KLSH “mbyt” Prokurorinë me kallëzime penale, priten arrestime zyrtarësh për zhdukjen e 616 mln. euro
Kreu i KLSH: Janë 300 kallëzime penale me prova konkrete, do ketë rezultate frytdhënëse!
Me fakte e prova konkrete në duar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar plot 300 kallëzime penale për shkelje. Arben Shehu, deklaroi se dëmi i shkaktuar mbi lekët që depozitohen çdo muaj nga qytetarët shqiptarë në arkën e shtetit, është plot 19 miliardë lekë.
Në Komisionin për Ekonomi dhe Financa është prezantuar raporti i veprimtarisë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2021. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zoti Arben Shehu ka deklaruar në Komisionin e Ligjeve se institucioni, që ai drejton ka bërë referimin e të gjitha shkeljeve penale të konstatuara në prokurori. Sipas tij organi akuzës po vijon hetimin në bazë të provave të dërguara dhe rezultatet pritet të jepen së shpejti. Për dëmin e shkaktuar në buxhetin e shtetit në prokurori janë referuar 300 kallëzime penale. Arben Shehu, deklaroi se dëmi i shkaktuar mbi lekët që depozitohen çdo muaj nga qytetarët shqiptarë në arkën e shtetit, është plot 19 miliardë lekë. Ndërkaq të shkarkuarit nëpër institucione emërohen në vende të tjera.
Shehu më tej gjatë fjalës së tij ka theksuar se duhet një koordinim mes institucioneve për të parandaluar një dëm të mundshëm të buxhetit të shtetit.
“Në lidhje me pyetjen për kallëzimet penale, dua të parashtroj se detyra e KLSH në rastin e konstatimeve të kryerjes së veprave penale është t’i referojë ato mbi bazën e provave të plota në Prokurorinë e Posaçme apo në prokuroritë e rretheve.
Dua t’ju kujtoj se nevojitet një kohë e plotë dhe nga ana e prokurorisë për konkludimet e rasteve konkrete. Siç thashë ato raste janë të bazuara në prova konkrete dhe jo në dyshime. Jam i bindur se prokuroria po kryen në mënyrë shteruese detyrën që i ngarkon ligji dhe jam i bindur se rezultatet do të jenë frytdhënëse për të gjitha institucionet shqiptare dhe për shoqërinë shqiptare.
Ne i kemi dhënë rëndësinë e duhur përgatitjes së kallëzimeve penale në ato raste që kemi të bëjmë me veprat penale. Por më i rëndësishëm është parandalimi i kryerjes së veprës penale.
Puna e të gjitha institucioneve duhet të koordinohet për të parandaluar dëmet në buxhetin e shtetit. Për më tepër duhet të fokusohemi në parandalimin, pasi mendoj se është shumë më e rëndësishme të bëhet parandalimi i veprave penale se sa përllogaritja e dëmit që e paguan taksapaguesi shqiptar.
Mendoj që puna kryesore për të gjithë do të duhet të ishte koordinimi për parandalimin. Kemi pasur një lloj transparence në lidhje me publikimet, në lidhje me vënien në dispozicion të çdo akti kundrejt individëve që e kërkojnë apo mediave”,- tha Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Dëmet që paguan xhepi i taksapaguesit shqiptar
616 milionë euro është dëmi i konstatuar në buxhet për vitin 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga auditimet e kryera vitin e shkuar pjesa më e madhe e dëmit rreth 458 milionë euro ka ardhur si pasojë e efekteve negative me përdorim joeficent të shpenzimeve dhe të ardhurave të munguara në buxhet, ndërsa pjesa tjetër 158 milionë euro llogaritet dëm i pastër ekonomik për buxhetin. Në një kohë kur Shqipëria renditet një ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit, vetëm 62 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë kallëzuar penalisht vitin e kaluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime dhe mashtrime me pronën publike.