Raporti i AKEP/ Vërteton babëzinë e kompanive celulare: Struktura dupol eleminon konkurrencën, duhen ndryshime ligjore në interes të qytetarëve

54
Sigal

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vlerëson se struktura e re duopol shtron rreziqe në rritje për konkurrencën në tregun e komunikimeve celulare.

Në analizën e tregut të telefonisë celulare të hedhur për konsultim këtë muaj, AKEP shprehet se aktualisht tregu i rrjeteve dhe shërbimeve celulare në Shqipëri zotërohet nga dy operatorë dhe kjo situatë shton rreziqe për rritjen e çmimeve për shërbimet që ofrojnë, duke reduktuar përfitimet e konsumatorit.

AKEP shprehet se një treg me numër të kufizuar lojtarësh mund të mbetet konkurrues, vetëm nëse roli rregullator i fushës AKEP përforcohet në aspektin e ndryshimeve ligjore për ndërhyrjet ex-ante (paraprake), pasi një situatë e tillë, veçanërisht situata duopol në tregun celular, krijon rreziqe të reja për prezencën e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet ndërmarrjeve në treg në dëm të konurrencës.

Sipas AKEP, sjelljet bashkërenduese mund të shfaqen kryesisht nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që ndikojnë drejtpërdrejtë shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, shërbime, të cilat janë jashtë sferës së rregullimit dhe fokusit të ndërhyrjeve ex-ante të rregullatorit të fushës.

Efekti potencial negativ në situatën duopol të krijuar, ndikohet edhe nga faza e maturimit të tregut celular, pasi beteja e mundshme për të ndryshuar bazën e pajtimtarëve në një treg ku nuk ka rritje të bazës së pajtimtarëve, do të fokusohet kryesisht për të njëjtën bazë konsumatore, të cilën aktualisht e zotërojnë dy rrjetet.

Një faktor që mund të ndikojë në situatë është edhe mungesa potenciale e interesit të kalimit të pajtimtarëve nga një rrjet në tjetrin (portimi).

Ky interes mund të minimizohet, nëse operatorët celularë do të reduktojnë stimujt e mundshëm për diversifikimin e portofolit të shërbimeve dhe nxitjen e novacionit.

Një gjë e tillë rrjedhimisht do të orientojë rrjetet në reduktim të kostos që do të adresohej për këtë qëllim, duke impaktuar negativisht edhe zhvillimin e elasticitetit të kërkesës dhe ofertës në treg, pasi produktet në treg në dy rrjetet ofertuese do jenë të natyrës homogjene, të ngjashme në karakteristika funksionale pa ndonjë diference të dukshme nga njëri rrjet tek tjetri.

Mbi këtë argumentin, AKEP shprehet se aktet ligjore dhe nënligjore që monitorojnë sjelljen e aktorëve të tregut marrin një rol parësor në situatën duopol të krijuar, si dhe në rritjen e rolit të bashkëpunimit ndërmjet AKEP dhe Autoritetit të Konkurrencës, pavarësisht specifikave të ndryshme në rolin monitorues të ndërhyrjeve ex-ante dhe ex-post (pasi ka ndodhur shkelja).

“Në të gjitha rrethanat mbetet e një rëndësie parësore rritja e peshës rregullatore të fushës për ndërhyrje ex-ante, pasi situata duopol krijon angazhim më të madh në monitorimin e tregut përkatës pas transaksionit të ndodhur dhe kalimit të tregut nga tre në dy ofrues mobile.

Pothuajse të gjitha praktikat e ndërhyrjeve rregullatore të fushës në tregjet e nivelit të pakicës për kontroll dhe rregullim tarifash, kryesisht ilustrohen me rastet e situatave duopol në tregjet përkatëse, dhe vetëm në raste të rralla mundet të ekzistojnë ndërhyrje ex-ante në tregjet e nivelit të pakicës kur tregu ka më shumë se dy aktorë ndërveprues në ofrim rrjete/shërbimesh përkatëse në telefoninë celulare,” thuhet në analizën e AKEP.

Sipas këtij institucioni, Autoriteti i Konkurrencës në fushëveprimin e tij që synon mbrojtjen e konkurrencës, kryesisht nënkupton ndëshkimin e marrëveshjeve të ndaluara, domethënë në rastet kur sipërmarrës të ndryshëm apo bashkime sipërmarrësish vendosin për të fiksuar çmimet ose për të ndarë tregjet, pra kontrolli i tregut në vendosjen dhe fiksimin e çmimeve të cilat cënojnë interesat e konsumatorëve, por efekte të tilla negative në treg janë në fokus në periudhën pasi ka ndodhur çmimi i konkurrueshmërisë dhe i interesit konsumator.

Ndaj, sipas AKEP, adresimi i problematikës së mundshme në tregjet e natyrës duopol, pra për tregjet e nivelit të pakicës tek Autoriteti i Konkurrencës, si ndërhyrje, e cila mbështetet ligjërisht në rolin ex-post në një masë të konsiderueshme, duhet vlerësuar si ndërhyrje në një pistë të veçantë e ndryshme nga qëllimi i ndërhyrjeve ex-ante të rregullatorit të fushës AKEP.

Praktikat më të mira ndërkombëtare të rregullimit të tregjeve të shërbimeve celulare janë të fokusuara në ndërhyrje në tregje të shumicës, me qëllim transferimin e konkurrueshmërisë në vertikalitet në tregjet e pakicës të shërbimeve celulare.

Por, efekti i ndërhyrjeve ex-ante në rastin e situatës aktuale në Shqipëri varet shumë edhe nga faza në të cilën ndodhen implementimi i masave rregullatore ex-ante dhe efektet e pritshme të tyre, një nder masat rregullatore kryesore e përdorur nga ndërhyrjet ex-ante është rregullimi i tarifës së terminimit.

Por, aktualisht tarifat e terminimit janë drejt orientimit të saj në koston eficiente të ofrimit të këtij shërbimi, rrjedhimisht efektet e pritshme që mund të krijonte kjo mase rregullatore janë pothuajse të papërfillshme.

AKEP konkludon se përdorimi i instrumenteve të reja monitoruese dhe rregulluese do të bëjë të mundur reduktimin e efekteve potenciale negative që sjell struktura aktuale duopol, duke e bërë sjelljen e duopolit me ndikimin negativ të papërfillshëm.