Kthetrat e investitorëve strategjik ‘gllabërojnë’ vijën më të bukur bregdetare të Kavajës nën maskën e kalasë

204
Sigal

 

 

Një vjedhje e re është ligjëruar ku shumicën e rasteve oligarkëve iu është dhënë e drejta të fusin nën sqetull sipërfaqe të mëdha toke, nën pretekstin se do të investojnë në turizëm.

Një vjedhje e re është ligjëruar ku shumicën e rasteve oligarkëve iu është dhënë e drejta të fusin nën sqetull sipërfaqe të mëdha toke, nën pretekstin se do të investojnë në turizëm. Ligji i famshëm i investitorëve strategjik i miratuar me shpejtësi nga parlamenti miratoi pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës, një zgjatje të re afati për zbatimin e ligjit për “investime strategjike deri në vitin 2023”. Pra, edhe një herë tjetër iu hap rruga vjedhjes së pronës. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve miratoi më 5 prill statusin e investitorit strategjik për “Marina Hills”, një project, që do të zhvillohet nga Finsec Development.Vendndodhja e projektit përfshin Kalanë e Turrës ku do të zhvillohet “një projekt i integruar në sektorin turizëm në pronë, privat dhe shtet”.Vlera e projektit sipas vendimit të AIDA-s parashikohet të jetë 450,000,000 € (katërqind e pesëdhjetë milion) dhe do të gjenerojë punësim për 200 persona. Investimi që fillimisht synonte të zhvillohej në një sipërfaqe mbi 400 hektarë pas mbivendosjes me një tjetër projekt është reduktuar në 162 hektarë dhe tashmë zhvillimi i tij do të bëhet në këtë sipërfaqe, duke përshtatur edhe treguesit e tjerë.

Dy projekte në Kalanë e Turrës

Zona e Kalasë së Turrës edhe më herët ka qenë pjesë e vendimeve të veçanta ku më kyçja mbetet ajo për ndërtimin e një porti përmes një kontrate koncesionare të firmosur në vitin 2013. Edhe pse me kompani zhvilluese të ndryshme nuk është e vështirë të bëhet lidhja e dy projekteve që po zhvillohen në të njëjtën zonë. Kështu FINSEC Port parashikon ndërtimin e Porto Albania një port jahtesh sipas formës së koncesionit ndërtim, shfrytëzim, mirëmbajtje, transferim në Kalanë e Turrës, komuna Synej Kavajë. Tarifa koncesionare për këtë projekt është vendosur sipas kontratës në 2 për qind të xhiros, por edhe pse kanë kaluar vite projekti ka pasur vonesa dhe problematika, që e kanë shoqëruar duke e lënë ende të papërfunduar. Aksionarë në projekt sipas ekstraktit të QKR mbeten FINSEC AG dhe Victoria Invest me përkatësisht 80 për qind dhe 20 për qind me administrator z.Artan Kraja. Në projektin e dytë të Marina Hills me zhvillues Finsec Developments sipas ekstraktit të QKR është i njëjti administrator teksa ortakë janë Finsec LTD dhe Greg Xhillari me përkatësisht 70 dhe 30 për qind.

Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Marina Hills”, për një periudhë 4 vjeçare, përveç afatit të lejimit të përdorimit të pasurive të paluajtshme shtetërore.

Vendimi i KIS

“Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Marina Hills”, për një periudhë 4 (katër) vjeçare, përveç afatit të lejimit të përdorimit të pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat vendosen me Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit të investimeve strategjike dhe legjislacionit të turizmit.

