Qeveria ndez motorrët elektoral, do u jap dyfish më shumë para bashkive për pagat e patronazhistëve të administratës

21
Sigal

Hendeku në paga nuk po thellohet vetëm mes shtetit e privatit, por edhe brenda administratës publike. Rrogat e atyre që punojnë në ministri e drejtori po rriten më shpejt se ata në bashki. Ndaj për të ngushtuar hendekun në dy pushtetet, qendror e vendor, qeveria nga viti i ardhshëm, do të dyfishojë fondin për pagat në bashki. Nga më pak se 1.5 miliardë lekë këtë vit, transferta e pakushtëzuar sektoriale për rritjen e nivelit të pagave do të rritet në gati 2.7 miliardë lekë.

Ekspertët thonë se nuk është kjo rruga e duhur për t’i bërë bashkitë efektive në zhvillimin e territorit të tyre.

“Përdorimi i transfertës së pakushtëzuar, apo kushtëzuar për këtë qëllim nuk është i përshtatshëm. Transferta e pakushtëzuar është një instrument për të financuar nevojat për shpenzime të bashkive për ushtrimin e funksioneve dhe jo për financimin e rritjes së pagave.

Sepse kjo e bën një instrument shumë të sulmueshëm dhe del jashtë qëllimit për të cilin ajo është vendosur”, shprehet Merita Toska, pedagoge, eksperte e financave vendore.

Veç prishjes së formulës, rritja e transfertës së pakushtëzuar për pagat për ekspertë të financave vendore rrezikon të shkatërrojë edhe autonominë vendore.

“Automatikishit po i kthejmë bashkitë në agjenci të qeverisjes qendrore. Bashkitë kanë autonominë e vetë dhe kjo është e shenjtë. Kemi shumë marrëveshje të nënshkruara, e kemi në Kushtetutë, e kemi në ligjin 139 “Për vetëqeverisjen vendore” ku ne e sanksionojmë me zë shumë të lartë autonominë vendore. Në këtë mënyrë ne do të hamë çdo ditë nga autonomia vendore”,- tha ekspertja.

Të dhënat nga financat vendore, tregojnë se mesatarisht një i punësuar i kushton aktualisht bashkive gati 57 mijë lekë. Për pozicione të caktuara të nivelit të lartë, kosto maksimale rritet edhe mbi 70 mijë lekë.

 

 

 

Fondi që paguhet administrata elektorale e votës së Rilindjes do mjaftonte për rritjen e pensioneve

 

Edhe pse vendi është në krizë, emigracioni po plak popullsinë, bizneset po falimentojnë dhe qytetarët janë bukë dhe ilaçe, shqiptarëve u duhet të mbajnë në kurriz veç 3 administratave edhe militantët sa herë ka zgjedhje. Ndërkohë është ironike që do të rritet fondi për pagat e punonjësve të pushteti lokal.

Ndërkohë që fryrja e administratës nuk ka asnjë impakt tek shërbimet dhe se punësimi i tyre bëhet vetëm për karriget e disa ministrave, apo deputetëve. Kjo shumë me të cilën paguhet administrata elektorale e votës së Rilindjes do të mjaftonte që të gjitha pensionet në Shqipëri, asistenca sociale dhe ndihma ekonomike të rriteshin 100%. Ky është një skandal dhe një mashtrim për qindra e mijëra pensionistë, biznese dhe punonjës, të cilët në pamundësi të hapsirave zgjedhin rrugën e emigrimit, shifrat e të cilëve që nga koha kur në pushtet erdhi qeveria e Rilindjes arriti në 400 mijë të larguar dhe një pjesë e mirë e tyre kërkojnë azil në vendet e BE-së.

Numri i punonjësve në administratën publike po vjen në rritje vit pas viti, edhe pse një seri shërbimesh tashmë jepen online. Me digjitalizimin e shërbimeve, administrata publike duhet të reduktohej pasi edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e rrjeteve teknologjike janë rritur. INSTAT raportoi se në tremujorin e fundit të vitit 2022, administrata publik arriti në 184,396 persona ose 2,036 të punësuar më shumë në tremujorin e tretë, teksa punësimi në sektorin privat për të njëjtën periudhë krahasimi pësoi tkurrje e mbi 10 mijë persona.