Pëllumb Kulla: Në përvjetorin e ndarjes së Dritëro Agollit

740
Sigal

Sa mirë bëre që vdiqe, Dritërò!

Të qoftë i lehtë dheu që të hodhën përsipër, o njeri! Dhe më e lehtë të qoftë balta! E paktë vërtet, por rëndesa e saj është mizore.

Po ti bëre mirë që vdiqe dhe na jep rast neve, që të deshëm, të duam dhe të nderojmë, që të merremi me baltën, sepse dheut nuk kemi se ç’i bëjmë.

Sa mirë, që ta zgjidhim këtë nyjë, po mundëm!

Vdekja jote, o Dritërò, na jep përparësi të themi ato që në të gjallë tënd nuk i thamë dot, ngaqë ti i dole zot vetë kaq e kaq herë. Ne jemi edhe më të zemëruar se ty, sepse ti ishe i vdekur. Dhe të vdekurit nuk zemërohen, paçka se ato që t’u thanë në vdekje janë qindra herë më revoltuese, më shpifëse, më të padrejta dhe më të ndyra. Më të shumtët nga ata që të shanë ishin të paemra, ca edhe me gjysmë-emra, por që të gjithë njësoj demagogë, njësoj sokëllitës, njësoj ulëritës, njësoj mallkimtarë të diktaturës.

Çfarë thanë për ty, mund të t’i kishin thënë edhe sa ishe gjallë, bile edhe teksa lëngoje në shtrat. Do të të kishin gjallëruar. Do të të kishin ngritur në këmbë, më mirë se çdo doktor e çdo medikament! Aq revoltuese ishin.

Por pritën sa të vdisje.

Zhburrat mezi i presin vdekjet se ndihen më komodë pa atë njeriun që shajnë. Vdekjet u vijnë për mbarë shkarashkruesve që këndojnë trimëritë e veta, që mbushin memuarët si ua do qejfi, që shtrembërojnë dhe pikturojnë ca realitete, që të vdekurit nuk ua kundërshtojnë dot.

Ti nuk i kundërshton dot, teksa janë duke të thënë që ishe një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës! Ti, o Dritëro, paske qenë Luciferi i botës së artit! Ti, thonë ata, ishe koburja vrastare me të cilën Enveri vriste shkrimtarët dhe artistët, se ty diktatura të merrte pëlqimin, – dhe ti e jepje! – për çdo burgim dhe pushkatim! Ti këto mund të mos i kesh ditur as vetë, bile këta që të vërsulen të egërsuar, as t’i faktojnë dhe as t’i dokumentojnë këto. E nuk ndjejnë nevojën për fakte e dokumente, ata! Phë! Ata duan që ti të kesh qenë ashtu, e ti nuk thua dot jo, se nuk gjen në historinë e njerëzimit asnjë të vdekur që të thotë jo, pasi ka dhënë shpirt.

Ca bëjnë bè, – dhe nuk kanë pikën e turpit, – se ti veç gjysmën e kohës rrije në Lidhjen e Shkrimtarëve, se gjysmën tjetër e harxhoje në Ministrinë e Brendshme, duke firmosur urdhra arrestesh e varjesh në litar!

Të hartojnë me zell lista mëkatesh me emra shkrimtarësh dhe artistësh që ti duhej t’u kishe dalë zot, sepse ishe çoban i tyre dhe të deshën të kishe protestuar, edhe pse ata po dënoheshin për faje që ndëshkon çdo regjim e çdo diktaturë, por ti duhej të betoheshe se ata nuk i kishin bërë.

Dhe këta që të fajësojnë, o i dashur Dritërò, janë bashkëkohësit e tu. Nuk janë çunakë të rritur tani, kur po shahen ndyrazi pa ferrë në këmbë, pushtetarë të gjallë e të vdekur.

Fajësuesit e tu janë demagogë të paskrupull, që nuk të shajnë ty se, ta zëmë, i paske lënë në baltë, kur ata kishin dalë të protestonin tek po varej poeti Avzi Nelaj, po burgosej Minush Jeroja, apo syrgjynosej Spahivogli e prisnin t’u dilje në krye ti, me grushtet e tua përpjetë. Nuk ka rëndësi që ata nuk dolën për protesta hiç, dhe as u pat vajtur në mend ajo gjë atëherë. Ta kërkojnë ty atë heroizëm!

Në atë kohë viheshin përpara skuadrës së ekzekutimit, ministra, komandantë repartesh partizane dhe partizanë të thjeshtë, por asnjeri nuk i kërkon asnjë njeriut që t’i kishte shpëtuar ata. Ty të kërkohet të kishe shpëtuar shkrimtarët! Unë, me stilin e kërkesave të tyre, do t’i kërkoja Themie Thomajt, Ministres së atëhershme të Bujqësisë, të kishte shpëtuar nga burgu tërë bujqit dhe blegtorët! Por fajësuesit e fisnikërojnë kërkesën ndaj teje dhe bile, të duan të kishe shpëtuar eshtrat e Fishtës që u flakën në Bunë, të mbroje poetët që ty të bëkeshin hije dhe ata që nuk ta rrezikonin famën hiç!

Ty, o i ëmbli poet, të kërkojmë tani që vdiqe, të kishe vdekur nja 50 vjet më parë në sheshin Skënderbej, duke i vënë flakën vetes, si Jan Palaku çek, në mbrojtje të shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë!

