Pesticidet tek ushqimet dhe mungesa e Analizave, kërcënojnë jetën e shqiptarëve

369
Sigal

Institucionet kanë lënë në mëshirë të fatit monitorimin e përdorimit të pesticideve në vend, pasi organikat janë mbushur me militantë. Jo vetëm çmimet e larta në treg, por dhe abuzimi me cilësinë nga mungesa e laboratorëve rrezikon shëndetin. Kështu po blejmë sëmundjet me duart tona, dhe duke ua servirur në tryezë familjarëve, po rrezikohemi nga steriliteti, çrregullimet tek fëmijët, sëmundjet kanceroze, diabetin etj. Kritikat për pesticidet nga e KE, denoncimi i KLSH, heshtja e AKU dhe si të mbrohemi nga tregtarët e babëzitur

 Si të mbrohen konsumatorët nga perimet me pesticide

Në sy të lirë, sasia e pesticideve nuk duket, por ajo që do këshilloja është që konsumatori të jetë më i kujdeshëm në blerje. Pra, nëse një frut apo perim, nuk i përket stinës, atëherë le të shmanget blerja e tij. Nuk duhet absolutisht shmangur larja me ujë të bollshëm e fruta-perimeve. Këshillohet lënia në ujë me uthull për të paktën 40 minuta. Përdorimi i detergjentëve për ushqime, fruta, perime, të cilat ndihmojnë deri diku këtë proces. Të përdoret një furçë enkas për pastrimin e perimeve. Dhe, të thahen para se të futen në frigorifer.

Në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë autoritetet kritikohen se nuk i kanë zbatuar të gjitha rekomandimet e bëra një vit më parë dhe se bujqësia ka shumë problematika

Sapo kalon Ndroqin, në serat e vogla dhe oborret e shtëpive bien lehtësisht në sy perimet e stinës të mbjella dhe sakaq në portën e çdonjërës, këto prodhime shiten aty për aty. Merjemja e nisi fare thjeshtë, ajo mbillte për shpenzimet familjare por më pas gradualisht vazhdoi të shesë dora-dorës herë domate e herë spinaq. Kur familja u bind se ishte fitimprurëse i ktheu ato pak metra në një front pune ku u fokusuan të katër anëtarët. Oborri rri përherë i mbjellur dhe në portë një stendë e vendosur plot me prodhime. Gruaja përsërit se produktet janë bio dhe për të tilla i blejnë qytetarët që ndalojnë ose duke u kthyer për në Tiranë ose duke udhëtuar drejt Durrësit. Por në fletët e spinaqit që sapo iu ka hedhur ujë “që mos të vyshken” – thotë ajo, duken shenjat e spërkatjes. Me siguri nga mbrëmja e kaluar. “Janë që mos ti hajë krimbi” thotë 52-vjeçarja dhe më pas shton pa doreza se “i spërkat me sy, masën e hedh si puna e kripës në gjellë me sy”.

Por për pyetjen a janë të informuar fermerët mbi përdorimin e pesticideve, eksperti Alban Lila ka si shpjegim mungesën e “abc” së kulturës bujqësore, mbasi sipas tij fermerët shqiptarë nuk respektojnë karencat që thënë ndryshe quhet koha që ndalon përdorimin e bimës që është trajtuar me pesticide. Kjo nënkupton sipas Lilës mos nxjerrjen e produktit brenda një afati të caktuar në treg. “Duhet mësuar përdorimi, ose respektimi i karencave, për shembull nëse ti spërkat me një produkt ku karenca është tre ditë ti ato tre ditë nuk duhet t’i vjelësh. Nëse e ka karencën 7 ditë ti nuk duhet të vjelësh për 7 ditë. Para shumë vitesh në Shqipëri nuk zbatohej sepse edhe nuk e dinin. Sot i zbatojnë sepse ai prodhimi që vilet i nënshtrohet analizave. Edhe ai që nuk e respekton i del në analiza dhe i kthehet malli mbrapsht. Tregu vendas problematikën më të madhe personalisht mendoj e ka nga produktet e importit sepse mund të vijë një domate importi që rri një muaj pasi është vjelë, i prishet cilësia”, thotë Lila.

