do të ishin festat në atë situatë të jashtëzakonshme; por, nuk kishte shumë shqetësim për këtë edhe sepse, mbledhjet familjare nuk ishin kaq të rralla sa sot. Në shumë raste, disa breza jetonin nën një çati.

Fundi i Luftës së madhe

Nevoja për të përqafuar njëri-tjetrin u bë edhe më urgjente nga fundi zyrtar i Luftës së madhe, në nëntor 1918. Por, në përgjithësi, euforia dhe mirënjohja mbizotëroi mbi zhgënjimin për takimet e shtyra. Në më pak se një vit, 100 000 burra kishin humbur jetën në konfliktin botëror, shumë edhe për shkak të gripit: ekzistonte vetëdija, se i kishin mbijetuar diçkaje të tmerrshme, në një vit që, me siguri, do të kishte hyrë në histori.