Posta shqiptare kthehet në grabitaqare të pensionistëve

49
Sigal

Pensionistëve të Peshkopisë, Shkodrës dhe Tropojës u vidhen 33 mln lekë djersë të viteve të punës, ndërsa Ulsi Manja mburret me korrupsionin seri. Ja babëzia e zyrtarëve të Postës Shqiptare, ku me thasët e parave të vjedhura nga pensionistët blejnë vila, ndërkohë që qytetarët e vjedhur, janë pa bukë dhe pa ilaçe.Ja skandali

 Ulsi Manja bën rolin e zëdhënësit, njofton përpara Policisë dhe mburret se po lufton korrupsionin në Postë

Ulsi Manja ka publikuar ditën e sotme një status të çuditshëm në rrjetin social, ku flet për arrestimin e punonjësve të Postës Shqiptare, të cilët vidhnin paratë e pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuar. Punonjësit e filialeve të Peshkopisë, Shkodrës dhe Tropojës u arrestuan pasi kanë shkaktuar një dëm prej 33 mln lekësh. Nuk ështe lajm “hajdutëria” e punonjësve të Postës, pasi dihet se kjo gjë ndodh sistematikisht në një administratë të mbushur me militantë të pushtetit, ajo që është qesharake është se Policia e Shtetit i ka dhënë Ministrit të Drejtësisë ekskluzivitetin e lajmit. Kështu Ulsi Manja ka bërë një njoftim përpara Policisë dhe mburret se po lufton korrupsionin në postë.“Përvetësonin pensionet duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 33.000.000 lekësh, 7 zyrtarë para drejtësisë! Falë denoncimeve të qytetarëve, Agjentët tanë të Antikorrupsionit kanë çuar para drejtësisë 7 punonjës të Postës Shqiptare në Dibër, Shkodër, Tropojë, të cilët përvetësonin ndihmën ekonomike, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe pensionet e atyre që jetojnë jashtë vendit! Zero tolerancë për zyrtarët që abuzojnë me ligjin për përfitime personale! Inkurajoj të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast të korrupsionit, që hasin në zyrat shtetërore. Bëj pjesën tënde në luftën kundër korrupsionit”, -shkruan Manja.

“Nuk sheh”, drejtori justifikon punonjësen e postës që u mori paratë pensionistëve

Në dhjetor 2021, bashkëshortët Grimci treguan se një punonjëse e postës u kishte vjedhur nga 2 muaj pension. Megjithëse u provua se kishte patur vjedhje, drejtori i Postës Laç, nuk e pranoi dhe e zgjidhi situatën duke u dhënë pensionistëve paratë e munguara. Dy vjet më pas një tjetër denoncim erdhi për postën e Laçit, zyra e Sanxhakut, ku sërish Lindita Bushi ankohet se i kanë marrë 5 muaj pension të nënës.“Nëna ime e merrte pensionin në Laç, në Sanxhak dhe që nga viti 2021, i kanë humbur 5 muaj pension. Ne e kemi marrë vesh, sepse ne i merrnim pensionet vonë, për arsye, se nëna është e sëmurë dhe nëna jeton me mua në Tiranë dhe nuk ishte mundësia që t’i merrnim çdo kohë, muaj për muaj, rregullisht. Ne e morëm vesh në tetor të vitit 2021, që zonja në fjalë, Lindita Gjoka Bushi, është larguar dhe bashkë me ikjen, ka marrë dhe pensionet e shumë pensionistëve. Ishim dhe bëmë ankesë në drejtori, bëmë dhe kërkesë me shkrim për muajt, që na kishin humbur edhe vazhdoi ky proces, u zvarrit, nuk morëm vesh në botë, se çfarë po ndodh. Si përfundim na thanë “do shkoni në Lezhë” dhe të bënim denoncim në Prokurori dhe na thirrën dhe ato, që të shkojmë. Vajtëm bashkë me mamin. Që nga ajo ditë e deri më sot, ne s’kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk e dimë, se çfarë po ndodh. Ajo është 87 vjeçe. Asaj i duhen për ilaçe, se po të ishte e zonja, do rrinte në shtëpinë e vet në Sanxhak. 110 mijë Lekë ka qenë pensioni”, tha Lindita Bushi për emisionin “Stop”. Drejtori i filialit të Laçit, Dilaver Lita, në vitin 2021 sipas emisionit kishte thënë se punonjësja ka patur probleme me shikimin, por nuk ka patur vjedhje. Por punonjësja në fjalë është në gjykatë për veprën penale “vjedhje e kryer, duke shpërdoruar detyrën”. Sot drejtori thotë, se me t’u shprehur Gjykata, Posta Shqiptare do dëmshpërblejë një për një pensionistët.“Është një ngjarje e ndodhur në 2021-shin. Çështja është në Prokurori, në dijeninë time ka vajtur në Gjykatë dhe nuk është shprehur akoma Gjykata. Me t’u shprehur Gjykata, Posta Shqiptare do dëmshpërblejë një për një pensionistët. Edhe Posta Shqiptare ka bërë sqarim, me t’u vërtetuar fajësia, menjëherë të gjithë pensionistët, do të marrin dëmshpërblimin”, -tha drejtori.

Seri abuzimesh

Babëzia e zyrtarëve të Postës Shqiptare nuk njeh kufi. Çeta e pensioneve grabiti para 1 viti pensionistët dhe asistencën e fakirëve, nëpërmjet falsifikimit duke firmosur në emër të tyre. Me thasët e parave të grumbulluara njëri bleu shtëpi në Tiranë , kurse tjetri iku në Dubai. Skema korruptive që ka mbuluar prej kohësh Postën Shqiptare, ndërkohë që qytetarët e vjedhur, janë pa bukë dhe pa ilaçe.