Të njëjtin mendim ndan dhe Fadil Mara, importues i inputeve bujqësore. Ai tregon se të gjitha pesticidet kanë të shkruar në etiketë mënyrën e përdorimit, por shton se duhet shtuar më shumë edukimi për fermerët.

“Karenca është shumë e rëndësishme madje për ne që operojmë në këtë fushë, gjëja e parë duhet ta sinjalizojmë pavarësisht se ato janë të shkruar të gjitha në etiketa, ta informojmë që ky produkt e ka 2, 3, 7 apo edhe 20 ditë karencën. Shumica e fermerëve janë koshientë dhe e dinë. Por për fermerët që nuk janë të informuar ne jemi të detyruar t’i informojmë, dhe është absolutisht e rëndësishme të respektohet për një konsumator”, thotë Mara.

Institucionet kanë lënë në mëshirë të fatit  monitorimin e përdorimit të pesticideve në vend, pasi nuk janë plotësuar numrat e nevojshëm të trupave kontrolluese dhe monitoruese

Frika se në Shqipëri bimët nuk trajtohen sipas standardëve të BE

Shqipëria vitet e fundit ka marrë shumë ekspertiza nga Bashkimi Evropian për përdorimin e pesticideve. Siç citohet dhe në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2020 (i cili është i fundit i botuar), vendi ynë është mbështetur shumë për ekspertizë në bujqësi, por sërish nuk e ka përafruar sa duhet me legjislacionin e Bashkimit Evropian. “Shqipëria miratoi një ligj të ri për politikën e cilësisë, i cili është pjesërisht i përafruar me legjislacionin e BE-së. Niveli i përafrimit me legjislacionin e BE-së për bujqësinë organike mbetet i ulët”, citohet në progres-raport.

Po ashtu në këtë raport autoritetet kritikohen se nuk i kanë zbatuar të gjitha rekomandimet e bëra një vit më parë dhe se bujqësia ka shumë problematika, që duhet të rregullohen në një periudhë afat shkurtër. Par pavarësisht këtyre kritikave që vijnë nga Komisioni Evropian, eksperti Alban Lila thotë se Shqipëria po tenton të përshtatet sipas standardeve të BE. “Shteti ynë ndjek legjislacionin e BE, çdo rregull që vihet aty aplikohet edhe tek ne. Para dy vitesh  BE ka nxjerrë nga qarkullimi shumë lëndë aktive për mbrojtjen e bimëve që kanë qenë të vjetra, apo me mbetje, dhe ato nuk lejohen. Edhe në Shqipëri kanë dalë nga tregu. Kur BE vendos që nuk do ta lejojë një produkt, ai shitet për kohën që është në treg, por nuk lejohet më prodhimi i tij. Kur ai mbaron ai del nga tregu. Për sa kohë produktet vijnë nga kompani serioze, janë të gjitha brenda standardeve”, argumenton Lila.

Pesticide në tavolinë

Pranvera dhe vera janë stinët më produktive, pasi në këtë periudhë kohore dalin në treg shumica e frutave dhe perimeve. Por shumë prej frutave dhe perimeve që janë të këtyre stinëve qarkullojnë në treg dhe në periudhat e tjera të vitit, duke hedhur dyshime se janë rritur me kimikate dhe nuk janë bio. Fermerët dhe autoritetet pranojnë që në vend përdoren pesticidet, por shtojnë se përdorimi i tyre përdoret për të mbrojtur bimët nga insektet dhe sëmundjet e ndryshme dhe jo për të nxjerr në treg para kohe produktet e ndryshme.

Termi “pesticid” përdoret zakonisht si sinonim për produktet e mbrojtjes së bimëve. Pesticidet janë të destinuara për përdorime jo-bimore për të kontrolluar dëmtuesit dhe transportuesit e sëmundjeve të tilla si insektet etj. Ekspertët sugjerojnë përdorimin e këtyre produkteve kimike për të parandaluar sëmundje të ndryshme që mund të prekin bimët. Pesticidet luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e rendimentit të kulturave bujqësore. Megjithatë, mbetjet nga pesticidet potencialisht mund të jenë të dëmshme për njerëzit nëse hyjnë në ushqimin që konsumojmë.

