Rilindja Socialiste po na përndjek fëmijët nga Shqipëria

709
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Fëmija im mbaroi shkollën 12 vjeçare në Athinë me mesatare 19,6, sipas sistemit arsimor në Greqi. Dëshira për të ndjekur universitetin ishte të ndiqte studimet ushtarake. Kjo e drejtë iu mohua ngaqë nuk kishte shtetësi greke dhe nuk ishte “vorioepiriote”. Nga sedra e vrarë, fëmija nuk pranoi të ndiqte asnjë universitet tjetër në Greqi. Si prindër e këshilluam, që fëmija të vinte në Shqipëri e të diplomohej në universitetet shqiptare. Në universitet shtetëror nuk u pranua, ngaqë nuk ka dhënë provime në shkollat në Shqipëri, edhe pse me mesatare 19,6. U detyrua që fëmija të ndiqte studimet në universitet privat në Tiranë. Pas 4 vitesh, në 2015 fëmija diplomohet dhe bën kërkesë për t’u pranuar në Maastricht University Holland për master në specialitetin “Psikologji gjyqësore”. Në Shqipëri nuk ka të tillë specializim, as në universitete dhe nuk ka asnjë të diplomuar. Në një kohë, që Rilindja pretendon se bën reformë në Drejtësi. Po a mund të ketë Gjyqësor pa psikolog gjyqësor? Edhe kur studentët kërkojnë të specializohen në universitetet e Evropës, Rilindja Socialiste u përplas dyert e mohimit në fytyrë, me arrogancë kushtetore. Universiteti i Mastrhtit i kthen përgjigje fëmijës, që duhet të ketë në CV studimore, përveç notave të larta, edhe praktikë në profilin që dëshiron të specializohet. Nuk mund të kryesh master në universitetet evropiane, pa kryer edhe praktikë. Ndërsa në Shqipëri gradat shkencore merren me …plagjiaturë! Në QSUT fëmija bisedon me drejtorin e Spitalin nr 5 për të bërë praktikën e kërkuar nga Universiteti i Mastrihtit, i cili është universiteti më i mirë në Evropë për këtë lloj specializimi. Drejtori i spitalit, pedagog dhe me titull shkencor “Prof. Dr” pranon me kënaqësi fëmijën. Pas 15 ditësh praktike, drejtori i spitalit na rekomandon të bëjmë kërkesë tek drejtoresha e QSUT, Orgeta Manastirliu. Pas 15 ditësh, drejtoresha e QSUT Orgeta Manastirliu kthen përgjigje: “Refuzohet kërkesa juaj për praktikë”. I habitur dhe i çuditur, i kërkoj drejtoreshës së QSUT Orgeta Manastirliu arsyetimin e refuzimit të kryerjes së praktikës në Spitalin nr. 5 të fëmijës për nevojën e pranimit në Universitetin e Mastrihtit në Hollandë për kryerjen e masterit specializim. Drejtoresha e QSUT Manastirliu me arrogancë na thotë që nuk ka kontratë QSUT dhe universiteti ku u diplomua fëmija për praktika. I themi, që praktika bëhet me kërkesën e një universiteti nga Hollanda për pranim për master. Drejtoresha nuk begenisi të dëgjonte, thua se QSUT-ja ishte çifligu i saj. I drejtohem një deputeteje socialiste, që ishte nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Përgjigja e deputetes ishte, se nuk ka ligj që ta detyrojë drejtoreshën e QSUT ta pranojë fëmijën për praktikë. Kur e pyes deputeten, nëse ka ligj, që ia ndalon të drejtën një të diplomuari në Shqipëri të bëjë praktikë në institucionet shtetërore, për t’u pranuar pas kësaj në një universitet në shtetet evropiane, deputetja ngre supet! Nuk ka përgjigje.

I bëmë kërkesë një zv.ministri grek, i cili ishte ish-pronari ynë. Ai, sa dëgjoi kërkesën tonë, na thotë: Sa më gëzuat, që fëmija u diplomua! Të vijë në Athinë dhe ta dërgojmë për praktikë në cilin institucion që dëshiron. Pa asnjë problem. Fëmija, me lot në sy, për shkak të refuzimit që iu bë nga Drejtoresha e QSUT Manastirliu, më thotë: Më sollët në Tiranë të bëj universitet dhe tani më mohojnë të bëj praktikë. Përse të rri në Shqipëri? Unë, si prind nuk kisha më përgjigje ndaj brengës së fëmijës tim. Shqipëria, vendlindja e fëmijës, po i mbyllte të gjitha rrugët e dijes të jetës.

Sot fëmija është duke studiuar për master në Universitetin e Mastrihtit. Drejtoresha e QSUT u bë ministre e Shëndetësisë, mirëpo, u dëshmua që ka bërë plagjiaturë në doktoratën e saj. Dhe e dini përse? Sepse ministra e Shëndetësisë Manastirliu nuk ka studiuar kurrë në asnjë universitet të Evropës, sepse është e paaftë! Manastirliu ministre u emërua, ngaqë ka përkrahjen e kryeministrit, jo sepse ka merita! Manastirliu duhej të jepte dorëheqjen, pse ka bërë plagjiaturë doktoratën. Doktoratë, që nuk ka asnjë vlerë për askënd, por e kopjoi vetëm që ta ketë si dekoratë mburrjeje në karrierën e saj politike!

Kjo është Rilindja Socialiste. Që na përndjek fëmijët nga Shqipëria. Prandaj studentët kanë 7 ditë që protestojnë, sepse Rilindja Socialiste është një “Plagjiaturë” e Arsimit të Lartë! Ndërkohë, që fëmijët e ministrave, deputetëve tanë studiojnë në universitetet më të mira të botës, shumica e tyre me bursa nga taksapaguesit shqiptarë, ose me paratë e ryshfetit që përfitojnë prindërit nga abuzimi i postit të tyre zyrtar, sepse rrogat që marrin nuk e justifikojnë kurrë shpenzimet e studimit në ato universitete.