Qeveria prish në mënyrë të njëanshme 17 kontrata HEC

544
Sigal

Shkelje dhe abuzime, qeveria prish në mënyrë të njëanshme 17 kontrata HEC-esh

 

Një proces monitorimi i ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës ka gjetur shkelje të rënda në disa kontrata për ndërtimin e HEC-ve të vogla me koncesion. Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati tha se nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës. Deri më sot, numri total i praktikave për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste. Bonati tha se, procesi i skanimit të situatës mbi korrektësinë e zbatimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e subjekteve që kanë përfituar kontrata për ndërtimin e HEC-eve ka vijuar me ritme të shpejta, sipas planit të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në zbatim të Urdhrit Për verifikimin e zbatimit të kushteve të kontratave koncesionare për burimet hidrike të energjisë, janë marrë të gjitha masat për të adresuar problematikat e identifikuara deri më sot, ku më frekuentet janë:

  • Mosrespektimi i afateve proceduriale;
  • Mosrespektimi i kushteve ligjore dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara.

Nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, tashmë ka përfunduar procesi monitorimi dhe verifikimit i situatës në terren dhe puna është fokusuar në praktikën dokumentare dhe në koordinimin e qëndrimeve me institucionet e tjera, për të dalë në konkluzionet finale mbi procedurat dhe hapat që do të ndiqen./Monitor