Por sipas raporteve bëhet me dije se përdorimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve ku bëjnë pjesë edhe pesticidet nuk është monitoruar siç duhet nga institucionet publike. Për këtë shkak është lënë vend për abuzime dhe është cënuar siguria ushqimore.

Alarmi i KLSH-së për përdorimin e pesticideve

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të bërë në muajt e fundit zbulon se institucionet kanë lënë në mëshirë të fatit  monitorimin e përdorimit të pesticideve në vend, pasi nuk janë plotësuar numrat e nevojshëm të trupave kontrolluese dhe monitoruese. Sipas auditimit të bërë nga KLSH vlerësohet se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka kryer reforma strukturore të cilat nuk i kanë shërbyer plotësisht rritjes së efektivitetit të menaxhimit të PMB-ve dhe sigurisë ushqimore.

“Për të qenë më efektive dhe eficiente, ristrukturimet duhet të shoqërohen me rritjen e numrit të stafit profesional, duke respektuar kriteret sipas formimit, profesioneve në fushën e bujqësisë, trajnimet dhe testimet e tyre, sidomos te strukturat për mbrojtjen e bimëve në gjithë zinxhirin e menaxhimit të PMB-ve, por edhe të kapaciteteve administrative. Ndryshimet në strukturat administrative të institucioneve të MBZHR-së nuk janë kryer bazuar në, nevojat, kompleksitetin, kritere të qarta vlerësuese, politikat për një menaxhim më të mirë të PMB-ve, si edhe praktikat më të mira. Pra kjo tregon një mosefektivitet të ndryshimeve të shpeshta strukturore në realizimin e qëllimit të menaxhimit të PMB-ve”, thuhet në dokumentin e KLSH-së.

Po ashtu ky institucion vlerëson se qeveria nuk ka mbështetur aq sa duhet Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me fonde dhe numër punonjësish, dhe në këtë mënyrë nuk është bërë plotësimi i duhur i trupave kontrolluese e monitoruese.

Siç shpjegohet dhe në tabelë në tre vitet e fundit ministria e MBZHR ka pasur nga 21 deri në 36 monitorues më pak se planifikimi që është bërë në fillim të çdo viti. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit “kjo tregon paaftësi menaxhuese të burimeve njerëzore dhe mungesë planifikimi të pabazuar në nevojat objektive në përmbushjen e detyrimeve ligjore”.

Nga ana tjetër raporti shpreh rezerva dhe për sigurinë ushqimore, pasi kontrollet për përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve nuk trajtohet me rëndësi nga autoritetet.

“Mungesa e dhënies së rëndësisë që ka siguria ushqimore dhe kontrolli i zinxhirit të tregtimit dhe përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve, ka sjellë si pasojë, që ky proçes të lihet në aspektin dytësor e tretësor të politikë bërjes së MBZHR dhe mos të kemi financime me program investimesh afatshkurtër dhe afatgjatë”, është ky konstatimi i KLSH-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit shprehet se pesticidet në Shqipëri përdoren në mënyrë të pakontrolluar dhe po rrezikojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. Sipas raportit ministria e Bujqësisë dhe Instituti i Sigurisë ushqimore dhe AKU nuk kanë marrë asnjë masë.

Ekspertët: Produktet bujqësore në Shqipëri janë të sigurta

Ekspertët gjithmonë sugjerojnë përdorimin e pesticideve për të mbrojtur bimët nga sëmundje të ndryshme. Sipas tyre në kohët që jetojmë bimët janë të rrezikuara nga viruset e ndryshme që qarkullojnë dhe është një domosdoshmëri përdorimi i elementëve kimikë për të spërkatur gjethet dhe lulet gjatë proçesit të rritjes së frutave apo perimeve.

