UJI I SHIUT NUK ËSHTË MBETJE URBANE:
PASTRIMI I KANALEVE SIPAS QEVERISË DHE ILUZIONI I ZGJIDHJES SË PËRMBYTJEVE
- Jo vetëm plastikat që bllokojnë kanalet, por problem janë asfalti, betoni, tarracat dhe çatitë, që nuk mbajnë ujë dhe hapësira të gjelbra të reduktuara.
Kohët e fundit kam ndjekur qëndrimet publike të drejtuesve të qeverisë ku këmbëngulet që mospastrimi i kanaleve nga plastikat dhe mbetjet e ngurta është shkaku kryesor për përmbytjet. Kjo nënkupton që strategjia e mbrojtjes nga përmbytjet duhet të jetë pastrimi i kanaleve. Për mendimin tim, në thelb një strategji e tillë i ngjan trajtimit të simptomave pa shëruar sëmundjen. Ashtu si në mjekësi, ku ulja e temperaturës nuk shëron infeksionin, edhe pastrimi periodik i kanaleve nuk adreson shkakun e vërtetë të problemit: një strategji e gabuar e planifikimit dhe projektimit urban që synon ta largojë ujin e shiut sa më shpejt dhe sa më larg nga qyteti. Kjo qasje, e trashëguar nga një mënyrë urbanizmi e udhëhequr nga zgjidhjet inxhinierike, tipike të shekullit të XX, e sheh ujin si armik dhe jo si burim. Kështu uji kanalizohet në mënyrë agresive drejt lumenjve ose detit, pa marrë parasysh kapacitetet natyrore të territorit.

Problemi nuk qëndron vetëm tek plastikat që bllokojnë kanalet, por te fakti që qyteti është projektuar që të jetë gjithnjë e më i papërshkueshëm: asfalt, beton, tarraca dhe çati që nuk mbajnë ujë dhe hapësira të gjelbra të reduktuara. Në këto kushte, edhe një sasi reshjesh mesatare shndërrohet në rrezik përmbytjeje, sepse uji nuk ka ku të depërtojë, të ngadalësohet apo të absorbohet. Kanalet, sado të pastra të jenë, nuk mund të përballojnë sasi gjithnjë e më të mëdha uji që vijnë njëkohësisht dhe me shpejtësi të lartë. Kështu, pastrimi bëhet një ritual i përsëritur, i kushtueshëm dhe i pafund, që jep ndjesinë e veprimit, por jo të zgjidhjes.

E kundërta duhet të ndodhë. Në vend që uji i shiut të largohet sa më shpejt, ai duhet të menaxhohet aty ku bie. Kjo do të thotë një ndryshim rrënjësor i filozofisë urbane: nga “kullo dhe largo” drejt “mbaj, ngadalëso dhe përthith”. Zgjidhjet ekzistojnë dhe janë të provuara: sipërfaqe të përshkueshme, kopshte shiu, basene infiltrimi, çati të gjelbra, hapësira publike, që funksionojnë si zona me përmbytje të kontrolluar dhe sisteme blu-të gjelbra që punojnë me natyrën, jo kundër saj. Këto masa nuk eliminojnë vetëm përmbytjet, por përmirësojnë mikroklimën, cilësinë e ujit dhe cilësinë e jetës urbane.
Në këtë kuptim, plastika në kanale është një nga simptomat e dukshme, por jo sëmundja kryesore. Sëmundja është modeli urban që nuk e njeh dhe nuk e respekton ciklin natyror të ujit dhe e trajton shiun si mbetje. Derisa planifikimi dhe projektimi urban të vazhdojnë të ndjekin këtë logjikë të gabuar, çdo pastrim do të jetë i përkohshëm dhe çdo përmbytje do të jetë një paralajmërim për përmbytjen që vjen pas saj.
Shërimi i vërtetë vjen vetëm atëherë kur qyteti mëson të bashkëjetojë në mënyrë harmonike me ujin dhe me shiun.




