Në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, përkatësisht nenet 22, 24, 27 të Ligjit Nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, masat mbështetëse që i jepen projektit janë si më poshtë:

  1. a) Miratohet masa mbështetëse e kryerjes së procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike;
  2. b) Miratohet masa mbështetëse e asistencës në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike;
  3. c) Miratohet në parim masa mbështetëse dhënia e së drejtës së përdorimit dhe shfrytëzimit të zonës pranë “Kalasë së Turrës”, e cila përfshihet në Zonën Kadastrale 2099, me adresë Peqinaj, Bashkia Kavajë. Referuar legjislacionit të turzimit, specifikisht VKM nr. 162, datë 02.03.2016

“Për rregullat, procedurat dhe mënyrat e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit”, i ndryshuar, miratimi përfundimtar i masës mbështetëse të mësipërme, do të rregullohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi të turizmit mbi zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, lidhur me mënyrën dhe afatet e vënies në dispozicion të këtyre pasurive të paluajtshme në pronësi të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin e strukturave akomoduese turistike të parashikuar në këtë projekt investimi strategjik dhe, sipas rastit, pasi të bëhet ndryshimi i destinacionit të llojit ‘Pyll’ dhe pasi të bëhen verifikimet e nevojshme të pronës nga ASHK, sipas koordinatave të dhëna nga investitori dhe për aq kohë sa nuk ekzistojnë mosmarrëveshje administrative dhe/ose gjyqësore me shtetin në pasurinë objekt të investimit strategjik. Mënyrat, procedurat, afatet dhe organet zbatuese për ofrimin e masave mbështetëse do të përcaktohen në planin e veprimit që do të saktësohet pas përmbushjes së kushteve të parashikuara në pikat 1, 3, 8 dhe 9 të këtij vendimi. Në rast se përgjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit investues strategjik “Marina Hills” konstatohen të dhëna të pavërteta, të rreme apo ndryshime të të dhënave të dala rishtazi, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për miratimin e statusit strategjik të këtij projekti me procedurën e veçantë, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë të revokojë vendimin për dhënien e statusit strategjik. Ngarkohet subjekti investues të dorëzojë, pranë AIDA-s, projektin e plotë të përshtatur sipas gjurmës së përcaktuar në pikën 1 dhe 3 të këtij vendimi dhe dokumentacionin e përditësuar në lidhje me projektin e investimit strategjik vetëm për gjurmën “Kalaja e Turrës”, sipas kërkesave të legjislacionit për investimet strategjike.

Në mënyrë të veçantë, përveç projektit, dokumentacioni, sipas paragrafit të mësipërm, duhet të përmbajë minimalisht:

  1. a) Planin e përditësuar të biznesit të projektit strategjik;
  2. b) Planin e përditësuar të financimit të projektit strategjik;
  3. c) Programin e përditësuar të punës për realizimin e projektit strategjik;

ç) Vlerësimin e ndikimit social dhe ekonomik e strategjik të projektit;

  1. d) Listën me të gjitha incentivat dhe kërkesat për mbështetje dhe shërbime që subjekti

investues kërkon nga shteti shqiptar për realizimin e projektit investues, të përshtatur për gjurmën “Kalaja e Turrës”;

  1. dh) Dokumentacionin që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues, si dhe të dhëna financiare, të cilat provojnë aftësinë e subjektit investues për përmbushjen e garancive financiare për realizimin e investimit, sipas kërkesave të nenit 8, të ligjit nr. 55/2015, i ndryshuar, në rast se ky dokumentacion ose këto të dhëna janë të rishikuara ose të ndryshme nga ato të paraqitura më parë;
  2. e) Dëshmitë respektive penale. Dokumentacioni i përditësuar, i kërkuar sipas kësaj pike, duhet të dorëzohet pranë AIDA brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga njoftimi i këtij vendimi. Dokumentacioni i përditësuar, i kërkuar sipas kësaj pike, duhet të respektojë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni specifik për investimet strategjike, lidhur me vlerën e investimit dhe nivelin e punësimit.Në rast se subjekti nuk e dorëzon dokumentacionin e përditësuar në lidhje me projektin e investimit strategjik, të kërkuar sipas kësaj pike, brenda afatit të sipërcituar, ky vendim resht automatikisht së prodhuari efekte të mëtejshme juridike”- thuhet në vendimin e KIS.