Alban Lila, shpërndarës i plehrave kimike në Shqipëri në një intervistë për “Sinjalizo” është i mendimit se fermerët në vend nuk abuzojnë me përdorimin e pesticideve dhe shton se produktet vendase janë të një cilësie shumë të lartë. Po ashtu Lila shton se në momentin që produktet shqiptare eksportohen në BE, kanë kaluar disa filtra që i bëjnë ato të sigurta për konsum.

“Në Shqipëri ka qenë gjithmonë ideja që fermerët abuzojnë, por fermerët tanë në fakt nxjerrin një super prodhim sepse pothuajse 90% e prodhimit që bëhet në Shqipëri bëhet për eksport. I nënshtrohet të gjitha analizave në vendet ku shkojnë dhe nuk ka asnjë lloj problemi. Në momentin që BE ta lejon një produkt ta eksportosh, e konsumon vetë, do të thotë që ti ke një produkt super cilësor”, thotë ai.

Nga ana tjetër Fadil Mara, importues i inputeve bujqësore thotë se konkurrenca ka bërë që të rritet shumë cilësia e pesticideve dhe përdorimi i tyre të jetë shumë i kontrolluar. “Konkurrenca ka bërë që shumica e njerëzve që sjellin produktet nga jashtë për t’i futur në treg dhe mundohen të jenë sa më cilësore, nga kjo pikëpamje ka edhe njëfarë cilësie në ata çfarë futen në Shqipëri. Kjo nuk përjashton edhe mundësi që në këtë treg futen edhe mallra jo cilësore, por në përgjithësi tregtarët mundohen të sjellin produkte sa më cilësore, sepse nuk mund t’i shesin dot”, shprehet Mara.

Agronomi Gazmir Cufo shpjegon për “Sinjalizo” se fermerët duhet të kujdesen që të zgjedhin produktet cilësore dhe të mos bien pre e mashtrimeve, duke u gënjyer nga çmimi pasi përveç se vrasin bimët, vrasin dhe veten. Ai pranon që ka dhe abuzues, por shton se fermerët kanë marrë informacione për sigurinë e pesticideve dhe duhet të tregohen të ndërgjegjshëm për produktet që përdoren.

“Dëgjojmë që ka abuzime por ne i përkushtohemi produkteve tona. Ka dhe abuzues, por ne u japim konsulencë fermerëve”, sqaron ai.

Pesticidet kërcënojnë, po AKU ku është?

Në bazë të ligjit “Për ushqimin”, një ushqim është i pakonsumueshëm kur ai përmban “mbetje të pesticideve, medikamenteve veterinare, metale dhe substanca të tjera, të dëmshme për shëndetin e njerëzve, në sasi më të mëdha se ato të lejuara”. Por edhe pse ligji është shumë i qartë për sigurinë ushqimore, sërish ka pasur denoncime si nga institucione private dhe qytetarë që produktet që tregtohen kanë qenë të kontaminuara.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që është një prej autoriteteve përgjegjëse për sigurinë ushqimore raporton se ka kryer kontrolle periodike për të zbuluar tregtimin e produkteve me pesticide. Në raporte të ndryshme ditore, AKU sqaron se ka kryer kontrolle në pikat fundore të tregtimit dhe ka sekuestruar herë pas here mostra për ekzaminime të mëtejshme dhe pas analizimit kanë rezultuar se kanë qenë me normë të lartë me pesticide. Por edhe pse AKU njofton se kryen kontrolle në të gjithë vendin, KLSH në një raport të publikuar së fundmi citohet se nuk janë kryer analiza si nga AKU, po ashtu dhe nga ISUV.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Ushqimit i tha në një përgjigje “Sinjalizo” se në total për periudhën Qershor 2021 – Prill 2022, nga informacioni i përditësuar rezulton se nga 875 mostra të marra në total, rezultatet e marra nga analizat e kryera në laboratorin e ISUV flasin për 206 mostra konforme, 37 jokonforme dhe 632 mostra ende në pritje të përgjigjes së rezultatit të analizave.