* * *

Por kjo nuk është veçse një zhurmë e poshtër, demagogjike, reaksionare dhe antikombëtare. Këta shkurtabiqër që nuk bëjnë dot hije mbi dhè, e kanë dashur Shqipërinë e asaj kohe një shkretëtirë me thatësirë të zgjatur, me diell të ashpër, pa hije dhe pa oaze. Këta kërkojnë ca hije për staturën e tyre të shëmtuar, duke u çjerrë tani, se e paskërkan dashur Shqipërinë e atëhershme pa një Dritërò dhe pa një Ismail. Për nevojat e tyre djallëzore ata ulërijnë të pakënaqur që vendi i tyre kishte vjersha dhe këngë! Meqenëse ishte diktaturë deshën që njerëzit të mos qeshnin, të mos mrekulloheshin nga pikturat, të mos përloteshin nga këngët e trimërisë! Nuk deshën këmbë aktori nga ata që të linin me gojë hapur, këngëtarë nga ata që spektatorët i kthenin në skenë dy dhe tri herë. Këta i deshën mësuesit të mos u tregonin nxënësve bukuritë e gjuhës shqipe, deshën arsimtarë që të kundërshtonin programet e të mos i vinin shkollarët e vegjël të bënin hartime për luftën, të mos recitonin vjersha për qengjat, për malet me borë, për Partinë dhe për Enverin.

Këta maskarenj e dinë fare mirë se po kërkojnë të pamundurën!

E kërkojnë tani dhe nuk guxuan ta kërkonin atëherë, jo më në “Zërin e Rinisë”, por as në një kafenè.

Këta na kujtojnë ata gazetarët amerikanë që Ilia Ehrenburgut, shkrimtarit që vinte nga vendi i sovjetëve, pasi Stalini në një fushatë të egër pati vrarë dhe shfarosur mijëra e mijëra shkrimtarë dhe gjeneralë, kur shkeli në aeroportin e Nju Jorkut e pyetën: “Po ty, zotëri, që na zbret nga Moska, a nuk të vjen turp që ke mbetur gjallë?!”

Poetët tanë të shquar kanë shkruar ca poema që edhe unë nuk do të desha t’i kishin shkruar, por ata nuk mund të bënin pa to. Në historinë e Evropës së qytetëruar nuk pat shpëtuar dot nga këto haraçe as Gëtja, as Bethoveni, as Pushkini dhe as Molieri. Shkrimtari gjerman Bertolt Breht ka shkruar një ese të tërë për “dredhitë që duheshin për të thënë të vërtetën” Këtyre poetëve tanë brilantë, udhëheqësi dhe partia e tij ua deshën vargjet si oksigjenin. Por vargjet e tyre nuk ndryshuan asnjë mendje dhe nuk shndërruan asnjë urrejtje në dashuri. Dredhia e këtyre dy mjeshtërve në dhënien e haraçit, bëri që ata të kapnin lartësira dhe mundësira të nxirrnin vepra që mbeten në visaret e kombit, ua bëri voli që të ushqenin shpresën popullit, lartësuan gjuhën e bukur shqipe, dhanë me bollëk nënkuptime, lëvruan alegoritë e “Kalit dhe Gomarit” dhe të kinezërive shqiptare të importuara tek “Koncerti” Këta autorë madhorë u bënë pararendësit e demokratizimit të shoqërisë së asfiksuar shqiptare.

Korpusi i artë i veprave që bënë, do të ndrisë në shekuj dhe pastaj, në shekuj, asnjeri nuk do t’u shtrojë më kurrë kërkesa të marra dhe idiote për ato që nuk bënë dot.

Vende të tjerë të botës kanë pasur shkrimtarë të shquar që u kanë bërë ballë më me trimëri diktaturave të veta. Atyre vendeve, populli i vuajtur shqiptar, u ka zili vetëm diktaturat dhe nuk ua ka hiç zili shkrimtarët e shquar!

* * *

Në këto ditë zije dhe unë pata publikuar ca kujtime dhe me keqardhje përballa me durim sulme të paemrash që ndynin veprën dhe emrin e Agollit. Bile, pa pritur të vdisja, nuk mënuan të më sulmonin dhe mua, një krijues modest, që nuk pata shkruar as “Nënën Shqipëri” dhe as “Përse mendoheshin malet.” Me fraza parafabrikate më fusnin, me të drejtë, në kategorinë e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, por nuk më nxinin dot me asgjë. I vetmi mëkat ishte kategoria, ajo që më përkiste, meqë kam botuar vëllime, drama, komedi e kam angazhuar aktorë në qindra komedijëza skenike dhe televizive. Dhe unë duhet të skuqem për to?! A nuk duhet të më thuhet një fjalë e mirë dhe të falënderohem për tërë gazin dhe buzëqeshjet, që kam shkaktuar, unë “shkrimtari i socrealizmit?!” E, nëse pranoni dhe ju se nuk paskam asnjë mëkat “komunist”, qenka faj të të kenë sjellë hyjnitë të jetosh në kohëra diktatoriale?!

Mirë, atëherë:

Ti, o kritizeri im i pafytyrë dhe ju, o sharamanë pa gravitet tokësor, që kërkoni heroizmat e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, nuk ju vjen turp që nuk kryet ju vetë një akt heroik?! Akti heroik nuk ka nevojë as për emra, që ju s’i kishit, as për stilografë, as për penela dhe as për piano dhe violina. Do t’ju kërkoj pra, atë që i kërkoni Dritëròit dhe Ehrenburgut:

Nuk ju vjen turp që keni jetuar në diktaturë?! Dhe që, pastaj, keni mbetur gjallë, nuk ju vjen turp?!

…………………………………………………

Publikuar në shtyp, në ato ditë, menjëherë pas varrimit të poetit