“Mostrat jo konforme janë: pjeshkë (15), karrotë (1), sallatë jeshile (2), pjepër (1), domate (2), molle (2), patate (2), spec (2), ullinj tavoline (5), spinaq (2), kastravec (1) dhe rrush tavoline (2)”, tha AKU në përgjigjen për “Sinjalizo”.

Referuar njoftimeve nga ISUV për rezultate jo konforme të analizave për nivelin e mbetjeve të pesticideve në produkte fruta-perime të sipërcituara, nga DRAKU-të e qarqeve ku janë marrë këto kampione, në subjektet përkatëse AKU njofton se janë marrë masat bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Sipas adresave të subjekteve, mostrat e marra i përkisnin qarqeve: Tiranë 10 mostra, Lezhë 6 mostra, Shkodër 5 mostra, Fier 1 mostër, Gjirokastër 3 mostra, Korçë 1 mostër, Elbasan 3 mostra, Vlorë 1 mostër, Berat 3 mostra dhe Durrës 3 mostra.”

Për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë si kërkesë ligjore ndaj 9 subjekteve, janë vendosur masa administrative gjobë (në vlerën 100000 lekë secili) për shkelje të nenit 25 “Kërkesat për gjurmueshmërinë e ushqimeve”.

Për produkte të importuara, referuar sistemit të gjurmueshmërisë në 5 raste problematika iu përcoll Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut për njoftimin e sistemit RASFF (Rapid Alert for Safe Food and Feed) për marrjen e masave për njoftimin e autoriteteve të vendeve nga vinin produktet e importuara. Produktet e importuara për të cilat ishin marrë mostra i përkisnin matricave: pjeshkë (3), karrotë (1), domate (1) dhe mollë (1).

KLSH: Nuk janë kryer kontrolle për pesticidet

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit shprehet se pesticidet në Shqipëri përdoren në mënyrë të pakontrolluar dhe po rrezikojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. Sipas raportit ministria e Bujqësisë dhe Instituti i Sigurisë ushqimore, nuk kanë marrë asnjë masë. Madje, perimet dhe frutat që ne konsumojnë kalojnë në treg pa u kontrolluar më parë për nivelin e pesticideve, pasi nuk iu bëhet asnjë analizë nga ISUV. KLSH në raport citon se për periudhën 2018-2020 ISUV, si institucion përgjegjës nuk ka kryer analizat e nevojshme fillimisht për llojin e pesticideve që përdoren, duke lënë hapësira për përdorim të llojit shumë helmues.

“Mosfunksionimi i laboratorëve të analizave cilësore të PMB, si dhe ai i mbetjeve të tyre në bimë dhe produktet me origjinë bimore të ISUV dhe AKU, sqarojmë se: ISUV ka kapacitet teknik të plotë në funksion të analizimit të PMB dhe të mbetjeve të tyre në bimë dhe produkte bimore. Gjatë viteve 2018-2020 nuk janë realizuar analizat cilësore të PMB-ve pasi nuk e kemi patur të mundur të parashikonim kite-reagente, bazë materiale laboratorike të domosdoshme për këtë proçes analitik. Këto analiza janë të përfshira në Planin me Bazë Risku vjetor të AKU i cili nuk është parashikuar në buxhetin e miratuar nga Autoriteti Kompetent për ISUV si institucion varësie. Gjithashtu dhe plani lidhur me kampionet e PMB-ve ka ardhur i vonuar në ISUV”, thuhet në raport.

Më tej KLSH sqaron se sipas ISUV mungesa e analizave ka ardhur pasi nuk kanë  pasur fonde të mjaftueshme në dispozicion. Kjo tregon edhe njëherë se vëmendja e shtetit për sigurinë ushqimore është minimale. Nisur nga kjo situatë KLSH kërkon nga ISUV dhe AKU që të marrin masat që të shtojnë kapacitet, të shtojnë investimet në infrastrukturë, për të rritur eficiencën e punës dhe qytetarët të jenë më të sigurtë për ushqimet që konsumojnë./Merxhan Daci